Çerçiz Loloçi: Takimi i Brukselit, delegacioni i Kosovës më i përgatitur se ai serb
Ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje takimi në kryeqendrën europiane, Bruksel mes delegacionit të Kosovës të prirë nga kryeqeveritari Albin Kurti dhe delegacionit të Serbisë të kryesuar nga presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, por me përbashkësinë për të vazhduar takimet e mëtejshme dhe dialogun.
Pas takimit, në një prononcim publik për mediat kryeministri Kurti tha se “në takimin e dytë me delegacionin e Serbisë në Bruksel, sot ofruam një Deklaratë të Paqes me gjashtë nene, e cila flet për zotimin për mossulmim të njëri-tjetrit dhe për reciprocitet të të drejtave. Po ashtu, ofruam edhe dëshmi të 11 shkeljeve që i bën Serbia ndaj Kosovës përmes barrierave kundër tregtisë së lirë e që do të duhej të eliminoheshin. U refuzuan të dyja këto. Për dallim nga ndërmjetësi Josep Borrell, kryetari i Serbisë nuk i mori tre librat që ia dhashë: rrëfime të grave të përdhunuara në Kosovë gjatë luftës, listën e 1.133 fëmijëve të vrarë prej të cilëve 109 janë ende të pagjetur dhe librin ‘Muhaxhirët – Dosja Britanike’ për dëbimin e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit. Është për të ardhur keq që nuk arritëm të dalim së paku me një deklaratë të përbashkët nga ky takim. Shkaku ishte që delegacioni serb nuk pranoi futjen në tekst të togfjalëshit ‘ballafaqimi me të kaluarën’. Serbia si shtet ka ardhur në mesin e popullsisë shqiptare me gjenocid dhe ka ikur me gjenocid. Mosnjohja e së kaluarës së saj kriminale dhe mosnjohja e pavarësisë së Kosovës janë të lidhura ngusht. Ne vazhdojmë të jemi të përkushtuar për paqe dhe drejtësi, për siguri dhe stabilitet, për demokraci dhe progres. Do të jemi të gatshëm për takime e biseda konstruktive dhe për dallim nga fqinji ynë verior nuk kemi dilema sa i përket integrimeve evropiane dhe euro-atlantike”.
Natyrisht se ky është një qëndrim dinjitoz që ka pak retorikë dhe më shumë thelb, pra propozime konkrete, të cilat mund të shërbejnë si një bazë e mirë për një marrëveshje të qëndrueshme mes dy shteteve fqinje. Ky nuk ishte takimi i parë dhe as i fundit, takime të tjera me ndërmjetësim europian, apo edhe amerikan, janë kryer nga qeveritë dhe presidencat e mëparshme të Kosovës dhe Serbisë , por shumë pak gjëra kanë ndryshuar në marrëdhëniet mes dy shteteve. Dhe kjo ka ardhur kryesisht dhe jo vetëm nga fajet dhe gabimet shqiptare, nga mosballafaqimi si të barabartë, nga përpjekjet e pakta për të ndërtuar një shtet demokratik, me institucione të pavarura dhe me një synim të vetëm për të rritur mirëqënien e shtetasve të vet.
Qasja euro-atlantike e shtetit të ri të Kosovës na bën më dinjitozë ndaj partnerëve europianë dhe amerikanë, por vetëm kjo nuk mjafton. Shpesh zhvillimet e brendshme janë përcaktuese edhe në zhvillimet ndërkombëtare. Një presidencë transparente, një qeveri transparente, një gjyqësor dhe media e pavarur, një shoqëri civile e përgjegjshme dhe konstruktive në Kosovë janë një shtrat i mbarë për të fituar më shumë miq dhe aleatë perëndimorë që na ndihin edhe në problematika më të mëdha.