Albspirit

Media/News/Publishing

Kaltrina Krasniqi: “Vera Andrron Detin” në Venecie – mundësi e mirë për ta promovuar Kosovën

Stacioni i parë i filmit “Vera Andrron Detin”, nën regji të Kaltrina Krasniqit e me skenar të Doruntina Bashës, është hiç më pak se Festivali i Filmit në Venecie. Do ta ketë premierën botërore në edicionin e 78-të të festivalit të filmit, që ka nam të madh dhe që cilësohet si më i vjetri në botë.

Regjisorja e filmit, Kaltrina Krasniqi, në emisionin “Express Summer”, ka shpalosur më shumë detaje për filmin dhe ka thënë se lajmi për premierën i ka gëzuar, sepse është një mundësi ideale për ta promovuar Kosovën dhe u hap shume rrugë drejt projekteve të reja.

“Unë kam qenë duke punuar bashkë Doruntinën në filmin “Vera Andërron Detin” shtatë vjetëve të fundit. Ideja primare nuk ka qenë për të shkuar në Venedik, edhe pse kjo është ëndrra e të gjithë njerëzve që merren me film, por tash që ka ndodhur jemi shumë të lumtur dhe e shohim si mundësi të mirë pikësëpari për promovimin e vendit dhe mandej një rrëfim që vjen prej Kosovës, por edhe si shtytje për projektet e tjera”, ka thënë Krasniqi gjatë intervistës.

“Kur shkojmë në festivale e kemi atë shpirtin garues, por për mua tani vetë fakti që filmi është pjesë e festivalit më jep shumë nder”, ka thënë ajo.

Filmi trajton fatin e Verës (64-vjeçare) e cila interpreton gjuhën e shenjave. Regjisores Krasniqi i është dashur rreth një vit për ta gjetur aktoren nga Shkupi, Teuta Ajdini-Jegeni, për ta mësuar gjuhën e shenjave dhe për ta ndërtuar karakterin.

“Aktorja është dashur ta mësojë gjuhën e shenjave”

“Aktorja është dashur ta mësojë gjuhën e shenjave. Ai brez i aktoreve është në numër shumë të vogël momentalisht, jo vetëm në Kosovë por kudo ku flitet shqip. Aktorja është dashur të mësojë një gjuhë të re, që është gjuha e shenjave, që nuk është një gjuhë shumë e lehtë”, ka treguar Krasniqi.

E zhytur në një atmosferë të tensionuar, “Vera Andrron Detin”, siç përshkruhet, është një portret intim, por edhe universal i një gruaje e cila lufton një realitet të vrazhdë të pabarazisë gjinore thellë të rrënjosur në shoqëri edhe në ditët e sotme. Sipas regjisores Krasniqi, temat politike dhe sociale të cilat i trajton filmi rezonojnë globalisht, pasi gratë globalisht ballafaqohen me problematika të ngjashme.

Premiera në këtë alamet festivali vjen pak kohë pas filmit “Pa Vend” të Samir Karahodës, që garoi për “Plamën e Artë”, si dhe filmit “Luaneshat e kodrës” i Luana Bajramit, që po ashtu në edicionin e 64-t të Festivalit të Filmit në Cannes u dha premierë botërore në kuadër të programit paralel “Director’s Fortnight”.

Në fund të javës së kaluar, u bë e ditur treshja e filmave të përfshirë në konkurrencën zyrtare të edicionit të 27-të të Festivalit të Filmit në Sarajevë – “Luaneshat e kodrës”, “Pa Vend” dhe “Në kërkim të Venerës” i Norika Sefës – që cilësohet si eventi më i madh i filmit në Evropën Juglindore dhe një prej më të mëdhenjve në Evropë.

Suksese të tilla, sipas Krasniqit, ia hapin dyert gjeneratës së re të regjisorëve që ta eksplorojnë kinematografinë në një mënyrë tjetër.

Regjisoret e dëshmuan veten, tash radha e shtetit

“Brezi i ri, kur udhëton jashtë Kosovës, më nuk ka nevojë të prezantohet nga e para. Për neve si gjeneratë është shumë me rëndësi. Ata më nuk kanë nevojë të japin shpjegime kulturore, sepse ato i kemi dhënë ne përmes filmave tanë, sukses i dëshmuar në dekadën e fundit”, ka thënë Krasniqi.

Sipas Krasniqit, regjisorët kosovarë e kanë dëshmuar veten me projektet filmike dhe tani janë institucionet ato që duhet ta dëshmojnë veten me përkrahjen financiare. Sipas saj, suksesi është i përmasave joreale dhe bazohet me shumë te pasioni sesa te mbështetja financiare.

“Me buxhetin e Qendrës Kinematografike të Kosovës, që është rreth gjysmë milioni në vit, suksesin që e kemi arritur është i paparamendueshëm. I bie që në dekadën e fundit njerëzit e industrisë së filmit në princip kanë punuar pa pagesë, kanë punuar me pasion. Është momenti kur pas dëshmive të bëra me punën e suksesin e treguar, është rendi i institucioneve që ata të dëshmohen me mbështetjen. Nuk është vetëm ky brez që ka treguar sukses, te ne po rritet një gjeneratë tjetër pas nesh, që është jashtëzakonisht interesante, po tregon sukseset e veta, e duhet ta mbështesim”, ka shtuar tutje ajo.

Për këtë projekt, me producent Shkumbin Istrefin, Qendra Kinematografike e Kosovës i ka ndarë 130 mijë euro me konkursin e vitit 2015. Mungesa financiare, sipas saj, ka bërë që filmi i metrazhit të gjatë “Vera Andrron Detin” t’i marrë regjisores shtatë vjet kohë, e që në rrethana ideale do të duhej përmbyllur për tre vjet.

“Rrethanat e zgjatjes së procesit të punës ishin vetëm financiare, pasi ishim shumë të përgatitur dhe kemi qenë duke punuar në vazhdimësi. Një pjesë e madhe e kohës pas zhvillimit e përfundimit të skenarit është kaluar në gjetjen fondeve”, është shprehur ajo.

Sipas Krasniqit, përzgjedhja për të qenë pjesë e festivalit “Venecie Film Festival” u ka hapur akoma më shumë rrugë drejt festivaleve të njohura.

“Natyrisht se Venediku është stacion shumë i rëndësishëm. Prej momentit që kemi qenë të përzgjedhur në kuadër të ‘Orizzontit’ kemi filluar me marrë shumë ftesa, po duam të jemi strategjikë se si do të bëjmë rrugëtimin më tutje” , ka thënë Krasniqi.

Sipas regjisores Krasniqi, viti 2020, i cili pezulloi të gjitha aktivitetet, i gjeti me draftin final, por nuk donin që filmi të publikohej përgjatë vitit që konsiderohej si i vdekur për kinematografinë e festivaleve, por regjisores së filmit “Vera Andrron Detin” i ka dhënë mundësinë të kthehet edhe një herë në dhomën e montazhi të filmit.

“Më pëlqen t’i shëtis krejt detyrat artistike të filmbërjes”

“Për mua pandemia ka qenë fantastike”, ka qeshur ajo. “Për shkak të faktit që në një mënyrë është ndalur bota. Për herë të parë më ka lejuar të jem në shtëpi. Pastaj më ka dhënë mundësinë të kthehem edhe një herë në montazh të filmit, që normalisht nuk do ta kisha bërë. Në fillim të vitit 2020 e kisha draftin final të filmit gati, por pastaj meqë filloi pandemia, intenca jonë, as e producentit e as imja, nuk ishte me e plasu filmin atë vit, pasi konsiderohej pak a shumë vit i vdekur për kinematografinë e festivalet, kështu që ka qenë mundësi e mirë për mua të kthehem edhe një herë në montazh. Meqë bëj filma prej 18 vjet, më pëlqen t’i shëtis krejt detyrat artistike të filmbërjes. Në montazh kam punuar me një montazher prej Maqedonisë në draftin final, pjesën tjetër të vitit e kam pasur kohën me punu montazh vetë. Ka qenë fantastike. M’u dha mundësia të eksploroja edhe disa ide të rëndësishme që kisha, që kanë qenë për filmin. Ka qenë vit katastrofal për planetin, për mua emocionalisht ka qenë shumë përmbushës”, ka thënë ajo.

Filmi është bashkëprodhim në mes të Kosovës (Puntoria Kreative Isstra, Vera Films), Maqedonisë së Veriut (Dream Factory) dhe Shqipërisë (Papadhimitri Productions), i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Festivali i Filmit në Venecie është pjesë e “Treshes së Madhe”, tok me Cannes dhe Berlinin. Me çmimin kryesor “Luani i Artë” (Leone d’Oro), filmat garojnë në kategoritë “In Competition”, “Out of Competition”, “Orizzonti”, “Venice Classics”, “Sconfini” dhe “Venice Virtual Reality”. Edicioni i sivjetmë do të mbahet prej 1 deri më 11 shtator./koha

Please follow and like us: