Ismail Kadare: Komunikim fisnik midis popujve nëpërmjet pikturës
Parathënie për enciklopedinë “Shqiptarët në Artin Botëror” të Prof. Dr. Ferid Hudhrit
Në sallonin e pritjes të njërës prej kështjellave mesjetare të Luarës në Francë, të Borgarit në Blezua, midis portreteve të njerëzve e të kapedanëve të shquar të kohës, është edhe një portret i Skënderbeut. Merret me mend se një portret i vendosur në një dhomë pritjeje, në një mënyrë ose një tjetër, tërheq vëmendjen e mysafirëve dhe zgjon bisedën për të.
Portreti dhe biseda për Gjergj Kastriotin në një dhomë kështjelle mesjetare europiane nuk ishte as gjë e rrallë, e as rastësi në shekullin e pesëmbëdhjetë e në shekujt e tjerë më pas. Shqiptarët po derdhnin gjak pikërisht në portat e Europës. Lajmet për të dhe për dyndjet osmane, që ata kishin frenuar bashkë me popujt e tjerë të Ballkanit, vinin të turbullta e plot ankth nga kryeqyteti në kryeqytet, nga kështjella në kështjellë. Flitej me pasion për ndihmën që duhej të jepej, për rrezikun që kërcënonte Europën, për nevojën e organizimit të një kryqëzate të re paneuropiane, në krye të së cilës mund të vihej Gjergj Kastrioti.*
Kaluan kështu mjaft vjet. Bashkë me kalimin e rrezikut, kancelaritë e Europës e harruan shumë shpejt popullin e vogël, që u gjet në qendër të ciklonit. Interesi u zbeh nga shekulli në shekull, pasionin e zëvendësoi indiferenca dhe kjo vazhdoi gjer në formulën cinike të kryeministrit anglez Chamberlen, në mëngjesin e 7 prillit 1939, në çastet kur Shqipëria u pushtua prej fashizmit: “Anglia s’ka ndonjë interes të veçantë në Shqipëri.”
Por ndërsa u harrua prej shteteve e kancelarive, Shqipëria nuk u harrua prej letërsisë dhe artit europian. Bajroni, Vivaldi, Delakrua dhe dhjetëra e dhjetëra shkrimtarë, kompozitorë e piktorë të njohur, vazhduan të kërkojnë e të gjejnë motive të papërsëritshme në dramën, tingujt dhe ngjyrat e këtij vendi.
Anglia e Chamberlen-it mund të mos kishte interes për Shqipërinë, por Anglia e Bajronit kishte tjetër mendim. Dhe për cilindo ishte fare e qartë se ky i dyti ishte mendimi i vërtetë i një vendi dhe i një populli.
Vice-versa, populli shqiptar në këngë e në balada prekëse ka folur shpesh për popujt e tjerë të kontinentit. Në këngët e tij nuk mungojnë gëzimet e hidhërimet e tyre, nuk mungojnë as Parisi, as Vjena, as Londra, Athina e Venediku.
Pas shumë kërkimeve e hulumtimeve të tjera, gjatë 30 vjetëve të fundit, studiuesi Hudhri me enciklopedinë “Shqiptarët në Artin Botëror”, po na e sjell më të plotë krijimtarinë me temë shqiptare të autorëve të huaj; nga 118 artistë që u bënë të njohur në librin e parë me këtë temë, në botimin e ri paraqiten 1450 piktorë, skulptorë, grafistë, koleksionistë dhe autorë të tjerë, bashkë me veprat e tyre si dhe historikun e lidhjeve me Shqipërinë.
Enciklopedia është një provë më shumë për kontaktet e pandërprera të shqiptarëve me Perëndimin, për interesimin e artistëve, studiuesve, udhëtarëve dhe hulumtuesve të ndryshëm perëndimorë. Nëse dikush nuk do të kishte parë larminë e pafundme të imazheve që ofron kjo enciklopedi, do ta kishte të vështirë të besonte se të huajt kanë pikturuar apo vizatuar kaq shumë imazhe të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Kjo enciklopedi është një pasqyrë e mbajtur nga të huajt ku ne shohim imazhin tonë; mbase nganjëherë na duken tepër të largët ata shqiptarë e ato shqiptarka që na shohin nga veprat e artit, nganjëherë çuditemi sa pak na ngjajnë dhe sa të largëta na duken qëndrimet dhe sjelljet e tyre, na habit galeria e pafundme e tipave shoqërorë nga të gjitha shtresat e popullsisë, tipa dhe karaktere të veçanta, herë romantikë dhe herë prozaikë, me një larmi të pafundme materiali etnografik kostumesh, orendish dhe mjedisesh. Pra, gjerësia e hapësirës kohore dhe larmia topografike që përmban kjo hartë imazhesh është njëra nga vlerat e padiskutueshme të kësaj enciklopedie, e paarritur nga studimet e mëparshme në fushën e arteve pamore.
Figurat e arbëreshëve ishin ndër të parat imazhe që u krijuan nga autorët europianë. Ndryshe nga bashkatdhetarët e tjerë që mbetën nën okupimin osman, shqiptarë që emigruan në Itali u afruan më pranë botës së artit perëndimor. Kështu, krahas piktorëve vendas, si B. Pinelli, Mulinaretto, E. Maria Bergler, A. Cefaly, imazhet e arbëreshëve u përjetësuan edhe nga francezët F. Magaut, C. Corot, G. Vuillier, belgu J. F. Voet, danezi A. Kushler, maltezi V. Fenech dhe autorë të vendeve të tjera. Ndërsa veshjet shqiptare, të pranishme edhe në studio të artistëve të huaj, gjatë shekullit XIX u bënë motivi kryesor për shumë vepra arti. Krahas albumeve më të hershme me kostume të zgjedhura nga Shqipëria të autorëve J. Cartwright, O. Stackelberg, L. Dupre, P. Beresford (të botuara midis viteve 1822-1855), të veshur me kostum shqiptar u pikturuan disa personazhe të njohura të kohës. Pas poetit Byron, Phillips ka përjetësuar në telajo edhe Sir Austen Henry Layard-in, shkrimtarin Edward John Trelawny dhe kolonelin George Vivian me rroba shqiptare. Me kostumin shqiptar janë pikturuar apo fotografuar edhe shkrimtarët Alexandre Duma, Pier Loti, aktorja amerikane Mary Anderson si dhe personazhe të tjera të njohura.
Pas paraqitjes së veprave të veçanta nëpër sallonet e kryeqyteteve europiane, me tablotë kushtuar shqiptarëve u organizuan disa ekspozita të posaçme. Midis 90 ekspozimeve më të rëndësishme, që fillojnë me peizazhet e piktorit Hermann Urban në Munihun e vitit 1900, mund të veçojmë: grupin prej 23 artistësh italianë, që pasi pikturuan disa javë nëpër Shqipëri, paraqitën 94 vepra në ekspozitën e Barit të vitin 1939; 18 artistët polakë (midis tyre 7 gra e vajza) që zbritën me anije në Durrësin e vitit 1955, realizuan 100 peizazhe, tablo e vizatime, për t’i ekspozuar po atë vit në Varshavë; ekspozitën “Nëpër Shqipëri” të vitit 1959 në Moskë me 215 punime artistike (numri më i madh i tablove me temë shqiptare që është ekspozuar deri tani nëpër botë); apo “Përshtypjet nga Shqipëria” të dy piktorëve të njohur japonezë Inosuke Hazama dhe Kimiko Amabe, të cilët i paraqitën në Tokion e vitit 1965, kur shqiptarët sapo ishin shkëputur nga blloku i shteteve komuniste.
Kështu, me motive nga më të ndryshmet të botës shqiptare u realizuan shumë e shumë vepra arti. Nga pallati i Dozhëve në Venedik dhe katedralja Duomo e Milanos te muzetë e Londrës, Parisit, Vjenës, Moskës, Budapestit, Hamburgut e gjer në Bruklin të Nju-Jorkut, në dhjetëra muze të tjerë, në kështjella, galeri e koleksione private gjenden vepra e kryevepra piktorësh të vendeve nga më të ndryshmet me temë shqiptare. Paolo Veronese ka lënë në afresk kështjellarët e së fundmes fortesë shqiptare që ra në sulmin osman, asaj të Shkodrës. Po nga ajo periudhë Dürer, Rembrandt, Tiziano, Giorgione, Mestrović dhe autorë të tjerë të njohur të artit botëror kanë bërë vizatime, gravura, tablo e statuja për Skënderbeun; “Shqiptarja” dhe “Haideja” të Camille Corot-së botohen në albumet që përmbledhin kryeveprat e pikturës botërore. “Valltarët shqiptarë” e Alexandre Decamps konsiderohet si tabloja më e bukur e muzeut të Brestit. Orientalistët e njohur Léon Gérôme, Charles Bargue, Charles Gleyre, Paja Jovanović krijuan korpusin më piktoresk të shqiptarëve me veshje tradicionale. Midis shumë tablove me temë shqiptare të Eduard Lirit, “Mali i Tomorrit” është quajtur ndër dhjetë më të bukurat e të gjithë krijimtarisë së tij, e kështu me radhë, tablotë e artistëve më të njohur Anton van Dyck, Nicolas Poussin, Jean Vanmur, Ary Scheffer, Carlo Crivelli, Van Gogh e të tjerë, janë dëshmi artistike komplekse e plot vlerë, një akt dashurie ndaj shqiptarëve e Shqipërisë.
Kultura shqiptare ka qenë përherë mirënjohëse ndaj çdo mesazhi miqësor që vinte nga popujt e tjerë. Mirëkuptimit ajo i është përgjigjur me mirëkuptim, miqësisë me miqësi dhe kjo është në traditën më të mirë të mendësisë kombëtare shqiptare. Kultura e Shqipërisë së sotme ka të njëjtin qëndrim, të njëjtën ndjeshmëri ndaj çdo akti miqësor të artit e të kulturës botërore, i shprehur ky në letra, muzikë apo pikturë.
Ribotimi në gjuhë të huaja i librit të parë dhe hartimi i kësaj enciklopedie që lexuesi ynë po merr në duar, e ridëshmon më qartë këtë.
Paris, 2019/exlibris