Geron Kamberi: BUKINISTËT APO PASIONI PËR LIBRAT?
Çdokush ka patur rastin të shikojë buzë rrugëve, trotuarëve apo shesheve të vogla të Tiranës, librashitës që kanë vendsosur diku libra të ndryshëm ku përmes titujve që lëvizin para syve të tyre ftojnë këmbësorët që të blejnë botime të autorëve të ndryshëm vendas apo të huaj. Ata njihen me emrin bukinistë dhe puna që ata e bëjnë në çdo stinë të vitit dhe përveç librarive moderne ato janë një mundësi tjetër për t’u takuar me kopje librash të vjetër që vijnë nga biblioteka të ndryshme individuale, një pjesë prej të cilëve janë shumë të veçantë e të rrallë. Parisi dhe stendat jeshile në formë kutie prej druri në të dy anët e lumit Sena janë simbol i bukinistëve në të gjithë botën. Ndërkohë novela e Stefan Cvajgut “Bukinisti Mendel” (1929) kush ka patur rastin ta lexojë është një përshkrimi vecantë i jetës së një bukinisti me gëzimet e dhimbjet e tij…
CILA ËSHTË ORIGJINA E EMRIT “ BUKINIST””
Termi bukinist “bouquiniste- bookinist” u përmend për herë të parë në Fjalorin e Akademisë Franceze (Académie Française) të vitit 1789. Origjina e këtij termi besohet se rrjedh nga fjala hollandeze “boeckin” që do të thotë “libër i vogël” ose fjala gjermane “Buch”-libër. Ndërsa fjala “bouquin” në frëngjisht është sinonim i fjalës franceze “livre”- libër.
TRADITA E FAMSHME E BUKINISTËVE FRANCEZË BUZË SENËS
Tradita e librashitësve që shisnin libra të dorës së dytë në Paris filloi rreth shekullit të 16-të nëpërmjet shitësve të vegjël të tregut. Nën presionin e shitësve të autorizuar të librave, një vendim që doli në vitin 1649 ndaloi tezgat dhe ekspozimin e librave në Urën e Re (Pont Neuf). Autoritetet e asaj kohe ishin mjaft të shqetësuara për të kufizuar tregjet paralele të shitjes së librave që nuk i nënshtroheshin censurës zyrtare. Librashitësit lëvizës u dëbuan gjatë kësaj periudhe nga zonat ku ata shisnin, por më pas përmes miratimit të ligjeve të reja atyre iu njoh e drejta të rivendoseshin sërish në këto vende. Që nga ajo periudhë emblema tradicionale e bukinistëve është “një hardhucë që shikon një shpatë” çka lidhet me simbolikën se atyre iu duhej të fshiheshin nga ndëshkimi për shkak se shisnin libra që nuk ishin nën kontrollin e censurës zyrtare. Në vitin 1859, legjislacioni që lejonte aktivitetin e bukinistëve u vu në zbatim nga qyteti i Parisit dhe ata u lejuan të vendosen në pika fikse, kryesisht përgjatë dy brigjeve të Senës. Secili prej tyre kishte të drejtë të zinte një hapësirë prej 10 metra përgjatë kangjellave të urave të lumit të Senës ku paguanin një tarifë vjetore prej 26 frangash ndërsa për licensën si bukinist paguanin 25 franga. Bukinistët i hapnin stendat e tyre në formë kutie prej druri që nga lindja e diellit dhe mbyllin me celës në perëndim të tij për ti hapur sërish të nesërmen në mëngjes. Ato janë një objekt i veçantë e tërheqës për të gjithë ata që vizitojnë Parisin. Më në fund, në vitin 1930 nga ana e Bashkisë së Parisit u miratuan rregulluan për përmasat që duhet të kenë “kutitë” apo stendat e gjelbra karakteristike që përdorin bukinistët e Parisit për të ekspozuar botimet që ata tregtojnë. Aktualisht nga 240 bukinistë që e ushtrojnë këtë profesion në të dy krahët e janë rreth 80 bukinistë që janë të vendosur me stendat e tyte në bregun e djathtë të lumit të Senës dhe rreth 160 prej tyre në të majtë të saj të cilët qarkojnë plotësisht ishujt Île de la Cité dhe Île Saint-Louis, nga Quai de l’Hôtel de Ville në Quai du Louvre dhe nga Quai Voltaire në Quai de la Tournelle
BUKINISTËT E SENËS SI PASURI BOTËRORE E UNESCO-s
Bukinistët e Parisit, Francë, janë librashitës që shesin libra të përdorur dhe ato që konsiderohen si antikuarë( libra kryesisht që nga shek XVI që kanë vlerë të vecantë nga periudha e botimit, lidhjes, ilustrimit), të cilët e zhvillojnë tregtinë e tyre përgjatë 3 km në secilën prej dy pjesëve të mëdha të brigjeve të Senës: në bregun e djathtë nga Ura Marie (Pont Marie) deri në Quai du Louvre dhe në bregun e majtë nga Quai de la Tournelle deri në Quai Voltaire. Në këtë mënyrë Sena shpesh përshkruhet si ‘lumi i vetëm në botë që kalon midis dy rafteve librash”. Të vendosur përgjatë më shumë se tre kilometrave të lumit të Seinës, tradita dhe aktiviteti I bukinistëve francezë u shpall në vitin 1992 si një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Vendi përfaqëson 240 bukinistë. të cilët përdorin përdorin 900 “stenda të gjelbra” për të ekspozuar për shitje rreth 300,000 libra të vjetër dhe një numër shumë të madh revistash, pullash dhe kartolinash. Modeli i bukinistëve parizienë ka frymëzuar modele të ngjashme në qytete të tjera si Otava, Pekin dhe Tokio.
RREGULLORJA E BUKINISTËVE TË PARISIT
Më 23 Tetor 1993 nga ana e ish kryetarit të bashkisë së Parisit, Zhak Shirak u nënshkrua miratimi i Rregullores së Bukinistëve (Regulation des Bouquinistes). Në Nenin 9 të Rregullores së Bukinistëve (Regulation des Bouquinistes) përcaktohen karakteristikat sesi duhet të jenë “kutittë” apo stendat e përdorura nga ata për të ekspozuar librat: “Kutitë/stendat e përdorura nga bukinistët do të jenë të atij lloji që është miratuar nga administrata lokale ku forma e saj e jashtme nga dimensionet e mëposhtme a)Gjatësia: 2 metra b)Gjerësia: 0.75 metra c) Lartësia: Ana e Senës: 0.6 metra Ana e bregut: 0.35 metra(Këto dimensione janë për kutitë e mbyllura, ku përfshihet edhe kapaku i tyre). Gjatë përdorimit, skaji i sipërm i hapur i kutisë s nuk duhet të arrijë një lartë më të madhe se mbi 2.1 metra“
NOVELA E FAMSHME E CVAJGUT PËR BUKINISTIN MENDEL
Në vitin 1929 shkrimtari i famshëm austriak Stefan Cvajg (28.11.1881- 22.02.1942) botoi novelën “Bukinisti Mendel” (Buchmendel). Novela tregon historinë tragjike të një bukinist, i cili i kalon ditët duke tregtuar librat e tij në një nga kafenetë e shumta të Vjenës. Me mendjen e tij enciklopedike dhe përkushtimin ndaj letërsisë, emigranti ruso-hebre Jakob Mendel i lindur në Poloni jo vetëm që tolerohet, por pëlqehet dhe admirohet si nga Gluck, pronari i kafenesë ashtu edhe nga klientët e kulturuar vjenezë me të cilët ai bashkëbisedonte për librat në periudhën e paraluftës. Megjithatë në vitin 1915, kur kisht vetëm 1 vit që kishte filluar Lufta e I-rë Botërore (28.07.1914-11.11.1918) ai akuzohet pa të drejtë për bashkëpunim me armiqtë e Austrisë dhe dërgohet në një kamp përqendrimi. Me kthimin e tij, në fund të luftës, sheh me trishtim se gjithçka ka ndryshuar. Kujtesa e tij ka humbur, ndërsa kafenenë e ka marrë një pronar i ri kurse klientela e tij që e dëgjonte me ëndje është zhdukur. Në fund Jacob Mendel vdes, i varfër i braktisuar dhe i lënë mënjanë. Ajo që fillimisht lexohet si një nga shumë dramat e shumta njerëzore që Cvajgu i bëri pjesë të talentit të tij, kjo novelë ka kuptim më të thellë sepse është një metaforë e ndikimit të Luftës së Parë Botërore në jetën dhe kulturën vjeneze. Nëpërmjet kësaj novele Cvajgu ri-imagjinonte Vjenën e paraluftës dhe sesi lufta e ndryshoi atë duke përfshirë fatin e bukinistëve si Mendel ku tragjedia e një vendi u shndërrua në tragjedinë e tij individuale me dëshmitarë librat e tij.
Please follow and like us: