Avdulla Kënaçi: U SHUA YLLI I POEZISË, AGIM SHEHU
Agim Shehu i përket asaj plejade letrarësh që spikatën dhe bënë emër pas vitit 1960. Ish liceu francez i Gjirokastrës, i quajtur gjimnazi “Asim Zeneli”, nxori njërin pas tjetrit pena të shquara si Ismail Kadare, Dritëro Agolli dhe Agim Shehu. Ata do t’i jepnin tonin gjithë letërsisë shqiptare që u kultivua larg ndikimit rus. Lirikat e Agim Shehut duke pasur në themel poezinë popullore të Labërisë u bënë frymëzim dhe udhërrëfim për letrarët e rinj. Ai e nisi me vëllimin “Horizont i kaltër”, 1959, duke vazhduar me “Vite pa thinja”, 1970, “Fjalë nga zemra” dhe “Vallja e kalldrëmeve” 1977.
Pas botimit të poezisë “Baladë për Selam Musain”, e cila u pëlqye nga udhëheqja, Agim Shehu u mor si model i poetit kombëtar, si shembull që duhej ndjekur nga të rinjtë. Poezia e tij ishte e mbështetur në tabanin kombëtar dhe qëndronte larg të ashtuquajturave rryma borgjezo-revizioniste. Vlerësimi që iu bë i dha zemër e kurajo për të botuar vëllime të tjera si “Gurra e fjalës”, “Zëri i gjakut”, “Ujëvarat e diellit”, “Çeliku dhe liria”, etj.
Pas mbarimit të Universitetit të Tiranës, ai u caktua mësues letërsie në gjimnazin nga i cili doli, “Asim Zeneli”. Aktivitet jashtëshkollore ranë në sy të qytetarëve të cilët e duartrokitën dhe e përkrahën për grupin letrar dhe estradën amatore të shkollës, skenarët e së cilës i krijonte vetë mësuesi i letërsisë. Transferohet në Tiranë si redaktor i rubrikës kulturore në gazetën “Zëri i Popullit”. Këtu nis edhe kalvari i vuajtjeve të tij ku ai akuzohet për zbutje të luftës së klasave dhe ‘lakra në kokë’. Ndëshkohet duke e caktuar punëtor të thjeshtë në Kombinatin Metalurgjik në Elbasan. Pjesa më e madhe e intelektualëve që i zbrisnin në bazë për ‘riedukim’, përfundonin në burg. Sipas kujtimeve të tij në romanin autobiografik “Udha për te vdekja”, disa herë u rrezikua të përfundonte aty, pas hekurave.
Me ardhjen e demokracisë Agim Shehu mbështeti fuqimisht erën e lirisë, krijoi shoqatën “Labëria” ku njëzëri u zgjodh kryetar i saj. Shkroi poezi të frymëzuara si vëllimet “Akitektura e zemrës” 1994, “E zgjedhura ime, poezi në vite”, 2008, “Fjalurtat e mia ngarkuar në shpinë” 2010, “Ylberi i fëmijërisë”, kujtime, 2009, “Argjendi i gurit”, 2012, kujtime nga Gjirokastra dhe “Simfonia e nxënësve”, 2014, letërkëmbime me ish nxënësit e tij të gjimnazit “Asim Zeneli”.
Mërgimi në Gjenevë të Zvicrës pas vitit 2000 për arsye politike e rrëzoi shpirtërisht duke e mbajtur zemrën dhe kryet për nga Atdheu ku nuk mund të vinte. Kjo shprehet qartë edhe në vëllimin poetik “Loti alpin”, 2002. Ai kishte për bashkëshorte mësuesen Zana Kokoshi nga familje bejlerësh, ose sic quhej për kohën “të deklasuar”, kjo lidhje, kjo martesë nuk shihej me sy të mirë nga nomeklatura e lartë komuniste. Disa herë iu bë presion për t’u shkëputur, por ai i qëndroi besnik dashurisë duke ikur nga kjo botë njeri pas tjetrit. Agim Shehu do të kujtohet në breza për poezinë elegante, vargun e ëmbël e ritmik, qëndrimin e palëkundur patriotik duke mbrojtur interesat kombëtare nga shovinistët fqinj dhe dashurinë për Kosovën. Duke e njohur herët, jemi me origjinë nga i njëjti vend, duke punuar në të njëjtën punë dhe duke pasur letërkëmbim të vazhdueshëm, u pikëllova pa fund për vdekjen e tij, larg Shqipërisë për të cilën gjatë gjithë jetës dha çfarë kishte më të mirë në subkoshiencën e tij.
I paharruar!
Sot në ditën kur poeti ynë i madh Agimi Shehu, mbylli sytë.
27 korrik 2021, Durrës.
Ibrahim Emiri: HOMAZH PËR AGIM SHEHUN, MËSUESIN E PAHARRUAR TË LETËRSISË!