Rreth vëllimit poetik “Shkruaj kohën” të Katjusha Pogaçit
Republika Çulli
Pas disa dekadash nga botimi i vëllimit të parë me poezi “Fjala jonë”, Katjusha Pogaçi vjen me vëllimin e ri poetik, ”Shkruaj kohën”, një titull emblematik ky për esencën e motiveve dhe të mesazheve të vjershave që përfshihen në të. Në rrafshin makro, në vëllim pasqyrohet një kohë e re, pas ndryshimeve demokratike në fillim të viteve ’90, me problematikën përgjithësuese social- filozofike të tranzicionit, përmes përjetimeve universale ekzistenciale njerëzore, ndërsa në rrafshin mikro, poezitë shprehin përvojën personale jetësore të poetes. Si rrjedhojë na serviret një pasuri e larmishme në motive e mesazhe poetike, ku ndërthuren natyrshëm kolektivja dhe individualja në simbiozë me njëra- tjetrën, nëpërmjet një pene krijuese mjeshtërore dhe të sprovuar tashmë në përvojën e gjatë krijuese të poetes.
Vëllimi ngrihet mbi një strukturë funksionale poetike përmes grupimit të poezive në cikle mbi bazën e kriterit motivor, si më poshtë:
- Kur bota më e mirë të jetë
- Gurët kilometrikë
- Gjeografia e zemrës
- Kohë në filtër
- Peizazhe
- Në udhëtim
Në 98 poezitë e vëllimit shpaloset një realitet i gjerë jetësor e një botë e pasur poetike, përmes një larmie poezish meditative, filozofike, lirike, kushtuese, peizazhi, etj.
Poezia përcjell një mozaik shumëngjyrësh zërash poetikë me sensibilitetin femëror dhe angazhimin social njëherësh. Është gruaja, veprimtarja sociale, gazetarja, bashkëshortja, nëna, gjyshja që aspiron “një botë më të mirë”, “një qiell paqeje”.
Poeten e preokupojnë problemet ekzistenciale të qenies në “botën që këlthet”, “në tokën e shkelur”, në “Kosovën e përgjakur”, etj.
Zëri poetik dimensionohet në koordinata universale e kombëtare, me dëshira e ëndrra shqiptare, ballkanike e globale.
Diskursi i heronjve lirikë realizohet në përkatësi, vetë e kohë, në shumës e njëjës për të shprehur korrelacionet logjike të përjetimeve ndjesore prej kolektivitetit te uni individual përgjithësues. Ky konceptim e bën më të thukët dhe më tronditëse poezinë.
Poetja identifikohet me gurët kilometrikë, me karakollin, etj., dhe shpreh hapur një disponim të drejtpërdrejtë filozofik.
Në problematikën dhe tonalitetin e lirikës filozofike vihet re nje analogji, por aspak imitim, me lirikën filozofike të Dritëro Agollit, posaçërisht në vëllimin “Pelegrini i vonuar”, si rezultat i refleksioneve ndaj të njëjtit realitet social-politik të pas viteve ’90. Është e njëjta problematikë ekzistenciale e qenies përballë këtij realiteti ku:
E vogël është bota/ E vogla botë e madhe/ Këlthet, qan e çirret
Deziluzioni dhe protesta shpërthejnë fuqishëm në botën e vështirë:
Veç zemra ethshëm po këlthet/ Në shkretëtirat pa oaz,
Vdiq nën rrënoja shpresë e vjetër/ E reja s’di kur rritet prapë.
Klithma e unit poetik vjen përmes apostrofash therëse:
Përse më tremb, botë e vështirë/ Përse më lodh, përse më lodh?!
Përse na qenkërkesh ruajtur ky fat/ Të rrojmë me të a të ikim bashkë?!
Mendimi poetik realizohet natyrshëm sa në kuota përgjithësuese filozofike aq edhe në pasazhe reale të personalizuara të poetes, që shquhen për sinqeritet e komunikim të drejtpërdrejtë, ku ndihet qartë profili i gazetares. Kjo veçori spikat në gjithë poezinë e saj dhe, në një mënyrë autentike në poezinë e gjatë: “Ngjarjet e Kosovës 1999 ”, ku 7 pjesët përbërëse të saj shpalosin me mjeshtëri tablo të spikatura të realitetit tragjik përmes akteve e përjetimeve personale, si p.sh te: “Në studion e hapur në Radio Tirana” , “Ngjarje”, etj.
Këtë veçori e gjejmë edhe te poezitë e ciklit ‘’Gurë kilometrikë’’, përmbajtja thelbësore e të cilave janë ngjarje nga jeta personale e autores, të cilat trajtohen në suazën e problemeve ekzistenciale njerëzore , me një zë të identifikuar plotësisht, e shprehur qartë kjo në poezinë “ Më thërrisni në emër”.
Heroi lirik dhe uni poetik përjetojnë dhembjen, zhgënjimin, vdekjen, ëndrrat, ikjen, keqkuptimet, virtytin e mëkatin, rënien e ngritjen përsëri, në një botë të trazuar e kaotike. Autorja shkruan:
Të gjithë ikin , trazojnë shtigje e rrugë, / Ajër, tokë e ujë…Unë jam këtu
Nuk vuaj ikjen, as zgjedhjen e bërë/ por pritjen flu…
Mbetem si fari, ndriçoj e pres/ Hedh dritën mbi dallgë dhe s’dua ta përpijnë,
Trishtohem kur mendoj se dritë më s’do ketë/Jo thjesht për vete, po për të mitë.
Krimbi i dyshimit e gërryen, dilema dhe mëdyshja e dallojnë unin poetik përballë një realiteti apokrif :
Ka mjaft raste kur ndihem e mjerë/ Të iki a të rri vë në balancë,
Të dyja të rënda fytyrëçjerrë/ Të dyja njësoj si ushtri e përçarë…
Pse është tharë toka, është bërë Saharë / Mbushur zhapinj, zhaba, hardhuca
Që duan me ta të ecësh zvarrë/ zhgarravitur në ëndrra të qullëta
Në ciklin “Gjeografia e zemrës”, poezia lind e zhvillohet në një mjedis përvoje personale e familjare. Tonet zbuten dhe rrjedh një lirizëm i ngrohtë. Bota” e madhe” rrudhet në botën “e vogël” të gjenealogjise familjare e krahinore. Pas lodhjes e rrugë së mundimshme në poezinë e angazhuar filozofikisht, poetja zbret me çlodhjen dhe meditimin personal në gjirin e nënës , në rrugën bashkëshortore, pranë vajzave, nipërve e mbesave, duke i shoqëruar ata në rrugëtimin e jetës dhe përsëri “Hapësirë e tejskajshme”:
Brenda meje dimensionet zgjerohen/ Hapësirat rriten pa fund
Njerëzit, ngjarjet dhe sendet hepohen/ Bien, ngrihen dhe prapë marrin udhë
Ndiejme në këtë poezi butësinë dhe njomështinë e shpirtit femëror të vajzës, gruas, nënës e gjyshes të veshura me mantelin e prindërimit sa qytetar ashtu edhe rustik krahinor. Ngjyrat idilike të vendlindjes, Picarit do të zhvillohen më gjerë në ciklin ‘’Peisazhe”, përmes një lirike peisazhi të gjallë e të përkryer të Jugut të Shqipërisë. Këto janë përgjithësisht poezi dedikuese për njerëz konkretë, nipër, mbesa, shoqe ose trevave të ndryshme , si Plesati, luginës së Drinos, Mallakastrës, etj.
Një variacion i motivit filozofik, ai i kohës, merr një formësim të ri poetik në ciklin “Koha në filtër” me thyerje të vargëzimit klasik dhe me një ritëm poetik të theksuar në përputhje me mesazhin që përcjell. Leximi i këtyre poezive të rigjallëron ndjesinë e leximit të poezive kozmogonike – filozofike të N.Frashërit dhe L.Poradecit, me motivet e njohura : dita, nata, koha me përfytyrimet kozmogonike të qiellit, diellit, hënës, yjësinë, që kalojnë nga njëri poet te tjetri si rezultat i formimit kulturor e shpirtëror të tyre si edhe i prirjeve, parapëlqimeve dhe përzgjedhjeve estetike. Një ndikim dhe vazhdimësi e tillë është e njohur edhe për shkrimtarë të shquar në Letërsinë Botërore.
Në ciklin e fundit “Në udhëtim” pasqyrohen poetikisht kronika udhëtimi përmes lirikave specifike të peisazhit të vendeve të ndryshme, ku shpaloset një vëzhguese e imtë e bukurive natyrore më tepër se transformimet njerëzore në të.
Siç shihet Katjusha Pogaçi na prezantohet me këtë vëllim poetik si një penë krijuese e spikatur me stile e shpërfaqje poliedrike poetike që e pasuron më tej me përmbajtje të re motivore e filozofike poezinë shqipe të pas viteve ’90.
Diana Çuli – shkrimtare
Katjusha Pogaçi nuk është nga ato poete që botojnë paprerë. Ajo shkruan, natyrisht, si të gjithë poetët e lindur poetë dhe të krijon ndjesinë se nuk e mendon botimin, aq sa mediton dhe i jep rëndësi shkrimit në vetvete. Në librin e Katjusha Pogaçit nuk gjejmë përpjekje për të eksperimentuar mënyra të reja vargjesh, as mund të themi se kemi të bëjmë me post-modernizëm, simbolizëm apo ndonjë rrymë tjetër të sotme a të djeshme. Poezia e saj është nga ato lloj poezish që, pa u menduar, do të shpreheshim: Sa poezi e vërtetë! Pa i vënë emër.
Filloj ta lexoj këtë vëllim të sajin të fundit…..dhe më vjen ndërmend fraza e Emily Dickinson-it se nuk ekziston asgjë e tillë si fantazia e mendjes, ky udhëtim i thellë e i çuditshëm, ku ne jemi ose spektatorë ose protagonistë të një fantazie ireale apo të një ëndrrës sonë personale. Poezia e saj nuk i kundërvihet asnjëherë jetës, që është burim i përhershëm subjektesh, burim dashurie, që zbulohet përmes një stili të vërtetë e të sinqertë.
Por, ajo që më bën më shumë përshtypje në poezinë e Katjusha Pogaçit është mundësia e saj e habitshme për të shprehur jo vetëm mendimin, por edhe ndjenjat e ndjesitë, përfytyrimet dhe emocionet. Do ta mbyll këtë shkrim të shkurtër, që nuk mund të përmbledhë në pak radhë mrekullinë e vargut të poetes, me pak vargje nga poezia Nata: Nata është ëndrra që kurrë s’e kam parë/ Ëndërra që ndoshta kurrë s’do ta shoh/Dhe që më vete do të më marrë/Në mbretërinë e saj kur të shkoj.
_________________________________
Iskra Thoma-Kritike letrare:
Libri “Shkruaj kohën” është ndërtuar bukur, me cikle të menduara mirë, me strukturë që ndihmon lexuesin të kuptojë më mirë mesazhet, idetë e ndjesitë që autorja do të komunikojë. Të bën përshtypje që në mjaft poezi ndihet vrulli, nervi poetik realizuar nëpërmjet figurave artistike e fjalëve të zgjedhura me mençuri e kujdes. Vrull që kontraston me natyrën e qetë të autores ( po ta njohësh ). Librit i shkon shumë titulli, metaforë e gjetur për të zbuluar paksa kredon e autores, problematikën që e shqetëson e që do t’ia u përçojë lexuesve. Një libër që lexohet me shumë kënaqësi e mjaft poezi që të bëjnë t’iu rikthehesh herë pas here.
_______________________________
Engjell Serjani – gazetar, në shkrimin: Katjusha Pogaçi ““Shkruan” kohën në katër kohë e stinë si Vivaldi”. Antigonea News, 21 korrik 2016:
… Cikli përmbyllës i vëllimit poetik “Shkruaj Kohën”, është një udhëtim poetik që nis nga Bregu i Qeparoit dhe shkon në Lisbonë, nga Saranda në Aleksandri, nga “Përmbi Tepelenë” flutron mbi Zvicër, nga Dropulli e Qafë Bota në vende të tjera të botës së madhe. Më shumë se në pesë ciklet e tjerë, te ky cikël i fundit, titulluar “Në udhëtim”, gazetarja dhe poetja Katjusha Pogaçi ndihet që ka marrë përsipër të “shkruajë” kohën, në katër kohë e stinë si në krijimtarinë e kompozitorit venecian Antonio Vivaldi. Përfundimish, unë personalisht mendoj se me këtë vëllim poetik, Katjusha Pogaçi i bën një autonomi krijimtarisë së saj shumëvjeçare, duke na dëshmuar një vijë të pastër frymëzimi dhe duke sjellë argumentin se ajo përfaqëson diçka të mirë në poezinë dhe letërsinë shqipe.
______________________________________
Çerçiz Loloçi-prozator, publicist, në shkrimin: « Katjusha Pogaçi rishkruan kohën në vargje poetike », publikuar në portalin Albspirit, 15 dhjetor 2017 :
Përvoja e gjatë në organet letrare të kohës që lamë pas apo puna si gazetare në Radio Tirana e kanë shtyrë autoren që me çdo poezi të kumtojë diç tjetër nga krijuesit e tjerë, madje të bëjë art edhe atje ku nuk shkon një sy i zakonshëm.
… Katjusha Pogaçi preferon rimën në vargjet e saj, çka e bën edhe më komunikuese me lexuesit e gjerë. Filozofia e jetës njerëzore nga lindja e deri në etapat më të mbrame të saj përthyhen në një varg poezish, të cilat lënë gjithsesi një porosi, një amanet apo një sentencë. Kur ke përfundur krejt përmbledhjen poetike të Katjusha Pogaçit të duket sikur gjendesh përpara një procesi katarsisi, ku shumë ndodhi të saj, raportet me nënën, babain, bashkëshortin, fëmijët, nipërit duket se të kanë ngjarë edhe ty, çka tregon se tema thjesht njerëzore marrin një karakter universal që vetëm poezia e bën në mënyrën e vet.
_________________________________________
Luiza Musta – gazetare, 28 maj 2019:
E lexova me kënaqesi librin tënd, mikja ime. Të takova ty siç të kam njohur, shpirtin dhe mendimin tënd lirik por edhe të shqetësuar. Tamam, ke shkruar kohën e brezit tonë. Faleminderit për këtë dhuratë!
________________________________________________
Sevo Tarifa – sociolog, publicist, shkrimtar, nga fjala e hapjes në promovimin e Librit “Shkruaj kohën” në Tiranë, më 15 dhjetor 2017
“Shkruaj kohën”, titull interesant, konciz, dyfjalësh, katërrokësh, por domethënës, fijet e të cilit çojnë te poeti, dramaturgu dhe kritiku anglez, Eliot Thomas, sipas të cilit: “Poeti i madh shkruan kohën”. Sikur ta dinte se një ditë, një poete shqiptare, vajzë Labërie, picarjote do të shkruante një libër me tiull “Shkruaj kohën”!
Ti, Katjusha, je një poete e heshtur, modeste, pa pretendime, jep art përmes alegorisë, similitudave, metaforave e figurave të tjera artistike; s’je e frazës intelektualiste, s’je abstrakte, s’je formaliste; je e qartë, konkrete, e kuptueshme. Vargjet e tua të lira apo me metrikë e rimë, kanë art. Arti yt letrar ka dy pjesë të dallueshme: “vëzhgim dhe shprehje”. “Çdo njeri i madh ose i vogël mund të jetë poet, në qoftë se në veprimtarinë e tij sheh idealin”. Gëtja thotë: “Çdo shkrimtar, në një farë mase, paraqet në veprat e tij vetveten, shpesh edhe kundër vullnetit të vet”. Këto prirje spikatin edhe te ty. Je poete që rilexohesh. Lexon nga krijimtaria jote letrare dhe nuk të zë gjumi. Lexon dhe reflekton…
Poezitë e këtij libri kanë shtyllë floriri, janë vargje margaritarë, aq tërheqës, me bukuri, me zhdërvjellësi, me pjekuri, me nerv, me stil të këndshëm. Në poezinë e autores gjen fjalën, idenë, gjen veten, gjen gjuhën, “që është arma e poetit, ashtu si pushka, arma e ushtarit”, siç shprehej Gorki.
Ka njerëz të letrave që u ngjajnë këngëve, të cilat mësohen, këndohen dhe ndodh që, pas një kohe, humbasin. Nuk e teproj të them se poezitë e poetëve e të poeteve si Katjusha Pogaçi, jetojnë gjatë, nuk humbasin, jo vetëm të gëzojnë, të zgjojnë, të përtërijnë dhe mbahen mend, por përmes tyre njeriu militon, jeton në vargje, sheh veten si në pasqyrë, kujton, përfytyron, konkretizon, ilustron.
Poezi nga Katjusha Pogaçi
KJO BOTË QË KËLTHET
E vogël është bota
E vogla botë e madhe
Këlthet, qan e çirret
Sikur në rrugë të madhe
Ka mbetur jashtë pa strehë
E trembur keq për vdekje
Bërtet, qan e çirret
Vështirë të vijë në vete.
E madhe është bota
E madhja botë e vogël
Përse ngandonjëherë
Më ngjan e mjerë si gogël,
Bërtet e qan e çirret
E ka me të vërtetë?!
E di se ç’do t’i ndodhë,
Bën kot, a diçka ndien?
Nikozia, Qipro,
E shtunë, 24 tetor 1998
NGJARJET E KOSOVËS, 1999
(fragment)
Kënga VII
Kryeqyteti Tiranë,
fundshekulli XX.
Pas pune të blej bukë shkoj në një dyqan të thjeshtë,
Pas lajmeve të përcjella në Radio Tiranë
Të mundë të lidh refugjatë anë e mbanë…
Hyj në dyqan, po atje ç’më pret?
Ajo qan në telefon
“Ku ku vëllai i vetëm…”
Dhe iki si hamall me një bukë helmi në dorë
Me pamjen e shpinës rënë mbi receptor
Një triko e gjelbër si e thurur me bar
Një dorë që shtrëngon receptorin-varr,
Ca flokë të zinj rënë pa kujdes
E motra nga Zvicra, motrës këtu i përcjell:
“Më erdhi lajmi, motër, vëllai u vra”
Dhe thirrja çan qiellin: “ Ku, kuuu… vëlla”!
Dhe shtrihet dhimbja rrugëve si qilim
Qilim pa lule, por vetëm me brymë. . .
Lule që do të çelin kur kjo brymë të shkrijë…
E enjte, 16 prill 1999
BALLKAN
Ballkani ku ne jemi,
Jam unë, je dhe ti
Një emër dhe një folje
Në rrënjë, në histori,
Bashkë me baladat
Luftë edhe mjegull,
Ballë – kanë këta popuj
Të rëndë në shekujt.
Ballë – kanë
E, në ballë
Mendimin stuhi,
Shpresën nëpër erë
Shkëndijat në sy,
Pasion dhe legjenda
Portretin e bukur,
Por shpesh rri mëria
Thellë bishë e strukur.
Veç lumenjtë ecin,
Vrapojnë si veri
Vijnë tek unë,
Vijnë dhe te ti,
Si krushq të rrëmbyer
Vrapin n’arrati,
Nuse Drini i Bardhë,
Dhëndër Drini i Zi.
Ballkan me kaq male, ¬
Ballkan me kaq halle,
Pyje e lumenj,
Popuj e kufij,
Gjuhë e liqene
Zjarr edhe shkëndi…
Nëntoka flet,
Mbitoka gjëmon
Njëra rizgjohet
E tjetra përgjon…
S’je veç gjeografi,
Je dhe ti një botë,
Ku bien lahuta
E përplasen dallgë,
Brigjeve tragjikë
Maleve tragjikë…
Retë kreshpërohen
Erërat ngatërrohen
E gjuhët këlthasin.
Kurse thellë në shpirt
Ti me shpresën luan.
Shpresa jote e madhe
Bukuri e hajthme,
Në pasqyrë kohësh
Reflekton thesare.
Shikoji, kuptoji
Dhe s’ke për t’i humbur.
Bashkoi gjerdan
Që t’i kesh përfare…
E martë, 23 janar 2001
ANKTH
Ishte një film me mot të keq,
Unë kisha ftohtë nga ekrani
Në krah më rrinte dreqi për dreq
Nën shi më lagej fustani.
Ca klithma vinin nga s’di se ku
Në gjuhën e përbotshme të klithmës
Dhe shpirti im bënte: Uh!
Nga plaga e keqe e bishës.
Ishte një mot i llangosur keq
Si fati i femrës së fikur,
Do ikte, do rrinte, do na bënte lanet,
Kush vallë do ta kishte ditur?!
E martë, 23 dhjetor 1997
DREJT JUSH
Mirëdita tokë e lashtë, më thuaj
Pse qan për mua, s’kam ikur.
Në viset e tua kam lënë ca tufa
Vargjesh të zjarrta si drita.
Herë ngjajnë të dukshme, hërë të padukshme
Por janë, i ke në ajër.
Si vel i hollë do t’i ndiesh mbi supe
Rreth qafës të ngrohta si shalle.
Herë do të hyjnë pa u ndierë në derë
Ose në dritare do rrinë,
Nuk janë zogj, as kërcelli i gjelbër
Por vargjet e mia kanë mbirë.
Në se një dorë ju vjen nga larg
Dhe lotin ua fshin mbi rrudhë,
Nuk është çudia as magjistari
Por vargu im në udhë.
Vargu im që rrugëton drejt jush
Si drejt amanetit të dhënë,
Mirëmëngjes dielli im mbi Picar
Mirëmëngjes e bukura hënë!
E hënë, 15 shkurt 2010.