Klement Shalari: KUSH E ARRATISI ‘ESKILIN’ SHQIPTAR?! (2)
Sprovë
JEHONA E ARRATISJES SË KADARESË
Kjo arratisje e bujshme ra si një bombë direkt e në zemër të diktaturës dhe, njerëzit po mblidheshin grupe-grupe duke diskutuar për këtë “arratisje” që tundi themelet e regjimit. Lëkundjet sizmike shoqërore ishin ndjerë edhe më parë, sidomos në demonstratën e heshtjes në Tiranë, disa përleshje dhe incidente me organet e rendit, që kishin ndodhur në qytetin e Kavajës, por ajo që u bë e dallueshme, amplitudën më të fortë tërmeti po e jepte në fillim të janarit 1990 në qytetin e Shkodrës, ku populli tentoi për të rrëzuar bustin e diktatorit Stalin.
Ish-kreu i shtetit Ramiz Alia në një deklaratë televizive, lidhur me këto protesta e demonstrata, që shprehej se “…Nuk tundet mali i Taraboshit nga era…”. Këtë Alia e bënte për t’u dhënë kurajo atyre pak simpatizantëve e përkrahësve që i kishin mbetur; por koha paralajmëronte se do të binin jo vetëm mali i Taraboshit, por do tëshkatërroheshin e shkërmoqeshin para syve tanë vargmale të tëra të ish-strukturave të regjimit të vjetër, që ishin tejmbushur me mehmurë, me pleq sklerotikë të inkriminuar dhe burokratë dekorativë , të cilët ishin bërë pengesë për përparimin dhe zhvillimin e vendit e nuk hapnin rrugën për demokraci. Shkrimtarët dhe artistët janë të parët që e ndjejnë erën e ndryshimit dhe e nuhasin luftën me flegrat e hundës. A nuk ishin shkrimtarët e mëdhenj francezë, veçanërisht Viktor Hygo që paralajmëruan të parët fillimin e Revolucionit borgjez Francez?!
Kadareja para se të arratisej, ishte një shkrimtar i padënuar, por me vepra të dënuara. Befasuese ishte ato ditë kur “Radio-Tirana” merr në intervistë një shkrimtar të njohur si kundërshtar të vjetër të Kadaresë (që ka qenë i dënuar nga regjimi, por nuk ka patur vepra të dënuara) dhe gjatë intervistës nuk la gjë pa thënë kundër tij duke shprazur gjithë bateritë dhe artilerinë e urrejtjes për rreth dy orë, duke folë me fjalët më të rënda, shpifëse e denigruese, duke bërë akuza monstruoze, se gjoja ai paskish persekuar e denoncuar në organet e Sigurimit të Shtetit disa shkrimtarë, pa pasur asnjë argument, asnjë provë dhe asnjë fakt; akuza të tjera se me letërsinë që ka krijuar i ka zgjatur jetën regjimit, duke e quajtur “shërbëtor të regjimit”, “shkrimtar të oborrit” etj. Francezët kanë një shprehje “Trego situatën, jo emrin”. Gjithçka dukej e dirigjuar dhe orkestruar nga lartë, sepse në atë intervistë ravijëzohej qartë, cmira, xhelozia, hakmarrja personale nën moton se “erdhi dita ime”.
Por nuk i bënë mirë llogaritë dhe nuk e zgjodhën si duhet “kohën e larjes së hesapeve”, kur menduan se tashmë kishte ardhur “Ora e keqe” për Kadarenë.
Më dramatikja nga të gjitha intervistat, që u bënë ato dite ishte ajo e një djali të ri, që nga zëri kuptohej se ndoshta nuk i kishte mbushur ende të tridhjetat, dhënë një radioje të huaj, i cili shumë i indinjuar dhe revoltuar nga arratisja e Kadaresë, i indroktinuar në kulm dhe i mbarsur me një “patriotizëm të flaktë” e më një ton kërcënues tha se “…Të mos harrojë Ismail Kadare, se Shqipërisë nuk i kanë munguar dhe nuk kanë vdekur Avni Rustemët…”! Sot me siguri atyre mediave u vjen turp nga vetja, që kanë marrë dhe transmetuar intervista të tilla nga njerëz të papërgjegjshëm, që me skizmën e tyre urrejnë libër-lindësin, që ndoshta vetë nuk kanë lexuar asnjë libër në jetë. Latinët thonë “ruaju dhe bëj kujdes nga ai njeri që ka lexuar qoftë edhe një libër në jetë”.
Përse vallë, ndaj i ka Avni Rustemët Shqipëria që t’i përdorte kundër Ismail Kadaresë, shkrimtarit më të madh të gjallë të saj, të njohur tashmë në të gjithë botën e qytetëruar e demokratike?! Ishin me të vërtetë ditë të tmerrshme, frike dhe terrori bashkë, ku shteti komunist nëpërmjet falangave të tij kërkonte që të zgjaste ditët, duke përdorë sharlatanë dhe aventurierë të tillë. Dihet nga historia, se plumbat e dorës së Avni Rustemit që vranë Esat Pashën në Paris, Kongresi i Lushnjës 1920 dhe Lufta e Vlorës, shpëtuan Shqipërinë. Po Kadareja çfarë i kishte bërë Shqipërisë, që i kujtonin Avni Rustemët?!
Ai i kishte dhënë botës Shqipërinë universale, atë Shqipëri që me veprën e tij i zgjati krahët dhe përqafoi historinë e gjithë njerëzimit. Thirrje të tilla histerike m’a shpuan trurin si shigjetë e më ranë si me topuz në kokë, pasi ato mund të bëheshin edhe nxitëse për ndonjë akt të mundshëm provokimi a tentative, që mund të rrezikonte vetë jetën e Kadaresë dhe familjes së tij, që tashmë ishte instaluar në Paris, në një adresë që as edhe ata vetë nuk e dinin se ku.
Ata tashmë ndodheshin në “mërgim politik” dhe nga shteti i tyre konsideroheshin të arratisur. Shkrimtari disident rus Solxhenicin thotë se “…mërgimi është një rrugë për askund…”. Shumë vite më vonë, Prof. Ardian Marashi, ish-Drejtor i Qendrës të Studimeve Albanologjike-Tiranë, i cili ka jetuar e punuar për vite të tëra në Paris, në një referat shkencor për letërsinë, këtë akt të shkrimtarit nuk do ta quante as “arratisje”, as “ikje” dhe as “azilkërkues”, por një “vetësyrgjynosje” të tij.
Në librin e Elena Kadaresë “Kohë e pamjaftueshme”, këtë moment tepër të tensionuar e dramatik e përshkruan pikërisht kështu “…Klima shpirtërore që dilte nga shtypi ishte shkumbëzuese. Në të i gjeje të gjitha mendimet, që nga ato që e quanin ikjen tonë një akt madhështor, një shkundje e domosdoshme etj., etj. dhe që ishin shumica, gjer tek ata që, ndonëse ishin të paktë, mendonin sikurse Tirana zyrtare, se ky ishte një dezertim, një turp etj.
Më kujtohet një telefonatë e mikeshës sime, sopranos së njohur Inva Mula nga Parisi, që më thoshte e alarmuar: Ruhuni, zemër! Një i njohuri im, që banon në shtëpinë e një kosovari këtu, ka dëgjuar një bisedë telefonike të këtij kosovari që i thoshte dikujt ‘a po ma gjen, bre, adresën ku banon Kadareja, se kisha shku me e vra me dorën teme që ka tradhtu…’.
Midis këtyre dy skajeve ishin edhe një grupim jo i vogël, që mendonin se ishin të vegjël për të gjykuar gjëra të tilla dhe se “Kadare e di vetë se ç’bën”… Nga njerëzit e shquar të diasporës ishin deklaratat miratuese të shkrimtarit të madh Martin Camaj, nga Mynihu i Gjermanisë dhe të personalitetit tjetër, Sami Repishti, nga Nju-Jorku. Përsa i përket Kosovës, me ndonjë përjashtim të rrallë, gjithë njerëzit e njohur të letërsisë, filozofisë e politikës ishin shprehur pozitivisht si Ibrahim Rugova, Adem Demaçi, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Arbër Xhaferri, Ramiz Kelmendi, Ali Aliu, Ekrem Kryeziu etj….”. Kishte të drejtë Kadareja kur u thotë autoriteteve franceze që interesoheshin për sistemimin me banesë të familjes së tij se “na çoni në një vend, në një adresë , që as vetë të mos e dimë…”.
Me sa dukej Eskili ynë po kërkonte një strehë pa strehë, se “Atdheu i tij s’kishte vend për të”. Dhe pikërisht në këtë kohë, për t’u dhënë një dush të gjithë këtyre kritizerëve të sëmurë dhe jo për t’i dalë në mbrojtje, se Kadareja nuk ka nevojë për mbrojtjen dhe avokatinë e askujt, mendova dhe vendosa që të shkruaja një artikull të titulluar “Kush e arratisi ‘Eskilin shqiptar’ Kadarenë”?! Ky artikull u botua jashtë shtetit, tek revista “Republika” e Lubjanës-Slloveni, e cila shpërndahet në diasporë dhe në atë kohë kishte si botues e kryeredaktor Salih Kabashin. Artikulli u botua me dy nëntituj si “Arratisja dhe kthimi i Kadaresë”, si dhe “Përshpejtimi i çlirimit me shtysën e mungesës”, ilustruar edhe me një fotografi të shkrimtarit që kishte dalë bashkë me Adem Demaçin, revistë e cila u shit edhe në Tiranë dhe u mirëprit nga lexuesit e shumtë. Kur isha në shkollë të mesme në mesin e viteve 70-të, kisha mësuar e recituar me dhjetra e qindra vargje nga poezitë e Kadaresë, falë kjo edhe inspirimit nga dy mësuesit e mi të letersisë si prozatori i njohur Koço Kosta dhe poeti Petro Çekrezi, por deri në atë kohë Kadarenë nuk e kisha takuar asnjëherë. Poezitë e tij të mrekullueshme kishin rrëmbyer e pushtuar mendjet dhe zemrat e rinisë së atëhershme, por në vijën e parë ishin aktorët e institucioneve artistike si teatri, radioja, televizioni etj, të cilët interpretonin krijimtarinë e tij poetike.
Dhe duke e qartësuar shkrimin e botuar më se dy dekada më parë tek revista “Republika” e Lubjanës nga mjegulla e viteve prej këtij shkrimi kujtoj:
– Shkrimtarin e madh Ismail Kadare, personalisht asnjëherë nuk e kam takuar, asnjëherë nuk i kam shtërnguar dorën për veprat artistike letrare që ka shkruar, fytyrën e tij dinjitoze e kam parë vetëm nëpërmjet ekranit të televizionit, me përjashtim të ndonjë rasti kur e kam kundruar nga larg, kur ecte në rrugë a bulevard, me atë ecjen e tij të sigurtë, të menduar e krenare. Por Kadarenë në mendjen time e kam takuar me mijëra herë, sa herë fatet e kombit janë vënë në rrezik, sa herë është folë për shqiptarët dhe tragjeditë e tyre, sa herë është folur për qëndresën dhe shpirtin e pamposhtur të tyre.
Kadarenë në mendjen time e kam takuar me mijëra herë, sa herë shikoja male të thepisur, rrëpira të thella e hone që të përpijnë, sa herë shikoja ato pak fusha që i ngelën Shqipërisë dhe ndërmend më vinin vargjet e tij: Deje, deje dhe brinjë/ Oh, sa pak tokë shekujt të lanë!/Shekujt, që si qentë të kafshuan, ku mundën të të hanë/Kështu ke ecur gjithmonë Shqipëri/Mbi këmbët e gjata, me një pushkë të gjatë/Ecje dhe s’dije ku veje ti/Drejt një mëngjezi, plot re e mjegull, të hirtë e të turbullt, siç e linte nata.
Po kush e arratisi Kadarenë, kush?!
Kadarenë e arratisi burokracia shqiptare, ata që thanë se dezertoi, se e vuri vehten në shërbim të Amerikës etj. Dihet se Eskili u arratis nga Greqia se nuk kishte të drejta dhe liri për njerëzit. Po ‘Eskilin shqiptar’, Kadarenë, kush e arratisi, kush?!
Në kushtet kur në Shqipëri opozita legale mungonte, atëherë shkrimtari vendosi që të luftonte në një mënyrë tjetër, atë që nuk mund ta bënte dot me praninë e tij, vendosi ta bëjë me mungesën e tij. Pra u shfaq Shtysa e Mungesës. Po çfarë donte të thoshte Kadareja me Shtysën e Mungesës?! Deshte t’i thoshte këtij populli, që çohu sa më shpejt nga gjumi i rëndëmesjetar që të ka zenë, se ora tragjike e kombit ka rënë, se mjaft më nën diktaturë, mjaft më me luftë klasash, mjaft më me luftën shqiptari kundër shqiptarit, se diktatura polli shumë xhelatë e viktima.
Kadarenë e arratisën edhe ata, që deshën që ai të thoshte me çdo kusht dy fjalë për ta, për një reçencë, novelë, tregim a roman; ata që deshën t’i merrnin një autograf për ta përdorë si kapital të shoqërisë me të; ata që nuk e linin rehat gjeniun të punonte, por i thoshin se do të të arrestojnë sot e do të arrestojnë nesër; ata që deshën të fitonin sadopak nga reputacioni i tij.
Po kush mund të guxonte t’i vinte hekurat në duar Kadaresë, ta arrestonte e fuste në “Zimin e zi”?! Harruan ata, se të shkruaje në vitet shtatëdhjetë poemën që njihet në opinion si “Pashallarët e kuq”, mund të shkoje drejt në gijotinë ose i sigurtë në Ferr. Si ka mundësi që radioja kombëtare të vihet në shërbim për dy orë rresht, duke vjellë vrer kundër shkrimtarit të madh Ismail Kadare?! Por Kadareja mbetet Kadare, pavarësisht se ku e ka aktualisht selinë e banimit, në Paris apo në Vjenë, në Jezercë apo Baba Tomorr, anës Elbës apo anës Spresë…(…).
Dhe më tej shkrimi vazhdonte:
Ndonëse retë e para të zeza u larguan, në qiellin shqiptar shikoj re të zeza që po afrohen. Armiqtë tanë deri dje kanë kërkuar, që të kundërvenë vëllain kundër vëllait, shqiptarin kundër shqiptarit, sot kërkojnë të kundërvënë intelektualin shqiptar kundër intelektualit shqiptar, si shkalla më e lartë e luftës, sepse është luftë që zhvillohet në ndërgjegjen e kombit; prandaj duhet ta ndalim sa më parë këtë dorë gjakatare, ku në fokus të kësaj goditje është vënë edhe shkrimtari i madh Ismail Kadare…”.
Me botimin e këtij artikulli, u njohën edhe disa organe të pakta shtypi që kishte në Tiranë, ma kërkuan që ta ribotonin, por nuk pranova, pasi efekti ishte bërë.