Miho Gjini: PAPA LEKA I LUKOVËS
Tek po ecja i vetmuar drejt kishës së Piqerasit, i ftuar nga Sokrat Koçiu, për një rivarrosje, ndjeva se dikush më thirri. Qe një prift. Ashtu i mërzitur sikundër isha, nga koha e keqe, po edhe nga zbrazëtira që e kishte pushtuar fshanë, do të njihja priftin që na kishte mbetuar, për të na përcjellur në “botën tjetër”, pas mbetjes pa prift e pa kishë në Piqeras e në jo pak fshatra në Bregun e Detit. Se që nga ikja e Priftit të Xhane, për në “atë botë”, pasi i prishi selitë e shenjta, rinia e irrituar nga fjalët e diktatorit të dikurshëm e u vodhën ikonat, të paprekura, që nga largimi i atyre 19 familjeve që ikën në vitin 1743 e themeluan në Itali fshatin ‘Villa Badesa’, nuk dukej asnjë nga “të dërguarit e perëndisë” dhe po bëhej reale, ajo më e tmerrshmja gjë: “drejt e në gropën e fundit”! Dhe do më vinte mirë, që e pata begenisjen nga një prift, këtë herë përsëgjalli, i cili më ftoi të ulesha në tryezën e klubit përbri kishës e më ofronte një kafe e një gotë raki, si e doja unë atë mëngjes rivarrimi. Kur nuk ishim më shumë se katër vetë që kishim mbetur në ato çaste dhimbjesh në fshat: unë, kryeplaku Nino, doktor Aristidhi, vetë Sokrati, po edhe Pano Memi që e kishin sjellë nga Gjermania, për të kaluar pleqërinë në fshatin e tij. Po aty do të hynte Mondi i Koçie, me eshtrat e prindërve në një kuti, që ishin varrosur dikur në tokën greke, ku edhe ndërruan jetë si mërgimtar, po edhe shoqëruesi i tij i afërt Florian Qesari. Në këmbë do të qëndronte Petraq Xhani, bashkëfshatari ynë që kujdesej për kishën, që realisht nuk qe kishë, po një lidhje muresh me dy pallatet e atëhershme që u ngritën në kohën e taracave e të vullnetarizmit masiv, për t’iu ngjitur “maleve”, sipas porosive që kishte dhënë Çu En Lai kur kaloi nga ky fshat dhe që, menjëherë Enveri e vuri në jetë! Njëherësh edhe me prishjen e kishës së fshatit, që kishin ngritur të parët tanë dhe që e shpunë drejt varrezave edhe priftin e dikurshëm, Totin e Xhane, sikundër e quanim At Vasil Xhanin.
Mirëpo, ajo që do të ndodhte në atë të ashtuquajtur kishë, do të shënonte edhe përmbysjen përfundimtare të mendimeve të mia, si ateist që isha, për këtë rit të harruar, që nuk na i rrokte mëndja më përpara! Se do të vdisnim diku, në një dhe të huaj, do të varroseshim atje, bile edhe me emrra të tjerë mbi shpinë ngandonjëherë dhe pas do vitesh, do na i sillnin këtu eshtrat, në një kuti të praruar! Në një të ashtuquajrur kishë si kjo, si edhe me trisainë që do bëhej nga një njeri, që nuk qënkish realisht “i dërguari i Perëndisë”, siç e dija unë, kur isha i vogël! Doemos, para se të prisheshin kishat e të qetheshin priftërinjtë e hoxhallarët, si delet dhe pasaj të përfundonin burgjeve, bashke me mua, ateistin e dikurshëm, për t’u binduar se nuk jemi asgjë në këtë “bote të rreme”, veçse “mysafirë”, që na është ruajtur vetëm dy metra vend në Varrezat e Shtodhërit dhe që s’do të kishim të bënim më as me ligjin famëkeq 7501, i cili nuk parashihte asnjë klauzolë për ne të larguarit e dikurshëm të fshatit, për të bërë këtu një shtëpi e një copë kosht, si banorë autoktonë. Me rriskun që, gjithë sa ishim për këtu, të na sillnin nga udha nënvete, e sapo ndërtuar, ku me interesimin e njerëzisë së gjallë dhe këmbënguljen e kryeplakut Nino, që iu shtofte ymri e jeta bashkë,-qe ndërtuar tashmë edhe sheshi i parkingut, ngaqë rrezikoheshin të rrëshqisnin arkivolet e të binin nga hyrja e sipërme, nëpër shkallaren e pafundme të betonit, me gjithë ç’kishin brenda. Si edhe pët të dalur prej andej, përball manastirit 450-vjeçar e ecur me këmbë gjer te “ulliri i kryqit”…
E, ja që,-papa Leka,- dikur një djalë fshati i urtë, që e zgjodhën pleqtë e Lukovës, për të vajtur të mësonte teologji, në një kurs a shkollë priftërinjësh, pas përmbysjes së mëparshme do të vishte rason e priftit, do të rriste mjekrën e do të tundte temjanicën, me e pa ungjillin në dorë, për të bërë kështu përcjelljen e fundme, sikundër qe edhe adeti i pashkruar e i shkruar në librat e shenjta. Dhe që do më habiste që, tek e dëgjoja apologjinë e tij në shqip, fjalët e Zotit m’u dukën aq të thjeshta e të vërteta, bile me një të folur letrare të përsosur, sikur të ishtë një aktor i vërtetë i akadmisë time, sa do të më linin, jo vetëm pa gojë, po edhe të përlotur! Nuk ishte më një prift fillestar e me një zë të hollë fare, prej tenori të ri, i ndrojtur e krejt i pasigurt, që i kontrollonte ato që thoshte, po edhe i hidhte “sytë e mëndjes” nga të pranishmit, nëse e dëgjonin apo jo të tjerët, pa ngurruar edhe batutën reaguese nëse do qe nevoja kundër të pafeve dhe pastaj të shihte i pikëlluar nga i vdekuri. Aq sa poeti Koço Mërtiri nga Lukova, do të më thoshte se “në vdeksha unë, nuk dua të më këndoj mbi krye ky njeri me raso prifti, që nuk ka zë të mirë, prej basi të rëndë, e që akoma nuk është një prift tamam, si ata të Greqisë, që mund të gjendeshin edhe në Gjirokastër e Delvinë, për të mos vajtur deri në Mitropolinë e Korçës, ku qe veshur prift një nga aktorët e Estradës së atjeshme, që ishte i pari i punëve edhe si këgëtar i mrekullueshëm”! Por, kur do të kryhej edhe ky proçesion, përsëmbari, i ulur enkas përbri tij, në drekën e shtruar në nderin e bashkëshortëve Gogo e Antigoni Koçiu, nga i biri e të afërmit, do të më thoshte nënë zë se, “unë e përcolla, edhe atë poetin tënd që nuk më donte… Po unë e doja edhe atë, i lexoja edhe poezitë që shkruante, e qerasja edhe me ndonjë gotë raqi,- ngaqë e pëlqente aq shumë të shkretën,- sa i morri edhe jetën.. .Eh!… Sepse unë i dua e i respektojë të gjallët me shpirt, po më dhimbsen po aq, kur ikin nga kjo botë e rreme, para kohe, nga të dashurit, për të vajtur në atë të vërtetën, sikundër do të iki edhe vetë një ditë”!
Asqë e mendoja kurrë se, do të shkruaja edhe këto dy rradhë për priftërinjtë. Kisha marrë pjesë, ne ditën e Pashkëve të 15 gushtit, pranë bshkëfshatarëve të mi të një gjaku, në Villa Badesa në Itali, përbri Dhespotit të Kalabrisë, Donato Oliverio, nje burrë, krye-prift i pashëm, i gjatë e me një zë të bukur, në gjuhën shqipe, paksa të çalë të arbëreshëve, kur ikonën e Shën Marisë së Kremesovës, -origjinalen e Manastirit të Piqerasit, që e morën me vete, për t’u rrëfyer udhën e gjatë, mergimtarëve tanë, deri atje larë, UDHËN E ZOTIT,-ndërsa tani, në Piqerras, do të dëgjoja edhe Papa Lekën, -sikundër e quajnë edhe tani në Lukovën e tij. Po ky klerik ështe mirë të quhet e të nderohet me më shumë respekt, sikundër e ka edhe emrin real: Aleksandër, ashtu si e ka të shkruar, si njeri i thjeshtë për ne të gjallët e krishterë, po edhe kur lypset shërbesa fetare për të vdekurit, siç do ta kemi rradhën që të gjithë!
Shkruar në Piqeras, në javën e dytë të tetorit 2021.
Please follow and like us: