Helena Kadare: Dy fjalë për Izraelin…
Kur më propozuan të marrë pjesë në një event që kishte të bënte me Izraelin thashë menjëherë po, pa asnjë hezitim. Sa herë që zihet në gojë emri i këtij vendi të jashtëzakonshëm, jam e prirur të dëgjoj gjithçka që thuhet për të. Për këtë vend të mrekullueshëm, plot me histori, traditë dhe kulturë.
Lexova se takimi në Tiranë po bëhej në kuadër të 30 vjetorit të lidhjeve diplomatike të Izraelit me Shqipërinë. E mbaj mend si sot kur aty nga fundi i viteve 80″, kur Shqipëria komuniste nuk kishte asnjë marrëdhënie me Izraelin, madje refuzonte sistematikisht çdo pjesëmarrje olimpike sportive, kur në to merrte pjesë edhe Izraeli. Atë ditë pra, në apartamentin tonë në Tiranë, ra zilja e telefonit. Ishte një gazetar izraelit. Pasi im shoq foli me të për shumë tema të ditës, në fund të bisedës bëri pyetjen delikate: “Cili është mendimi juaj për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona”?
“Sigurisht”, ishte përgjigja e tim shoqi, “patjetër që jam për vendosjen e këtyre marrëdhënieve. Madje ato duhej të qenë bërë”.
Ra një heshtje e shkurtër nga ana tjetër. Pastaj gazetari izraelit pyeti sërisht: “Më lejoni ta them këtë pohimin tuaj në shtypin tonë”?
“Po, mundeni”.
Ishte viti 1989. Ca shenja të vogla hapjeje ishin dhënë megjithatë në Shqipëri. Dhe ja tani ku jemi këtu 30 vjet më pas, në një festival të bukur të një iniciative unike, në skenën kulturore shqiptare dhe ballkanike.
—
Gjatë viteve që pasuan kemi qenë dy herë në këtë vend të mahnitshëm. Një herë të ftuar nga presidenti Shimon Peres dhe, herën tjetër, për të marrë çmimin prestigjioz “Jeruzalem” të këtij vendi. Kujtimet që morëm me vete të dy herët ishin të shumta dhe të pashlyeshme. Do të veçoj në to takimin me Presidentin Peres, biseda me të cilin ishte nga më mbresëlënëset. Në çdo fjalë të tij ndihej pesha e një lideri të madh botëror, që kishte frymëzuar jo vetëm përpjekjet për paqen në Lindjen e Mesme, por edhe për paqen në botë. Ai i qe mirënjohës vendit tonë që kishte votuar për krijimin e shtetit të Izraelit dhe për krijimin e marrëdhënieve zyrtare të dy shteteve tona. Ai na ftoi në një seancë të Knesetit (Parlamentit) të tyre, ku gjëja që më ka bërë më së shumti përshtypje ishte fakti që për shumë gjëra ata – pozitë e opozitë – përlesheshin rëndshëm në debate, por kur vinte puna në çështjet që kishin të bënin me interesat e kombit të tyre, bëheshin përherë bashkë.
Pa dyshim, përpos vendeve me kulturë të lashtë, një mbresë të veçantë na la vizita në muzeun ‘Jad Vashem’. Si çdo shqiptar që viziton atë muze u ndjeva mirë që gjeta atje mirënjohjen e këtij vendi ndaj popullit tim, që i kishte pritur dhe strehuar gjatë luftës hebrenjtë.
Një ngjarje e veçantë qe për ne dhe takimi me shkrimtarët e shquar të këtij vendi, si Amos Oz, apo vizita në shtëpinë e shkrimtarit tjetër të shquar David Grossman. Tronditës ishte fakti që libri i tij që sapo kishim lexuar dhe marrë me vete, “Gruaja që donte t’i shpëtonte lajmit”, ishte pikërisht histori e famijes së tij, kur e shoqja deshi ta shmangte lajmin e keq të vrasjes së të birit, por lajmi e kapi pikërisht në mbarim të luftës.
Asnjëherë nuk ndaloj së mahnituri me forcën vitale dhe mençurinë e këtij populli. Ndaj festivali shqiptaro-izraelit që po zhvillohet këto ditë në Tiranë është një inisiativë unike në skenën kulturore shqiptare dhe ballkanike njëkohësisht. Duke sjellë së bashku kulturën dhe traditën nga Izraeli dhe Shqiperia ky festival do të kontribuojë në dialogun ndërkulturor dhe do krijojë mundësinë për të ushqyer tolerancë dhe diversitet.
(Përshëndetje e Helena Kadaresë në natën e pestë të festivalit kulturor Izrael-Shqipëri, 20 shtator 2021)