Alfons Zeneli: NJERËZIT PA KOKË JANË GJITHMONË TË LIRË, TË BARABARTË DHE VËLLEZËR
Brenda 2 muajsh kokat e 16 500 njerëzve “armiq të revolucionit” u prenë nga gijotina. Shifra në fakt ka qenë shumë më madhe. Gjithashtu 40 000 të burgosur si “armiq të revolucionit” u vranë pa gjygj ose vdiqën nëpër burgje prejt torturave duke pritur ditën e gjygjit. Mjaftonte një dyshim sado i vogël dhe Tribuna Revolucionare, Garda Revolucionare ta mohonin egzistencën. Mijëra të tjerë të vrarë e masakruar rrugëve. Shkrimtarë, poetë, mjekë, intelektualë, gra, burra, popull, priftërinj. Edhe shumë kohë më pas Parisi dhe Sena kutërbonin gjak e kufoma. Ky ka qenë konteksti në të cilin oratorët e revolucionit ngjizën lirinë, barazinë dhe vëllazërinë si një helm të bukur dhe aromatik i cili shumë shpejt do t’iu kthehej si vdekje vetë prodhuesve të tij. Franca kurrë nuk ka parë terror si ai i Revolucionit. Në kuptimin e cilësisë, ai lloj terrori ishte i pashoq për kohën. Më vonë do të kishte raste edhe më makabre e fatale, por që gjithsesi, edhe këta pasardhësit do ishin pikërisht të frymëzuar drejtpërdrejt prej shembullit të tij. Revolucioni ishte pothuajse i panevojshëm, u bë pa shkak. Luigji i XVI ishte liberal dhe reformator. Gjithë çka pretendonin udhëheqësit e Revolucionit për arritur nëpërmjet diktaturës revolucionare dhe komunës, vetë mreti Luigj XVI ishte duke e realizuar. Bash në atë kohë ai po synonte uljen e taksave ndaj popullit dhe rritjen e detyrimeve për borgjezinë. Për të mos rënë në konspiracion, po themi vetëm një gjë thjeshtësisht të sigurt: Revolucioni nuk kishte vend në Francë në atë kohë, nuk dihet se kush e organizoi në të vërtetë dhe nuk pati të fituar. Sa i përket organizatorëve dhe financuesve të vërtetë ka shumë hije dyshimi. Në falimin e fundit të jetës së vet Robespieri deklaron se “Unë nuk kam kurrfarë besimi në këta njerëz të huaj të cilët fytyrat i kanë të mbuluara me maska patriotësh dhe të cilët mundohen që të tregohen republikanë më të mëdhenj se sa jemi ne… Këta agjentë të fuqive të huaja duhet të zhduken”.
Ne vërtet e dimë se cfarë ndodhi me Francën pas Revolucionit, por nuk e dimë se çfarë do kish ndodhur nëse Revolucioni nuk do të ishte kryer. Mbase, minimumi, do kishte qenë si Anglia. Nuk e di se sa francezë jane vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore (L2B) prej gjermanëve, por nuk besoj se ka patur ndonjë rast kur të jenë vrarë e masakruar çnjerëzisht kaq shumë francezë prej francezëve. Për herë të parë në qiellin e Parisit u valëvit flamuri i kuq i komunarëve i cili më vonë do të bëhej simbol i komunistëve nëpër botë, simbolikë prej së cilës ne e dimë mirë se çfarë katastrofe i erdhi njerëzimit. Revolucioni Francez ishte pikënisja e instalimit në praktikë të komunizmit, kaosit dhe socializmit. Aty u kurdis zemreku i një lloji njeriu të panjohur deri athere. Njeriu që vret për ide, që vret për dogma, njeriu që gllabëron me dhunë pronën private të dikujt tjetër. Këtë frymë mbolli filozofia revolucionare. Njeriu me më influencë i Asamblesë, Robespieri u shndërrua shumë shpejt në një tiran të pamëshirshëm e gjakatar, i çorientuar psiqikisht i cili shkaktoi gjakderdhje masive për të kaluar në një rend më inferior dhe vulgar. Shkrimtarja Ann Coulter shkruan se edhe vetë Adolf Hitler mori shembull nga Robespieri. Arrogant dhe tiran ai dhe gjithë makineria e tij propogandistike manipuluan aq sa mundën historinë dhe njerëzit për të krijuar urrejte ndaj Monarkisë, katolocizmit dhe për të justifikuar dhunën frenetike. (A nuk vepruan identikisht kështu dhe komunistët shqiptarë gjatë luftës dhe pas mbarimit të saj kundër bejlerëve, biznesmenëve, inteligjencës dhe klerit)? Gjithashtu, kjo masakër revolucionare dhe kjo diktaturë revolucionare nuk do të mund të kishte sukse pa një strategji mashtrimi. Psh, ishte krijuar ideja se Bastija ishte shndërruar në një burg-ferr të mbushur plot brejtës, sëmundje, pisllëk dhe të burgosur që torturoheshin. Mirëpo kjo ishte thjesht një shpifje për të nxitur turmat drejt Bastijes. Në fakt Luigji XVI kish vite që nuk mbante të burosur në Bastije dhe këtë Robespieri bashkë me udhëheqësit e tjerë e dinin mirë. Gjithsesi, sipas David Bell, profesor i historisë franceze në Universitetin e Prinstonit, SHBA, “kur Bastija ra, në burgun e saj ishin gjithsej 7 të burgosur: 4 falsifikatorë, 2 të cmendur dhe një fisnik i dënuar për perversion seksual “. Po sipas prof. Bell, kështu u shpik dhe mashtimi se gjoja kur i thanë Maria Antuanetës se “populli s`ka bukë”, ajo u përgjigj “të hanë torte”. Sajesa prototipike spekulantësh revolucionarë të cilët mund të sakrifikojnë mijëra njerëz për një muaj pushtet. Pikërish, këtë metodologji shpifjesh do e pranonin në mënyrë novative të gjithë udhëheqësit revolucionarë komunistë që do të vinin më pas: që nga Lenini e deri tek sekretari i organizates bazë së partisë në fshatrat e humbur të Shqipërisë.
Popujt i bëjnë, i pësojnë dhe i gjykojnë vetë aktet e tyre. Dhe askush nuk mund t’i gjykojë. Aq më tepër (qoftëlarg) të gjykojmë francezët. Ne nuk e dimë se si do kish qenë Franca. Por shohim qartë se çfarë iu ngjau kombeve të tjerë të cilët ranë pre e virusit të kuq të komunës dhe revolucionit. Prej saj u përligj e u lajmërua si sistem urrejtja klasore dhe lufta e klasave, lufta ndaj besimit dhe në tërësi ndaj çdo lirie njerëzore të cilat u zhvilluan më tej prej kombeve të tjerë dhe që shpesh për fatin e tyre të keq u aplikuan. Mjafton të numërojmë viktimat e komunizmit përgjatë këtyre dekadave që nga Revolucioni Socialist i Tetorit e në vazhdim. Shifrat flasin frikshëm. Mbi 100 milionë të vdekur për shkak të drejtpërdrejtë të komunizmit dhe socializmit.
Tribuna revolucionare çoi në gijotinë më shumë se 25000 njerëz. Asgjë më shumë se gijotina nuk e mishëron fizionominë dhe karakterin e Revolucionit. Shpikësi i gijotinës ishte mjeku ligjvënës Zhozef Injac Gijotin, i cili vetë mezi shpëtoi nga ajo, pasi u arrestua dhe u burgos (nga revolucioni i vet-partia e vet) gjatë terrorit në vitin 1794. Kjo ngjan si një miniaturë e ironisë së shprehur në sentencën kuptimplote “revolucionet hanë bijtë e vet”.
Gijotina ngrihej e binte papushim si rrufe, sa hap e mbyll sytë për ta mbushur Sheshin e Revolucionit me koka të prera, sytë e të cilave nuk do të hapeshin më kurrë. Mbi këtë mal kokash të prera do të ngulej e do të valvitej “liria, barazia dhe vëllazëria”!