Albspirit

Media/News/Publishing

Natasha Lako: Më fal Marigonë, që nuk dija të ta mbroja jetën!

 

Natasha Lako

 

Që këtej e tutje, shqiptarët do të kenë edhe Marigonën e Ferizajt.

Është Marigona 18 vjeçare e vitit 2021, që të paktën si deri tani thonë lajmet, mësohet se u vra nga bashkëshorti i saj.

Nuk e quan dot nuse, atë të bukurisë së saj.

Marigoja e parë, e pavarësisë shqiptare qëndisi flamurin, që u ngrit  në Vlorë në 28 Nëntor të vitit 1912.

Thjesht nuk kemi më Marigona Osmanin, me një fytyrë të bukur dhe vetulla të harkuara, që ka vendosur edhe pas vdekjes të na shohë në sy.

Por nuk thotë dot më vranë, se as vetë nuk e beson.

E besojmë ne të tjerët që dëgjojmë përditë dhunë dhe vrasje bashkëshortësh, dhunë të përditshme, në mos dhunë, poshtërim, në çdo moshë për gratë, ku edhe një copë djali me siguri ka dashur të jetë superior, ndoshta ndaj buzëqeshjeve  të  saj.

Dhe superioriteti është një lloj çmendurije, nga ata lloj çmendurish që nuk e lehtësojnë dot krimin.

Marrëzia  shoqërore vret gruan të parën. Dhe ndonjëherë kthehet në cunam që nuk dihet nga vjen.

Ne dimë se xhelozia, madje xhelozia ndaj pavarësisë së femrës ka bërë që ish bashkëshortë, edhe pas divorcit t’i marrin jetën ish bashkëshorteve të  tyre.

Sepse të vendosësh për fatin tënd, shpesh herë është e ndaluar ose krim.

E pashë atë fytyrë të bukur që nuk beson që është vrarë edhe pas vdekjes. Dhe them ndoshta nuk ka ndodhur kjo humbje e pabesueshme.

Por Marigona e Ferizajt ka ikur njëherë e përgjithëmonë. Ndryshe nga Malala e Pakistanit, që kërkonin ta linin të gjymtuar dhe nuk e vranë dot, një Marigonë të Ferizajt arritën t’ia marrin jetën.

Dallëndyshes të fatkeqësive, që  na rrinë në  prag. Që na bëjnë të heshtim. Që na thonë po flet shumë. Që na thonë ne rastin më të mirë, unë të krijova ty. Ne nuk dimë se ç’ka ndodhur në jetën e saj, para dhe pas erës  së  re, si është jeta e çdo  gruaje pas martese. Dy muaj të shkurtra jete. Ose per të tjerat një jetë e tërë vrastare.

Ne dimë vetëm se e kishte emrin Marigona Osmani në renditje tradicionale. Të parin, emrin e saj të vendosur me vullnetin e prindërve, që  po lindnin një ëndërr për lumturi, si u realizua dhe u shpreh qoftë në  sytë e saj.

Atje në Ferizaj, i shtuan emrit të Marigosë së parë të njohur, të Korçës apo të Vlorës, një “n- të vogël, më përkëdhelëse sikur të përfytyronin edhe harkimin e vetullës së saj.

Fatos Arapi do të pyeste: Po pse vritet bukuria gjithnjë?

Ndërsa unë pyes, se përse ndodh kështu në fund të kësaj vere të bukur, që duhet të na prishë gazin, kaq çmendurisht?

E ç’më duhen mua këngët patriotike të vëllezërve Stefi, që kërkojnë të tregojnë shpirtin kombëtar  korçar para se të arrijë në Korçën time Bregovi#i, kur më e bukura që ka arritur ky komb, është ai i idealit të lirisë femërore., të mbartur dhe madje të çliruar nga ëndrra .

I thashë njëherë një mikes sime, bashkëudhëtare të letrave, se ne shkrimtarët shqiptarë kemi dështuar   me punën tonë, përderisa realiteti jep sjelljet më barbare ndaj shpirtit femëror. Se përse mund të shkruajmë ne, në mos për shpirtin tonë të lirë, këtë pasuri të madhe të botës femërore të mbushur plot keqkuptime të mëdha. E di që edhe fjala angazhim, krijon keqkuptime edhe kur dëshëron të çlirosh veten. Po sa herë kemi dëgjuar atë shprehjen e hidhur të vrasjeve të buzëqeshjes. Dhe e vranë Marigonën.

Ma vranë poezinë time. Mos qeshni. Mos thoni punë e madhe. Se kështu  mund të thoni edhe për të.

Ma vranë Marije Krajën, ma vranë Shote Galicën prapë.

Ma vranë madje edhe figurën e Marigosë, të filmit të Dhimitër Anagnostit a Andon Zako Çajupit, atë figurë që  e duam për  hir të guximit dhe lirisë së  saj.

Dhe ndoshta do të duan të vrasin ndonjë ditë edhe filmin shqiptar.

E di që kjo nuk do të ndodhë. Se në botën shqiptare kjo është e pamundur.

Po Marigona e Ferizajt, nuk do të kthehet më.

Dhe në rast se mes dallgëvev verore dhe gjelbërimit veror dhe prenotimeve gazmore që meriton çdo zemër, këto fjalë nuk mund të jenë për sot, do të jenë edhe më të hidhura për nesër.

Më fal  Marigonë, që  nuk dija të ta mbroja jetën!

Please follow and like us: