Albspirit

Media/News/Publishing

Frank Shkreli: Mirënjohje ambasadorit amerikan!

Shumica e diplomatëve dhe zyrtarëve të lartë amerikanë të cilët gjatë dekadave të fundit të shekullit të kaluar dhe fillimin e shekullit XXI kanë lenë gjurmë të pashlyeshme në promovimin e lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut për shqiptarët kudo, si për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, për arsye të moshës, po zhduken një nga një. Jam i mendimit se ua kemi borxh të pakën t’i kujtojmë me një THANK YOU – me rastin e kalimit të tyre në amshim – për kontributin që kanë dhënë për lirinë due për të drejtat e shqiptarëve. Pasi besoj, se falë angazhimit të tyre bota shqiptare, në përgjithësi, megjith problemet e shumta me të cilat përballet sot, është mirë se ç’ishte 30-vjetë më parë.

Me 2 Qershor, 2021 ndërroi jetë në moshën 77-vjeçare, njëri prej këtyre burrave, ish-Ambasadori amerikan Xhejms Përdu. Ambasadori i ndjerë ka shërbyer, ndër të tjera poste, si ambassador i Shteteve të Bashkuara në Bullgari, por unë kam pasur privilegjin dhe nderin ta njihja ambasadorin e nderuar gjatë shërbimit të tij në Washington si Zëvëndës Këshilltar i Posaçëm i Presidentit dhe Sekretarit të Shtetit për çështjet ballkanike gjatë konfliktit në Kosovë dhe vendosjes së paqës atje nga viti 1999-2001, si dhe më përpara gjatë luftës në  Bosnje dhe kur përfaqësonte Sekretarin Amerikan të Mbrojtjes në grupin negociues të Shteteve të Bashkuara që siguroi arritjen e marrëveshjes Dejton, që i dha fund luftës në Bosnje. Para se t’i përvishej diplomacisë, Xhejms Përdu ka pasur një karjerë të shkëlqyeshme në detyra të ndryshme ushtarake në Pentagon.  Në ketë kapacitet, ai kryesonte mbledhjet e përfaqsuesve të enteve të ndryshme të degës ekzekutive të qeverisë federale (inter-agency meetings) — që merreshin me çështjet ballkanike — me qëllim të bashkrendimit të veprimeve dhe masave qeveritare, gjatë konlikteve në Ballkan. Nuk ishte pra diplomat i karrierës, por me një përvojë të dyfishtë në ushtri dhe diplomaci, ai besonte në zgjidhjen e konflikteve nepërmjet ushtrimit të një diplomacie të profilit të lartë, mbështetur me forcë ushtarake, po të ishte nevoja.


KUSH ISHTE AMBASADORI XHEJMS PËRDU?

Ambasadori Përdu ka pasur pra një karrierë të gjatë dhe të dalluar ushtarake dhe diplomatike. Para se të fillonte karrierën e tij diplomatike, Z. Përdu ka shërbyer në ushtrinë amerikane për 27 vjet, në detyra të larta të inteligjencës, përfshirë, ndër të tjera, postin e zëvendës Drejtorit për Inteligjencë dhe Drejtor i Inteligjencës së Jashtme, në periudhën e shembjes së komunizmit anë e mbanë Evropës lindore dhe qendrore dhe në ish-Bashkimin Sovjetik. Ai doli në pension nga ushtria amerikane në vitin 1994 për të filluar një karrierë të re në diplomaci. Gjatë krizës ballkanike, Xhejms Përdu ishte në qendër të zhvillimeve dhe të veprimtarive politiko-diplomatiko-ushtarake të Shteteve të Bashkuara në atë rajon, duke filluar që në vitin 1995, fillimisht si pjesëmarrës në negociatat e ish-ambasadorit Riçard Holbruk për të ndaluar luftën në Bosnje, e deri tek shpallja e pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008. Ambasadori Përdu llogaritë në rezymenë e tij profesionale edhe detyrën e krye/negociatorit amerikan në bisedimet e Ohrit midis palës shqiptare dhe palës sllavo-maqedonase. Z. Përdu ka kryesuar gjithashtu edhe task-forcat, ose grupet ndër-qeveritare të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin, të organizuara nga Departmenti Amerikan i Shtetit (DASH) dhe nga Pentagoni gjatë krizave në Ballkan, ndërkohë që ka shërbyer edhe si këshilltar politik pranë Aleancës së NATO-s. Fillimisht, Z. Përdu u emërua Drejtor i Zyrës përgjegjëse për Ballkanin në Departmentin e Mbrojtjes dhe nga viti 1996 e deri në vitin 2008 ka shërbyer në DASH.

“Ai është i njohur në qarqet ballkanike dhe e njeh mirë Ballkanin”, ka thënë për ish-ambsadorin Përdu, Ndihmës Sekretari aktual i Shtetit, Filip Riker, edhe vet ky një njohës shumë i mirë i çështjeve ballkanike. Duke filluar nga viti 1966 e deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, Amb. Përdu ka qenë në qendër të politikës amerikane kushtuar Kosovës dhe si i tillë ka luajtur një prej roleve kryesore në zhvillimet politike, diplomatike, ushtarake dhe ndërkombëtare, të cilat me në fund — nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara — çuan në shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Nga viti 1999 e deri në 2001, Ambasadori Përdu ka shërbyer si Zëvendës këshilltar i posaçëm i Presidentit dhe i Sekretarit Amerikan të Shtetit për Ballkanin gjatë luftës së NATO-s në Kosovë dhe si i tillë ka marrë pjesë në bisedimet diplomatike për paqe, që pasuan konfliktin. Në këtë kapacitet, Z. Përdu ka zhvilluar, bisedime edhe me krye-kriminelin serb Sllobodan Millosheviç dhe me udhëheqësit politikë shqiptarë të Kosovës. Në Uashington ai ka shërbyer si bashkërendues i Misionit Verifikues Ndërkombëtar dhe pas fushatës së suksesshme të bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, Z. Xhejms Përdu ka luajtur rol të rëndësishëm në vendosjen e pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë dhe në krijimin e institucioneve qeveritare dhe të sigurisë në atë vend.

Përveç punës së tij të dalluar në lidhje me fatin e të ardhmes së Kosovës, Ambasadori Përdu është marrë gjithashtu edhe me të drejtat e shqiptarëve në përgjithësi në rajonin e Ballkanit. Sekretari i Shtetit, në administratën e Presidentit Xhorxh W. Bush, Gjenerali Colin Powell e ka dërguar Ambasadorin Përdu në Maqedoni, në verë të vitit 2001, për të gjetur një zgjidhje politike të konfliktit etnik që kishte arritur përmasat që rrezikonin të fusnin Maqedoninë në një luftë civile, me pasoja të rënda, jo vetëm për shqiptarët, por për mbarë rajonin e Ballkanit. Pas disa javë negociatash, palët arritën marrëveshjen e quajtur “Marrëveshja e Ohrit”, e nënshkruar nën mbikëqyrjen e Ambasadorit Përdu dhe përfaqësuesit evropian, në gusht të vitit 2001. Më vonë, nga viti 2005-2008, Ambasadori Përdu ka shërbyer në detyrën e Zëvendës Ndihmësit të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, i cili ka mbikëqyrur stafin ndërkombëtar për Operacione dhe Menaxhim Krizash me qendër në Bruksel, me përgjegjësi — ndër të tjera — për zhvillimin e politikës së NATO-s ndaj Kosovës. Falë përvojës së tij të gjatë në konfliktet e Ballkanit, Ambasadori Përdu ka marrë pjesë edhe në bisedimet e Grupit të Kontaktit, si përfaqësues i NATO-s, bisedime këto që kishin të bënin me zhvillimin e politikës ndërkombëtare ndaj Kosovës dhe njëherazi ka dhënë ndihmesën e tij edhe OKB-së për të ashtuquajturin Plani Ahtissari, përpjekje këto që më në fund përfunduan në pavarësinë e Kosovës.

Ushtaraku i karrierës i këthyer në diplomat, Xhejms Përdu ka përmbledhur përvojat e tija dhe rolin jetik të Shteteve të Bashkuara në luftërat Ballkanike 1995-2008. Libri i Ambasadorit Përdu, botuar me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, titullohet: “Pajtuesit: Udhëheqja Amerikane dhe Fundi i Gjenocidit në Balkan”, është historia e parë gjithë përfshirëse e një ndërhyrjeje të suksesshme shumëkombëshe në Ballkan, 1995-2008, e treguar nga një zyrtar i lartë amerikan, i cili gjendej në qendër të veprimtarive dhe përpjekjeve të drejtë për drejta diplomatiko-ushtarake, për të parandaluar krizat due më vonë, si njëri prej përpiluesve kryesorë i politikave për zgjidhjen eventuale të konflikteve në atë rajon. Ai, ndër të tjera, përshkruan në hollësi se si i ndjeri Riçard Holbrooke dhe përfaqësuesit amerikanë që erdhën pas tij, ndihmuan për të ndaluar ose parandaluar luftëra shkatërruese në Bosnje, Kroaci, Kosovë dhe Maqedoni. Në librin e tij, ai flet për dramën njerëzore në luftë, por edhe në fushën e diplomacisë, duke pasqyruar njëkohësisht edhe motivet, karakterin, talentin dhe dobësitë e udhëheqësve të rajonit me të cilët i është dashur të punonte gjatë asaj periudhe. Në kujtimet e tij, “Ambasadori Përdu demonstron se përdorimi i fuqisë ushtarake amerikane për të pakësuar dhe për të eliminuar vuajtjet njerëzore, është në përputhje të plotë me vlerat amerikane”, thuhet në vlerësimin e librit nga ana e botuesit. Megjithëse kanë kaluar disa vite nga luftërat në Ballkan, libri i Z. Përdu është gjithashtu një kujtesë due mësim edhe për situatat e sotëme të krizave në botë se pa udhëheqjen e vendosur të Shteteve të Bashkuara dhe pa një bashkëpunim shumëkombësh, është e vështirë të merret me mend zgjidhja e krizave kritike ndërkombëtare, kudo qofshin ato.

Në një vlerësim të librit të Ambasadorit Përdu, Marc Grossman, ish-Zëvendës Sekretari Amerikan i Shtetit për Çështje Politike është shprehur se amerikanët duhet ta ndjejnë vetën të lumtur që Ambasadorin Përdu, siç ishte shprehur edhe ai vet, vite më parë, “e kishte tërhequr diçka në Ballkan”. Ish-diplomati i lartë amerikan, Z. Grossman vlerëson se Ambasadori Xhejms Përdu ka kontribuar pa ndërprerje dhe pozitivisht për kauzën e paqes dhe të drejtësisë në atë pjesë të Evropës, të prekur nga dhuna. Ai e cilëson librin gjithashtu si një studim të rëndësishëm se si dhe kur duhet të përdoren të gjitha mjetet politike, diplomatike dhe ushtarake të shtetit, për të realizuar objektivin e misionit të caktuar.

Profesori David L. Anderson i Universitetit Shtetëror të Kalifornisë ka vlerësuar librin “Pajtuesit: Udhëheqja Amerikane dhe Fundi i Gjenocidit në Ballkan” të Ambasadorit Përdu duke thënë se, “Rekomandimet e tija në favor të një diplomacie aktive, për lidhjet që duhet të ekzistojnë midis përdorimit të forcës kur është e nevojshme dhe përdorimit të diplomacisë, si dhe rëndësia që ka stabiliteti evropian për politikën e jashtme amerikane – janë këshilla dhe porosi me shumë vlerë për zyrtarët e sotëm publikë në Amerikë dhe për udhëheqsit ndërkombëtarë”.

Si i tillë, Ambasadori Xhejms Përdu është karakterizuar nga disa ekspertë të çeshtjeve të politikës së jashtme dhe të ndërhyrjeve ushtarake, si një pasues i doktrinës së Woodrow Wilsonit: mbështetës i fortë i përhapjes së demokracisë në botë, promovues i fortë i vet-vendosjes së popujve, kundërshtar i izolacionizmit dhe mos ndërhyrjes ushtarake dhe si i tillë favorizonte angazhimin e fortë ushtarak dhe diplomatik të Shteteve të Bashkuara për të parandaluar shpërthimin e krizave dhe luftërave në zona konflikti, siç ishte Ballkani Perëndimor gjatë 1990-ave.

Me rastin e kalimit të tij në amshim, falënderimet e mia më të përzemërta për këtë figurë të rëndësishme të politikës së Shteteve të Bashkuara ndaj fatit të shqiptarëve në Ballkan.  Duhet të jemi mirënjohës që Ambasadorin Përdu e “kishte tërhequr diçka në Ballkan”.  Si i tillë, vlerësoj se Ambasadori Xhejms Përdu ishte njëri prej diplomatëve amerikanë të asaj periudhe — i duhur si diplomat dhe në kohën e duhur si mbrojtës i interesave dhe i të drejtave të shqiptarëve për vet-vendosje, pikërisht kur ato të drejta, tragjikisht, po kërcënoheshin ndoshta si asnjëherë më parë. Xhejms Përdu, në frymën e ish-Presidentit amerikan Woodrow Wilson, mbrojtësit të vet-vendosjes së popujve — përfshirë Shqipërinë një shekull më parë – la gjurmë të pashlyeshme si një mbrojtës i vendosur i kauzave mohuara të shqiptarëve për liri, demokraci dhe drejtësi në mbarim të shekullit XX dhe në fillim të këtij shekulli.  Krenar që e njofta sado pak si një njeri të butë, të durueshëm dhe i respektueshëm me të gjithë në takimet me të – por edhe mirënjohës ndaj tij për kontributin e tij historik për lirinë dhe vet-vedosjen e shqiptarëve në trojet e veta. Pushofsh në paqë, Ambasador Xhejms Përdu!

Please follow and like us: