Ymer Çiraku: Një përvjetor i librit dhe i autorit, Baftjar Dobi
Librat për qytetet, janë dëshmi dhe referenca për shkallët e qytetërimit të çdo populli. Një prej tyre është edhe ai me titull “Gjirokastra jonë…”, i botuar plot 20 vjet më parë (2001) nga Baftjar Dobi, i ndarë nga jeta më 2013. Po këtë vit, Baftjari apo Baçoja, siç e thërrisnin të afërmit dhe shokët, ka 75-vjetorin e tij të lindjes.
Libri është konceptuar si një përmbledhje mbresash e kujtimesh. Në faqet e tij lexuesi vihet përballë një morie kronikash mbi ngjarje e informacione – rreth fate fisesh e personazhesh të njohura të këtij qyteti. Një qytet mbresëlënës e i pashëmbullt Gjirokastra, jo vetëm për nga arkitektura e ndërtimit të banesave, por edhe ajo “arkitekturë” shpirtërore, e traditave, e nojmave, e odáve karakteristike, ku ndërthurrej në një lakore të butë tradicionalja disi egërshane/rreptë dhe sipërorja aristokratike, e përcjellë sëpaku qysh prej kohëve të perandorisë bizantine dhe pastaj asaj otomane. Kadilerët, tregtarët, komitët dhe komandantët e çartur të çetave kryengritëse, gazetarët, studentët, priftërinjtë, hoxhallarët, zanatçinjtë, çifligarët e tokave deri në bregdet e Muzeqe…, janë gjeografia e jetës me ngjyra kaleindoskopike e këtij qyteti – të përshkruara bukur në këtë libër. Janë po ashtu të përshkruara tërë lagjet e ngritura përreth kalasë madhështore: Palortoja, Pazari i Vjetër, Dunavati, Cfaka, Hazmurat-Meçite, Varroshi, Pllaka… Por qytetin e bëjnë njerëzit, e bëjnë fiset, sidomos emrat e atyre që lënë gjurmë. Baftjari, i kujton ata fise e ata njerëz me venerim të thellë. Përmes përmendjes së bëmave të tyre, sikur u përcjell bindjen dhe premtimin se pasardhësit e tyre, krenohen e nuk do t`i harrojnë kurrë ata. Kjo ndihet e përcillet me një hir të bukur, pa pompozitet. Sikundër thoshte Cicëroni, sikur të mos dimë çfarë ka ndodhur para nesh, është njëlloj sikur të mbetemi përherë fëmijë. Pra, të mbetemi popull i parritur, i papjekur.
Baçon e kam njohur në Gjirokastër, qysh kur isha shkollar i tetëvjeçares dhe vija në shtëpinë e tyre te shoku im i ngushtë i fëminisë, Sadiku. Aty ishin dhe vëllai tjetër Viktori (Tori) dhe motra Dëshira. Provonim kënaqësi të madhe të endeshim çlirët rrotull sterës së ujit dhe manit në oborr, sidomos në stinën kur pikonin kokrrat e pjekura të ëmbël mjaltë. Një mrekulli ishte për mua kur nënë Muzua, aq e dashur, na vinte përpara pjatën me trahana të ngrohtë apo ndonjë copë qollopite. Ndodhte të shihja, kur kthehej nga puna si rrobaqepës dhe babain e tyre, xha Beahudinin, një burrë thatanik e i gjatë, me një buzëqeshje të përhershme dhe që ia merrte ndonjëherë këngës i vetëm. Ishte prej vitesh pjesëmarrës i grupit folklorik të qytetit dhe e kujtoja dhe e sillja nëpër mend në sheshin e Çerçizit në raste festash, tek mbante iso përkrah të tjerëve me fustanellën, jelekun me mëngë të gjata e qylafin serbes mbi sy. Në atë shtëpi kisha dëgjuar edhe për aksidentin fatkeq të një fëmije të bukur kaçurrel, siç më tregonte me ngashërim Sadiku për të vëllain, Baftjarin. Pastaj viteve kur isha në gjimnaz, njoha edhe Baçon. Kishte mbaruar studimet e mesme në Tiranë për merceologji dhe nisi punen në ndërmarrjen e tregtisë së qytetit, derisa u bë dhe drejtor i saj. I drejtë me njerëzit, krenar dhe i papërtuar në punë, duke sfiduar denjësisht problemet që i kishte lënë aksidenti i viteve të fëminisë. Më lidhi shumë me të pasioni që kishim të dy për letërsinë. Ai lexonte shumë dhe shkruante e botonte sipas rastit poezi. Mbaj mend kur më pati treguar se si në kohën kur ishte nxënës në Tiranë, kishte marrë pjesë edhe në recitimet dhe kuvendimet për letërsinë që organizoheshin aso kohe në kodrat e liqenit, diku afër kishës së Shën Prokopit. Kisha dhe liqeni, ishin sigurisht atmosfera dhe metafora aq e kërkuar dhe aq e gjetur për shpirtin kërkues e romantik të atyre krijuesve të rinj endërrimtarë, të atyre viteve. Ndofta ata frymëzoheshin e ndjeheshin si ndjekës të atij grupi të poetëve të njohur romantikë anglezë të “shkollës së liqenit” (S. Koleridge, R. Southeu…), prandaj edhe të quajtur nga historianët e lëtërsisë për ta si poetët lejkistë (angl. lake – liqen). E cilësuar si herezi politike, ndaj pjesëtarëve të atij grupi poetësh të rinj, kam mësuar më vonë se pati qendrime të ashpra ndëshkimore prej sistemit shtetëror të kohës.
Pas viteve `90-të, Baftjari, sëbashku me dy vëllezërit e tij, u morr me biznes në fushë të tregtisë dhe ndërtimit. Në asnjë moment nuk u zbeh shpirti i tij bujar, natyra aq miqësore dhe dashuria pa kushte për miqtë e shokët. Dhe përherë i preokupuar për qytetin e lindjes, Gjirokastrën. Për të cilin shkroi edhe librin me mbresa e kujtime, duke i skalitur mjeshtërisht atij qyteti portretin autorial. Pa e ditur kështu, se edhe vet ai, Baftjar Dobi, do të bëhej në fakt pjesë e atij mozaiku aq të pasur – mes ngjarjeve dhe njerëzve të bujshëm e të pabujshëm, të atij qyteti.
I paharruar do të mbetet Baftjari – për të gjithë ata miq e shokë, që ia njohën zemrën dhe shpirtin e bardhë.
Please follow and like us: