Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: EJANI NË PIQERAS!

Ndërkohë që sezoni turistik sapo ka filluar, është edhe thirrja e mësipërme që bëhet nga disa gazetarë e kameramanë të kanaleve televizive shqiptare (private e shtetërore), brenda vitit të Pandemisë së mallkuar, duke e quajtur Piqerasin si fshatin “më të bukurin në botë”, po edhe “vendin e gjelbër e pa viruse”, ku nuk është e nevojshme asnjë karantinë, në ajrin e aromat midis malit, lumit të egër të Bunecit dhe Detit Jon!
Edhe gjatë “vitit të maskave” këtu, thuajse nuk viheshin ato, kur përmes ajrit qarkullonin vitaminat C e D që ndodhen në këtë zonë përjetësisht të gjelbër, me frutat bio që vet banorët i kanë të klimës së tyre, mbjellë e rritur. Duke shtuar: pozicionin fantastik, si të një anijeje “të ankoruar” mbi kodër, të shtëpive që gjarpërojnë në katër drejtime, fshehur nënë ullishtat shekullorë… Gazetarja Valbona Zhupa e kameramani Erald Veshi i TVSH dhe Eni Shehu nga abcnews.al, të cilët sollën për herë të parë në këtë fshat të “bekuar nga Perëndia” edhe Dronin që filmoi nga lart që të gjithë “qylimin e gjelbër” përreth shtëpive të bardha, fiksuan në celuloid një panoramë mahnitëse. Që nga Manastiri i Kremesovës (500-vjeçar, që “mbrohet” e nuk mbrohet nga shteti!?), deri në anëdetin e virgjër të Bunecit, ndarë nga ai lum jetëdhënës, i vogël dhe i egër, që gurgullon e shkumëzon që nga “këmbët e Sasaj” (fshati i vogël i Adriatik Kallullit të madh!), deri në Bregun e Detit, në limanin e hershëm që dikur u vinte në ndihmë me ujin e pijshëm që buronte nga mali, gjithë anijeve që lundronin Jonin, Adriatikun e Mesdheun.
Në këta dokumentarë televizivë, realizuar me një vështrim artistësh të përkorë, nga ku nuk munda t’i krrejë gjithë emrat e autorëve, -ajo që fliste e para ishte natyra me hapësirën e saj, panorama dehëse,- ndofta për herë të parë e fiksuar nga lartë, që ta shohin edhe ata persona “mëtëlartë” që hartuan listën e “100 fshatrave turistikë ” e as që u shkoi mendja fare, për njerën nga “perlat” më të ndritëshme të vendit! Po janë edhe thëniet e atyre 200 turistëve që erdhën këtu parvjet e mbushën të tre hotelet e Bunecit , si edhe apartamentet e përgatitura për ta nga 15 familje piqerasiote, me bukë, kripë, zemër dhe magjinë e fshatit të tyre. “Faleminderit për gjithçka të bukur që kaluam aty,-na shkruajne dy çifte nga Hollanda, -u kënaqëm me panoramën fantastike dhe mikëpritjen. Njerëzit në fshatin tuaj të mrekullueshëm janë fisnikë, përballë një deti që relakson parreshtur me blunë e thellë, me diellin e ngrohtë, me rërën e imtë dhe me peshqit e shijshëm. Dhe ne do ta shprehim këtë kënaqësi të rrallë në vëndin tonë”! (Me dashuri Savane, Jacob, Michael dhe Miranda, Zaandam. Holandë 19 korrik 2018).
Po ç’thotë vallë ai zyrtari ynë që “e la fshatin tonë pas liste”!? Pa bërë investimet kryesore, pa ndrequr as Muzeun e Heronjve në qendër të fshatit (mbetur si “relike” e barbarisë së 97-ës!), pa shtruar rrugën”me gunga e gropa” të plazhit të Bunecit e duke e lënë ende këtë anëdeti kurativ në “mundësitë primitive të Robinson Kruzosë të Defosë” (me ndreq e prish tenda e kasolle kashte)! Po, a i shikojnë vallë edhe këto realizime kinematografike dhe të binden prej fjalëve që thonë banorët e fshatit të këtushëm, ata të palëvizurit nga trualli i tyre, sikundër janë: Arsen Konomi, Katina e Vasil Gjivogli, Majlinda e Aristidh Ali, Luli e Spiro Gjezo, Emiljano Bitri e Andon Laska, Niko Nino e Nikolin Laska, Miho Nini etj,- të cilët shprehen me dhimbje edhe për ata që ikën nga halli dhe e braktisën fshatin e tyre, për dyert e mbyllura të fiksuara nga kamaremanët, për çatitë e muret e rrëzuara të 70 shtëpive, po edhe me ngazëllimin e tyre për të kthyerit nga kurbeti, për shtëpitë e reja që u ngritën, si edhe për hapjen e dyerve të shtëpive egzistuese të tyre për turistët e huaj. Dhe akoma për lulet! Për morinë e luleve që rrethonin fabulistin Gjivogli në shtëpinë e tij fundore, tek fliste e pinte një gotë raki me gazetarin e këndshëm Eni Shehu, si një urim për këtë fshat fisnik, me emrin më bujar në botë: “PI (dhe) QERAS”! Po edhe për lulet e shumta të oborrit mbi xhade, midis të cilave fliste zonja Majlinda Ali, në atë shtëpi të ujdisur me merak, së bashku me bashkëshortin aq shumë të lidhur me Piqerasin, Doktorin Pediatër, Aristidhin! Duke vazhduar me një tjetër kameraman, që s’ia fiksova dot emrin, në një tjetër film, realizuar në shtëpinë e “majës së Hasit” të Spiro Gjezos, ku bashkëshortja Luli, ngjante si në një parcelë të Kopshtit Botanik dhe flet për shijet e këtyre njerëzve ndaj së bukurës!
Pa, do të jenë adhe ata që vijnë këtu të pushojnë, poshtë në Bunec, ku Eni Shehu do të takohej me një mysafire të rrallë, rusen Ana nga Ekaterinburgu i largët, që ecte zbathur nbi barin e buzëlumit, pak më larg nga kulloste tufa e deleve… “Më pëlqen jeta e fshatit,-tha ajo,-dhe në një plazh si Buneci, ku të kënaqet shpirti”… Ajo e fliste shqipen me ndërprerje , po saktë e bukur… Ajo, “Birjozka Ruse” e mësuar në dëborën e atyre anëve… Pak më tej, një pushues stërvitej në ecjen mbi tel, një pelivan mbi litarin e tendosur midis dy ullinjve të vjetër. Pa spektatorë!… Një tjetër turist shqiptar, nga Kosova a Maqedonia, këputi në pemën e limonit dy kokrra të mëdha e të verdha e ia zgjati gazetarit të mahnitur prej gjithçkaje që shihte… E flisnin e flisnin, derisa ra mbrëmja e “Saçi i Diellit” përskuqi horizontin, duke afrur me limanin e Bunecit, ku dikur shtriheshin edhe sulinat e ujit të pijshëm, ku ankoronin e furnizoheshin marinarët tanë e ata të huaj… E ku ta dinte kjo “Birjoskë Ruse” se, afro 200 vite më parë, po këtu ka shkelur këmba e Admiralit rus Ushakov që të furnizonte me ujë anijen e tij luftarake!? Po kohët ecin, ndryshojnë dhe njerëzit kur vijnë këtu dhe as që duan t’ia dinë se ç’është bërë, po për atë se, çdo të bëhet më tej…
Po, ja ku është edhe nje peshkatar i vonë që ka hedhur fillon e pret t’i avitet ndonjë peshk i egër për mezen e mbrëmjes. Peshkatari thotë se kjo është “një biçim Lungo Mare” e Bunecit dhe kushdo që vjen këtu, do të vijë përsëri, si të ishte nje eksplorator i natyrës pambarim, ku fshihen plazhet e virgjëra, trampolinat e shkëmbinjve, burimet natyrore të ujit, tendat me sqinde, gjiret ku pushojnë pulëbardhat, pa u trembur nga çiftet që preferojnë intimitetin e vetmisë, si edhe ku instalohen tek-tuk , me shpejtësi, çadrat e mënjanuara të turistëve italianë e nordikë!… Një atraksion i veçantë që afron me mgjinë reale… Ja ku i ke edhe lulet që u mbollën nëpër gomat e nxjerra nga deti e u lyen me bojë të bardhë,- vazhdon të thotë ai që zgjodhi Bunecin,- Të sheh vetë Perendia këtu, o NJERI,-larg zhurmave e streseve…”. E nuk ke gjë tjetër të thuash veçse: “EJANI NË PIQERAS”!
Gjithçka e thënë dhe e shprehur bukur me fjalë, figurë vizive e muzikë qetësuese, nga ku burojnë disa mesazhe që nuk janë thënë më parë për fshatin e dy heronjve të famshëm, Mitro Xhanin e Vasil Llaçin. Po edhe me nostalgjinë e brengën nga “Ulliri i Lotëve”, midis Bunecit e fshatit, nga ku shprehet me dhimbje Miho Nini, -përcilleshin kurbetllinjtë e parë, që iknin e vinin me detarët trima piqerasiotë, të atyre qe rrihnin detrat e botës e prapë ktheheshin… Mësuesi veteran Gjivogli dhe ish-kryeplaku më i moshuar Arsen Konomi rrëfejnë mandej, për ato 19 familje piqerasiote që krijuan Villa Badesën në Itali, midis Romës e Pescarës dhe për ato 23 familje të tjera që nuk u strehuan dot në Itali e morën rrugën e Moresë, duke themeluar fshatin e Neo Piqernit në Peloponez të Greqisë (dhe ku do t’i zhdukte që të gjithë Pandemia e Kolerës”). Po edhe për ata që mbetën gjallë këtu ndër breza të mëvonshëm e dy shekuj më mbrapa, u “rropën deri në palcë” nga punët vullnetare ndër ato 50 vite që i la të varfër sa s’ka, pa pronë e katandi elementare, ca me keq se pandemia e sotme. “Përse vallë, të vejë Piqerasioti,-thuhet në këta filma e të shesë krahët në afërsi të Polit të Veriut e të atij të Jugut e të braktisin fshatin e tyre të mrekullueshëm? Parajsa e tyre këtu është e këtu do të jetë”! “Piqerasi,- tha njeri prej këtyre turistëve të huaj,-nuk është vetëm një pasuri e juaja, kombëtare, po edhe botërore! Këtu njeriu është Zot i Vetes dhe i Natyrës së Virgjër…”!
Piqeras, 7 qershor 2021.
Please follow and like us: