Mehmetali Rexhepi: MOSHA E KALLINJVE
Në 70-vjetorin e ditëlindjes!
vizatimet e ditës ishin të rëndomta
por vijnë çastet e thellimit në portretin e vetvetes
vijat dhe ngjyrat marrin trajtën e kallinjve kokrra pjekur
edhe këtë herë kashtë kalliri në këmbë mbetur
ndonjë kokërr e pa shkundur s’ka si piqet shterë e mekur
shtatëdhjetë stinët hëngrën mbi tryezën e shtruar të blertës
pjekur e papjekur me shije e pashije
lukthi bluante çfarëdo i gatuanin dhëmbët
lukthit të shqisave dendur bluhej athtësi e fjalëve
ndonjë ëmbëlsi nuk e zbuste pelinin
*
jam i korrikut
kurdo që i piqem të korrave
le të korrëm sikurse një sinonim i kallirit
përderisa më ndjek hija e diellit
jam udhëve të kërkimit të diçkaje
që ma lejon i vetmi mik jetik
të cilit i vete dhe më vjen pas
mi shkrinë eshtrat që mi ngrinin hijet e hafijeve
*
korriku është dorëzani i kërthizës sime
me të gjitha lakesat e ngarkesave të mia
më vizatoi dhe vijat e hullive
nuk i mbushi me të gjitha ngjyrat e përziera
le të mos jem i ngazëllyer
tashmë për mua e ka veçse këtë ligj këtë ngjyrë
për çdo ditë më del në pritë:
që nga kërthiza të pikturoja
në galeritë tua pamjet t`i ekspozoja
çfarë më kërkon fare mos e prit
për ty e kam vetëm të grunjtën
dhe pigmente kafeje
në oazën e dikurshme gjithçka të mbeti
kthehu nëse mund ta kalosh moshën e një deti
*
ja si më poqi korriku shpejt
sa shpejt më poqi për shtatëdhjetë vjet
Gjilan, më 4 korrik 2021, ora 12. 10.
————————————————-
Mehmetali M. Rexhepi u lind në Gjilan, më 4 korrik 1951. Shkollimin fillor dhe të mesëm, gjimnazin i kreu në Gjilan, më 1971. Studimet me ndërprerje, për shkaqe politike, i mbaroi në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, në Degën Albanologji.
Është njëri nga veprimtarët e çiltër për çështjen kombëtare. Nga pushteti jugosllav i Jugosllavisë Federative, në vitet e shtatëdhjeta, të tetëdhjeta dhe të nëntëdhjeta të shekullit njëzet, u burgos, u pushua nga puna dhe nga institucionet e KSA të Kosovës.
Mehmetali Rexhepi asnjëherë nuk iu shmang kërkesave që shtronin rrjedhat e kohës: pajtimit të gjaqeve, veprimtarive “të rrezikshme” ilegale, politike, kulturore-artistike dhe humanitare.
Fushë-veprimtaria e tij ka shtrirje: në arsim e edukim; veprimtari atdhetare, humanitare; si poet, prozator, studiues, kritik letrar e eseist dhe në fushën e publicistikës.
Mehmetali Rexhepi ka botuar disa vëllime poetike, dokumentare, kritike dhe eseistike. Ka një mori dorëshkrimesh të pabotuara.
Që nga themelimi i “Flakës së Janarit” në Gjilan, e cila simbolizon flakën e dëshmorëve për liri e çlirim kombëtar, e shpërfaqur përmes veprimtarive përkujtimore, kulturore, letrare-artistike, ishte dhe mbeti krushk besnik i rrugëtimit të saj.
Themeloi dhe udhëhoqi pothuajse një dhjetëvjeçar, në rrethanat e përndjekjes serbe, Klubin Letrar “Rexhep Elmazi” në Gjilan. Po ashtu, ishte njëri nga themeluesit e SHHB”Nëna Terezë”, dega në Gjilan.
Në konkurset letrare te “Flaka e Janarit”, “Lulëkuqet e Prillit”, e tjera, për prozën e shkurtë është vlerësuar me çmime të para, të dyta dhe të treta.
Gjatë viteve 2009-2012, për një mandat ishte drejtor i Gjimnazit “Zenel Hajdini”, në Gjilan.
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.