Auron Tare: Ç’po ndodh me Butrintin?
Sipas gazetës “Guardian”, një nga ikonat e Trashëgimisë Britanike “Stonehenge” mund të humbasë statusin e Pasurisë Botërore të Unescos. Ky lajm vjen menjëherë pasi pjesës historike të Liverpulit ju hoq ky status i rëndësishëm nga Unesco. Këto vendime për një vend si Britania ku ka lindur koncepti i ruajtjes së Trashëgimisë Historike është mjaft i rëndësishëm për të kuptuar rrezikun e madh që i kërcënohet trashëgimisë kulturore kudo në botë. Gjithashtu ky lajm na jep të kuptojmë se zhvillimet e shoqërisë moderne po trondisin rëndë Trashëgiminë Kulturore.
Në këtë kontekst mund të veçojmë lëvizjen shumë të çuditshme për të rrëzuar statujat historike në Amerikë apo në Britani pa asnjë analizë historike të peisazhit të kohës kur këto figura jetuan dhe kontribuan. Megjithatë ti rikthehemi lajmit të mësipërm. Kërcënimi i “Stonhenge” vjen nga zhvillimet urbane që po zhvillohen përqark, zhvillime të cilat me sa duket nuk janë marrë fare parasysh nga Plani i Menaxhimit të kësaj qendre. Në fakt qendra e “Stonehenge” u përmend gjatë në shtypin shqiptar kur Ministrja e Kulturës Margariti dhe Drejtori i Fondit Shqiptaro-Amerikan Granof prezantuan Planin e ri të Menaxhimit të Parkut të Butrintit.
Të dy këto personalitete deklaruan se Plani i Menaxhimit të Butrintit ishte bërë sipas modelit të “Stonehenge” në Britaninë e Madhe. Zonja Margariti me kënaqësi e reklamoi Modelin e “Stonhenge” si modelin e duhur për Butrintin megjithëse jam i sigurt që nuk e ka parë ndonjëherë këtë qendër dhe nuk ka patur mundësi ta studiojë problematikën e kësaj qendre që i është shitur nga hartuesit e Planit si një histori suksesi.
Duhet thënë se Modeli i Propozuar nga Fondi Shqiptaro – Amerikan ka pasur shumë mangësi që në konceptim dhe përfshirje të ekspertëve shqiptar por ky plan i prezantuar si inovator nuk sjell asgjë të re që nga Plani i Menaxhimit 2000-2005. Përveç faktit që propozon që Butrinti duhet të menaxhohet nga një Fondacion i cili me sa duket do të jetë Fondi Shqiptaro-Amerikan i cili ka paguar edhe bërjen e këtij Plani.
Po kështu siç e kam shprehur në media, është një model i gabuar Menaxhimi i Butrintit nga një Fond i huaj kushdo qoftë ai. Butrinti duhet të jetë modeli ku Shqipëria të tregojë me krenari suksesin e saj ne Ruajtjen, Menaxhimin dhe shpëtimin e kësaj qendre unikale të Historisë së Mesdheut. Me kënaqësi do të shtoja se ky mendim imi publik u mbështet nga vizita private e disa personaliteteve të larta amerikane dhe britanike javën e shkuar në Butrint, ku ideja se Butrinti duhet të ishte patjetër “Modeli Shqiptar” në hapësirën europiane të Trashëgimisë Kulturore dhe Historike ishte modeli i duhur.