Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: PIKNIKU I PAS PANDEMISË…

Njeriu ndrydhet brenda shtëpisë i ngujuar! Si në kohëra kaçakësh, luftrash dhe pandemish, si kjo e këtij viti që shkoi e mezi shkoi, duke lënë pas “frikën e kolerës”! Dhe ne të pestët po bëheshim gati të dilnim në një piknik, tutje shtëpive tona te ngujimit, mes maleve e buzë lumenjve, në gjirin e natyrës…
Më kishte ndodhur që, sa mbaroi lufta më 45-ën e shekullit të kaluar,-kur nuk isha më shumë se 8 vjeç fëmijë e kishim uri për bukën e misrit, harruar fare ajo e grurit, nëna ime Aleksandra, më krreu nga shtëpia e më mori si trim, pas maleve që rrethojnë nga sipër fshatin tonë bregdetas, në një udhëtim, për të këmbyer në Kalasë e Tatzat dy kg. vaj ulliri me një kg. miell misri! M’u shqepën opingat e gomës, mbërrthyer me fëndie me shollë “sido-kudo” e m’u gjakosën këmbët nga gurët e ferrat. Akoma i mbaj mend ca emra vendesh e grykamalesh e humnerash, si “Qafa e Frashërit” dhe “Përroi i Eremitit”… Për dy-tri grushte miell misri, që nëna bënte kulaçin, e shtynim javën, shoqëruar herë me lakra të egëra e herë me ca kokrra ulliri. Herën e dytë, do të venim andej, për të këmbyer një palë këpucë ushtarake, nga ato që hidhnin avionet e UNRA-s. si ndihma për ne të mjeruarit e të urriturit e pasluftës. E, nga që ato nuk i duheshin kërkujt, nënës i shkrepi në tru që të hidheshim përsëri Kalasës e Tatzatit e t’i këmbenim, me dy-tre grushte të tjera miell misri. Mirëpo, tek po çlodheshim mbi ca gurë, më përtej malit të “Lavanit”, nga mali i “Konjakut”, unë zbulova që këpucët e lidhura me njera-tjetrën, ishin të së njëjtës këmbë e nëna gati vuri ulërimën… Dhe
bëmë-çbëmë, luajtëm rolin e të paditurit e dikujt “t’ia ngecnim”, prej shkëlqimit që ato kishin… Morëm qeskën me miell e ia mbathëm ferrave, dolëm në breglumi që u mbushëm me frymë e pas nja dy orësh të delnim në majën e Lavanit, nga ku dukej fshati ynë i bukur, po tepër i varfër, kur gjithçka kishte, po jo bukë!… Se kishte plot bomba e fishekë udhëve, gropave e ferrave se sa bukë. Tymnaja e luftrave sa kishte nisur të davaritej dhe bari thahej e ulliri me agrumet veniteshin…
Këto historira kisha ndërmendje, kur miku i zemrës Josif Papagjoni më telefonoi në Athinë e më tha: “Ç’bën akoma aty në Athinë, more, kur dy vaksina ‘Pfajzer’ i bëre, Covidin e munde, kartën lëvizëse e more dhe, kur kendej nga ne, janë hequr për fare nga përdorimi te hunda maskat”! Pa ia bërë fjalën dy mikut tim të këtyre anëve, që më kishte mbetur, pas ikjes së parakohshme të Adriatik Kallullit, brenda gjashtë orëve, nëpër natë, mbërrita nga Athina e, pa fjetur fare, u gjenda në Sarandë, ku edhe më priste Josifi, me katër “eksursionistë” të tjerë: poetin Stafan Martiko e prozatorin Spiro Thomari nga Shën Vasili dhe me gazetarin nga Nivica Sofo Mekshi. Ky do të ishte edhe “ekuipazhi” që do merrnim malet që i bënin hije lumit të Kalasës, që i takonte më së tepërmi Tatzatit nga ku buronte, po edhe Kalasës në fushën midis maleve, që e përcillte dhe që një pjesë të ujërave e nxirrte edhe në Piqeras e Lukovë, nëpërmjet tunelit të Sasajit dhe kanaleve vaditëse…
Ndryshimin do ta ndjenim në një rrugë krejt të re, ku po rrëshqiste tani me shpejtësi makina e të pestëve që i zuri vapa pa e arritur ende lumin. Para nesh hapej autostrada e re e një rruge që do të lidhte shkurtazi Kardhiqin me Sarandën, të filluar para afro dhjetë vitesh, ende e pambaruar, ku përsëri punohej. Tani nuk “grideshim” për ushqimet e pijet që i duheshin një pikniku, po edhe “pse e qysh” nuk po mbaronte kjo rrugë kaq shumë e dobishme e jo pak e anatemuar, po edhe e politizuar… Kërshëria na shtyu që ta harronim piknikun e ta nxisnim Spiron në timon, të venim deri aty ku “ngecte” rruga e mbaronte asfalti, shtrimi, makineria spontane e punëtoria me uniformat rrugore te verdha: tek tuneli i Skërficës… Dhe pastaj të ktheheshim mbrapash e të kërkonim brigjet e lumit të egër që dredhonte e fshihej nëpër fushën midis maleve të Kalasës. Më në fund do të gjenim një vend ku dendësoheshin pemët e “bekuara” që do na mbulonin e të na largonin vapën e do na bënin të harronim përsëri “debatin” se kur do të mbaronte kjo rrugë që meronte mëndjet e udhëtareve për të mbërritur sa me parë ne qytetin tonë, pas atij Bay-Pasi që sapo ishte kryer mrekullisht përqark Vlorës që shkurtonte distancat më shumë se një ore, po kaq sa edhe kjo rrugë malore e mirëpritur… Po tani kishim “zbarkuar” buzëlumit e po freskoheshim. Bile akademikut Papagjoni me dy enciklopedi të shkruara dhe ish-biznesmenit të pafat të pularise, Mekshi, nuk do t’u durohej më, do të zhvisheshin e do të hidheshin në ujët brisk të ftohtë të lumit, ndërkohë që ne, tre të tjerët, bënim sehir e njëherësh shtronim bregun me gjethe pemësh e mbi to batanien që u kujtua ta merrte po Josifi ynë i dashur, teoricieni, po tani njeriu më praktik. I etshëm rrëfehej poeti Martiko, “armiku i facebookut”, ndërkohe që Thomari, kërkonte pa sukes një nënpemë për të parkuar makinën, si edhe unë, pesimisti, që kërkoja me ngulm burimin e lumit, ku Bashkim Ahmetaj më kishte thënë se po aty ndodhej edhe një tavernë e bërë rishtazi, ku gatuhej e piqej mishi e kukureci. Ndërkaq, do të rikthehemi në fëmijërinë tonë të dikurshme, ulur këmbëkryq , në “rrogozin natyror”, me domate të lara në lumë, me djathin e dhive, me ullinjtë e vendit e me pulat e pjekura, qe ish biznesmeni i tyre, qe i “detyrur” tashmë t’i shqyente me të dyja duart që i dridheshin nga e ftohta e ujit të lumit, që tashmë na i kishte përgatitur edhe birrat, edhe rakinë, që do të përzieheshin e bëheshin një në stomakun tonë të urritur e të etur, pa teorira më, pa etiketën e profesorave, të poetëve, të kritikëve e estetëve të letërsisë e të arteve, si edhe të shkrimtarëve e gazetarëve, sikundër ishim e jemi, po si njerëz të “barkut të Shën Marisë e të natyrës”. Gati e kishim harruar shalqinin e madh, zhytur në lum, ftohur ca më tepër nga frigoriferi, duke e çarë e ngrënë, si të lamaksur njerëzish primitivë… Ne ishim tani “bij te natyrës”! Rroftë jeta, -do të thonim nën një zë pa zë,-, rroftë gëzimi e hareja dhe “na i marrtë të keqen pandemia”! Dhe unë e harrova fare pagjumësinë e lodhjen e rrugës së gjatë, tek u thashë miqve te mi se isha gati të nisesha tani nga tuneli e te delja në Sasaj, nëpërmjet tunelit që shponte malin e Levanit e të delja mu në Piqeras!… Po një kafe shqeto e një gotë raki tek rrapi-600 vjeçar, te Klubi i Kalasës, nën fëshfërimën e gjetheve, do të”vuloste” gjithçka tjetër që kishim lënë mangët! Edhe autokritikën time tek lakmoja tavernën e re te Tatzatit, me shpresën se ka edhe ditë të tjera kënaqësish e gëzimesh, kur jeta është kaq e shkurtër dhe e mbrapshtë, me tërmete e pandemira kolere!
Piqeras. 21 korrik 2021.
Please follow and like us: