Albspirit

Media/News/Publishing

Fitnete Gruda: Që padrejtësia të mos marrë para gjithkënd!

Mesazhet e forta paralajmëruese të lëshuara kohët e fundit nga ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, mbi luftën ndaj korrupsionit në Shqipëri, paralajmërimin e trafikantëve, mesazhet drejtuar popullit para zgjedhjeve, “Mos votoni kriminelat… “, mesazhet për Reformën në drejtësi, “Mos u shtirni më“, … ,  japin tek populli mesazhin e një impenjimi të madh për të kontribuar në ndërtimin e një shteti ligjor demokratik. Mesazhet e mësipërme, referuar kujt i drejtohen, por edhe duke qenë se lufta ndaj korrupsionit nga SHBA, ka nisur fillimisht me eksponentë të lartë të opozitës dhe pushtetarët, lejnë vend për të menduar, sikur po mbështetet pushteti i tanishëm i cili na ka tejlodhur. Kjo mbase, sepse shqiptarët i kanë parë SHBA gjithmonë si shteti që kontribuon me më shumë forcë për demokracinë në Shqipëri, kësisoj edhe kur ajo demokracia rrezikohet, si tashmë,ose sepse i ka lodhur shumë kjo qeverisje, duke cënuar fort demokracinë në Shqipëri. E ndërsa ambasadorja Kim po impenjohet, shteti ynë po bën sehir, a thua se ndërtimi i shtetit ligjor i përket ambasadorëve të huaj në Tiranë. Realisht, ndërtimi i shtetit ligjor  demokatratik – shteti i së drejtës, është detyrë e pushtetit. Në fakt një qeverisje  e ardhur me blerje votash, s’mund të jetë demokratike, s’mund të shfaq aspak tolerancë edhe sikur të dojë, as nuk mund të dojë e përkrah reformë në drejtësi. Kështu që do ti duhet të shtyp me cdo kusht ata që ngrenë krye ndaj keqqeverisjes. Por, përpos kontributit themelor që duhet të japin institucionet shtetërore, ndërtimi i shtetit të së drejtës, kërkon edhe angazhimin qytetar i cili për hir të së vërtetës është shumë i ulët – produkt i regjimit diktatorial aktual gjithnjë e në rritje. Në sensin e kontributit si qytetarë, ne duhet t’i themi e rithemi fenomenet e rënda e të  shëmtuara – që për fat të keq kundra tyre, asnjëherë nuk patëm një rreshtim të të gjithëve. Kjo, në mënyrë që ambasadorët e huaj në Tiranë, në veçanti ajo e Amerikës me angazhimet e veçanta për një shtet të tillë, të dëgjojnë edhe opinionet e popullit që haset çdo ditë e më shumë me mungesën e shtetit ligjor. Në të kundërt  “Ata“ do të mbeten vetëm me opinionet e politikanëve, të pushtetarëve, me atë çka shikojnë në reklamat që bëjnë qeveritarët për arritje ku mbulohen mosarritjet. Por përtej këtyre, përtej asaj që arrijnë të kuptojnë vetë, është e nevojshme, sipas meje, të kuptojnë edhe nga populli. Realiteti në Shqipëri, për fat të keq, është krejt ndryshe nga sa reklamohet nga pushtetarët. Ç’mund të pritet nga një pushtet që rrjedh dhe mbahet në të gjitha nivelet me kërcënime, shantazhe, pislliqet, droga, trafiqet, banditizmi? Këto që po na shohin sytë, e po na mbysin përditë e më shumë! Vrasjet që po ndodhin njëra pas tjetrës, largimi i detyruar i shqiptarëve jashtë vendit – gjithnjë e në rritje e deri tek abuzimet me të miturat duke i shantazhuar edhe në mjediset e shkollës, droga edhe në shkolla (vendi i formimit të brezit të ri), janë dëshmi e qartë e mos funksionimit të shtetit, por edhe të paaftësisë së drejtuesve apo përzgjedhjes së atyre që dijnë t’i bëjnë e mbulojnë korrupsionin dhe marrëzitë. Ata që vriten dhe vrasin më së shumti janë viktima të padrejtësive, të një drejtësie të munguar. Kriminelët e vërtetë janë urdhëruesit e mbipushtetshëm, të kollarisur, parelinjtë që as vetë “nuk u kujtohet“ si i kanë fituar ato para. Ata kanë depërtuar në vendimmarrjet në pushtet dhe nëpërmjet pushtetit edhe në drejtësi, rrjedhimisht. Nëse do të lidh puna në mënyrë të drejtëpërdrejtë me drejtësinë, apo të kërkosh të drejtën tënde në rrugë institucionale, do ta kuptosh këtë. Në këtë vend, të fortët, ata që kanë para, kriminelet fitojnë edhe kur s’kanë të drejtë. Ndërsa për të fituar të drejtën një njëri i drejtë, një nevojtar as që bëhet fjalë, se çfarë të jap –  shpirtin! Mjafton të vëzhgosh një ditë në ambjentet (korridorret) e ministrive, apo tek gjykatat – në veçanti ato që shqyrtojnë çështje penale (kategorinë e njerëzve që presin) do të bindesh për këtë. Këto vite shqiptarët janë “masakruar“ në një mënyrë apo tjetrën nga kjo qeverisje dhe levat e saj. Shumica e kanë duruar dhe pranuar këtë “masakrim” duke bashkjetuar me të (dikush nga joshjet materiale, dikush nga kërcënimet). Për ata që nuk e kanë duruar dhe kanë reaguar, “masakra” ka qenë publike, çnjerëzore. E ndërsa po flitet për luftë kundër korrupsionit, krimit të organizuar, të drejtat e njeriut po shkelen pa u menduar dy herë. Një prej tyre ,”liria e shprehjes” është dhunuar si asnjëherë dhe ky është një alarm. Nëse kritikon drejtorin, shefin, ngre problematika duke parashtuar edhe zgjidhje –  akuzohesh se “prish unitetin në kolektiv” dhe duhesh flakur në rrugë. Nëse kritikon kryeministrin, ministrin, për keqqeverisje – “je prishës i unitetit kombëtar” dhe përndiqesh familjarisht duke i tejlodhur familjarët. Jo si në një shtet demokratik që duhet të jetë, por si në një shtet mafiozësh në çdo hap ndjen trysni. Por, nëse hesht, i lëpihesh drejtorit, shefit… – ” kontribuon në forcimin e unitetit”, edhe pse mund  jesh i korruptuar, matrapaz, maskara, horr, manjak i kollarisur ose jo. Një problem të ngresh që nuk është shqetësim vetëm personal por i shoqerisë, i arsimit , apo… madje dhe  “një kërkesë për informim të bësh” – gjë që ta lejon ligji, pushteti të sul ata që i binden, sepse e ndiejnë frikën e daljes së dallavereve dhe korrupsionit që kanë bërë këto vite. Ankohu ku të duash për padrejtesitë, por e drejta zhytet thellë e më thellë dhe padrejtësitë shtohen njëra pas tjetrës. Ndaj këtu është e vështirë, gati e pamundur të gjesh drejtësi; ndaj është e vështirë këtu të bëhet reforma në drejtësi, sepse forca e pushtetit dhe politikës e ka mbërthyer drejtësinë dhe duan apo s’duan në çdo vendim do i binden diktatit të pushtetit. Në vendin tonë mbizotron forca e opinionit, jo provat dhe faktet. Shpesh dëgjojmë në media të thuhet, madje e themi edhe secili vetë, që reforma në drejtësi është e vështirë. Por, kur themi kështu ne lejmë hije dyshimi edhe për vetingun që është bëre për një pjesë të gjyqësorit. Dyshime , “mos vallë ky pushtet ka ndikuar edhe këtu në selektime”! Në fakt kur flitet për “Reformë në Drejtësi” theksi vihet tek gjyqtarë e prokurorë, ndoshta ngaqë ata janë vendimmarrësit. Por pjesë e sistemit janë edhe OPGJ – të që kryejnë hetimet (shpesh edhe të papërgjegjshme ose sipas interesit  apo indicjes që marrin) dhe avokatët, ndaj edhe kjo kategori, mendoj unë, se duhet t’i nënshtrohet vetingut. “Ura lidhëse” mes klientit dhe prokurorit apo gjykatësit është avokati –  në sensin e sqarimit të drejtimit të çështjes nga ana ligjore, interpretimet që i japin ata dhe kundështitë e palës përfaqësuese, por edhe për faktin se ka prokurorë që nuk pranojnë të takojnë palën, por vetëm avokatin. Për fat të keq, ka nga ata avokat që e keqpërdorin këtë “lidhje” në dëm të klientit të tyre, edhe kur situata është pro klientit që kanë pranuar ta mbrojnë, duke shkelur etikën profesionale dhe morale. Këto ndodhin sepse është faji i sistemit (!) apo i disa personave që i praktikojnë (!), vetëm një reformë serioze në drejtësi i jep zgjidhje kësaj dileme.

Përpos kësaj mendoj që vettingu duhet të prek edhe pushtetarët e të gjitha niveleve, jo vetëm kryeministra, ministra, politikanë, siç thuhet ndryshe  – “Peshqit e mëdhenj”, por edhe “Peshqit e vegjël“ të gjithë që kanë abuzuar me taksapaguesit shqiptarë dhe që janë pasuruar me krime të natyrave të ndryshme. Kjo duhet të përfshijë  drejtorë, shefa, deri tek drejtues shkollash që për pak kohë, pasi marrin detyrën, reklamojnë jetën e tyre që po ndryshon thellë, e me çfarë me një rrogë drejtori (!) apo zv.drejtori(!) ; apo ata që favorizojnë shitjen e drogës apo abuzimet me nxënësit në institucione. Po ashtu edhe për ata persona të thjeshtë me dyshime mbi sigurimin e pasurisë.

Prandaj, unë mendoj që, lufta  ndaj korrupsionit duhet të nis me korrupsionin dhe krimin shtetëror aktual për të parandaluar vrullin që kanë marrë pushtetarët dhe të pushtetshmit gjithandej. Në këtë mënyrë do të marrë udhë serioze edhe reforma në drejtësi. Në këtë mënyrë populli do të fillojë të marrë frymë lirisht – do të mundet të flas. Një popull me një qeverisje diktatoriale nuk mund të quhet se është i lirë. Mandati i tretë i kësaj qeverisje nuk pritet të sjell ndryshime, përkundrazi ai sapo ka nisur me vrasjet në mes të ditës, me hakmarrje të forta ndaj kundështarëve. Mjafton të jesh pak i vëmendshëm në rrugë, në punë, në një kafene, në pallat, në banesën tënde… dhe kupton se veglat e pushtetit (të shiturit, të padinjitetët, të përlyerit, fuksat) janë lëshuar si qenër të tërbuar… jo vetëm për presion, shantazh, por për të përhapur opinione negative, me qëllim për të mbjedhur kudo urrjejtje për kritikët e pushtetit, duke menduar që forca e opinionit është më “vrasëse” se faktet. Problematikët promovohen nga pushteti, si njerëz  të nderuar, ndërsa ata që guxojnë të flasin me çdo kusht duan t’i etiketojnë në opinion si problematikë.

Në të tilla kushte ose shteti nuk është i aftë të mbrojë qytetarët e vet, ose nuk i interesojnë qytetarët, vetëm pasurimi maksimal i tyre. Prandaj të rinjtë shqiptarë e kanë mendjen të ikin jashtë vendit. Dhe jo vetëm të rinjtë, por edhe ne prindërit e tyre po të mundeshim do të emigronim. Mua personalisht, as në  1997- ën  – i cilësuar si viti më i tmerrshëm, nuk më ka shkuar ndërmend të largohem jashtë shtetit, këto vite po. A ka krim më të rëndë se sa t’i kërcënosh familjarisht , shantazhosh, provokosh pambarimish, t’i akuzosh pa baza, sa për t’i hedhur në rrugë (dhe hajde gjeje të drejtën e akuzës); t’i përndjekësh deri dhe në banesë – duke i cenuar thellësisht lirinë, jetën private, atyre qytetarëve që guxojnë të flasin! Thënë ndryshe –  Mos i lesh të jetojnë,  t’i “vrasësh” moralisht. Ja kjo është demokracia në Shqipëri! Ja ky është pushteti  “tre mandatësh”!  Ndaj si qytetare që kam guxuar të kontribuoj në luftën kundër korrupsionit në arsim, që kam ngritur zërin fort ndaj abuzimeve dhe kontribuar për një arsim cilësor por, jo vetëm dhe kam provuar forcën shtypëse (barbare) të këtij pushteti, do të dëshiroja që nëpërmjet këtyre problematikave të ngritura, t’ia përcjell edhe një mesazh ambasadores  amerikane në Tiranë, Juri Kim, duke i kërkuar ndjesë pasi jam një qytetareje e thjeshtë:

–  “Ky pushtet  shtyp barbarisht fjalën e lirë. (kuptohet pse); po përdor teknikën ‘e kurbanëve’ ndaj kritikëve për të mbyllur gojën popullatës. Ndaj mendoj që, është imediate, lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, të nis fillimisht me korrupsionin dhe krimin shtetëror aktual, shumëdimensional”.

Kjo në mënyrë që, korrupsioni dhe sjelljet banditeske, krimi, kërcënimet shumdimensionale, në ketë vend të fillojnë të minimizohen; që drejtësia të mos ndikohet nga pushteti dhe politika; që padrejtësia të mos marrë para gjithkënd; që administrata dhe jo vetëm, të mos mos merret peng nga të korruptuarit, horrat, banditët, sekserët; që shteti të respektojë të drejtat e shqiptarëve, të përcaktuara në “Kushtetutën e Republikës e Republikës së Shqipërisë”, por edhe  në “Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut”.  Më vjen keq që flas kështu për vendin tim (vendi i shqiptarëve, por dhe i imi), por heshtja nuk është virtyti im. Kjo edhe si detyrim qytetar dhe moral në vecanti ndaj atyre familjarëve që përndiqen prej meje sepse guxoj të flas kaq hapur prej vitesh. Përpos, dua të kujtoj se kush e provon mbi supe e kupton se si funksionon ky pushtet diktatorial, drejtësia, etj në këtë vend.

 

Please follow and like us: