Odise Kote: MEMORIALI
Tregim
Ambasadori u ndje i dërmuar jo prej lodhjes, por prej kotësisë. Nuk priste asgjë tjetër nga ajo qytezë e përgjumur provinciale që gjithnjë e gjente të mbytur në trishtim, me sy të palëvizur, në hutinë e ndonjë mrekullie që pritej të binte prej qiellit. Ishte udhëtimi i tretë në barkun e dy muajve, udhëtim bezdisës, kalime nëpër dyer të ngushta, zhgënjim e theqafje, vetëpërulje, moskuptime banale, llogari bankare e pa sens llogjik e mbi të gjitha gjurmë të lëna nëpër mekanizma me domethenie. Dy misionet e para kishte dështuar, ndërsa për të tretin mbante shpresën se shumë shtrenjtë do t’iu kushtonte vërtet mësimi, atyre njerëzve që nuk mësonin nga gabimet. Kishte luajtur duke shfaqur kurajën që s’e kishte, ndonëse e ruante të fshehur në zgavrën e pasigurisë. Kishte premtuar e më pas kërcënuar të gjithë ata që bëheshin pengesë në realizimin e misionit: Ngritjen e varrezave publike për ushtarët e rënë në Luftën e Parë Botërore.
Herën e parë u përball me teatër absurd, kur në “pritje spontane” përpara i nxorrën nxënës shkolle vendosur tek memoriali, që recituan vargje lufte, me heronj e agresorë dhe më pas e ftuan të fliste për festën kombëtare të shtetit që përfaqësonte. Refuzoi. Mendja është gjithçka. Ti bëhesh ashtu siç mendon. Mendja është si uji. Kur është i vrullshëm, është vështirë të shohësh përtej tij. Kur është i qetë, gjithçka të duket më e qartë. E kuptoi se duhej ekuilibër, fshirje e gjuhës së urrejtjes dhe raport respekti me njerëzit, ligjet e rregullat e shtetit ku ushtronte aktvitet diplomatik. E kujtonte shpesh atë mustaqeli barkfryrë që bërtiste fort e hidhte parrulla, më shumë se gjithë të tjerët. Që herën e parë i ngjau si një vitrinë e vjetër dyqani pa kurrëfarë interesi. Barkfryri mustaqeli që udhëhiqte turmën i ishte afruar pranë dhe i kishte thirrur gjithë krenari a thua se nuk e merrte dot me mend: Ky memorial është lavdia jonë! Tek ky memorial ne bëjmë takimet, përvjetorët, aktivitetet e shkollës dhe festat tona.
Ambasadori ishte rrëqethur.
O zot! Pse fati i këtyre njerëzve është kaq i verbër? I vetmi gabim i vërtetë që po bëjnë tani është ai prej të cilit nuk po mësojmë asgjë. Duhet patjetër të ndërhyj, mendoi. Në udhë e sipër veshi i kapi ca pëshpërima: “Sa gjynah! Ky s’bën për ambassador”!
Herën e dytë kur erdhi në katund mblodhi gjithë drejtuesit lokalë dhe qëndrimi i tij ishte i ashpër, i prerë. Iu foli për marëveshjen dypalëshe, detyrimet e ndërsjellta, projektin e ngritjes të varrezave publike dhe detyrimin për të mbështetur punën e komisionit të përbashkët të të dy vendeve. Ai e dinte mirë se asgjë nuk është aq e çoroditur, sa gjykimi i burrave të katundit për njëri-tjetrin kur bëhej fjalë për mbështetjen që duhej t’i jepnin shtetit amë në zgjidhjen me hapy end të telenovelës së rivarimit të eshtrave. Në zbatim të saj duhej të dorëzoheshin tek ky komision eshtrat e tre ushtarëve që gjendeshin tek memoriali. Memoriali simbol. Ato eshtra do t’i bashkoheshin të tjerave në varrezën e përcaktuar publike për ushtarët e rënë në Luftën e Parë Botërore. Dyshoi dhe për herën e tretë nëse kishte mundur t’i bindte. Dyshimi është një armë sekreti, është një siguri dhe ai kishte parandjenjën që midis problemit gjendej gjithnjë një vilar i hollë që rrëshqiste e që doemos duhej ta shpinte tek e vërteta. I druhej së keqes. Ngjarja ishte mahisur, kishte tendosur marrëdhëniet ndërshtetërore andej nga fundi i dhjetorit kur i pari i atij katundi minoritar, ai barkfryri mustaqeli me kombësi të njëjtë me ambasadorin por me shtetësi tjetër, u përplas forcërisht dhe refuzoi t’i jepte komisionit dypalësh eshtrat e tre ushtarëve të vrarë në fundin e Luftës së Parë Botërore. Eshtrat e ushtarëve sipas informacioneve ndodheshin pikërisht tek ai memorial privat, ngritur në brinjë të katundit, nga grupi i fshatarëve të cilëve u printe si kokoroç. Dy herë, kokoroçi e kishte gënjyer ambasadorin, me qëndrimin dhe heshtjen e tij dhe dukej sikur i thoshte: S’ka vend per ty! Unë po e lë një shenjë hyjnore për ushtarët e kombit tim që luftuan për lirinë. Ti çdo? Pse përzihesh! Ti i shërben shtetit tënd si nëpunës a si diplomat, ndërsa unë si patriot. Mirënjohja kolektive është më e fuqishme se bomba berthamore!
Kokoroçi i katundit as që e imagjinonte se sa e ndërlikonte marrëdhënien dypalëshe me sjelljen e tij budallaqe. Fliste e kapardisej në katund’th si nacionalist e çlirimtar i madh, ekspert i të drejtave ndërkombëtare. Lëshonte intervista poshtë e lart, me përbetime butaforike, pa e kuptuar thelbin humanist të respektimit korrekt të të rënëve për liri, të rënë në tokën e një shteti tjetër.
Historia zinte fill rreth njëzet vjet më parë, kohë kur kokoroçi, siç përflitej në katund, kishte hyrë në marrëdhënie biznesi e përshpirtjeje me të afërmit e tre ushtarëve të vrarë në Luftën e Parë Botërore. Ndonjëherë koha e vendos vetë se kush i duhet dhe kë takon në udhën e saj. Pastaj më tej në tërësi, jeta e njerëzve të tillë të shënjuar, nuk është asgjë tjetër veçse një lojë; lojë e marrëzisë! E tillë ishte dhe ajo e kokoroçit të katundit. Por kësaj here durimi ishte mbaruar dhe ambasadori u kishte kërkuar autoriteteve lokale të zbatonin ligjin duke lejuar komisionin e përbashkët të merrte në dorëzim eshtrat e tre ushtarëve të memorialit. Operacioni do të kryhej të nesermen paradite dhe ambasadori e shfrytëzoi kohën e mbasdites për të vizituar qëndrën historike të qytetit jugor. Nuk kishte dhimbje koke duke u çapitur rrugëve të shkreta të gurit, por duke ëndërritur e godiste si çekan në tëmtha pyetja: Çfarë mund të kishte bërë këtë ditë në kryeqytet? Grija ulëritëse e atij pragmuzgu i dha përgjigjen që dëshironte: Sigurisht do të kishe pirë çajin e mbasdites me miken disamujore, bashkëshorten e ambasadorit austriak, zonjën Schuster.
Bisedat me zonjën Schuster bëheshin të gjata dhe impresionuese pasi ai sapo ishte kthyer nga shërbimi si sekretar i ambasadës në Vjenë, për t’u emëruar para pesë muajsh, ambasador në Shqipëri. Të ulur secili në kolltukët e vet, ata flisnin për Ballkanin, historinë, mitet, legjendat, luftërat dhe nevojën e pakuptimtë që kishin popujt e tij për të konsumuar çdo ditë konflikte e mërira. Flisnin edhe për artet, muzikën, letërsinë e popujve, dallimet dhe motërzimet e epeve, baladave e këngëve të moçme. Pastaj sytë e tij rrëshqisnin tek një pikturë e vendosur në cepin e hollit të pritjes. Piktura e Adele Bosch Bauer që për zonjën Schuster kishte fuqinë magjike të muzës. “Goldene Adele” ose Adela e artë, ishte një nga versionet e pikturave që qarkullonin në sallonet mondane. Gjerbnin më nge çajin aromatik dhe ai e pyeste për Alma Mahler, ose siç e quanin nën zë, Femne fatale – femra fatale, për dashuritë bredharake të saj, fillimisht me shkrimtarin Franc Werfel pastaj me kompozitorin Gustav Mahler, për të kaluar tek piktori Oscar Kokoschka e më tej tek industrialisti Walter Crupius, për të nisur pas tij me siguri një tjetër aventurë të re. Sytë jeshilë të zonjës Schuster ato çaste përshkëndijonin për t’u qetësuar atëherë kur biseda rridhte hijshëm rreth shijeve të rafinuara të dirigjentit Von Karajan, variantit të ri të polkave të përzgjedhura prej tij dhe koncertit të Vjenës. Eh… E pickoi djega e nostalgjisë por e largoi menjëherë ndjellën me vetëpërmbajtjen e diplomatit që e thërret detyra. Në hotel u kthye shpejt dhe deri sa e zuri gjumi lexoi rreth pesëdhjetë faqe nga The World as Will and Representation (bota si vullnet dhe përfaqësim) të Arthur Schopenhauer.
Fjeti mirë. Mëngjesi e gjeti të freskët, plot energji, të gatshëm për të përmbyllur misionin për të cilin kishte harxhuar dyzet e tetë orë nga koha e një diplomati karriere. U nis menjëherë në katund, atje ku e priste këputja e nyjes dhe zgjidhja e një problemit tragji-komik. Sapo mbërriti në vendngjarje, u befasua prej një turme të vogël që mbanin në duar disa parulla qesharake të shkruara në gjuhën e vendit të tij: Jetën e japim, memorialin s’e japim!
Nënqeshi hidhur me këtë absurd. Sytë nuk ia zunë barkfryrin mustaqeli, kokoroçin organizator të këtyre shfaqjeve pakuptim. Ishte i vendosur të përmbyllte problemin e hapur në marrëdhëniet mes dy vendeve, ndaj bëri shenjë me kokë nga autoritetet lokale për zbatimin e procedurave ligjore. Disa punonjës policie larguan protestuesit dhe puntorët komunalë nisën punën me hapjen e varreve. Fare pak kohë pas gërmimit, u gjendën kapakët dhe pasi u hapën, brenda tyre u dalluan tri kutitë e eshtrave. Komisioni dypalësh me antropologët, biologët, laborantët dhe specialistët e zhvarrimit, veshur me uniformat përkatëse, dorezat e bardha dhe maskat e detyrueshme u afruan tek kutitë. Kutitë u hapën dhe për çudinë e të gjithë ato ishin bosh! Bosh. Pa asnjë eshtër ushtari brenda. Kokat kurioze u afruan njëra pas tjetrës dhe më pas një uaaaaa mëkatare e zgjatur u përzie me erën e ftohtë të janarit që u nder trishtueshëm në luginë, si të ishte psherëtima e lodhur e një iluzioni lirie. Ambasadori ndezi cigare dhe pa thënë asnjë fjalë u largua menjëherë drejt kryeqytetit.