Strauss – prologu i kthimit të Shqipërisë kah Gjermania
Salih Mehmeti
Shkëputja e Shqipërisë nga orbita sovjetike kishte krijuar potencialin që të rivihej lidhja me Perëndimin. Ndonëse politika e jashtme shqiptare kishte qenë më e zëshmja që kishte përkrahur bashkimin e dy Gjermanive, Tirana zyrtare dhe Boni ende ngurronin për t’iu qasur njëri-tjetrës. Por vizita dyditore e kryeministrit bavarez, Franz Josef Strauss, në Shqipëri theu akullin. 37 vjet më parë, politikani i njohur gjerman vizitoi vendin që deri në atë kohë ishte më i izoluari në të gjithë botën komuniste
37 vjet më parë, Republika Federale Gjermane, duke ndjekur “ostpolitikën” e saj, po përpiqej të vendoste marrëdhënie diplomatike me vendet e Evropës Lindore. Përkrahja që Tirana zyrtare i jepte bashkimit të dy Gjermanive kishte krijuar sakaq një momentum të mirë për të provuar një afrim që e kapërcente “perden e hekurt”.
Në këtë frymë, më 18 gusht 1984, u bë e mundur vizita e kryeministrit bavarez, Franz Josef Strauss në Shqipëri. Në përvjetorin e kësaj vizite, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) ka sjellë dokumente mbi vizitën e të parit funksionar perëndimor që theu “akullin disavjeçar të sistemit të vetizoluar monopartiak”.
Në njoftimin e DPA-së, të afishuar në faqen zyrtare në Facebook, thuhet se vizita e Straussit ishte paraqitur thjesht si e natyrës private, ku Shqipëria ishte rrugë kalimi nga Jugosllavia për në Greqi. Me këtë rast, kryeministrit bavarez iu desh të zgjaste me një ditë qëndrimin e tij në Shqipëri për t’u takuar me një prej funksionarëve të shtetit shqiptar.
“I vetmi përfaqësues zyrtar shtetëror që e priti nga pala shqiptare ishte zëvendëskryetari i Këshillit të Ministrave, Manush Myftiu”.
Të nxjerra nga pasuria arkivore e Arkivit Qendror Shtetëror, dokumenti katërfaqësh përmban të transkriptuara bisedat mes zyrtarit shqiptar dhe mysafirit bavarez.
Në bisedën që pasoi dollinë e ngritur, Strauss ishte shprehur falenderuar për mikëpritjen që i kishin bërë autoritetet shqiptare. Ai kishte ndarë përshtypjet prekëse që kishte marrë me rastin e vizitës në ekspozitën “Shqipëria sot” dhe në Muzeun Historik Kombëtar.
“Ndjenjat e gjermanëve, në mënyrë të veçantë të gjermanëve jugorë, të Bavarisë, ndaj Shqipërisë, janë shumë pozitive. Ne, pothuajse nuk kemi pasur aksione luftarake me njëri-tjetrin, pak në luftën e Parë Botërore dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, por lufta më e madhe e shqiptarëve ishte lufta kundër turqve, kundër italianëve, lufta çlirimtare”, kishte thënë Strauss për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Në të vërtetë, organizimi i kësaj vizite ishte një histori në vete. Lëvizja e parë ishte bërë kur më 21 korrik 1984 në ambasadën shqiptare në Vjenë telefonoi sekretari i zyrës së kryeministrit të Bavarisë, Franz Strauss, i cili bëri kërkesë për një vizitë transit për kryeministrin bavarez.
“Ambasada shqiptare nuk premtoi asgjë, por sekretari i kryeministrit këmbënguli që do të telefononte përsëri pasdite”, thuhet në shënimet e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë për këtë vizitë.
Asokohe, diplomacia shqiptare kishte kërkuar mendimin e udhëheqjes politike të vendit, e cila u dakordua që t’i jepej viza kryeministrit bavarez.
Strauss do të largohej nga Shqipëria më 20 gusht. Vizita në fjalë u komentua gjerësisht nga mediat ndërkombëtare e qarqe diplomatike. Ajo vlerësohet të ketë pasur ndikim në vazhdimin e bisedimeve shqiptaro-gjermane pasi vuri në lëvizje Bonin zyrtar. Straussi do ta vizitonte përsëri Shqipërinë, tashmë me mision politik, për zgjidhjen përfundimtare më 15 shtator 1987, kur u vendosën marrëdhënie diplomatike me Republikën Federale Gjermane. Kjo ngjarje do të pasohej tutje me nënshkrimin e një protokolli bashkëpunimi në fushën teknike e shkencore, që i ofronte Shqipërisë mbështetje të madhe ekonomike.