Albspirit

Media/News/Publishing

David L.Philips: Vetëm SHBA ka kapacitetin për të obliguar marrëveshjen finale

Drejtori i Institutit për të Drejtat e Njeriut dhe Paqes në Universitetin “Columbia” të Nju Jorkut, David Philips, ka deklaruar sot se presin që këtë vit të arrihet marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi, për të cilën tha se vetëm SHBA ka kapacitetin për ta shtyrë përpara.

RTK- Philips, në një tryezë të organizuar nga LDK me temën “Fuqizimi i sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës”, shprehu bindjen e tij se marrëveshja përfundimtare do të rezultojë me njohje reciproke. Ai foli edhe për marrëveshjet e arritura në Bruksel, për çka tha se nuk janë zbatuar plotësisht.

Philips: Vetëm SHBA ka kapacitetin për të obliguar marrëveshjen finale me Serbinë

“Vetëm SHBA ka kapacitetin për të detyruar një marrëveshje, për të zbatuar një marrëveshje, dhe përmes diplomacisë dhe ndërmjetësimit të saj për t’u bashkuar në bashkëpunimin transatlantik e për t’i dërguar një mesazh shumë të qartë Beogradit, boll më, ky proces duhet të përfundojë, duhet të përfundojë me drejtësi për popullin e Kosovës. Në qoftë se nuk arrijmë në atë pikë, Serbia vetë nuk mund të zhvillohet si shoqëri dhe të gjithë duam që kjo pjesë e botës të ecë përpara, në mënyrë që të ketë progres dhe bashkëpunim. Dhe kështu, SHBA mund të forcojë aleancat e saj, në radhë të parë më së shumti me Republikën e Kosovës, por gjithashtu edhe me të gjitha vendet në rajon”, tha Philips. Ai potencoi se BE është ndërmjetësuesi kryesor, porse theksoi se SHBA duhet të përmirësojë pjesëmarrjen e saj. Philips hodhi dyshime nëse BE mund të bëjë presion ndaj Serbisë për ta njohur Kosovën, pasi që përfaqësuesi special i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak është sllovak dhe Sllovakia nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Sipas tij, në këto takime nuk duhet të marrë pjesë një ndihmës-sekretar ose zëvendës ndihmës-sekretari, porse do të ishte e dobishme që presidenti Joe Biden të caktojë një të dërguar të posaçëm presidencial, në mënyrë që të rritet presioni në këto diskutime dhe të arrihen rezultate.

Philips: Lajçaku është sllovak, a mund të presim që BE të bëjë presion ndaj Serbisë për ta njohur Kosovën

“Kam gjithashtu disa pyetje në lidhje me besueshmërinë e BE-së si ndërmjetësues. Nëse BE dëshiron të demonstrojë një dëshirë të sinqertë për të ndihmuar Kosovën, atëherë çfarë ka ndodhur me liberalizimin e vizave nga BE? Pse po vazhdon ky diskutim prej vitesh pa rezultat? Z. Lajcak është një njeri i mirë, ai është një diplomat kompetent, ai është gjithashtu një sllovak, dhe ne e dimë që Sllovakia është një nga pesë shtetet që nuk e kane njohur Kosovën. Pra, a mund të presim me të vërtetë që BE të bëjë presion ndaj Serbisë për ta njohur Kosovën dhe për ta çuar përpara këtë proces”, tha Philips. Ai u shpreh se SHBA-të dëshirojnë një marrëveshje me njohje reciproke, në mënyrë që të dy shtetet, Kosova dhe Serbia, të ecin përpara.

Philips: Qëllimet tona janë pavarësia, sovraniteti dhe njohja reciproke

“Qëllimet tona janë pavarësia, sovraniteti dhe njohja reciproke. Detajet e çështjeve bilaterale mund të adresohen, por nëse Serbia nuk është e përgatitur ta pranojë që ajo e humbi Kosovën për shkak të krimeve të Millosheviqit, ne nuk do të jemi në gjendje të ecim përpara. Dhe ne do të zbulojmë se ka ende keqkuptim dhe konflikt të mundshëm në këtë rajon. SHBA dëshiron që ju të keni sukses, dëshiron një marrëveshje reciproke, në mënyrë që të dyja, Kosova dhe Serbia mund të ecin përpara, kështu që të ketë paqe dhe prosperitet për popujt e të dyja vendeve”, tha ai. Philips përmendi edhe marrëveshjet e arritura mes dy shteteve, por që tha se moszbatimi i të njëjtave qëndron tërësisht nga ana e serbëve.

Philips: Moszbatimi i tyre qëndronte pothuajse tërësisht në anën serbe

“Është folur shumë në Bruksel, ka pasur 33 marrëveshje që janë arritur gjatë viteve. Kam kryer një studim në Universitetin e Columbia-s dhe kam bërë një hulumtim mbi dialogun Kosovë-Serbi. Dhe, ajo që gjeta ishte se ato marrëveshje nuk ishin zbatuar plotësisht dhe moszbatimi i tyre qëndronte pothuajse tërësisht në anën serbe. Në vend që të adresojë çështjet thelbësore të njohjes së pavarësisë së Kosovës, si përgatitjen e terrenit për njohjen reciproke, për mendimin tim, Serbia ka hyrë në këtë dialog jo për të gjetur zgjidhje, por si një taktikë vonese, si një mënyrë që të shtyjë diçka që është e pashmangshme, e që është njohja e plotë e Republikës së Kosovës”, deklaroi Philips. Ndërsa Teuta Sahatqija nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se pas marrëveshjes së Uashingtonit vitin e kaluar është rritur interesi i partnerëve ndërkombëtarë, derisa tha se tash janë në një kohë kur dialogu duhet të finalizohet.

Sahatqija: Ne jemi në një kohë kur dialogu duhet të finalizohet

“Në vitin 2008 Kosova shpalli pavarësinë, ne kishim shumë njohje, por vitet e fundit numri i njohjeve ra shumë dhe madje filloi me disa çështje të çnjohjeve edhe pse kjo nuk ekziston si nocion në diplomaci. Interesat e partnerëve tanë ishin me intensitet të ulët, dhe pas marrëveshjes së Uashingtonit vitin e kaluar, pamë një rritje të nivelit të interesit, dhe ne jemi në një kohë kur dialogu duhet të finalizohet”, tha ajo. Ajo paralajmëroi se LDK në vazhdimësi do të organizojë debate të tilla, me qëllim që të jenë më gjithëpërfshirës.

*Shenim: Editorja e Anglishtes e Diellit ka derguar kerkese tek folesi dhe organizatoret per te folur ne lidhje me diskutimin e mbajtur sot ne Prishtine.

Please follow and like us: