Prof. Rami Memushaj: Maqedonia e Veriut për gjuhën shqipe
Javën e parë të këtij muaji përfundoi në Shkup programi dymujor i trajnimit të përkthyesve dhe të korrektorëve shqiptarë të punësuar pranë institucioneve qendrore dhe vendore të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Këtij programi iu nënshtruan rreth 70 punonjës, të ndarë në 6 grupe, të cilët ndoqën 24 ligjërata dyorëshe, të mbajtura nga 16 profesorë universitarë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Kjo Agjenci, e themeluar në janar 2019 në zbatim të “Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve”dhe e drejtuar me përkushtim e kompetencë nga prof. dr. Ylber Sela, ka një organikë prej 74 punonjësish (ende e paplotësuar), që shërbejnë në katër sektorë, ndër të cilët sektorin e planifikimit, bashkërendimit dhe të zhvillimit – që përbëhet nga njësia e avancimit të zbatimit të gjuhës shqipe dhe njësia e teknologjisë informatike – dhe sektorin e përkthimit, me dy njësitë e tij të përkthimit dhe të lekturës (redaktimit e korrektimit). Ajo ka për detyrë standardizimin edhe përdorimin e njësuar të gjuhës shqipe në ligjërimin publik dhe në botimet zyrtare (ligje, vendime, raporte etj.) të institucioneve qendrore dhe të agjencive shtetërore të kësaj Republike, në emërtimet e institucioneve e të vendeve etj.; si dhe mbrojtjen e të drejtave gjuhësore të qytetarëve shqiptarë në komunikimin e tyre të përditshëm me institucionet shtetërore dhe këshillimin gjuhësor për institucione dhe individë.
Megjithëse kanë kaluar vetëm dy vjet që nga krijimi i saj, Agjencia ka bërë një punë të lavdërueshme në shumë drejtime, si për organizimin e brendshëm dhe për vendosjen e komunikimit me institucionet e Republikës dhe me institutet e gjuhësisë, me universitetet e Shqipërisë, të Kosovës dhe të Maqedonisë së veriut, si dhe me Shoqatën e Gjuhësisë Shqiptare, duke kërkuar bashkëpunimin e këtyre qendrave shkencore e duke u kthyer në një faktor bashkues, funksion që deri tani nuk e kanë kryer dot as akademitë, as institutet dhe as universitetet e të tri anëve.
Agjencia zhvillon një veprimtari intensive, që përfshin përkthime, korrektime e redaktime të akteve dhe të dokumenteve zyrtare, hartim pyetësorësh e anketime për çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe, këshillime gjuhësore etj. Puna e saj pasqyrohet në buletinet mujore dhe në raportet vjetore (për 2019-n dhe 2020-n). Ndër punë të tjera mund të përmendim hartimin e regjistrit të përkthyesve dhe të lektorëve në organet e qeverisjes qendrore, me qëllim që të përfshihen në programet e trajnimit, punë që në të ardhmen Agjencia synon ta bëjë edhe me lektorët e shtëpive botuese e të shtypit të shkruar dhe me gazetarët televizivë.
Në fushën e botimeve janë për t’u përmendur doracakët që Agjencia publikon periodikisht, si “Udhëzuesi i zbatimit të Ligjit për Përdorimin e gjuhëve”, “Programi i trajnimit për përkthim e interpretim maqedonisht-shqip e shqip maqedonisht dhe për lektorët e shqipes”, “Doracaku i nëpunësve administrativë lidhur me zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve” etj. Në ta zbërthehet Ligji për Zbatimin e Gjuhës shqipe, jepen udhëzime konkrete për punonjësit e administratës lidhur me vënien në jetë të këtij ligji, tregohet si duhen hartuar dokumente llojesh të ndryshme, si ankesa, kontrata, vendime gjyqësore etj.
Në fushën e veprimtarive shkencore, në kuadrin e ditës ndërkombëtare të gjuhës amtare, Agjencia organizoi në shkurt 2020 Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Shumëgjuhësia dhe sfidat e zbatimit të ligjit të përdorimit të gjuhëve në RMV”, në të cilin u mbajtën 20 kumtesa nga studiues shqiptarë dhe të huaj. Për të ardhmen, ajo mendon të organizojë veprimtari të tjera shkencore të cilat lidhen me problematikat që dalin në Maqedoninë e Veriut gjatë punës për zbatimin e plotë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.
Duke krahasuar punën e kësaj agjencie të re me punën e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, del se këto dy akademi janë larg asaj që duhet bërë për të mbrojtur dhe zhvilluar gjuhën. Ato i kanë hyrë një rruge të gabuar, duke punuar prej 15 vjetësh për të ndryshuar kodet e gjuhës standarde, ndërkohë që duhet punuar për zbatimin e këtyre kodeve. Dhe po vazhdohet po në këtë drejtim të gabuar, siç del nga Urdhri nr. 34, datë 13.12.2019 i kryetarit të Akademisë sonë të Shkencave “Për ngritjen e grupit të punës për përgatitjen e kornizës juridike dhe të kushteve profesionale për normalizimin dhe rifillimin e punës së Këshillit Ndërakademik Kombëtar të Gjuhës Shqipe”, në të cilin bëjnë pjesë po ata gjuhëtarë që votuan propozimet për ndërhyrje të thella në normën drejtshkrimore e gramatikore të gjuhës standarde, propozime të cilat u hodhën poshtë. Nuk dimë si është organizuar ky këshill dhe cila është platforma e tij e punës, pasi ende nuk ka dalë me ndonjë kumtim për opinionin, po fakti që në të nuk janë thirrur gjuhëtarët e larguar prej tij dhe mungesa e komunikimit me publikun të bëjnë të mendosh se nuk po ecet në rrugën që do t’i shërbente rritjes së kujdesit për shqipen.
Në të vërtetë, kujdesi për gjuhën nuk është detyrë e akademive, por e dy shteteve tona, në bashkërendim me faktorin shqiptar në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi. Jemi shprehur edhe herë të tjerë se ka ardhur koha të krijohet një agjenci ndërshtetërore për gjuhën shqipe, e cila të ketë detyra të përcaktuara qartë dhe me ligj për mbrojtjen e gjuhës, duke përfshirë këtu zbatimin e normave të saj në ligjërimin e shkruar e të folur publik, punën për pasurimin dhe pastërtinë e leksikut të shqipes, si dhe detyrën tepër të ngutshme për njësimin e terminologjisë në të tri shtetet. Për zbatimin e këtyre detyrave kjo agjenci mund të ngarkojë institutet e gjuhësisë, departamentet e gjuhës shqipe dhe akademitë e shkencave. Pra, mbrojtja e gjuhës është, në radhë të parë, detyrë e shtetit, për të cilën ngarkohen institucionet e posaçme.
Se çfarë mund të bëhet konkretisht – për të mos përmendur përvojën e Komisisë Letrare dhe atë të 40 e ca vjetëve më parë, kur me vendim të Këshillit të Ministrave u krijua pranë Akademisë së atëhershme të Shkencave Komisioni i Përhershëm, me detyrë pasurimin dhe pastrimin e gjuhës, shqipërimin dhe njësimin e terminologjisë tekniko-shkencore dhe kujdesin për zbatimin e plotë të normës së gjuhës letrare – një shembull i gjallë se si mund të punohet shtetërisht për kultivimin dhe mbrothtësimin e gjuhës sonë është Agjencia për Zbatimin e Ligjit të Gjuhës.