Albspirit

Media/News/Publishing

Ballsor Hoxha: LETËRSIA KËRKON NJERIUN BRENDA RELIGJIONIT

Ismail Kadare dhe Ballsor Hoxha, 25 qershor 2021, Tiranë.

 

Letërsia mund të penetrojë në masa të përfunduara edhe si religjioni. Ajo ka për qëllim, dhe jo vetëm aftësi të sajën, të qëmtojë çdo gjë dhe të shfaqë atë që nuk kemi arritur ta themi, deri në momentin e shkrimit, dhe mëpastaj, edhe të leximit. Kadare në tregimin “Lamtumira e së keqes”, duke e kapur momentin e tërheqjes së pushtimit disa shekujsh të otomanëve, kap dhe islamin si religjion, që merr rolin e instrumentit të plotësimit të epshit njerëzor për pushtet. Debati i përbotshëm është ende shumë i ndruajtur dhe ende shumë i zbehtë lidhur me diskutimin e religjionit në skema dhe struktura të tjera jashtë tij, mirëpo Kadare ka një zgjidhje për këtë: personazhin. Pra, njeriu është bartësi i religjionit; çfarëdo që predikon religjioni apo librat e shenjtë, janë njerëzit që e përhapin, e predikojnë dhe e manifestojnë.

Dhe religjioni, e shenjta dhe përkufizimi i botës në duar të njeriut nën ankthin e natyrës së errët të tij, ka një rrezik të madh në vetvete.

Është edhe një argument në konfirmimin e mendimit Kadarean: përsëritja e narrativit prej religjionit në religjion në historinë e botës, gjithnjë me të njëjtën dobësi – dobësinë e njeriut ndaj pushtetit, sado i moralshëm të jetë religjioni.

Leximi brenda këtij punimi, i tregimit “Lamtumira e së keqes” të Kadaresë është bërë qëllimisht nën thyerjen e metanarrativëve nga postmodernizmi, dhe nën ankthin dhe tensionin e rishfaqjes së të vërtetave postmoderne, qoftë edhe të atyre religjioze, apo për të thënë më saktësisht, interpretimeve religjioze. Për më shumë, punimi përdor bashkëkohësinë tonë të leximit të këtij tregimi, si nivel kuptimi të tij, duke e shtjelluar brenda fenomeneve të ringjalljes së fuqisë religjioze, edhe kritikën e saj në shoqërinë shqiptare.

 

Hyrje – Liria për të rrënuar

 

Postmodernizmi me premtimin e tij filozofik (derridian) thyen narrativin e shoqërisë njerëzore në të gjitha burimet e mundshme, dhe jo vetëm kaq, por edhe mundëson kombinimin e tyre duke krijuar narrativë herë skizoide, paranoike apo dhe tërësisht ‘origjinare’, etj. Nën këtë natyrshmëri dallimesh të narrativëve origjinarë, gjërat deri së voni të padyshimta, kanë marrë goditje të rëndë dhe për masa të mëdha të njerëzimit, ato janë rrënuar.

Në universin shqiptar, figura më e pakompromis shqiptare, strumbullari i hullisë së kuptimit njerëzor, figura e Skënderbeut, ka filluar të ndiejë goditjet e shikimeve të formësuara nga padrejtësia e gjatë e jetuar, e gjatë, aq sa ka formësuar të shikuar të ri, që ka gjetur shprehjen e vet nën lirinë postmoderne të thyerjes së narrativëve. Assesi, padrejtësia e vuajtur nuk është justifikim për rrënim, por perspektiva e përjetimit të botës ka pësuar transformime nga rrymat e përbotshme dhe, me këtë, figura e Skënderbeut po përjeton ndoshta luftën e saj më të rëndë deri më tash, jo me të huajin, jo me një tjetër botë, jo me një tjetër shpirt, por me veten.

Pavarësisht ndikimit, Kadare është një prej pak shenjave shqiptare me mirënjohje të përbotshme, gjë që është arritur shumë rrallë në historinë tonë. Katër shenja shqiptare janë të vetmet që kanë lënë gjurmë në kujtesën botërore që prej se janë shfaqur: Skënderbeu, Nëna Terezë, kompleksi politik i Kosovës dhe Ismail Kadare.

Krahasuar shenjën Ismail Kadare me fenomenin e kompleksit politik të Kosovës, që ishte bërë problem numër një dhe më akut i globit për një kohë, Kosova është sot vetëm një suvenir i gjeneralëve dhe diplomatëve të pensionuar. Kosova ka mbetur si një ndjenjë e padeshifrueshme ëndrre në kujtesën kolektive, ndërsa, në anën tjetër, Kadare është dhe vazhdon të jetë I njohur për atë që bën botërisht, ndoshta edhe më thellë se kompleksi politik i Kosovës. Aq më shumë që, lufta e Kosovës në narrativin botëror, në perspektivën e Kombeve të Bashkuara dhe të gjitha forcave botërore si shtete e institucione, quhet konflikt. Pikërisht ky detaj, të quajturit e luftës që ka ndodhur në Kosovë me termin konflikt, shtjelluar sipas filozofisë së thurur në veprat Kadareane, mund të nënkuptojë pos të tjerash, edhe mundësi rikthimi ndaj kompleksit të Kosovës, për të ripërshtatur balancën e forcave të ndërlidhura me këtë kompleks, në dëm të zgjidhjes aktuale.

Sidoqoftë, Ismail Kadare ka arritur që historinë tone (lexo: narrativin tonë) unike dhe origjinale, ta përbotëzojë vetëm përmes punës së tij. Është një nga arritjet më të mëdha shqiptare, duke folur në terma popullore, ajo është një nga luftërat më të lavdishme shqiptare në shtjellën e kuptimit botëror.

E prej asaj që u tha deri më tani, shfaqet një pyetje e dhembshme dhe pa përgjigje për momentin: si do të jetë perspektiva jonë ndaj veprës së Kadaresë nën presionin e rrymave botërore?

Le të shohim transformimin e perspektivës sonë ndaj saj. Ka tendenca (kur rrënohet figura e Skënderbeut, apo kur ajo e Nënë Terezës shihet si një plakë e mjerë dhe e pandjeshme ndaj popullatës myslimane shqiptare), që degradojnë çfarëdo vlere përbashkuese të shqiptarëve, duke i ndarë vlerat në pafund të vërtetash, qoftë botërore, qoftë të shmangura nga dhembja. Marrëdhënia e masave të transformuara nën presionin e rrymave botërore ndaj veprës së Kadaresë, është veçse duke përjetuar ndryshimet.

Apo, thënë më ndryshe, masat popullore, kanë filluar të shkëputen nga boshti narrativ (apo “metanarrativi” shqiptar) dhe të rikthehen në boshtet narrative botërore, qoftë Lindore dhe religjioze, dhe qoftë ato libertine etj., duke e parë me dyshim një shenjë të domosdoshme si Kadare, deri në më të paimagjinueshmen.

Ç’është dhe më komplekse në tërë këtë, letërsia Kadareane, të themi filozofia Kadareane, është e pakompromis ndaj çështjeve të ndjeshme në vetëdijen tonë shqiptare. Ajo ka shtjelluar Kanunin, mitologjinë dhe religjionet që e formësojnë dhe ndajnë kolektivin shqiptar sot. Ndër këto fenomene në ndërveprim me mendësinë dhe shpirtin tonë, sidomos atë modern, është edhe çështja e Islamit, të cilën Kadare e shtjellon brenda punës së tij, me pavarësi të plotë nga niveli i vetëdijes kritike të masave të popullit dhe, pa asnjë kompromis ndaj kthesave bashkëkohore të kuptimit të dala nga zhvendosjet e strukturës, ndërmjet qëllimit kolektiv dhe zbrazëtisë, gjë që po bëhet më e afërt për çdo shpikje materiale (teknologjike).

Kjo filozofi Kadareane është e pakompromis ndaj konteksteve të së ardhmes, që mund të burojnë nga dinamika e ankthit botëror dhe shqiptar.

 

Tej Islamit, në pafundësinë e përsëritjes

 

Në punën artistike të Kadaresë, Islami shfaqet nga perspektiva e aktualitetit të ngjarjes që rrëfehet, i paveshur nga historia e shkëmbimit para apo pas tyre, p.sh. në “Ura me tri harqe” kapet momenti i arritjes së tij, kontakti i tij i parë me shqiptarin, pa u ndalur në kompromiset e të mirës dhe të keqes të ndërvarura nga kjo marrëdhënie.

Ndërkaq, në tregimin “Lamtumira e së keqes”, ai kapet në momentin e “lamtumirës” së tij, pa e trajtuar historinë dhe narrativin e brendshëm shqiptar lidhur me atë, jo duke e trajtuar zhvillimin brenda tij, të shqiptarit, por duke e parë si fenomen brenda të cilit është e pareduktueshme dhe e pashqitshme etja për pushtet e njeriut.

Është guximi intelektual i Kadaresë, që e shtyn të mos shqyrtojë asnjë kompromis trajtimi të këtyre momenteve, bindja në përvijimin e përvojës së tij (tonë), pa veshjet e ardhura nga pamundësitë tona si popull dhe rrënimet në kohë. Tërësisht i vetëdijshëm për mundësinë e interpretimit të tyre, ai është kategorik në filozofinë e tij, duke e parë Islamin si një prej fenomeneve në tërësinë e historisë njerëzore, e jo të mbyllur brenda kuptimit të transformuar nga përpjekjet e njeriut dhe të mbyllur brenda vuajtjes së atypëratyshme, pra nuk e sheh Islamin të izoluar, si një fenomen gjithëpërfshirës dhe gjithëshpjegues e përfundimtar.

Tregimi “Lamtumira e së keqes” është një nga veprat më të debatueshme në aktualitetin postmodern, jo se nuk vërtetohet pozita autoriale apo se ajo mund të shihet si tendencioze brenda këtij, por nga mundësia dhe kritika që besimi religjioz po ndërton sot, brenda zbrazëtisë së kudondodhshme. Rikuptimësimi i Islamit ka një gjë të përbashkët edhe me vetë punën e Kadaresë, i cili i është kthyer relativisht në bashkëkohësi dhe me këmbëngulje, momenteve kyçe të thyerjeve të mëdha botërore dhe transformimeve të kuptimit të përbotshëm në novelat si, “Muri i Madh Kinez” dhe “Kisha e Shën Sofisë”, novella të cilat ndajnë farkëtimin e narrativëve (kuptimeve) nga një transformim në tjetrin, duke mundësuar shfaqjen e zbrazëtisë në jetën sipërfaqësore të njeriut, sot. Sidoqoftë, religjioni tani, botërisht dhe ndër shqiptarë, është thelluar si nevojë për të sfiduar zbrazëtinë e krijuar nga rrënimi i sistemit moral paraprak, dhe shumë të afërt në kohë. Dhe për më shumë, në disa aspekte të religjionit, dhe sidomos politikat e tij nga pikëpamja postmoderne e narrativit, religjioni është tërësisht i riinterpretueshëm, apo thënë më saktësisht, i rindërtueshëm.

Tregimi “Lamtumira e së keqes”, guximshëm e sheh islamizimin e shqiptarëve si mjet për vazhdimësinë e politikës otomane ndaj këtij populli. Por Kadare, brenda këtij tregimi, këtë e sheh në planin gjithëpërfshirës dhe jo të izoluar, brenda fatit aktual kur ndodh tregimi. E sheh në një plan më të gjerë dhe më të thellë se fillimi i bindjes religjioze të shqiptarëve të islamizuar.

Bindja religjioze myslimane është krejtësisht e manipulueshme brenda këtij tregimi, si përvijim i një të vërtete të huaj, që arrin dhe ruan shtrirjen e pushtimit në momente të largësisë politike të pushtuesit. Dhe në trajtimin niçean është krejtësisht e riciklueshme, pra e përsëritshme, nga narrativi në narrativ, por gjithëherë e motivuar dhe bartur nga dëshira për pushtet. Personazhi kryesor i këtij tregimi, Beqir Aliu, është një nga krijimet monumentale të Kadaresë, duke shfaqur pandryshueshmërinë e njeriut brenda çfarëdo narrative që ai gjendet: qoftë religjioni i islamit, pushteti otoman, apo edhe komunizmi. Personazhi Beqir Aliu, është pre e instinkteve të tij biologjike dhe çdo gjë e shpjegon me përvojën që lidhet me ato.

Në mënyrë mjeshtërore, ky personazh gjendet përballë apo mikpritës i njërit prej personazheve më të rëndësishme të ardhmërisë së perandorisë otomane. Sa më i cekët është Beqir Aliu, aq më e thellë jehon përpjekja e të dërguarit special të perandorit. Është një lojë kontrastimi të sipërfaqësores së shtetit otoman dhe kërkimit më të thellë të natyrës së tiranisë, të natyrës njerëzore, që në këtë tregim është nën veshjen e pushtetit otoman. Derisa Beqir Aliu ka flash back të momentit kur kishte vendosur dhe arritur të bëhej udhëheqës qeveritar – moment vetëdijesimi të tij për lehtësinë e përmbushjes seksuale përmes pushtetit, – personazhi kontrastues i tij, i dërguari special, ka një impotencë për seks, duke qenë se është i obsesionuar me thellimin e shtresave të sundimit të botës, si pasojë e impotencës apo mundësive të kufizuara të tij.

Tregimi “Lamtumira e së keqes” është një takim i realitetit të perandorisë otomane ndërmjet periferisë dhe qendrës së saj. Aty ku takohen është Shqipëria, copa e fundit e pushtetit të tyre fizik, jashtë origjinës së vetë atyre. Prej këtu, ky pushtet shtresohet në disa kuptime:

  1. Ai që u cek më lart, pra i Beqir Aliut, sipërfaqësorja e pushtetit otoman që është në përfundim e sipër, e harmonizohet bukur me shiun e pandalshëm të një pasditeje të pafundme tetori dhe, që jep fundin fizik të pushtimit.
  2. Islamizmi si një shtresë narrativi i botës për të rifituar lirinë ndaj narrativit paraprak, pra ndaj atij të religjionit të krishterë, por që vuan të njëjtën dobësi të etjes për pushtet të njeriut brenda tij, sado i shenjtë dhe ortodoks.
  3. Vetëdijësimi i Beqir Alisë, apo thënë më saktësisht, shpërfaqja mu në sytë e këtij personazhi grotesk i nënshtrimit islam të shqiptarit, si një përsëritje e të vërtetës së krishterë, ndoshta edhe si një perversion i rrjedhës së gjërave në pafundësi. Dhe këtu do të shtonim edhe një pjesë të katërt: aktualiteti i leximit të këtij tregimi.

Tregimi “Lamtumira e së keqes” rrjedh ngadalshëm, porsi shiu i tetorit dhe, përfundon krejt beftë, duke e lënë lexuesin të prekur nga një e vërtetë e thellë e botës, assesi vetëm e islamit apo otomanizmit. Duke e lënë lexuesin të tmerruar nga perversioni i narrativit nëpër të vetmen të vërtetë: etjen për pushtet të njeriut dhe transformimet e kësaj etjeje, nëpër të gjitha format që i kemi njohur deri më tash. Nënshtrimi përmes narrativit dhe, ndërtimi i botës përmes bindjes së mbjellë, zbulojnë një botë shumë komplekse në momentin e përfundimit të leximit të këtij tregimi.

Le të kthehemi në një nga paragrafët e tij:

“Kaloi dorën në mollëza (I dërguari special i perandorit), pastaj anash gojës, si ta merrte me të mirë atë, dhe vazhdoi të fliste. Tha se fjala fetar ndoshta ishte e paktë në rastin e tij. Ai ishte shumë më shumë se fetar. Ishte një aziatik i thellë, që qysh në rini i kishte urryer për vdekje Evropën dhe europianët. I kishte urryer qytetet dhe gratë e tyre, kishat, kafenetë, gazetat, babëzinë për të marrë vesh çdo gjë, votimet, parlamentet, mendësinë e tyre të ftohtë, mënyrën se si ecnin, si visheshin, si arsyetonin, shpirtin e tyre kundërthënës, krenarinë, trazimin e përhershëm, gjithçka që kishte të bënte me atë që e quanin “të drejta të njeriut” dhe që, në të vërtetë, s’ishin veçse demoni i tij gjumëprishës”. (Tregimi “Lamtumira e së keqes”- faqe, 325 – “Shtatë novela”, Vepra, “Onufri”).

Demoni gjumëprishës i “fetarit të thellë”, “aziatikut të thellë”, është dallimi i njeriut evropian, nga ai. Ankthi i tij është vetëm dallimi, vetëm ndryshimi. Në të vërtetë, dallimi duhet të jetë arsyeja, racionalja brenda këtyre “kaurëve” që kanë lirinë të kundërshtojnë edhe veten dhe çdo gjë në sytë e tij.

Në një penetrim krejtësisht të thellë, kjo është vetë liria racionale, apo për të përdorur skemën ekzistencialiste: liria për të zgjedhur. Dhe pikërisht këtu qëndron motivi i errët i këtij “aziatikut të thellë”, që vjen nga kufizimet, nga impotenca e tij. Sa më e fuqishme impotenca, aq më e urrejtur mundësia e lirisë, aq më e mallkueshme zgjedhja dhe aq më e errët pikëpamja e “aziatikut të thellë”.

Pjesa e dytë e këtij paragrafi vazhdon kështu: “I urrente, pra, të gjitha këto, në kohën që i digjej shpirti për përgjumjen e bekuar të Anadollit, për stepën gjysmë të zhveshur që s’kishte fund, mbi qytetet, fshatrat e qiellin e së cilës sundonte vetëm një njeri, prej të cilit varej fati yt, me mijëra fije të lidhura në mister, dhe ti vetë nuk e dije nga mund të të vinte e mira ose e keqja, ngritja ose rrënimi, dhe gjithçka i kishte rrënjët gjysmë në jetë, gjysmë në ëndërr, gjë që ty të çlironte plotësisht nga shkaqet e pasojat e ndodhive dhe, kështu i përgjumur siç vije, ashtu dhe ikje nga kjo botë, pa u zgjuar kurrë plotësisht”.  (Tregimi “Lamtumira e së keqes” – faqe,325 – “Shtatë novela”, Vepra, “Onufri”).

Liria nga përgjegjësia që vjen prej jetës gjysmë- ëndërr/gjysmë-jetë, pa u zgjuar kurrë plotësisht, është idealja për “aziatikun e thellë” të këtij tregimi. Pak më lart, ai është i bindur se paparashikueshmëria e fatit personal, “lidhur nga mijëra fije në mister”, janë shtresa ku bazohet mirëqenia e paramenduar sipas tij. Por a nuk ngjan kjo, identike me komunizmin, apo me cilëndo tirani, të cilitdo sistem në historinë e botës? A nuk është kjo bota ndaj të cilës vazhdimisht ngadhënjen njerëzimi, dhe ajo për t’u kthyer në versione më të çmendura dhe më të rrezikshme, p.sh. Kalifati Islamik në Irak dhe Siri sot, apo Korea e Veriut, apo Irani?

Mu këtu fshihet etja për pushtet. Impotenca dhe kufizimi i tij kërkojnë një botë të përgjysmuar nga liria, përgjegjësia individuale dhe mundësia e zgjedhjes, që janë vetë parajsa e tiranisë dhe pushtetit të dhunshëm. Kontrollimi i kufizimeve dhe ndëshkimi i “të aftëve” është i mundshëm vetëm në botën e parashikueshm dhe të arritshme, dhe vetëm në këtë lloj bote mund të arrihet pushteti absolut i fshehjes së kufizimeve.

Ajo që autori i këtij tregimi duket se padrejtësisht po e cilëson aziatike, në këtë pjesë të tekstit është ajo që e formëson njeriun në vartës dhe përkrahës të tiranisë. Ajo që e ka mundësuar tiraninë brenda njerëzimit. Këtu, megjithëse biseda groteske e Beqir Aliut me fetarin e thellë, mbetet sipërfaqësisht e lidhur me aziatiken, ajo doemos konoton tërë historinë njerëzore të tiranisë në raport me të drejtat e njeriut, me racionalen antike. Kjo e krijon një përvijim të ri të mbirjes së fesë islame ndër shqiptarë, si mjet nënshtrimi të kulluar. Dhe jo vetëm kaq, por edhe prodhim krize dhe frustrimi në vetë shqiptarin, duke e thyer përkatësinë e tij, gjë që e bën të paaftë për një vetëdije të plotë të ndërtuar nga përvoja e vet.

 

Liria për të mbrojtur

 

Këtu do t’i kthehemi fillimit të këtij shkrimi, duke e parë besimin religjioz sot, si një nevojë tej racionales, si pasojë e ambivalencës së skizoidësisë së botës dhe të ri-formësimit të religjionit brenda mundësisë dhe lirisë së ardhur prej postmodernizmit. Tërësisht i justifikuar si tej racionales, dhe i panevojshëm për debatim brenda aftësive tona shpjeguese, religjioni është liri, e drejtë e njeriut.

Por a nuk është i njëjti islam, e njëjta liri, sikur edhe liria për komunizmin enverist (duke shmangur debatin për mënyrën e instalimit të tij, pra me dhunë), e pandashme nga narrativi islam, jo krejtësisht mirënjohës ndaj dhembjes së të qenit shqiptar? A nuk është premtimi, filozofik dhe i përvojës, që ky religjion të jetë më i pranueshëm me harrimin e kësaj dhembjeje, apo me shuarjen e qenësisë shqiptare, që është edhe njëlloj politike më vete e të të nënshtruarit ndaj një rryme botërore? Politika jonë kombëtare sot, mund të merret edhe si pasojë e rikrijimit të islamit, por me këtë edhe i ri-mbirjes së politikës pushtuese/nënshtruese, siç ndodh brenda tregimit “Lamtumira e së keqes”: një prej zgjidhjeve të vazhdimit të pushtetit që gjen “aziatiku i thellë”, është duke instaluar sundimtar post-otoman me një ligësi brenda vetes, që do të shtyjë deri në makth, në një enverizëm të pastër. A nuk ishte Enver Hoxha një “sundues” tipik post-otoman (sipas konotimit të tregimit “Lamtumira e së keqes”) që devijon një kolektiv, i shtyrë nga ankthi i ligësisë së tij? Kjo është tërë fatkeqësia ndaj të cilës autori i këtij tregimi na paralajmëron me guximin e një Skënderbeu modern, kur lufta nuk është më në forcën fizike, por intelektuale.

Ajo që shfaq Ismail Kadare në tregimin “Lamtumira e së keqes” është se, brenda religjionit, rri fuqishëm etja për pushtet e njeriut. Se cilido islam, para modernizmit apo pas, dhe qoftë në postmodernizëm, bartet nga njeriu. Dhe njeriu formësohet dhe rron në epshin për pushtet. Ajo që po ndodh sot, kur liria e postmodernizmit ka krijuar hapësirë nga thyerja e grand-narrativit, është se janë shfaqur të gjitha kahjet e dezintegrimit kolektiv shqiptar, të cilat tentojnë kah rrymat botërore, që as nuk e njohin dhembjen shqiptare. Në fakt, dezintegrimi shqiptar ndodh për hir të dhembjeve, në të cilat as nuk jemi shkaktarë, as të bashkuar. Nuk është prijësi i gjetur i post-otomanizmit, e keqja e fundme në të cilën thirren kryesisht shqiptarët pro-islamikë (megjithëse në perspektivë tjetër), por rrënimi i dhembjes së përvojës së të qenit shqiptar, që e sundon dhe rikthen të keqen, sa here shpërndahet forca përbashkuese e tyre. Apo, për të qenë politikisht më korrekt: ri-interpretimi i dhembjes sonë prej perspektivave që nuk e njohin shkakun e dhembjes sonë.

 

Përfundim

 

Tregimi “Lamtumira e së keqes” të Ismail Kadaresë është nga më të debatueshmit në këtë aktualitet, sepse është në konflikt me horizontin e pakufishëm të rastësive (lexo: kombinimeve) të narrativëve. Mirëpo në dekonstruksionin e çdo gjëje, gjithnjë buron një shënjues. Derrida e quan kontekstual, i pashqitshëm, dhe në dekonstruksionin e të gjitha shenjave të kombinuara nga ideologjitë e panumërta që kanë qarkulluar nëpër trojet tona, cili shënjues rilind, apo në cilin kontekst nuk përsëritet dhembja e përvojës shqiptare. Dhe prej këtu do të shtronim pyetjen: a mund të jetë islamizimi shqiptar, i pakthyeshëm por i racionalizueshëm, një shënjues vetëm i pjesshëm i kësaj dhembjeje, dhe për më shumë, njëlloj kërrusje ndaj po kësaj dhembjeje, që siç e thotë edhe vetë tregimi “Lamtumira e së keqes”, është vetëm përsëritje e të njëjtës ligësi të njeriut: etjes për pushtet dhe përkuljes ndaj tij.

Megjithëse tregimi është shkruar nën komunizmin enverist, ai është kthyer bindshëm brenda veprave më të arrira të tij, me ngulmimin e autorit. Dhe atëherë, në mos në kohën e shkrimit të tij, autori ka qenë i vetëdijshëm në momentin e ribotimit, për debatueshmërinë e përmbajtjes së këtij tregimi. Kjo doemos duhet marrë në konsiderim, kur tentojmë të dekonstruktojmë shenjën Kadare.

 

(Fragment nga studimi “PAFUNDËSIA E LEXIMEVE TË VEPRËS SË KADARESË”, Botimet UET Press)

 

Please follow and like us: