Një Jezus, katër Ungjij
Ungjilli i Markut, rebelit
Rrëfimi i Markut mbi Jezusin është i shkurtër, i vrullshëm dhe i shpejtë. Greqishtja e tij është e ngathët, historia e tij e thjeshtë. Por e rregulluar me një kujdes mjeshtëror. Në fillim, dishepujt e Jezusit kënaqen në triumfet e Mjeshtrit të tyre:Ai shëron, mëson, ecën mbi ujë, ushqen mijëra njerëz me vetëm pak bukë.
Në mesin e rrëfimit, Marku ndryshon tonin e rrëfimit. Jezusi shtron hapur pyetjen që dikton gjithë Ungjillin:”Kush thoni se jam unë?” (Marku 8:29). Pjetri tha se Jezusi është i dërguari i mirosur i Zotit, Mesia ose Krishti. Në fjalinë që pason, Jezusi flet për herë të parë për refuzimin dhe vdekjen e tij të afërt.
Kundërshtimi, i vendosur dhe i rrezikshëm, i afrohet më shumë. Dishepujt e Jezusitëndërrojnë verbërisht për privilegje dhe pushtet. Por kur vihen në provë, ia mbathin. Këtu Ungjilli është i errët. Jezusi sipas Markut vdes i dëshpëruar:”Zoti im, Zoti im. Pse më braktise?”- bërtet ai (Marku 15:34).
Ndjekësit e Jezusit shpërndahen, kauza e tij harrohet. Ne presim që çdo humbje e tillë të kthehet në fitore Ditën e Pashkëve. Por në Ungjillin e Markut, siç duket se e ka planifikuar Marku, ne nuk e marrim kurrë këtë kthesë. Tri gra vijnë tek varri i zbrazët i Jezusit, shohin një engjëll, dëgjojnë se Jezusi është ringjallur, ikin të tmerruara dhe kaq.
Këtu përfundon Ungjilli. Nuk mund të jemi të sigurt mbi kontekstin dhe për cilin është shkruar kjo histori. Por kemi një të dhënë. Thuhej se Marku kishte qenë ndihmësi dhe shkruesi i Simon Pjetrit, udhëheqësit të dishepujve të Jezusit. Pjetri u vra në Romë në persekutimin që pasoi zjarrin e vitit 64.
Gjysma e qytetit – kryeqyteti i perandorisë – u shkatërrua nga flakët. U përhapën zëra se vetë perandori Neron ishte fajtor për zjarrin. Perandori duhej ta hiqte fajin nga vetja. Të krishterët në Romë kishin jetuar të qetë, por nuk ishin të njohur zyrtarisht si fe.
Ata nuk merrnin pjesë në ritet pagane rreth tyre, dhe përhapnin mesazhin për Jezusin e tyre si një “perandor” rival. Ndaj u firmos dekreti:zjarret ishin ndezur nga të krishterët, ndaj ata duheshin arrestuar. Neroni organizoi një festë. Brenda arenës, ai i kishte të krishterët të veshur me lëkura kafshësh dhe të copëtuar nga luanët.
Rreth arenës, të krishterët të varur nëpër kryqe druri. Kur perëndoi dielli, kryqet u ndezën. Ku ishte tani triumfi i këtij Jezusit? Jezusi kishte folur vazhdimisht për “Birin e Njeriut”. Për greqishtfolësit, ky term ishte e njohur vetëm nga një vegim i parë shekuj më parë, dhe i regjistruar në librin biblik të profetit Daniel.
Ky “Bir i Njeriut” përfaqësonte në oborrin e Perëndisë, popullin e bindur të Perëndisë, dhe triumfin e tyre përfundimtar mbi shtypjen. Pretendimi i bujshëm i Markut, do t’u jetë shpallur gradualisht të krishterëve të tmerruar në Romë. Jezusi i tyre kishte qenë Bir i Njeriut.
Në mënyrë të paimagjinueshme, ai kishte zbritur në Tokë, vuajti siç po vuanin tani ata, dhe ishte investuar me gjithë fuqinë që në fund do të ishte e tyrja. Kishte një dritë edhe më të shndritshme që shkëlqente në errësirën e tyre, sesa ajo që mund të shihnin aktualisht.
Ungjilli sipas Mateut, rabinit
Nga historia e dhunshme dhe e trazuar e një emigranti, tek dinjiteti arkitektonik i Ungjillit të Mateut, i kompozuar në një komunitet të lashtë dhe të shquar hebre. Ungjilli i Mateut bazohet tek ai i Markut. Ndoshta është shkruar në Antioki të Sirisë, në veri të Jerusalemit përgjatë bregdetin të Levantit.
Mateu na ofron një Jezus madhështor dhe udhëheqës. Tek ky Ungjill dëgjojmë për konceptimin e mrekullueshëm të Jezusit dhe për lindjen e tij, për Jezusin si Emanueli i premtuar – “Zoti me ne” – dhe për vizitën dhe dhuratat e Dijetarëve.
Ky Jezus mban Predikimin në Mal, thelbi i të gjithë mësimeve të tij të përmbledhur në një fjalim të gjatë (Mateu 5-7):“Lum të varfrit në shpirt…”; “Në lutjet tuaja, thoni:“Ati ynë që je në qiej…”. Ai tregon për delet që shpëtohen në Gjykimin e Fundit, dhe për cjeptë që janë dënuar (Mateu 25:31-46).
Ky Jezus vdes dukshëm i dëshpëruar, ashtu si në tregimin e Markut. Por nga Mateu ne dëgjojmë për Jezusin e ringjallur, të investuar me gjithë fuqinë, i cili i urdhëron dishepujt e tij të pagëzojnë të gjitha kombet, duke u thënë:“Dhe unë do jem me ju gjithmonë, deri në fund të botës”. (Mateu 28:20).
Mateu kërkon në shkrimet e shenjta judaike për të dhëna mbi identitetin dhe sjelljen e Jezusit. A ishte Jezusi një udhëheqës si Moisiu, që e nxori popullin e tij nga skllavëria për të shkuar drejt Tokës së Premtuar? Në Predikimin e tij në Mal, Jezusi u mëson njerëzve që t’i binden Ligjit të Moisiut, dhe duket se me autoritetin e tij, ai e rishkruan atë.
A ishte Jezusi disi Izraeli i ri, që kapërceu tundimet në shkretëtirë, të cilave i ishte nënshtruar Izraeli i vjetër? Po ku e lë kjo Izraelin e lashtë, e shpallur nga Perëndia si populli, fëmija i tij?Mateu shtron pyetje të tilla, por ai ka nevojë për më shumë shpjegime.
Jezusi i tij nuk është thjesht shumë i zgjuar. Ai është Urtësia e Zotit në formën njerëzore. Emri i tij Emanuel siç pretendon Ungjillit, shpall se “Zoti është me ne”. Fjalët e tij përmbyllëse pas ringjalljes: “Unë jam me ty me gjithë fuqinë!”, kapërcejnë çdo dallim mes tij dhe Zotit.
Në vitin 66 të Erës Sonë, hebrenjtë e Izraelit ishin rebeluar kundër sundimit romak. Ata luftuan për 4 vite. Kur romakët arritën të pushtojnë Jerusalemin, tempulli u dogj dhe qyteti i shenjtë u katandis në gërmadha. Në vitet në vijim, të gjithë hebrenjtë e perandorisë detyrohen të bashkohen në një mbështetje të ndërsjellë.
Por pikërisht në këtë kohë, çështja e Jezusit po tërhiqte vëmendjen nëpër sinagoga. Pasuesit e tij e shpallën veten si izraelitët “e vërtetë” të përzgjedhur nga Perëndia. Shumë prej tyre ishin hebrenj, por nga ky sekt ishin të joshur edhe jo–hebrenjtë.
Disa nga udhëheqësit e sektit ishin besnikë ndaj ligjit hebre, të tjerët jo. Sidoqoftë, të gjithë po pretendonin se atij iu dha autoriteti mbi komunitetin e tyre drejtpërdrejt nga vetë Jezusi.
Por kishte gjithnjë e më shumë mosmarrëveshje. Besimtarët ishin të ndarë. A bënin pjesë në sinagoga, në kishë apo të dyja?
Mateu përpiqet të bindë, ai nis t’i shajë, dhe nëse është e nevojshme të kërcënojë besimtarët që dalin nga sinagogat, dhe të besojnë vetëm ndaj kishës së sapokrijuar. Që nga ajo kohë, rezultati ka qenë i dyfishtë:atë që shkroi Mateu për të fituar në një mosmarrëveshje lokale me sinagogat, kishat e mëvonshme e kanë përdorur për të nxitur një antisemitizëm të tmerrshëm.
Ungjilli i Lukës, kronistit
Atëherë, çfarë ndodh me Lukën? Këtu ne lexojmë historinë e një aventure madhështore:një kastë të gjerë personazhesh, burra dhe gra, të pasur dhe të varfër, një histori e përpunuar në mënyrë mbresëlënëse mbi ngjizjen dhe lindjen e Jezusit, dhe një tregim shumë më pak pikëllues mbi vdekjen e tij.
Luka shkruan dy vëllime, Ungjillin dhe Veprat e Apostujve. Por fuqitë jo hebreje dhe zyrtarët perandorakë janë të shqetësuar nga ajo që dëgjojnë për këtë sekt të ri, që po përhapej me shpejtësi në të gjithë Mesdheun, nga lindja në perëndim të perandorisë së tyre.
Luka pretendon se ia kushton librat e tij “Shkëlqesisë suaj Teofilus” një zyrtari perandorak romak (Luka 1:3-4, Veprat e Apostujve 1:1). Ai përdor një stil letrar të hirshëm. E vendos historinë e tij në një kontekst, që lexuesit e tij të kulturuar do ta njohin, respektojnë dhe gëzojnë.
Historia e Lukës është më tërheqësja nga të katërta. Jezusi i tij është dashamirës dhe bujar. Këtu janë historitë e mëdha të treguara nga Jezusi për Samaritanin e Mirë, Birin Plangprishës,Pasanikun dhe Llazarin (Luka 10:29-37, 15:11-32, 16:19-31). Ky Jezus vdes me besim tekZoti, dhe duke i falur armiqtë e tij (Luka 23:33-46).
Dhe në mbrëmjen e Ditës së Pashkëve, dy nga ndjekësit e tij, në një skenë të gjatë poetike, takojnë Jezusin e ringjallur në muzg, dhe në fillim nuk e njohin atë (Luka 24:13-35). Lukasheh te Jezusi një shembull pafundësisht tërheqës.
Dhe fjalët dhe veprimet që Luka ia atribuon Jezusit, përputhen vazhdimisht me komentet e vetë Lukës, me këndvështrimin e tij mbi historinë. Konvergjenca e një historiani të tillë dhe heroit të tij, e bën më tërheqës rrëfimin në Ungjillin e Lukës.
Nga të gjithë ungjijtë tanë, ai i Lukës lexohet më shumë si një kronikë, si një rrëfim i drejtpërdrejtë për një botë historike ku banojmë ne. Megjithatë, Luka ka një axhendë. Njerëzit e zhytur në mendime, kishin shumë pyetje të mprehta për të bërë. Fetë e reja ishin shumë të dyshimta.
Kisha i kishte braktisur rrënjët e saj, pra atë Judaizëm të lashtë që e njihte e gjithë perandoria.Ndjekësit e Jezusit njiheshin për gjuhën e tyre të fortë e të lirë, dhe për një botë të kthyer përmbys. Nën shkrimin e hirshëm të Lukës, ka një nevojë urgjente për të siguruar lexues të tillë si Teofili, se ky Jezus dhe pasuesit e tij nuk ishin kërcënim për Romën.
Luka ynë tingëllon kaq i këndshëm, kaq urban. A e ka humbur ai thelbin e vizionit të Markutdhe Mateut? Jo. Luka përmend gjuhën më nxitëse të kishës së hershme, dhe e transformon atë. Jezusi i tij nuk është një kërcënim për Romën, e megjithatë si shkakton një revolucion. Lexuesi i Lukës nuk është i ftuar thjesht ta vëzhgojë këtë histori, të ulet dhe ta shijojë aventurën e saj. Udhëtimet janë duke u zhvilluar:Udhëtimi i Jezusit nga Galilea në Jerusalem, dhe tani i vetë lexuesit. Për lexuesin, është një udhëtim drejt mirëkuptimit, përkushtimit i dhe “revolucionit” të çuditshëm që sjell Jezusi i Lukës.
Ungjilli i Gjonit, mistikut
Me Gjonin ne hyjmë në një botë tjetër. Me të largohemi nga historitë e shkurtra, dhe përmbledhjet e detajuara mbi Jezusin që kemi parë në ungjijtë e tjerë. Tani kemi disa skena të përpunuara të ndjekura nga diskutime të gjata. Jezusi i Gjonit e përfundon predikimin e tij publik me një mrekulli:ai ringjall nga vdekja mikun e tij Llazarin.
Turma është entuziaste, ndërsa autoritetet janë të frikësuara. Ato nisin manovrat e tyre, që do të çojnë në vdekjen e Jezusit. Për të bërë drejtësi për Jezusin, Gjoni e kthen lexuesin menjëherë në fillimin e krijimit të botës. Kur Zoti krijoi botë tha: ”U bëftë dritë!”.
Ajo fjalë e Perëndisë ishte vetë-shprehja, plani, vullneti dhe prania e tij. Dhe Jezusi është kjo Fjalë, në formën njerëzore. Këtu kemi një mister shumë të madh për t’u kuptuar nga njerëzit normalë. Gjoni është i bindur se për të pasur ndonjë shpresë për ta kuptuar tekstin, lexuesi duhet të shndërrohet, të ketë “një lindje të re”, pra një jetë tamam shpirtërore.
Në strategjinë më të guximshme nga të gjitha, Gjoni synon të nxisë atë rilindje tek vetë rrjedha e leximit. Gjoni është “mamia’ e shpirtit. Nuk është çudi që libri i tij, quhej që në shekullin III “Ungjilli shpirtëror”.
Një i gjymtuar shërohet; një i verbër rifiton shikimin; Llazari ringjallet nga vdekja, secila prej këtyre historive flet për një figurë të vetme. Secili rrëfen për lexuesin, pasi janë këta të fundit ata që tërhiqen nëpërmes shërimit dhe shikimit drejt një jete të re, dhe që e dëgjojnë urdhrin Jezusit që bën jehonë në varrin e tyre:”Llazar, dil jashtë!”. “U bëftë drita”- tha Zoti sipas Zanafillës në ditën e parë të krijimit.
Dhe krijimi ishte duke ndodhur, ditën dhe natën, me tokën dhe detin, bimësinë, kafshët dhe njerëzimin. Ademit iu besua Kopshti i Edenit, për t’u kujdesur për të, për t’u vënë emrinkrijesave të tij, dhe për të përfunduar kështu krijimin e tyre.
Në ditën e gjashtë të krijimit, Zoti përfundoi të gjitha veprat e tij. Dhe pas kësaj Zoti, i bërë njësh me njerëzimin, do të ecte në kopsht në freskinë e ditës. Megjithatë, një gjarpër e prishi kopshtin. Dhe në kopshtin ku ishte Jezusi erdhi tradhtari, një vegël e Satanait.
Në vizionin mistik të Gjonit, gjithçka përbën një rreth të plotë. Ndërsa Jezusi vdes të premten, ditën e gjashtë të javës, ai deklaron:”U krye!”. Krijimi i ri kishte përfunduar. Në mëngjesin e Pashkëve, ditën e parë të javës së re, shumë herët, kur është ende errësirë, MariaMagdalena është duke qarë jashtë varrit të zbrazët.
Ajo kthehet dhe sheh nga pas Jezusin, por mendon se është kopshtari. Ai e thërret me emrin e saj. “Eva” është sërish në Eden; me një “Adam” që kapërcen në shumë dimensione çdo llojqenie njerëzore. Ai është Perëndia që dikur kishte ecur në Eden në freskinë e ditës. Ai është sërish njësh me njerëzimin. Asnjë gjarpër nuk fshihet. I gjithë krijimi është bërë i ri nga e para, dhe banorët e tij janë lexuesit e vetë Gjonit.
Marku, Mateu, Luka dhe Gjoni: kush ishin ata?
Brenda një shekulli nga vdekja e Jezusit, të krishterët po shkruanin për ungjijtë tanë dhe autorët e tyre. Pas këtyre emrave qëndrojnë dekada redaktimi dhe përsosjeje, që i sollën Ungjijtë në formën e tyre aktuale.
Marku
Ne dëgjojmë tek Veprat e Apostujve mbi Gjon Markun, të lidhur me kushëririn e tij qipriot Barnabën (4:36, Koloseasve 4.10), dhe me Simon Pjetrin (Veprat e Apostujve 1:12) dhe me Palin (12:25). Në një moment, Gjon Marku braktisi Palin dhe Barnabën për t’u kthyer në Jerusalem (13:13).
Kur Barnaba i kërkoi të ribashkohej me ta në misionin e tyre, Pali refuzoi. Pati një debat. Gjon Marku dhe Barnaba shkuan në Qipro (15:39). Në një moment Pali u pajtua me Gjon Markun (Kol. 4:10). Më pas dëgjojmë për “Marku tim të ri”. Pjetrin shkon sërish në “Babiloninë e urryer”, një epitet për Romën (1 Pjetrit 5:13).
Përpara vitit 125, dëgjojmë nga peshkopi Papias të thuhet:“Marku ishte përkthyesi i Pjetrit. Ai shkroi me saktësi, por jo me radhë gjithçka që mbante mend nga thëniet dhe veprimet e Zotit. Marku nuk e kishte dëgjuar Zotin, as nuk ishte ndjekës i tij, por më vonë i Pjetrit” (Komentari mbi thëniet e Zotit). Nuk mund të jemi të sigurt nëse Papias kishte të drejtë. Në fund të fundit, ai kishte çdo arsye për të zbuluar ose krijuar një lidhje midis Ungjillit dhe dishepullit më të madh të Jezusit.
Mateu
Ne dëgjojmë tek Ungjilli i Mateut se “duke kaluar aty pranë, Jezusi pa një njeri të quajtur Mateu, ulur në tavolinë dhe i tha:”Ndiqmë”, dhe ai u ngrit dhe e ndoqi”. (Mateut 9:9) Më pas, Ungjilli e specifikon Mateun si dishepullin që e siguronte jetesën nga mbledhja e taksave (Mateut 10:3).
Historia e Mateut mbi këtë thirrje, i detyrohet rrëfimit të Markut për një incident të ngjashëm, kur u quajt “Levi” (Marku 2:13). Ndoshta Mateu ishte levit, dhe njihej me të dyja emrat. A e shkroi apo redaktoi ky dishepull Ungjillin që mban emrin e tij?
Dëshmia jonë më e hershme gjendet sërish në komentin e Papias mbi Thëniet e Zotit:”Mateunë gjuhën hebraike i rregulloi thëniet dhe secili i përktheu ato sa më mirë që mundi”. Ky ungjill hebraik – ose më mirë Aramaik – i Mateut është intrigues.
Deri më sot nuk ka mbijetuar asnjë gjurmë e tij, dhe Ungjilli ynë grek i Mateut nuk lexohet si një përkthim. Ky tekst origjinal aramaik, mund të jetë vërtet një “kimerë”, pra një shartim tekstesh. Fjalia vendimtare e Papias mbi Mateun mund të përkthehet kështu:”Mateu i organizoi thëniet në stilin e përdorur në shkrimet hebraike”.
Luka
“Luka, mjeku shumë i dashur të dërgon përshëndetjet e tij” lexojmë në fund të një letre të Pavlit (Kolosianëve 4:14). Dhe sërish më tej:“Vetëm Luka është me mua” (2 Timoteut4:10). Disa pasazhe në Veprat e Apostujve janë shkruar në vetën e parë shumës, me gjasë nga dikush që ishte bashkë me Palin në udhëtimet e tij:”Ditën e parë të javës, ne u takuam për të ngrënë bukë së bashku…”(Veprat 20:7).
Do të ishte e lehtë të imagjinohej që këto fjalë, ishin hyrje në një ditar që i përket vetë autorit, shoqëruesit të vetëm të Palit, në një kronikë që e shkroi ai. Por kjo është e pamundur të vërtetohet. Ne mund të vëmë në dyshim një atribuim të tillë ndaj Lukës, që në një mënyrë kaq të favorshme ia dha autoritetin Palit për librat.
“Luka” është një version grek i një emri latin. Luka mund të ketë qenë hebre; një ish-skllav. Ose ndoshta një sekretar shumë i arsimuar i Palit. Ai mund të ketë adoptuar emrin e zotërisë së tij jo hebre. Por qoftë hebre apo jo, Luka banon në botën jo hebreje, dhe e njeh mirë atë. Ai është i përshtatur me ndjeshmëritë e tij; dhe është ndoshta i dërguari më i mirë i Ungjijve për të gjithë ata lexues që janë vetë jo hebrenj.
Gjoni
Një figurë pa emër në Ungjillin e Gjonit, është “dishepulli që e donte Jezusi”. Ai u mbështet mbi gjoksin e Jezusit në darkë, përpara se Jezusi të vdiste (Gjoni 13:23-4). Ky dishepull pa vdekjen e Jezusit:“Ai e pa dhe dëshmoi për të. Dhe dëshmia e tij është e vërtetë. Njeriu e di se thotë të vërtetën, që edhe ju të besoni” (Gjoni 19:35).
Kush ishte ai dëshmitari okular? Kapitulli tjetër dhe i fundit i Gjonit, është parë prej kohësh si një shtojcë, i shkruar nga një autor i mëvonshëm. “Dishepulli që e donte Jezusi, është dishepulli që dëshmon për këto gjëra dhe që i shkroi ato, dhe ne nxënësit e tij, që e ruajtëm veprën e tij, e dimë se dëshmia e tij është e vërtetë” (Gjoni 21:20).
Më në fund, ky dishepull ka një identitet:Gjoni, ndoshta një nga djemtë e zellshëm të Zebedeut (Marku 3:17, 10:35; Luka 9:54). Mësohet se Gjoni jetoi në Efes deri në mbretërimin e perandorit romak Trajan, nga viti 98. Si i ri, Polikarpi, që vdiq në vitin 156, kaloi disa kohë me Gjonin.
Ireneu, duke shkruar rreth vitit 190, dëgjoi Polikarpin të fliste për të. Ireneu na thotë:”Më vonë, dishepulli i Zotit, Gjoni, që u mbështet mbi gjoksin e Zotit, e botoi vetë Ungjillin ndërsa qëndronte në Efes të Azisë”. Ndoshta Ungjilli ynë, deri në përfundimin e tij, ishte vërtet nën drejtimin e “dishepullit që e donte Jezusi”. / All About History – Bota.al