Shqipërimi si art i Holta Hebës
Parathënie nga Prof. Dr. Aleksandër Dhima
Kam nderin dhe përgjegjësinë për vlerësimin e monografisë së Dr. Holta Hebës “Shqipërimi si art. Rrugëtimi i La Fontenit në shqip”. Ky punim, me tharm të mirëfilltë shkencor, përbën një arritje të rëndësishme në shkencat tona të komunikimit dhe na vjen si fryt i një pune të vazhdueshme kërkimore të autores mbi një objekt të formuluar qartë: mbi kuptimin e shkëmbimit të mesazheve midis “gjuhës burim” dhe “gjuhës shenjë”, që është vërtet tërësisht në dorën e përkthyesit, por që shërben njëkohësisht si “filtër” i një bashkëbisedimi të arrirë midis entiteteve etnike me gjuhë dhe kulturë të ndryshme. Autorja e ka konceptuar veprën e saj jo thjesht dhe vetëm me syrin e teknikave të përdorura për ta kuptuar veprën e La Fontenit në shqip, por ajo e vendos atë në kornizat e një analize më të gjerë sociale, duke iu referuar përmbajtjes dhe rëndësisë së fabulave si një përgjithësim i problematikës së shoqërisë franceze të shekullit XVII dhe, po ashtu, mënyrës se si i kanë “folur” ato me gjuhën e mendimtarit të madh realitetit dhe audiencave shqiptare në kohë të ndryshme kur vepra e tij u botua në shqip. Objekti në fjalë përligjet përmes një analize të detajuar të shembujve që nxirren nga krahasimi tekstual i origjinalit me përkitjet në gjuhën amtare të përkthyesit. Idetë kryesore që përshkojnë fund e krye veprën lidhen me shkallën e “besnikërisë” së përkthimit ndaj tekstit origjinal, me shmangien e “papërkthyeshmërisë” në komunikimin ndërkulturor, me instrumentet e përdorura që mundësojnë përkthimin “me kuptim” në raste konkrete dhe me mënyrën se si arrin të përcillet mesazhi nga një identitet kulturor te tjetri. Këto ide marrin përgjigje konkrete në tekst dhe i ndihmojnë lexuesit të specializuar për të krijuar një opinion të pavarur mbi një çështje që na intereson të gjithëve: deri në ç’masë ndikojnë mendësitë kulturore vendase dhe formimi gjuhësor i njëmendët në përcjelljen adekuate të mesazhit prej veprës së përkthyer në gjuhën amtare.
Në tërësi, analiza dhe argumentimi në punim janë të qëndrueshme dhe të mbështetura si teorikisht ashtu edhe nga studimi empirik i të dhënave konkrete. Jam i mendimit se baza teorike e përdorur është e gjetur, meqenëse aty ndërthuren natyrshëm teoritë e përkthimit me teoritë e komunikimit, pa të cilin binom do të ishte e vështirë analiza krahasuese e identiteteve të ndryshme në komunikimin ndërkulturor, si në rastin konkret të përkthimit në shqip të veprave madhore të letërsisë klasike frënge, në një hark kohor prej dy-treqindvjeçarësh.
Natyrshëm lind pyetja: Cili model teorik do të ishte më i përshtatshëm për t’u përdorur në realitetin kulturor shqiptar, duke u ndalur natyrisht në specifikat e secilit përkthim, ku “prerja” kulturore duhet të ketë imponuar zgjidhje tekstuale relativisht të ndryshme që i janë paraqitur lexuesit shqiptar. Autorja është përpjekur t’i japë përgjigje kësaj pyetjeje, ndonëse jo në mënyrë të plotë. Megjithatë, ajo çka unë vlerësoj në punim është fakti se znj. Heba ka marrë guximin ta shtrojë këtë pyetje për një diskutim publik më të gjerë.
Një përparësi tjetër e veprës lidhet me metodologjinë shkencore të përdorur, në krahasimin e teksteve në përkthimet e fabulave të La Fontenit nga gjuha frënge në gjuhën shqipe, në këndvështrimin e transformimeve diakronike në rrafshet gjuhësore (morfologjike, sintaksore e leksikore) dhe kulturore (përdorimi i orientalizmave, formave dialektore, shprehjeve frazeologjike dhe etiketimeve proverbiale, zhargoneve dhe fjalëve të huaja në raport me koinè-në dhe me normën letrare të shqipes, si instrument kulturor) etj. Ndarja formale në këto dy rrafshe dëshmon njëherazi saktësinë e instrumenteve të kërkimit. Nga ana tjetër, autorja, si njohëse e mirë e metodave interpretuese sasiore dhe cilësore, ka mundur që, nëpërmjet mbledhjes dhe seleksionimit të një materiali të pasur narrativ nga produktet tekstologjike-përkthyese të autorëve që janë marrë me përkthimin e veprës së La Fontenit, si dhe të punës këmbëngulëse në kabinet, ta pasurojë ndjeshëm aparatin ilustrues dhe t’i japë kësisoj një besueshmëri të lartë veprës së saj.
Monografia që i paraqitet sot lexuesit të specializuar shqiptar është sa origjinale aq edhe e dobishme. Këtu vlen të përmendet, në radhë të parë, ndihmesa e vyer e autores në kërkime të kësaj natyre, të ndërlikuara dhe me përgjegjësi shkencore për prognozën social-kulturore të përkthimit; aq më tepër që këtu bëhet fjalë, nga njëra anë, për vepra të shkrimtarëve të shquar, si La Fonteni, dhe, nga ana tjetër për ndihmesën e dy përkthyesve shqiptarë të shekullit XX, si Andon Zako Çajupi e Vedat Kokona, të cilëve u është dashur ta përshtatin tekstin origjinal me kërkesat semantike të gjuhës shqipe në evolucion të pandërprerë.
Megjithëse për tema të kësaj natyre janë kryer tashmë disa studime, këndvështrimi i autores shkon përtej tyre, duke i siguruar origjinalitet punimit. Fakti që studimi shtrihet në disa anë thelbësore të problematikës së përkthimit në shqip të veprave të shquara të autorëve botërorë, e rendit atë me dinjitet në “zinxhirin” e punimeve të autorëve të tjerë shqiptarë që janë marrë me studime të natyrës kulturore dhe në fushën e komunikimit.
Së fundi duhet të përshëndesim zbatimin në këtë vepër të nocioneve të reja në fushën e analizës tekstore, si kultura e gjuhës së interpretimit dhe përgjegjësia e saj në përkthim, si dhe atributet strukturore të përkthimit si krijim dhe si “urë lidhëse” midis kulturave. Risi të tilla spikasin si domosdoshmëri e kohës, në kushtet kur në Shqipëri ka një varg përkthimesh letrare, filozofike, politike etj., por jo vëzhgime të thelluara, qasje teorike dhe analiza përkthimesh, si në rrafshin gjuhësor, ashtu edhe në atë të komunikimit ndërkulturor.
Besoj se ky punim monografik do të pritet me interes të veçantë nga përkthyesit, studentët e gjuhëve të huaja, që studiojnë në fushën e përkthim/interpretimit, si dhe nga një rreth i gjerë studiuesish të shkencave të komunikimit dhe të antropologjisë social-kulturore.
Pjesë nga libri
Nuk më kujtohet kur lexova për herë të parë një fabul të La Fonten, por nuk mund të harroj ndjesinë e një kërkimi të vazhdueshëm mbi lojën e personazheve që orvatej në mendjen time gjatë. Historia e bretkosës që donte të trashej sa një ka, përfytyrohej në mendjen time atëherë ende fëmijë, si një transformim i shëmtuar që sjell çdo ikje nga normat dhe se si vesi më i keq ishte lakmia. Fati i bretkosës ishte ndëshkimi më i madh që u bëja ëndrrave të mia, të cilat shpesh i kalonin përfytyrimet. Por asgjë e keqe nuk të vjen nga ëndrrat. Dhe vetë La Fonten, burri kurioz që e kam imagjinuar sa e sa herë me atë jetën e tij shpesh prej bohemi teksa ecën i vetëm rrugëve të Parisit, nuk hoqi dorë kurrë prej tyre. Kohë më pas, gjatë studimeve kam zbuluar se pasioni im për gjuhët kishte lindur herët, ndoshta që atëherë kur ende adoleshente përpiqesha të bëja bashkë kuptimin e fjalëve në fjalorin e frëngjishtes, ku fjalët më të kërkuara ishin personazhet e La Fonten. Me një aftësi të çuditshme kisha zbuluar një botë tjetër, e cila fshihej përtej një gjuhe tjetër. Zbulimi se gjuhët hapnin para teje botë të mrekullueshme, ishte një ndër zbulimet më të bukura, i cili vazhdon të mahnitë edhe sot. Nën “joshjen” e kësaj mahnitjeje kishin rënë ndër vite emra të njohur të shqipërimit, që pasuruan herët shqipen me kultura të tjera. Imagjinoj buzëqeshjen e Vedat Kokonës, nën atë portretin ku i dallohen sytë e vegjël, teksa shihte orvatjet e Fonten për t’i mbushur mendjen zonjës Ulrich se asnjë burrë në Paris nuk mund të krahasohej me dëshirën që ai kishte për të.
Në fakt dhe përkthimi nuk mund të shkëputet nga dëshirat, të cilat na pushtojnë lehtë për të na drejtuar drejt autorit dhe gjuhëve ku përkasim. Fabulat e thjeshta të La Fonten që nuk ikin lehtë prej teje, duket se parashikuan herët dhe qasjen që do të kisha në jetë ndaj një kulture, e cila ka dominuar dhe ka një rol të rëndësishëm në zhvillimet kulturore apo politike ndër shekuj, asaj franceze. Pavarësisht kushteve në të cilat kanë ardhur shqipërimet e para nga kjo gjuhë në shqip, për vetë historinë tonë (komunizmin), ajo do të kishte një ndikim të jashtëzakonshëm në formimin e një brezi të tërë shqipëruesish, apo letrarësh që u formuan me një botëkuptim thellësisht europian, pavarësisht se jetuan në zemër të komunizmit. Çdo histori e madhe nis nga një rrëfim personal, e La Fonten vjen si një histori që më ka shtyrë të bëjë një rrugëtim në mënyrën sesi kjo figurë e rëndësishme e historisë franceze erdhi në gjuhën shqipe. Ka qenë Andon Zako Çajupi ai që u magjeps i pari prej tij, për të vijuar më pas me burrin me kostumin e hirtë Vedat Kokonën, që i bënë fabulat e La Fonten si vargjet e përkryera për një shoqëri të mirë.
***
Përkthimi, si proces i domosdoshëm në komunikim, realizon urën ndërlidhëse mes dy identiteteve me gjuhë dhe kulturë të ndryshme. Duke u nisur nga rëndësia dhe roli i pazëvendësueshëm i këtij procesi, studimi fokusohet në shkëmbimin e mesazheve mes gjuhës frënge dhe shqipe. Pena e La Fontenit vjen me kuptim në gjuhën dhe kulturën shqiptare nëpërmjet artit të përkthimit të Vedat Kokonës dhe Andon Zako Çajupit. Në këtë shkëmbim mesazhesh, kuptimi është tërësisht në dorën e përkthyesit, prandaj ai është i domosdoshëm dhe shërben si filtër i një bashkëbisedimi të arrirë midis dy identiteteve me gjuhë dhe kulturë të ndryshme.
Libri trajton një shqyrtim analitik krahasues të teksteve në frëngjisht dhe shqip. Gjatë këtij krahasimi dalin në pah disa elemente gjuhësore dhe kulturore që transformohen kur mesazhi kalon nga një gjuhë burim në një gjuhë shenjë, si dhe nga një kulturë në një tjetër. Këto elemente trajtohen rast pas rasti me shembuj të ilustruar nga një analizë e përkthimit të veprave të La Fontenit, nga Andon Zako Çajupi dhe Vedat Kokona; të para në këndvështrimin e transformimeve në rrafshet gjuhësore (morfologjike, sintaksore, leksikore, tipave të fjalisë) dhe kulturore (orientalizma, pasurimi i tekstit në gjuhën shenjë, format dialektore, shprehjet frazeologjike, etiketimet dhe proverbat).
Analiza shqyrtuese krahasuese realizohet duke u bazuar në dy burime parësore: një libër prej 182 faqesh, botim i vitit 2005, “Fabula të zgjedhura”, si dhe një libër prej 212 faqesh, botim i vitit 1920 “Përralla të sgjedhura nga të vjershëtarit math La Fontaine”.
Në librin e parë janë të renditura rreth 42 fabula. Në krahun e majtë të çdo faqeje të hapur gjenden fabulat në gjuhën frënge, kurse në krahun e djathtë gjenden fabulat e shqipëruara nga përkthyesi Vedat Kokona.
Në librin e dytë janë rreth 113 fabula të përkthyera nga Andon Zako Çajupi.
Gjithashtu analiza shqyrtuese bazohet mbi disa teori përkthimi si: teoria e kuptimit, transferimi kulturor, antinomia besnikëri – liri dhe disa teori komunikimi si: këndvështrimi i realitetit dhe kulturat e ndryshme, gjinia letrare në komunikim dhe stili i komunikimit mes dy identiteteve të ndryshme në një komunikim ndërkulturor.
Argumenti thelbësor i këtij punimi identifikohet me faktin se, përkthyesi i gjendur përballë një mosidentiteti material gjuhësor dhe kulturor arrin ta përcjellë mesazhin me kuptim vetëm nëpërmjet transformimeve gjuhësore e kulturore, si dhe dualitetit besnikëri – liri. Këto të fundit bëhen të domosdoshme dhe shmangin papërkthyeshmërinë e mesazhit.
Problematika fokusohet në transformimin që mund të pësojë fjala dhe fjalia, të cilat ndryshojnë formë dhe strukturë për hir të ruajtjes së kuptimit. Ky i fundit nuk përbën thjesht një shumë fjalësh, por një tërësi organike kuptimore, e cila në identitete të ndryshme shprehet në mënyra jo të njëjta.
Gjuha dhe kultura franceze vjen me kuptim në gjuhën e kulturën shqiptare, kur përkthyesi e zhvesh mesazhin nga parametrat gjuhësorë dhe kulturorë të gjuhës frënge dhe e vesh atë me kodin material gjuhësor dhe kulturor të gjuhës shqipe, me qëllimin e vetëm realizimin e komunikimit mes dy identiteteve të ndryshme.
***
Elementi më i rëndësishëm në çdo bashkëbisedim është komunikimi. “Komunikimi është kurdoherë akt kolektiv, parakupton së paku dy skaje: një folës A dhe një dëgjues ose një dërgues dhe një marrës a destinatar B.” (Shkurtaj, Gj. 2009 : 100) Dhe komunikim do të thotë jo vetëm të jesh i aftë të shprehesh në mënyrë të qartë, por edhe të kuptosh drejt mendimet e shprehura nga të tjerët. Për këtë arsye, në bashkëbisedimet mes njerëzve me gjuhë dhe kultura të ndryshme ekziston nevoja e përkthyesve. Roli i tyre është të ndërveprojnë si urë lidhjeje mes dy kulturave, duke bërë të mundur kështu komunikimin midis njerëzve, të cilët nuk flasin të njëjtën gjuhë dhe vijnë nga kultura e tradita të ndryshme. Të gjitha identitetet ndërkombëtare e kanë të pamundur të komunikojnë pa u mbështetur në shkencën e traduktologjisë. “Thelbi i globalizmit quhet përkthim, sepse ne nuk arrijmë kurrë drejtpërdrejt te tjetri. Përkthimi është kushti normativ i hyrjes në komunikim. Nuk ka informacion pa përkthim në kulturën dhe kulturat. Nuk ka informacion pa kaluar nga komunikimi.” (Wolton, D. 2009 : 127)
Është e pamundur që të mësohen të gjitha gjuhët e botës, e pikërisht për këtë arsye roli i shkencës së përkthimit është shumë i rëndësishëm. Komunikimi ndërkulturor mbështetet ngushtësisht te përkthimi dhe interpretimi, të cilët janë dy mjete tepër të domosdoshme për krijimin e urës së kalimit të mesazhit me kuptim nga njëra gjuhë në tjetrën dhe nga njëra kulturë në tjetrën. Përkthimi është një ndër fenomenet më të lashta gjuhësore. Ai është parë si zgjidhje e nevojshme që solli numri i madh i gjuhëve nëpër botë, në kohën kur njerëzimi sapo kishte nisur të shtrihej gjerësisht në planetin e quajtur Tokë.
Përkthimi ka një meritë të veçantë në komunikimin ndërmjet dy folësve që flasin gjuhë të ndryshme dhe që kanë kultura të ndryshme. Merita lidhet me shkëmbimin e fjalëve që mbartin kuptim dhe transmetimin e saktë të mesazhit ndërmjet dy bashkëbiseduesish. Rëndësia e këtij libri në shkencat e komunikimit lidhet me vetë faktin se, përkthimi është i domosdoshëm për njohjen e kulturave të dy apo më shumë vendeve që nuk kanë të njëjtat gjuhë, tradita, kultura dhe zakone.
Padukshmëria e përkthyesit në komunikimin ndërkulturor kthehet në një domosdoshmëri, pasi ai bën të mundur transmetimin e mesazhit me kuptim. Në rastin e gjinisë së fabulës përkthimi mbetet disi i vështirë nëse fokusohemi tek ekuivalenca dhe saktësia e mesazhit me kuptim. Përkthyesi është i detyruar të ruajë kuptimin, por edhe sasinë e fjalëve të përdorura në interpretimin e fabulës. Megjithatë, për sa i përket gjuhësisë është tepër i rëndësishëm fakti që kuptimi në gjuhën shenjë të jetë i njëjtë me gjuhën origjinale. “Për ata që interesohen në procesin e komunikimit ndërkulturor, theksi nuk bie aq shumë mbi ekuivalencën, por në urat që njerëzit krijojnë për të kaluar nga njëra gjuhë në tjetrën.” (Martin, J.; Nakayama, Th. 2010 : 174) Përkthyesit, sidomos kur ai është edhe krijues, i lihet dorë e lirë në përzgjedhjen e fjalëve, por duke i qëndruar gjithnjë besnik kuptimit. Punën e përkthyesit nuk mund ta bëjë çdo njeri që di dy gjuhë. Përkthyesi duhet të jetë një njohës i mirë i gjuhës dhe kulturës së gjuhës burim dhe gjuhës shenjë. Në komunikimin ndërkulturor puna e përkthyesit nuk mund të mbetet vetëm në ekuivalencën linguistike, pasi në këtë mënyrë rrezikohet shumë përcjellja e mesazhit me kuptim.
Sipas një skeme të thjeshtë, dërguesi transmeton sinjale te marrësi. Për një njeri që nuk e njeh gjuhën burim të mesazhit, këto sinjale nuk gjejnë kuptim, prandaj është e domosdoshme ndërhyrja e përkthyesit, i cili përveçse arrin t’i përvetësojë, i kthen në fjalë me kuptim për marrësin e mesazhit.
Shkencat ekzakte kanë dhënë teorinë matematikore në komunikim, e cila merret me matjen e sasisë së informacionit, pa i kushtuar rëndësi kuptimit të mesazhit, kurse shkencat sociale janë të interesuara për një teori komunikimi që vendos në qendër të vëmendjes kuptimin. “Operatorët kryesorë të kësaj teorie nuk kanë të bëjnë me shifrimin apo deshifrimin, as me luftën kundër zhurmave të tepërta, por me veprimet molekulare të shoqërimit dhe joshoqërimit, të cilët realizojnë metamorfozën e përhershme të kuptimit.” (Levy, P. 1990 : 80)
Është më se e kuptueshme se në botë nuk mund të flitet kurrsesi një gjuhë e vetme, për arsye se ekzistojnë shumë popuj me histori dhe kultura të ndryshme. Për të treguar se sa i rëndësishëm është përkthimi në komunikim, fillimisht duhet treguar përkufizimi i kësaj shkence. Në fakt, përkufizimet janë të shumta, por ajo që lidhet me studimin e kësaj qasjeje është: “Përkthimi konceptohet si të mbarturit e fjalëve me kuptim, mendim, klimë, botë dhe ndjenjë të një gjuhe burim në një gjuhë shenjë.” (Kokona, V. 2003 : 8) Mesazhi i një bote, që është ndryshe nga bota ku jetojmë, bëhet i kuptueshëm për ne vetëm kur gjen kuptim në gjuhën tonë.
Qëllimi i përkthimit është komunikimi midis bashkësish apo individësh që nuk flasin të njëjtën gjuhë. Ky qëllim gjendet gjithnjë e më tepër në zemër të komunikimit. Ai haset në të gjitha fushat e jetës sonë, në ato profesionale dhe deri tek ato të përditshmet. Njohja e një kulture apo bote të huaj arrihet vetëm nëpërmjet përkthimit. Në rastet e përkthimit për qëllime praktike, ai konceptohet si një instrument funksional komunikimi.
“Përveçse domosdoshmëri komunikimi, përkthimi është teknikë, art, zanat dhe shkencë.” (Tupja, E. 2000 : 10) Në një farë mënyre është art, pasi përkthyesi duhet të riprodhojë atë çka do të thotë personi i gjuhës burim në gjuhën shenjë. Ky riprodhim është art më vete. Është quajtur edhe teknikë, pasi ka lidhje të drejtpërdrejtë me artin e të shkruarit dhe të folurit. Një përcjellje e drejtë e mesazhit kërkon një teknikë nga ana e përkthyesit në rrafshin gjuhësor dhe kulturor. Kjo teknikë është tepër individuale, por që duhet t’u përgjigjet të gjitha parametrave të kodit material gjuhësor që kërkon një komunikim. Njeriu e ka të vështirë të komunikojë me botën në të gjitha gjuhët. Për pasojë, që në kohët e hershme, përkthimi ka pasur një rëndësi të madhe, duke krijuar atë që quhet zanati i përkthyesit. Profesioni i përkthyesit nuk mund të jetë kurrë i zëvendësueshëm.
Përkthimi kërkon njohje të mirë të gjuhës së huaj, njohje shumë të mirë të gjuhës amtare, bagazh kulturor të lartë, përqendrim të thellë dhe kureshtje të madhe. “Gjuha e huaj s’t’i jep lehtë thesaret. Ajo nuk hapet me fjalë magjike ‘Sezam, hapu’. Hapet, por kërkon punë.” (Kokona, V. 2003 : 24)
Nga ana tjetër, duke qenë se është edhe shkencë, ai është i lidhur ngushtë me gjuhësinë, psikologjinë, leksikologjinë dhe leksikografinë.
Përkthyesit, ndonëse disi të padukshëm, luajnë një rol të rëndësishëm në përçimin e mesazhit nga njëra gjuhë në tjetrën. Roli i tyre ndërmjetës është tepër i volitshëm kur duam të rregullojmë urën e komunikimit midis dy identiteteve të ndryshme. Nuk është e lehtë të transmetohet gjithnjë ajo që është thënë në gjuhën burim. Saktësia dhe konciziteti i idesë së transmetuar kërkon një bagazh konjitiv të lartë të përkthyesit.
Marrëdhënia midis njerëzve me identitet të ndryshëm nuk përfshin vetëm përkthimin linguistik, por edhe atë kulturor./liberale.al