Nexhat Merxhushi: Këmbimi i popullsisë dhe përkrahja që iu dha çamëve qeveria e Zogut
Masakrat ndaj minoritetit shqiptar çam në Greqi, me qëllim dëbimin, kanë qenë të shumta dhe të shpeshta. Që rreth vitit 1800, kanë nisur persekutimin e etnive jogreke për nga feja dhe kombësia me anë të bandave kriminale nga territori i tyre. Për të vijuar me gjenocidin e 27.6.1944, ku masakra largoj përfundimisht pjesën e mbetur të tyre.
Ne, sot do të ndalemi në një temë kyçe ku shihet edhe më qartë drama dhe politika e spastrimit etnik. Do të prekim copëza të kësaj drame njerëzore ku dëshpërimi, paqartësia, bashkëngjiteshin me dhimbjen e shitjes së pronës dhe pikëpyetjet e shumta të asaj çka i priste. Andallaia, që shqip do të thotë këmbimi i popullsisë. Marrëveshje e bërë midis dy palëve, qeverisë turke dhe asaj greke. Ky fenomen është një nga strategjitë më të rëndësishme ndërmarrë nga diplomacia greke për të praktikuar politikën e spastrimit, nëpërmjet largimit të komunitetit çam nga territori grek, me tezën e njohur: “Ata janë turq”. Pra, turko-çamë. Në këtë cikël grabitës, ai që vuri veton dhe ndaloi këtë proces fatkeq, ishte qeveria dhe politikat e mbretit Zog.
Presioni i komunitetit çam, bashkangjitur atij europian, si dhe programi i qeverisë së Zogut, serioziteti i katër ministrave të tij të Jashtëm, bëri që ky problem të kishte një krah ku të mbështetej. Një punë penguese për lëvizjen e popullatës çame në Turqi, ka bërë edhe beu Mazar Dino, i cili edhe ka paguar me para në dorë, që të mos largohej ky komunitet. Mazar Dino madje edhe është burgosur nga qeveria greke disa herë pikërisht për këtë këmbëngulje. Të katër ministrat e tij të Jashtëm, Hysni Vrioni, Hil Mosi, Pandeli Evangjeli, Rauf Fico, vijuan ta mbështesin fuqimisht, si me penalizime ligjesh, sensibilizime ndërkombëtare, përkrahje morale, diplomatike, arsimore dhe deri në pengim të proceseve kyçe, si dhe burgosjeve apo ekzekutimeve masive.
Ministri fuqiplotë Mit’hat Frashërin, (i sapoardhur nga Amerika në Athinë më 3 mars 1923) u ndesh me kërkesat absurde të qeverisë greke të cilat ne po jua sjellim në vëmendjen tuaj.
Ata kërkonin:
1. Ortodoksët shqiptarë janë grekë.
2. Në Shqipëri ka dyqind e tridhjetë mijë frymë minoritare grekë.
3. Karakteri etnik i shqiptarëve në Greqi është se ata janë turq.
4. Të shtohen shkollat greke në Shqipëri.
5. Kisha Ortodokse në Shqipëri, nuk është autoqefale, por autonome.
6. Ortodoksët shqiptarë të mbrohen nga Greqia.
Frashëri bashkëngjiti pozicionin dhe kushtet e tij të patjetërsueshme.
1. Me Greqinë të zbatohen marrëdhëniet e reciprocitetit, që do të thotë, se si do të trajtohet minoriteti grek, ashtu duhet të trajtohet edhe ai shqiptar.
2: Kundër përfshirjes së Himarës si minoritet grek.
3. Kundër andallaisë (këmbimit të popullsisë):
4. Kundër sillogjeve greke (grupeve vorio-epiriote në Greqi).
5. Në Shqipëri ka vetëm njëzet mijë grekofonë.
6. Vetëm Shqipëria ka shkolla greke që mbahen nga shteti.
Frashëri e mbronte këtë tezë pasi edhe në Poloni nuk ka shkolla ruse, as në Maqedoni nuk ka shkolla bullgare, ndërsa ne e kemi respektuar këtë minorancë duke i mbajtur me shpenzimet e shtetit shkollat. Rreth këtyre kërkesave u përplasën fuqimisht të dy ministrat respektivë. Disa të vërteta duhen thënë ashtu siç janë, pavarësisht se unë nuk jam aspak përkrahës i mbretërinë.
Këtë përkrahje ndaj çamëve e kishin kuptuar edhe deputetët shqiptarë në parlamentin e Zogut. Më 1925 deputeti shqiptar Xhafer Ypi deklaron: Nuk është normale për Shqipërinë që quhet edhe në Kushtetutë “Shtet sovran”, të pranojë miqësi me një vend i cili ka zhvatur 1-4 e territorit shqiptar dhe gjithë pasurinë e tyre (Gazeta Korça, 1925). Aktiviteti i qeverisë së Zogut, nëpërmjet Mit’hat Frashërit në Athinë dhe konsullit shqiptar Qemal Frashërit ishte shpresëshumë për zhvillimet midis vendeve në konflikt. Por koha na sjell fakte të tjera aspak optimiste. Zoti Ypi thoshte në parlamentin e Zogut që; Në rast se kjo pasuri do të vihej në dorë të shqiptarëve, shteti ynë siguronte dhjetë milionë franga në vit.
Më 1928 Ministri i përkohshëm Hil Mosi, i dërgon një letër sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve Sir Erik Drumont, që të regjistronte dy çështje për të diskutuar në Gjenevë. E para ishte çështja e tokës së shqiptarëve të Çamërisë dhe e dyta, gjendja kritike e çamëve.
Më 9 Janar 1924 Mit’hat Frashëri i shkruante ministrit të Jashtëm shqiptar që të ndërhyhej në Stamboll për të ndërprere andallainë. Kemi një qëndrim paksa të pasaktë të historianit Paskal Milo në lidhje me pozicionin që Frashëri kishte si diplomat në këtë betejë diplomatike. Ai ka thënë se Mit’hat Frashëri ka biseduar me kryekriminelin Zerva, duke lënë të kuptojë se midis tyre kishte një marrëveshje. Unë si i mbijetuar i asaj kohe po i përgjigjem historianin Milo, se edhe ne të persekutuarit dhe të vrarët kemi biseduar plot tri herë më kryekriminelin Napolon Zerva.
Pra, kemi realizuar tri takime me Zervën, natyrisht në sigurinë e Mitropolitit të Paramithisë Dhurotheo. Ky i fundit mori përsipër që takimet tona të “zbusnin gjakrat”. Ai u fut si garant se Zerva nuk do t’i bënte asgjë palës që do kryenin bisedimet për zgjidhjen e situatës. Por, për këtë temë historian Milo mund të pyesë Filip Lico te libri i tij “ Marrëdhëniet shqiptaro – greke”, ku shpjegohet qartë ky moment. Ne ende jemi gjallë dhe e dimë se kjo akuzë ishte thjesht një alibi. Çamët kërkonin shpëtim, nuk donin gjakderdhje, gjë që vetë Zerva në atë takim ia siguroi dhe sapo hyri në Paramithi…. ata vrau të parët. Edhe ministrat e Jashtëm që erdhën pas tij, bënë të njëjtën punë për Çamërinë, siç bëri Hil Mosi.
Kur Mit’hat Frashëri u emërua në detyrë, deklaroi se reciprociteti është i detyrueshëm për vendet përkatëse, sepse shkollat greke mbaheshin financiarisht nga Shteti, ndërsa ato në Çamëri, investoheshin nga privatët në shtëpitë e tyre. Pra, u tërhoqi veshin për më shumë kthjelltësi. Andallaia, tashmë ishte bërë fakt. Vendet përkatëse, përfshirë Turqinë ishin njohur me vendimin dhe çamët po merrnin vaporët për t’u nisur drejt vendeve që ata u kishin caktuar. Pikat që ministri Frashëri i bëri publike, natyrshëm krijuan debat, por ai vijoi sistematikisht me lëvizjet avancuese, duke nisur me dërgimin e abetareve fëmijëve çamë për t’iu mësuar gjuhën e mëmës. Ishte një kërkese e zakonshme nisur nga trajtesa që Shqipëria bënte për minoritetin grek. Ja dhe letra që i nis ministri Frashëri ministrit tonë Hysni Vrioni: Më dërgo 1000 abetare t’ua shpërndai fëmijëve çam nëpër fshatra që të mësojnë gluhën shqipe. Pas kësaj shkrese, Vrioni i dërgon abetaret. Qemal Frashëri i cili ishte konsull i Zogut në Korfuz në ato vite, pati një ndikim absolut për zhvillimin e këtij procesi. Mit’hat Frashëri ishte ministër fuqiplotë në Athinë, ndërsa Qemal Frashëri ishte Konsull në Korfuz (ishin kushërinj) dhe bënë një punë të lavdërueshme.
Ndërkohë pjesa që kishin marrë arratinë për t’u larguar, hasën problem me anijet që nuk i pranonin. Kështu që të 800 kardhiqotët dhe ata të Dragomisë, me ndërhyrjen e qeverisë së Zogut, me një marrëveshje nga Gjeneva midis qeverisë greke u lejuan të kalojnë në Turqi. Por fillimisht mbetën rrugëve. Zgjidhja e kësaj hallke ishte e gjithë merita e ministrit Frashëri. Ata mundën të shpëtojnë falë ligjit të ri në Lozanë, por pronat dhe kthimi në vendin nga ikën ishte tashmë një çështje e mbyllur, pasi grekët nuk i lejuan t’i rimerrnin tokat duke u spostuar përfundimisht në Turqi.
Një tjetër rast ku qeveria e Zogut ndihmoi çamët ishte edhe rasti i shpëtimit të 80 personave të cilët po udhëtonin me një varkë. Ata kapen dhe ndalohen nga patrulla greke ( megjithëse ishin në tokë shqiptare) e më pas i burgosin. Edhe për lirimin e 80 çamëve, është interesuar personalisht Mit’hat Frashëri, duke i dërguar një letër ministrit tonë të Jashtëm në Shqipëri, Vrionit, se janë burgosur shqiptarë në ujërat tona. Vrioni ndërhyri pranë qeverisë greke, e më pas ata u liruan.
Lozana
Qeveria e mbretit Zog, dërgoi në Lidhjen e Kombeve në Lozanë dy përfaqësuesit e vet. Mehdi Frashërin si këshilltar pranë Ministrisë së Jashtme dhe Xhafer Vila (shef i kabinetit). Sa zbritën në Gjenevë ata thanë: Ne vijmë këtu nga një shtet sovran, i lirë dhe i pavarur dhe nuk duam ndihmën e asnjë shteti tjetër. Sipas fjalës Shqipërinë do ta përfaqësonte Italia. Ata kërkuan mbrojtjen e tokave shqiptare të Çamërisë dhe se çamët nuk janë turq (i quanin turko-çamë), por janë shqiptarë. Kjo influencë dhe ky presion i Mbretit Zog, bëri të pengohen këmbimi i popullsisë dhe çamët të quheshin si shqiptarë.
Kur u vendos që “Çamët nuk janë turq, por janë shqiptarë”, këtë dokument e firmosën të gjithë vendet pjesëmarrëse, përfshirë edhe vetë Greqinë. Të gjitha këto zhvillime unë i kam marrë vesh nga dokumentet e mia personale, të cilat i disponoj dhe do t’ua vë në dispozicion lexuesit në shkrimet e mia. Korrespodencën e Mit’hat Frashërit me qeverinë e Zogut dhe me kushëririn e tij, m’i ka dhënë vetë nipi i Qemal Frashërit. Gjithashtu, unë jam mbështetur edhe në librin e autorit grek Dhimitër Mihallopulos me titull “I Camidhes” faqja 60,65. Pozicioni i Turqisë mund të njihet më mirë nga përfaqësuesi turk Fuat Beu, në bisedën që pati me Qemal Frashërin.
Biseda e Qemal Frashërit me Fuat Beun mbi lëvizjen e popullsisë
Në Korfuz delegati turk për andallainë, Fuat Beu i thotë Qemal Frashërit; Besimi që qeveria turke ka tek unë jep mundësinë që të gjykoj dhe të veproj i lirë. Konveksioni im si privat do të ishte që të merja sa më shumë çam, që për vuajtjet e tyre më përdëllejnë shpirtin. Unë jam i bindur se një Cimli (..) mund të turqizohet, por një çam, kurrë. Gjuhë turke nuk e dinë. Nga shteti i vet nuk shohin asnjë dobi. Por ne do i marim se na vjen keq se janë mysliman.
Qemal Frashëri (shkresa e tij)
Prëmë u poqa me Fuat Beun (përfaqësuesi i qeverise turke për andallainë), i cili më tha se qeveria turke ka një akord me qeverinë greke për të marë 5000 shpirt (njerëz). Këto udhëzime që më dha qeveria Turke rrjedh nga besimi që ka ajo tek unë, për ta menduar me vullnet të lirë, si ta gjykoj unë. Konveksionim, si privat, është që të marr sa më shumë në këmbim musliman çam, që për vuajtjet e tyre, si muslimanë, më përdëllejnë shpirtin. Por unë them se një Cinli mund të turqizohet, por një çam kurrë. Korfuz 2 Nëntor 1925.
Për minoritetin çam në Greqi do të flasim edhe më tej, por qeveria greke, siç edhe e kemi përsëritur, persekutimin e këtij minoriteti e ka filluar herët. Që më 1832. Cili deputet sot ngrihet si Xhafer Ypi dhe flet aq hapur në mbrojtje të çamëve duke mos qenë çam?! Sot deputetët e Parlamentit shqiptar shikojnë shkopin e dirigjentit. N.q.s. lëviz shkopi … heshtin ata. Ndaj, sot duke trajtuar këtë problem në bazë të ligjeve ndërkombëtare të dalë pas Luftës së Dytë Botërore dhe që kanë fuqi prapavepruese. Bota këto ligje i quan “feja Kombëtare”.
Prandaj, ne nuk duam asgjë më shumë ose më pak, por në bazë të asaj që diplomacia e quan si “fe kombëtare” , në bazë të këtyre ligjeve, të gjejmë të drejtat tona. Përse qeveritë shqiptare kanë frikë të ngrenë zërin për problemin çam? Ne ecim me ligjet e demokracisë. Nuk kërkojmë konflikte. Në një kohë që bota i kërkon llogari Turqisë për vrasjet e hermeneve, ne pse heshtim dhe vdekjet tona i konsiderojnë si NUL? Ja një nga shkeljet kryesore të shkeljes së Kushtetutës. Çështja kombëtare lihet në heshtje.
Për të qenë më frymëzues me shembuj dinjitozë diplomatësh, po e mbyllim me deklaratat e fuqishme të Kryeministrit grek (President i Këshillit të Ministrave në vitin 1925) Theodoros Pangalos, për qëndrimin e tij mbi dy minoritetet përkatëse. Tonin dhe Greqisë.
Kur themi pakicë greke në Shqipëri, kam parasysh vetëm greko –fonët e Shqipërisë së jugut dhe jo orthodoksët shqiptarë.
Udhëzoj popullsinë greko- fone në Shqipëri, të mbledhin mëndjen dhe të merren me punë të drejta dhe paqësore dhe produktive që bëhen faktor për përparimin e shtetit shqiptar dhe në asnjë mënyrë të përzihen me punët e brendëshme të shqipërise.
Të shpërndrahen klubet vorioepiriote që dëmtojnë marëdhëniet tona me Shqipërinë. (Gazeta Korça 1926 dhe Tema 2015.
Kemi shumë domosdoshmëri që kjo çështje që ka shumë dhimbje dhe mohim, të jetë në udhën e bekuar të zgjidhjes.