U promovuan tre librat e autores Mihane Hoxha
Gjatë ditës së djeshme në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, është bërë përurimi i tre librave: “Zërat e Kosovës sime”(intervista e reportazhe), “Policia e Kosovës përmes aktiviteteve edukativo-kulturore”(komunikata dhe fotografi) dhe “Ngjyra malli”, të autores Mihane Hoxha.
Të pranishëm në këtë ngjarje kanë qenë: deputeti Elmi Reçica, ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj,major Luljetë Mehmeti-Quigley, Don Lush Gjergji, gazetari nga Tirana Ҫerçiz Loloçi, kryetari i Shoqatës Mbarëkombëtare “Bytyqi” në Shqipëri Agron Gjedia, gazetarët Jusuf Bytyçi e Pajazit Krasniqi, publicisti Shaqir Foniqi, personalitete të tjera nga fusha e kulturës,shkrimtarë nga Lugina e Preshevës, si dhe familjar të autores.
Politikani, njëherit ish-drejtori i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj, në fjalën e tij shprehu konsideratë të lartë për autoren Mihane Hoxha, duke e falënderuar për bashkëpunimin dhe mbështetjen që i ka bërë Policisë së Kosovës.“Besoj që festimi i ditëlindjes me promovimin e librave është mënyra më e mirë e festimit të ditëlindjes, meqenëse kur njeriu ofron dije, poezi auditorit të gjërë të Kosovës atëherë është më shumë sesa një festim i ditëlindjes. Më lejoni që t’a falënderoj nga zemra Mihanen, për kontributin
që ka dhënë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, në kohën sa unë kam qenë pjesëtar i Policisë së Kosovës, po besoj që edhe sot që Mihanja vazhdon të jetë një gardiane e punës së palodhshme të policisë, njëkohësisht të jetë njëra nga kritikueset më të mëdhaja, njëra nga kritikueset më konstruktive të ndonjë lëshimi eventual të policisë. Meqenëse kemi pasë fatin përveç fjalëve të mira, angazhimit, promovimit të punës së Policisë,Mihanja gjithmonë më ka marrë edhe në telefon aty ku ka parë që duhet të përmirësohet dhe duhet të jetë më mirë. Jo gjithmonë jemi pajtuar, mirëpo kur ka debat gjithmonë del diçka më mirë edhe për Policinë e Kosovës por edhe për vet Mihanën. Andaj, më lejoni që në emrin tim ta falënderoj shumë nga zemra, dhe poashtu duke e ditur që ky është vetëm fillimi i krijimtarisë i Mihanes, meqenëse është shumë e re. ne besojmë që do të ketë edhe shumë e shumë libra në të ardhmen dhe besoj që kjo nuk do të ndalet”, ka përfunduar Qalaj.
Në fjalën e tij gazetari Loloçi, u shpreh i lumtur për prezencën e tij dhe vlerësoj lartë kontributin e Mihane Hoxhës.
“ Jam shumë i lumtur që po marr pjesë në promovimin e tre librave të autores Mihane Hoxha, sepse e kam një portal në Tiranë dhe e kam si të them një bashkëpunëtore të portalit. Sigurisht kur të botohet një libër është një lajm i gëzueshëm edhe kur janë tre lajmi është i trefisht pavërësisht që librat janë ndryshëm, njëri është poetik ndërsa të tjerët janë për personazhe të rëndësishme të dy dekadave të fundit në Kosovë, e të cilët autorja i ka intervistuar, dhe librin tjetër për Policinë e Kosovës. Sigurisht ky është një kontribut i madh duke e rifrazuar edhe paraloësin ku thoshte se ‘Mihana ka arritur të bëjë dhjetë qytete’ dmth dhjetë libra janë sikur dhjetë qytete, pavarësisht se çfarë përmasa libri është një gjë e mirë dhe Mihanja këtu ka dhënë një kontribut bukur të madh. Botimi i fundit që përkon me tridhjetë vjetorin e ditëlindjes, që unë i uroj edhe njëqindetridhjetë. Libri është i ndarë në poezi kushtuar heronjve, luftëtarëve të UҪK-së dhe poezi dashurie. Sigurisht, ato kanë specifikat e veta, por unë shikoj tek autorja që bën kujdes të shkruaj sa më thjeshtë dhe mundësisht për t’iu drejtuar një auditori sa më të gjërë dhe për këtë e përgëzoj sigurisht. Është një poezi që e bën vetëm Mihanja, shoh në vargun e autores që ky libër do të japë shumë mesazh miqësues. Unë nuk kam çfarë të them tjetër, kam qenë para disa vjetësh në këtë sallë, kemi promovuar librin “Mosmarrëveshja“ të Ismail Kadares dhe mund të them që edhe poezia e Mihanes ka plot mesazhe pozitive. Edhe ne si shqiptarë duhet të bëjmë shumë kujdes të japim sa më shumë mesazhe pozitive për njëri-tjetrin sesa të bëjmë grindje me njëri-tjetrin, sepse për fat të keq vazhdojmë grindjet, ka retorikë politike. Ndoshta jemi kombi që kemi kërkuar pasaporta që na bëjnë vetëm krenar në çdo vend të botës, figura që na nderonte edhe Nënë Tereza dhe sigurisht këtu mendoj unë, duhet të punojmë më shumë dhe të menjanojmë këto mtrapazë mbarkombëtar ose të atyre që duan të bëjnë emër qoftë edhe në dëm të shqiptarëve”.
Ndërsa, kryetari Gjedia duke folur për krijimtarinë e autores, rikujtoi që para shumë vitesh organizmin e promovimit të autorës në Tiranë:
“Unë, sot erdhë në Prishtinë me lejen e përgjegjësisë jo ta zbuloj poetën tani më të re por të afirmuar Mihane Hoxha, por vetëm ta nderoj dhe të largohem nga këtu me impakete sa më pozitive. Kemi pasë rastin t’i organizojmë poetës edhe një promovim në Tiranë në emër të Shoqatës Mbarëkombëtare “Bytyqi” dhe ndjej për krenari që e kemi bërë obligim karshin kësaj poeteje, krijuese premtuese, e cila në pak kohë ka nxjerrë këto libra, ka nxjerrë edhe më parë libra të tjerë”, ka thënë Gjedia.
Në fund të promovimit të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtua edhe vet autorja e kësaj ngjarje, Mihane Hoxha, e cila bëri të ditur edhe detaje nga librat në fjalë.
“Libri “Zërat e kohës sime” (intervista dhe reportazhe), është një përmbledhje e një pjese të punës sime si gazetare.
Dua të theksoj që përmes këtij rrugëtimi kam mësuar shumë; kam njohur njerëz të mrekullueshëm; jam ballafaquar me të paprituara; kam luftuar shumë duke kapërcyer shumë barriera, vetëm e vetëm për të nxjerrë në pah një të vërtetë, për të zbuluar një anë tjetër të një realiteti të ekspozuar apo të supozuar, të një lajmi i cili dinte të na ballafaqonte edhe me fyerje deri në kanosje.
Ndërsa, për realizimin e librit “Policia e Kosovës përmes aktiviteteve edukativo-kulturore”, autorja ka thënë që vjen në pragë të 22 vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës.
“Policia e Kosovës ka qenë dhe vazhdon të jetë jo vetëm një ndër institucionet më kredibile në Kosovë, por edhe një segment i sigurisë rajonale.
Kjo na bënë që të gjithë të ndjehemi krenarë me Policinë e Kosovës.
Ky libër përmban: komunikata dhe fotografi, që nga viti 2019 e deri më sot.
Përmes këtyre aktiviteteve jam përpjekur të pasqyroj një pjesë të historikut të policisë sonë, rrugëtimin e saj prej themelimit, zhvillimit dhe deri në shkallën e avancimit të sotëm.
Policia e Kosovës është organizatë e madhe me angazhime të panumërta, prandaj është e vështirë që tërë veprimtaria e saj të shpaloset në një ekspozitë, në një katalog dhe në një broshurë.
Me shpresën që këto aktivitete kanë pasë dhe do të kenë impaktin e duhur në shoqëri, për një besim më të shtuar kundrejt Policisë së Kosovës në njërën anë dhe në anën tjetër, Policia e Kosovës, përkundër shumë sfidave të vazhdojë të punojë duke e ngritur në nivel të lartë konsideratën për të”, ka përfunduar Mihane Hoxha.
Librat “Zërat e kohës sime”, “Policia e Kosovës përmes aktiviteteve edukativo-kulturore” dhe “Ngjyra malli”, janë botuar nga Shtëpia Botuese “Meshari”, me redaktor Nezir Prokshi, lektor Zymer Mehani dhe dizajner Ridvan Slivova.
Vlenë të theksohet që përurimi i këtyre librave është bërë me rastin e ditëlindjes së tridhjetë të autorës Mihane Hoxha./indeksonline
Tri përurime të poetes Mihane Hoxha, freski të një dite vere