Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Dr. Agron Fico: Nata e fundit me Drago Siliqin!

Drago Siliqi

 

Marrëdhëniet politike, ekonomike, kulturore, madje dhe sportive, midis Shqipërisë dhe Kinës ishin në rritje. Kina ndihmonte Shqipërinë në realizimin e planeve ekonomike, e furnizonte me mallra të konsumit, që shquheshin për cilësinë e lartë dhe pëlqeheshin nga shqiptarët. Në vitet 1962-1978 Kina i ka dhënë Shqipërisë disa miliarda dollarë në formën e ndihmës ekonomike dhe ushtarake. Shqipëria vazhdonte ta përkrahte Kinën në marrëdhëniet me shtetet e Evropës dhe me organizatat ndërkombëtare, veçanërisht në përpjekjet e Kinës që të pranohej në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Këtij afrimi i shërbenin edhe vizitat reciproke të delegacioneve shkencore, kulturore dhe të skuadrave sportive.

Në Pekin me Drago Siliqin e Razi Brahimin

Në muajin qershor 1963 erdhi në Kinë për një vizitë shkrimtari Razi Brahimi, i cili do të shkonte në Vietnam. Ishte kritik i guximshëm, me karakter të fortë dhe zemër të bardhë. Atë vit vera në Pekin ishte e nxehtë dhe Raziu, i cili vuante nga tensioni i ulët i gjakut, kishte kërkuar nga ambasadori Reiz Malile që të mos shkonte edhe në Vietnam. Pikërisht në ato ditë erdhi në Pekin edhe Drago Siliqi, poet i njohur dhe drejtor i Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”, e vetmja shtëpi botuese në Shqipëri në ato vite. Dragon e takova në hotelin “Sianço”, që gjendej në qendër të Pekinit. Pasi u çmallëm me biseda politike por edhe letrare, e lamë të tre: Dragua, Raziu dhe unë, që të pinim sipas zakonit shqiptar, edhe “ndonjë gotë raki”. Dragon në Tiranë e njihja nga larg. Ishte simpatik dhe gëzonte nderim në rrethet letrare për guximin krijues dhe humorin e tij të këndshëm. Dragua kishte ardhur me cilësinë e drejtorit të Shtëpisë Botuese që të shihte mundësitë e bashkëpunimit me shtëpitë botuese për botimin e veprave shqipe në gjuhën kineze dhe të veprave të zgjedhura kineze në gjuhën shqipe. Dragua ndiqte takimet dhe vizitat në qendrat e ndryshme kulturore e artistike, Raziu kishte kërkuar që të intervistonte robërit indianë që ishin zënë nga kinezët në luftën indiano-kineze për ca rajone të Tibetit. Kërkesa e Raziut ishte e papranueshme për kinezët, por me që Raziu, siç e kishte zakon, nguli këmbë deri në Ministrinë e Jashtme të Kinës, për rrethanat e atëhershme politike u ra dakord që Raziu të shkonte në një spital, ku ishin disa indianë të plagosur lehtë, ku do të kishte mundësi edhe t’i intervistonte. Unë që jetoja atje dhe që i dija huqet e kinezëve, e paralajmërova Raziun për ndonjë të papritur. Dhe me të vërtetë ashtu doli. Raziu takoi në spital edhe njerëz të fashuar që nëpërmjet përkthyesit, i përgjigjën edhe pyetjeve të tij. Më vonë u mor vesh se ata kishin qenë kinezë të Tibetit, që flisnin edhe indishte, ndaj intervista e Raziut nuk u botua ndonjëherë.

Një vizitë te gazetarja amerikane, mikeshë e Mao Ce Dunit!

Viti akademik kishte mbaruar, dhe sipas marrëveshjes me fakultetin, duhej të dorëzoja gjashtë mësime të gatshme për semestrin e ardhshëm, prandaj unë qëndrova në Pekin, ndërsa Liria me Albanën, dhe ajanë (dadon e Albanës), që quhej Li Y Xhën, shkuan në Behide për pushime. Punoja gjatë ditës dhe në mbrëmje takohesha me shokët e ardhur nga Shqipëria, Raziun dhe Dragon. Ambasada shqiptare vazhdonte të bënte presion tek Raziu që të shkonte edhe ai në Vietnam, sipas planit të aprovuar në Tiranë, por ai ngulte këmbë se temperaturat e larta të motit dhe tensioni i gjakut e kishin dobësuar. Në një nga këto ditë i propozova Raziut që të takonim gazetaren Ana Luiza Strong, që banonte në një vilë luksoze përball hotel “Pekini”-t, ku banonte dhe Raziu. Ana Luzia Strong ishte amerikane, një figurë e njohur e gazetarisë, që kishte punuar 30 vjet në “ROSTA” (Agjensi Telegrafike e Rusisë), qysh prej vitit 1921. Më 1958-ën, në moshën 72 vjeç, kishte lënë Los-Anxhelos-in dhe kishte ardhur në Kinë e vetme, se burri i kishte vdekur në luftë. Gjatë luftës Nacionalçlirimtare të Kinës kundër Japonisë ajo kishte shkuar pranë shtabit të lartë të ushtrisë kineze dhe kishte intervistuar Mao Ce Dunin, i cili kishte deklaruar se: “Imperializmi dhe reaksionarët janë tigra prej letre”. Kur e takuam unë dhe Raziu, Ana Luzia Strong ishte 78 vjeçe dhe botonte një gazetë në anglisht, me titull “Letra nga Kina”. Shkuam në vilën e saj me 5 korrik, aty nga ora 10 e mëngjesit. Na priti buzagaz dhe na ftoi pranë kolltukut të saj. Pasi pimë çajin tradicional kinez, na foli për punën që bënte, për miqësinë me udhëheqjen kineze, veçanërisht me kryetarin Mao, me të cilin takohej shpesh, madje edhe hanin ndonjë darkë apo drekë. Ishte ndër të paktat të huaja që kishte fituar miqësinë e Maos dhe, dy vjet më pas, në 80 vjetorin e lindjes, e kishte festuar në shtëpinë e tij. Na shpjegoj se: Gazeta që nxjerr unë “Letters from China”, në anglisht, synon që të përhap Kinën në Evropë dhe Amerikë, ashtu siç e kërkon lexuesi perëndimor. P.sh., një herë trajtova të ardhurat e udhëheqjes së lartë kineze, një herë tjetër jetën e tyre personale, etj. Kina-vazhdoi ajo – ka një të ardhme të madhe, se vetë kinezët e pranojnë se: Ajo që kemi realizuar deri tani, nuk është gjë tjetër veçse një hap në marshimin tonë të madh’. Ana Luzia Strong edhe pse në atë moshë, ishte në qendër të medias kineze për shkrimet dhe opinionet e guximshme. Na bëri përshtypje se punonte vetë në makinën e shkrimit, madje po vetë i redaktonte artikujt e përgatitur. U interesua për Shqipërinë, historinë dhe kulturën e saj dhe shprehu keqardhje se dinte fare pak gjëra. Kur po ndaheshim, i thashë se punoja në Pekin dhe se do të doja që ta vizitoja edhe në ndonjë rast tjetër.

Natën e fundit me Drago Siliqin

 Kishin kaluar dy javë dhe Dragua do të kthehej në Shqipëri. Sipas bisedës ditën e parë e pamë të udhës të mblidheshim tek unë, d.m.th. Raziu dhe Dragua të vinin te kompleksi “Miqësia”. Ata erdhën aty nga ora tetë dhe meqenëse aty bëhej një mbrëmje vallëzimi, shkuam edhe ne. Mbrëmja bëhej në taracën e godinës kryesore, sepse vapa e korrikut ishte përvëluese. Zumë një vend pak si anash dhe, me rakinë që solla unë, të cilën e pinim në gota ku kishim hedhur copa akulli, filluam një debat të gjallë për artin dhe letërsinë kineze. Në këtë mbrëmje drejtoria për të huajt, shpesh ftonte edhe trupa artistike për ndonjë koncert ose për shtimin e numrit të çifteve që vallzonin. Edhe pse përkohësisht të tre ishim me statusin e beqarit, pothuaj nuk kërcyem fare, se na pëlqente shumë muhabeti. Aty nga ora tre e natës, Dragua kërkoi që të largohej, se të nesërmen do të udhëtonte për në atdhe. I përcolla deri tek makina, por aty për aty, Dragua më tha: “Hajde dhe ti Agron me ne, të flemë bashkë, se kam një apartament të tërë, me dy dhoma gjumi”. Shkova me ta në hotel dhe isha shumë i gëzuar që pas disa viteve pata mundësinë të takoja shqiptarë të ardhur nga Shqipëria. Në mëngjes pasi u përqafova dhe i urova udhë të mbarë Dragos, bashkë me Raziun zbritëm në katin e parë. Aty bëra edhe një shaka të kripur me rojet kineze. I’u drejtova rojes kryesore dhe u thashë se atyre iu mungonte vigjilenca, se unë kisha fjetur aty dhe askush nuk më kishte penguar. Ata e morën seriozisht dhe u angazhuan se do t’i rilexonin citatet e kryetarit Mao për vigjëlencën. Pas këtij momenti humoristik, u ndava edhe me Raziun dhe u ktheva në apartamentin tim, që të vazhdoja përgatitjet e mësimeve për semestrin e ardhshëm.

Aksidenti ajror që i mori jetën Drago Siliqit

Aty nga ora 1 e 30 ra telefoni dhe një nga studentet e mia më të mira, Hou Yu Pin, me një zë të dredhur, më tha në shqip: “Shoku specialist, çfarë ka ndodhur që vajzat shqiptare janë mbledhur rreth liqenit të fakultetit dhe po qajnë?” I thashë të mbyllte telefonin se do të flisja menjëherë me ambasadën. Sotiri, përkthyesi i ambasadës, më lajmëroi për fatkeqësinë. Aeroplani që ishte nisur në orën 8 e 30, ishte rrëzuar në Irkutsk. Irkutsk ndodhet në Siberinë ruse, në malet në veri të Mongolisë, në brigjet e liqenit Bajkal. Kishin gjetur vdekjen 50 pasagjerë bashkë me pilotin, midis tyre dhe i paharruari Drago Siliqi, gruaja e Reiz Maliles, Feleku me dy fëmijët, Mirandën dhe Besnikun, gazetari Xhaferr Bakllamaja me të shoqen dhe djalin. U shokova dhe më dukej se ishte e pabesueshme, se sapo isha ndarë me Dragon. Shkova në ambasadë për ngushëllim, dhe meqë personeli ishte shumë i zënë, më ftuan të rrija disa ditë që t’i ndihmoja. Ditën e dytë të këtij aksidenti erdhi për ngushëllim Ministri i Jashtëm i Kinës, Marshalli Çen Ji, që i tha Reiz Maliles se: “Dy orë pas rrëzimit të aeroplanit, sovjetikët na dorëzuan një thes që kishte materiale sekrete kineze për delegacionin e Partisë Komuniste të Kinës në bisedimet e Moskës, Ne nuk u’a pranuam, se morëm vesh qëllimet e këtij atentati politik”. Ishin ditë plot tension, sepse përveç humbjes së këtyre njerëzve të pafajshëm, nuk ishim mësuar me këso lloj tragjedish. Pas një muaji u ula dhe shkrova artikullin “Nata e fundit me Drago Siliqin”, që u botua në “Drita”.

Largimi nga Kina, ikje por jo ndarje!

Kontratës sime katërvjeçare të punës jashtë shtetit po i vinte fundi. Universiteti, por edhe ambasadori Nesti Nase, më kishte thënë disa herë që ta zgjasja këtë kontratë edhe për një periudhë tjetër katërvjeçare. Përgjigja ime tek ambasadori ishte: “Në qoftë se shtrohet si detyrë ose urdhër, është tjetër punë, por nuk do të kisha dëshirë të rrija më shumë”. Secili ka gjykimin e vet por, edhe pse puna ishte vlerësuar mirë dhe ndihesha i kënaqur me studentët kinezë, ideali im, ishte të vazhdoja, tani që isha akoma i ri, në fushën e folklorit, me të cilën isha lidhur me një pasion të veçantë. Kisha shumë ëndrra dhe dëshirë krijuese, prandaj nuk dëshiroja të shtyja më tej realizmin e tyre. Ndarjet kanë emocione të veçanta, sidomos kur ato janë shpirtërore. Me ta isha i lidhur ngushtë, u kisha mësuar gjuhën shqipe, por edhe kisha mësuar shumë gjëra me vlerë nga ata, nga vendi dhe kultura e lashtë dhe e pasur e Kinës. Në një nga darkat para largimit rektori shtroi një darkë përcjelljeje në të cilën merrnin pjesë dekanë fakultetesh, punonjës nga rektorati, dhe ndihmësit e mi. Rektori Sju Fu përshëndeti dhe, siç ndodh në këto raste, tha plot fjalë të mira për punën time, dhe në fund lexoi vendimin e kryeministrit Çu En Lai për dekorimin tim, për kontributin e dhënë në edukimin dhe përgatitjen e specialistëve të lartë në Kinë. E pranova me kënaqësi atë këtë dekorim, si dëshmi e përpjekjeve dhe simbol të punës sime në ato vite në Kinë. Kinës, studentëve të mi, u kisha dhënë një pjesë të bukur të rinisë sime. Kisha hapur një dritare të kulturës shqiptare, kisha ngritur një bërthamë albanologjike e cila vazhdon deri ditët e sotme. Delina, vajza ime e vogël, shkoi për herë të dytë në Kinë në shtator 1995, ku mori pjesë në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Gratë në Pekin. Pekini është qytet shumë i shtrenjtë për të dhe Albanën, të cilat në pasaporta kanë të shënuar, “Vendlindja, Pekin, Kinë”. Ndjeva gëzim njerëzor kur Delina më tregoi për vizitën që kishte bërë në Katedrën e Gjuhës Shqipe të Universitetit të Gjuhëve të Huaja, në muret e së cilës, edhe pas shumë viteve, lexohej: “Mir se erdhët studentë të dashur, në mësimin e gjuhës shqipe”.

Dy librat e Enver Hoxhës për prishjen e marrëdhënieve me Kinën

Prishja e marrëdhënieve të gjithanshme me Kinën që shpuri në izolimin e plotë dhe rrënimin katastrofik të ekonomisë shqiptare, ishte kapitulli i fundit unik në sagën e prishjeve që zbatoi shteti shqiptar, PPSH-ja dhe Enver Hoxha; me amerikanët në fillim të vitit 1945, me jugosllavët në 1948, dhe me sovjetikët në vitin 1961. Më kujtohet mirë aty nga viti 1978, u bënë shumë mbledhje; në fillim me organizatat e partisë dhe pastaj me popullin. Ne që kishim qenë në Kinë, me punë ose studentë, na porositnin në mënyrë të veçantë që të sillnim fakte ose ngjarje të veçanta specifike nga qëndrimi ynë në Kinë. U mendova gjatë dhe natyrisht, në ato kushte të përgjimit politik, bëra një diskutim të thjeshtë, sipas rutinës së kohës, sipas vijës. Por vonë-vonë kam menduar gjatë për qëndrimin ndaj Kinës dhe mbi dy vëllimet e Enver Hoxhës “Shënime për Kinën”. Nuk është e vështirë të kuptohet se burimi i këtyre dy vëllimeve ka qenë në radhë të parë raportet e ambasadorëve të asaj kohe në Kinë, Reiz Malile, i cili mbas humbjes së familjes në aksidentin e avionit që u rrëzua në Irkutsk më 13 korrik 1963, u zëvendësua nga Nesti Nase dhe me vonë nga Behar Shtylla. Për hir të së vërtetës duhet thënë se, ndërsa dy të parët, Reizi dhe Nesti, pothuaj ishin të një tipi, nënpunës të thjeshtë, të kufizuar nga botëkuptimi dhe nga kultura, Behari ishte njeri tjetër, i shkollës franceze, i kulturuar dhe i hapur, por qenia anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së e pengonte të shprehej ose thoshte ato që konstatonte dhe për më tepër të bënte ndonjë vërejtje. Vija re tek ambasadorët, sidomos tek dy të parët, se më shumë se ambasadorë, ishin si postë, si roje kufiri, që gjykonin kush bënte mirë ose keq. Nuk kishin ndonjë vizion dhe nuk shtronin ndonjë problem të rëndësishëm përpara studentëve shqiptarë, ose atyre intelektualëve që shkonin apo punonin në Kinë. Ata ishin njerëz që jepnin dhe merrnin porosi nga lart dhe i përsërisnin ato si refren. Burimi i dytë i dy librave të Enver Hoxhës (“Shënime për Kinën”) kanë qenë leximet që vetë Enveri bënte nga shtypi ndërkombëtar dhe shtypi pan evropian për Kinën, të cilin i’a servirnin çdo mëngjes ata të Agjensisë Telegrafike Shqiptare. Këtej rrjedh se shumë teza dhe mendime në ato libra, që shërbye si bazë për prishjen me Kinën, ishin të pambështetura. Kina, në veprat e Enverit “Shënime për Kinën”, paraqitej si një vend komunist dogmatik. Përkundrazi, siç e kishin parë nga afër ata që kishin parë me sy atë që kishin ndjekur nga afër zhvillimet e Kinës, dhe siç tregojnë më vonë dokumentet e marrëdhënieve amerikano-kineze, Kina qysh në fillim kishte marrë një drejtim tepër origjinal, të ndryshëm nga komunizmi dogmatik i sovjetikëve të periudhës së Stalinit. Ishin të vjetra divergjencat e Mao Ce Dunit me udhëheqjen sovjetike për një sërë problemesh të teorisë dhe praktikës së ndërtimit të socializmit. Në Kinë kishte një zhvillim dhe ruajtje të pronës private. Ekzistonin mbi 5-6 parti të tjera jo komuniste. Në qeveri ekzistonin një sërë ministrash të Guomindanit. Ish-pronarë të fabrikave dhe pronarë të tjerë ruajtën një pjesë të privilegjeve ekonomike. Po ashtu kishte ndryshime edhe në shumë çështje të tjera. P.sh., në vend të monopolit ideologjik që kishte Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik, në Kinë, vija themelore ishte: “Le të lulëzojnë 100 lule, le të lulëzojnë 100 shkolla”, që padyshim i hapte mundësi një diversiteti idesh dhe pikëpamjesh. Është fakt se monopolin e kishte Partia Komuniste e Kinës, por aty gjeje drejtime dhe rryma të ndryshme.

Profecia e presidentit francez, Charles de Gaulle, për Kinën

Presidenti i Francës, Charles de Gaulle , i cili i pari vendosi marëdhënie diplomatike me Kinën, pat thënë: “Kush fiton tregun kinez, fiton parësi në botë”. Dhe koha tregoi se kinezët i zhvilluan shumë marrëdhëniet tregtare me ta, gjermanët po ashtu, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas vizitës të Presidentit Nixon shkuan edhe më përpara, ndoqën një politikë dinamike dhe komplekse me Kinën, veçanërishtë në fushën e tregtisë, investimeve etj. Ne, të cilëve kinezët na i kishin hapur dyert, ua mbyllëm me kokëfortësi dhe injorancë. Koha po tregon se Kina po bëhet një faktor i rëndëesishëm në zhvillimin botëror. Është një fakt historik që Shqipëria luajti një rol në pranimin e Kinës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, dhe populli dhe qeveria kineze e kanë shprehur publikisht mërënjohjen. Madje, në darkën ku pata fatin të jem me kryeministrin e talentuar kinez, Çu En Lai, ai u ndal gjatë në rolin që ka luajtur Shqipëria e vogël në këtë ngjarje të madhe dhe e vlerësoi lart këtë akt miqësor. Po këtu qëndron edhe tragjedia jonë, që këto marrëdnënie të mira miqësore shteti i atëhershëm shqiptar, nuk dijti t’i shfrytëzoi për interesa tona kombëtare, por madje shkoi edhe me tej.

Prof. Fico: “Nesti Nase, Kiço Kasapi dhe unë, biseduam 6 orë me Çu En Lain në darkën që ai shtroi për ne”

 Marrëdhëniet shqiptaro-kineze në vitet e para të tyre dukeshin si të mbara. Vizita e kryeministrit kinez Çu En Lai në Shqipëri, në vitin 1964, i shërbeu forcimit të këtyre marrëdhënieve. Kudo u prit me ngrohtësi dhe pati bisedime me udhëheqjen më të lartë të Partisë dhe të shtetit shqiptar. Kjo vizitë ishte stacioni i fundit i kryeministrit kinez në disa vende të Afrikës. Pas kthimit në Pekin, në prag të vitit të ri kinez, Çu En Lai ftoi ambasadorin shqiptar Nesti Nase, këshilltarin tregtar, Kiço Kasapi, dhe mua në një darkë që shtroi në kompleksin e Shtëpive të Pritjes së Mysafirëve të Lartë. Çu En Lai ishte kryeministër i Kinës qysh nga shpallja e Republikës Popullore të Kinës më 1 tetor 1949 dhe i përkiste udhëheqësve të shquar të Kinës në ato vite. Kishte studiuar në Francë. Dallohej për stilin tepër të shkathët të drejtimit dhe gëzonte nderim edhe Perëndim për tendencën përparimtare për marrëdhënie sa më normale me Evropën dhe rajonet të tjera të botës. Ishte mesatar nga shtati, me vetulla të kreshtuara dhe me dorën e majtë të përthyer e të palëvizur. Atë darkë qëndruam gati gjashtë orë me kryeministrin kinez dhe patëm mundësinë të bisedonim lirisht me të. Çu En Lai u interesua dhe më pyeti për studentët kinezë që mësonin gjuhën shqipe. Shprehu mendimin se duhej të vizitoja sa më shumë qytetet dhe institucione arsimore dhe kulturore brenda dhe jashtë Pekinit. Me porosinë e vetë kryeministrit Çu En Lai, fil mbas diplomimit të 30 studentëve të parë kinezë nga Katedra e Gjuhës Shqipe në Pekin, u hap Redaksia e Gjuhës Shqipe në Radion e Jashtme të Kinës, që vazhdon të trasmetojë edhe sot e kësaj dite. Duket se vizita në Shqipëri i kishte lënë përshtypje të forta: pritja e ngrohtë, natyra e hapur e shqiptarëve dhe guximi në përballimin e vështirësive të ndryshme. Midis të tjerash, tha se i vinte keq që nuk pati mundësi që të merrte edhe të shoqen. “Por – shtoi ai – siç e dini, shkova në Shqipëri, pas një sërë vizitash në disa shtete të Afrikës”. Më kujtohet se atë darkë Cu En Lai përmendi faktin që, kur kishte shkuar për vizitë në rrethin e Shkodrës, e kishin shpurë në fermën e rrushit në Koplik. Aty një malësor, punëtor i fermës, i kishte thënë se: “Ne shqiptarët i duam shumë malet e larta” dhe si duket kishte bërë me dorë nga Alpet, “se aty ka folenë zogu ynë, shqiponja”. Kryeministri kinez i kishte shtrënguar dorën dhe kishte bërë edhe një fotografi me të, e cila më vonë u botua edhe në gazetën “Zhen Min Zhibao”. Në takimin me të ishin fare pak njerëz, ndaj kishte më shumë hapësirë për biseda të lira. Madje i kujtova edhe një bisedë kur po shëtitnim në kopshtin qeveritar bashkë me Albanën. Ajo u shkëput nga ne dhe shkoi drejt e te Çu En Lai. Ai kujtoi se ishte ndonjë fëmijë me prindër sovjetikë dhe nuk u mor fare me fëmijën, por dikush që e kishte njohur i tha se ishte shqiptare dhe atëherë ai e përkëdheli dhe ia bëri me dorë. “Po – tha – më kujtohet. Por kjo ngjet se ne udhëheqësit nuk jemi të kërcënuar vetëm nga atentatet me armë, por edhe nga fëmijët” – dhe qeshi plot dlirësi. Gjatë mbrëmjes u shfaqën disa filma të shkurtër me pamje nga vendet turistike të Kinës, fragmente operash tradicionale dhe ndonjë koncert me muzikë klasike. E kam ruajtur të gjallë në shiritin e kujtesës këtë ngjarje, darkën me Cu En Lain. Vitet e Revolucionit Kulturor nuk e tronditën dot figurën e tij të nderuar, por kanceri i mëlçisë i shkurtoi jetën dhe, sipas testamentit, hiri i trupit të tij u shpërnda me aeroplan nëpër fushat e gjelbërta të Kinës.

Please follow and like us: