Albspirit

Media/News/Publishing

Haris Vongli: Lëmsh nomad…

Kur mblidhet një lëmsh në stomak – lëmsh nomad –

E ka gjenezën tjetërkund, prej shpirtit e mandej gjithkund.

Nëpërmjet qiejve të frymëmarrjes ngjitet në sy

E shpërthen rrëke, pa nevojë për fjalë, pa fe.

 

Bota jashtë teje s’ka kurrëfarë lidhje gjaku,

absurdi i njerëzve të lirë është vetë liria e tyre e pa fre.

Dhe ka hije, dhe ka padrejtësira, dhe ka lojra–plot.

Dhe ka gabime, e gabime, gabime ndër gabime,

E s’do mend që ka ndërgjegje bosh.

 

Mishin nga vetja s’e shkul dot,

të mohosh gjithçka që në fakt s’të përfaqëson.

Hëna dhe dielli shtriqen

Sa herë shpërbëhen mbi natyrë, e ndryshojnë atë,

Por jo njeriun, njeriun dot nuk e ribëjnë.

 

Njeriu është i mjerë.

Në delirin e tij ha bukë e gabime,

Pa asnjë thërrunde distancë nga e vërteta.

E kështu i mbijeton vetvetes

E kështu jeton,

Një mashtrim të madh –

Praninë e dashurisë,

kur ajo e tëra mungon, kokë e këmbë.

 

Kur nuk t’u ofrua dot një shtëpi e ngrohtë

Lëmshi është nomad,

Ashtu si jeta.

E punë e madhe – më mirë një jetë nomade

Se një gënjeshtër e madhe –

Me gjakun-ujë e bukë thatë me gabime.

 

Hajdeni, turruni mbi Tokë,

çdokush ka të drejtë të paktën të rrojë.

E një njeri që thjesht rron, nuk mund të dominojë.

 

Kur mblidhet një lëmsh në stomak–lëmsh nomad.

Please follow and like us: