Artistët anglo-ballkanas skicojnë realitete vizionare mbi ishullin e ndaluar
Ekspozita ‘Ishulli i Gjembave’:
Artistët Britanikë dhe Ballkanas skicojnë
realitete vizionare mbi ishullin e ndaluar.
Të nderuar miq dhe bashkëpunëtorë!
Kemi kënaqësinë t’ju ftojmë në hapjen e ekspozitës ‘Ishulli i Gjembave’.
Eventi i hapjes do të mbahet te GALERiA e BREGDETiT, Radhimë, Vlorë, më 7 Korrik, ora 19:00.
Datat e ekspozitës janë 7 Korrik – 8 Gusht 2021
– – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – –
‘Ishulli i Gjembave’ është kontekstualizmi shqiptar i programit FUTURE ECOLOGIES [EKOLOGJITË E SË ARDHMES] nga WE ARE HERE: Artists’ Moving Image nga British Council Collection dhe LUX. Ekspozita imagjinon një realitet alternativ për Ishullin e Sazanit – dikur një tokë e ndaluar në det dhe sot një destinacion pjesërisht i harruar, me të ardhme të pashkruar – dhe eksploron tema të shpalosura nga pesë artistë britanikë dhe vepra nga pesë artistë nga Shqipëria dhe Kosova. Të paraqitura në dialog disaplanësh, veprat kontekstualizojnë bashkërisht EKOLOGJITË E SË ARDHMES, si manifest për një transformim gjysmë-fiktiv dhe simbolik të Ishullit të Sazanit.
Veprat e artit eksplorojnë subjekte të lëna pas dorë dhe përherë e më akute, të tilla si mjedisi, ekologjitë dhe kozmologjitë, ndryshimi klimatik, Antroposena, kolonizimi dhe industritë nxjerrëse, xhentrifikimi, e ardhmja urbane dhe qëndrueshmëria. Veprat e përfshira janë nga Anna Ehrenstein, Louis Henderson, Niku Alex Muçaj, Uriel Orlow, Charlotte Prodger, Ben Rivers, Driton Selmani, Abi Shehu, Bedwyr Williams dhe Driant Zeneli.
Kjo nismë është ankoruar në vetëdijesimin e shtuar të rolit përherë e më të rëndësishëm që hapësirat artistike kanë në komunitetet tona, duke e përdorur artin si një mjet elokuent për ndryshim shoqëror. Sfida konkrete si ndryshimi klimatik dhe roli i shoqërive në krijimin e mjeteve për mbijetesën dhe progresin e bazuar në vetëdijesim qytetar dhe aktivizëm, qëndrojnë në thelbin e kësaj ndërhyrjeje artistike.