Albspirit

Media/News/Publishing

Lulzim Tafa flet për letërsinë, jetën, afarizmin

Intervistë me poetin Lulzim Tafa

Ndonëse ka shkelur në të pesëdhjetat, dita e tij e punës mund të zgjasë 18-19 orë. Gjatë kësaj kohe, përpos punës në univer­sitetin që udhëheq, merret edhe me letërsi. I quan kohët më të bukura, orët e shkrimit, orët e leximit, sidomos të poezisë; orët e komunikimit elektronik me poetë në të gjitha anët e botës.

 Lulzim Tafa është një nga poetët më të përkthyer të poezisë shqipe në botë. Autor i disa librave me poezi, shumica prej tyre të përkthyera e të botuara në gjuhët më të mëdha të botës. Është doktor i shkencave juridike, profesor universiteti. Tafa është edhe afarist.

Në dy vjetët e fundit ka hequr 25 kilogramë nga trupi, ndaj dukja i atribuohet edhe energjisë së brendshme para së cilës reflekton një qetësi e lakmueshme. Nuk e përcjell modën, por duket se e krijon vetë atë dhe duket mirë dhe këndshëm. Pamja e tij herë me kollaren e pedagogut universitar, më shpesh tip sportiv, Tafën e bën njeriun që di, përveç të tjerash, ta menaxhojë mirë e mbarë atë që i nevojitet më së shumti: kohën.

Në të parë nuk të ngjan në një njeri prej të cilit priten shumë punë në kolegjin më të madh në Kosovë – AAB, pastaj ATV, e disa biznese të cilat plot intensitet pret t’i drejtojë dora e tij.

 Para të gjitha këtyre, Tafa është poet. Bisedat më të këndshme me të zhvillohen për poezinë, asaj nazikes së tij të përher­shme, nga pak të prekshme e më shumë të guximshme Ai mbetet djaloshi i përhershëm prej të cilit nuk perëndon buzëqeshja apo, siç thoshte Ali Podrimja për të: Një Zot e di se çdo të ndodhë me atë buzëqeshje që nuk pranë duke na kërkuar sepse vazhdimisht ne po e humbim dheun nën këmbë.

Është hera e parë që Luli në një intervistë u përgjigjet të gjitha pyetjeve që i bëhen, pa ekuivokë, pa politikë, pa dilema.

Lul, si e kanë pritur prindërit prirjen tuaj për poezi?

Lulzim Tafa: Eh, mirë që ia fillove nga fëmijëria. Kanë kaluar shumë kohë nga atëherë. Prindërve u ka pëlqyer sepse interesimi që një nxënës i shkollës fillore kishte për letërsinë dhe veçanë­risht për poezinë, ishte lajm i mirë se bëhej fjalë për një fëmijë të inte­resuar për mësim. Fillimisht kisha prirje për t’i mësuar përmen­dsh poezitë dhe pastaj ato i recitoja. Si fëmijë kam marrë pjesë shumë herë në gara të recituesve. Paraqitjen e parë televizive si recitues e kam pasur si nxënës i klasës së pestë në vitin 1984, atëkohë në Televizionin e Prishtinës. Edhe diçka tjetër më kujtohet nga ajo kohë, dijet që një fëmijë ka për letërsinë në përgjithësi dhe sidomos për poezinë e bënin një fëmijë pak më superior nga fëmijët e tjerë. Natyrisht kjo prindërit i lumturonte.

 Kur e botuat librin e parë, cili ishte reagimi i tyre?

Lulzim Tafa: E thashë se poezi kam filluar të shkruaj sa isha nxënës në shkollën fillore dhe i kam botuar në revistat dhe në muret e shkollës, kurse poezinë e parë për të rritur e kam shkruar në përfundim të shkollës fillore. Gjatë gjithë shkollimit të mesëm kam shkruar poezi dhe ato i kam grumbulluar. Pas përfun­dimit të shkollës së mesme e kam paraqitur për botim librin tim të parë me poezi, atëbotë në klubin letrar të qytetit, por kur e lexuan ata më propozuan që këto poezi të botohen në Rilindje dhe unë e përfilla rekomandimin e tyre. E dorëzova për botim librin në Rilindje. Asokohe, Rilindja ka qenë botuesi kryesor në Kosovë dhe pothuajse i vetmi. Kështu, Rilindja e botoi librin dhe krejt kjo dukej si një ëndërr jo vetëm për prindërit e mi, por edhe për mua.

Si ka qenë tema e diskutimit kur në shtëpi tashmë ishte poeti, qindra libra me emrin tuaj dhe kur për ju shkruhej në gazeta e revista?

Lulzim Tafa: Ka pasur diskutime të ndryshme për mënyrën e shkrimit, për motivet, për ndonjë personazh a ndonjë motiv të veçantë etj. Shpesh anëtarët e familjes merrnin në duar librin, e lexonin dhe e rilexonin. Më kujtohet se shkrimi i parë në formë recensioni të shkurtër apo si lajmërim për botime të reja në gazetë ishte në një rubrikë që quhej Vitrina e librit. Pastaj filluan shkrimet dhe recensionet e tjera. S’e di, edhe pse ishte kohë e rëndë, ndonjë­herë kur i kujtoj disa çaste të bukura, disi e kam një lloj nostal­gjie për atë kohë sepse libri lexohej me pasion e poetët admi­roheshin shumë. Dikush thoshte se libri është shumë i mirë, dikush s’është i mirë e dikush thoshte mesatar. E rëndësishme ishte se atëherë merreshin me ne, ndryshe nga sot që ka fare pak diskutim për libra.

Lul, pse shkruani?

Lulzim Tafa: Afërsisht është si pyetja pse merr frymë, apo edhe pse lexoj, thjesht, për të jetuar.

A kishit asokohe model shkrimi, model poeti?

Lulzim Tafa: Po, kur isha fëmijë, normalisht, lexoja kryesisht letërsi për fëmijë dhe, në fillim, shkrimtarët për fëmijë ishin modeli im. Tash, pas tërë këtyre viteve me letërsinë, e kam parë se sa të rëndësishëm janë shkrimtarët për fëmijë dhe ndikimin që kanë së pari në nxitjen e dëshirës së fëmijëve për të lexuar letërsi e më vonë edhe roli që kanë këta shkrimtarë për formësimin e mëtutjeshëm të lexueseve. Mos të harrojmë se shkrimtarët për fëmijë e kultivuan dashurinë tonë për lexim. Me këta shkrim­tarë ne ia zumë fillin leximit. I lexuam së pari ata, pastaj i lexuam të tjerët, shkrimtarët tanë dhe të huaj. Jam i sigurt se po të mos kisha lexuar së pari letërsi për fëmijë, nuk do të kisha arritur t’i lexoj as Lorken, Preverin, apo Bukovskin, Neruden, Esenenin apo Pushkinin. Unë e kam të qartë ndiki­min e madh që kanë shkrimtarët për fëmijë në formësimin intelektual të njeriut. Thjesht, janë baza. Unë për vete u jam mirënjohës shkrim­tarëve për fëmijë.

Si ju ndërroi shija pastaj?

Lulzim Tafa: Po, pastaj fillova të lexoja poezinë për të rritur, në fillim poetët bashkëkohorë shqiptarë e të rajonit. Meqenëse vendet e ish-Jugosllavisë ishin një shtet, ne mësonim edhe letërsitë e tyre. Pastaj, në shkollë, si gjuhë joamtare, siç e quanin në atë kohë, e kishim serbokroatishten, kurse gjuhë të huaj rusishten. Unë përfitoja të lexoja edhe në këtë gjuhë. Dikur, nga fundi i shkollës së mesme, fillova të lexoj edhe veprat e shkrimtarëve kryesorë të letërsisë botërore.

Redaktori i librit tuaj me poezi në gjuhën ruse, poeti Vladimir Aleksandroviq, parathënien e librit e nis me një thënie të Çehovit: “Shkruaj sa më shpejt që të jetë e mundur”. A duhet të shkruhet shpejt poezia?

Lulzim Tafa: Po, Çehovi ka të drejtë, por edhe Aleksandroviqi ka të drejtë që këtë e përdor në rastin tim. Unë po nuk e shkrova shpejt, nuk e shkruaj më kurrë. Kam bindjen se pastaj edhe muza trembet. Poezia shkruhet shpejt, sa më shpejt që është e mundur, saktë.

Të qenët shpirt i lirë, a është fuqizim edhe te ju?

Lulzim Tafa: Po, sepse shpirti i lirë të bën të ndërtosh ëndrrën, nëse e ke ndërtuar ëndrrën, atë ëndërr ti e konfiguron në mendjen tënde si një fabul, pastaj atë fabul nuk e ke vështirë ta konvertosh në art, poezi, pikturë, këngë etj. Pastaj, mos harro se një shpirt i lirë është spontan, ashtu siç është spontane edhe poezia.

A është ankthioz frymëzimi?

Lulzim Tafa: Frymëzimi herë pas here di të jetë edhe ankthioz, por meqenëse pikësëpari është frymëzim, atëherë te poeti domosdoshmërisht ky lloj frymëzimi do të jetë i bukur.

Jeni edhe jurist dhe profesor universitar, por edhe menaxher. Meqë jeni edhe udhëheqës i një institucioni të madh arsimor, pse kaq shumë i lidhur me poezinë? Ndiheni më shumë jurist, profesor apo poet?

Lulzim Tafa: Poet. Nuk i kuptoj njerëzit e shumtë që më bëjnë këtë pyetje, ashtu siç duket se nuk më kuptojnë as ata mua. Ne poetët dhe në përgjithësi shkrimtarët e letërsive të vogla, të letërsive të kombeve të vogla, u nënshtrohemi tregjeve të ngushta të librit, me tirazhe të vogla e me pak lexues. Në kuptimin ekzistencial njeriu nuk mund të jetojë nga libri. Unë nuk njoh ndonjë poet nga Ballkani që jeton ose së paku jeton mirë në kuptimin material nga letërsia, nga poezia hiç se hiç. Po të kisha mundësi të jetoja nga libri dhe poezia, kurrë nuk do të punoja asgjë tjetër, as profesor e as menaxher e as një punë tjetër. Prandaj, poezia është hyjnore, nuk ndërrohet e as nuk krahasohet me profesione e gjëra teknike.

Si qëndron te ju raporti me librin? Meqenëse keni angazhime në menaxhimin e mësimdhënies, e di që keni kohë edhe për lexim, sidomos të poezisë. Po poezinë, e përcillni?

Lulzim Tafa: Veten e kam shpallur lexues të specializuar të poezisë. Shumi­cën dërrmuese të librave që i lexoj janë me poezi. Librin me poezi unë e rilexoj jo vetëm pse e meriton (një libër që nuk meriton të lexohet dy herë nuk e meriton të lexohet asnjë­herë), por se lidhem shumë sidomos me poezitë që i piketoj si të mira. I lexoj, pastaj i rilexoj, i rilexoj aq shumë herë sa që i mësoj përmendsh, mandej edhe pasi t’i mësoj përmendsh, përsëri i lexoj. Kjo më habit edhe mua. Përpiqem që të lexoj çdo poezi që botohet, jo vetëm në libra, por edhe në internet; libra elek­tronik dhe në profile e faqe të ndryshme, jo vetëm të poetëve të dëshmuar, por edhe atyre të panjohur e atyre të rinj. Poezi lexoj në të gjitha gjuhët që i kuptoj. Poezinë kam dëshirë së pari ta lexoj pastaj ta shoh emrin e autorit. Pra, emri i autorit është i fundit që dua ta shoh. Thjesht, nuk paragjykoj. Nuk kam kufi­zime kurrë, nuk them se nuk e lexoj atë ose atë. I lexoj të gjithë ata që shkruajnë, natyrisht ata që i gjej.

Sa është i bëshëm vargu i librave që presin leximin nga ju? Dhe, a lexoni shpejt?

Lulzim Tafa: Të kuptohemi, libra me poezi që presin t’i lexoj nuk kam. Librit me poezi, siç thotë populli, “nuk ia fali dakikin”. Librat me poezi nuk presin në radhë. Ata i fus në lexim pa rend, por libra të tjera, të zhanreve të tjera letrare, të publicistikës apo shkencorë, ka shumë që presin.

Cilat libra, ose cilët autorë i shmangni jo vetëm nga leximi, por edhe nga biblioteka?

Lulzim Tafa: Për poezi, u kuptuam besoj, lexoj pa asnjë kriter. Te poezia nuk kam kritere, e lexoj pa kushte, kurse librat e tjerë po, aty ndoshta jam pak i padrejtë, lexoj dhe mbaj në rafte vetëm autorë të dëshmuar, qoftë të prozës, dramës apo të publici­stikës, apo edhe shkencorë. Jashtë poezisë kriteret për të mbajtur librin në bibliotekën personale i kam shumë të larta dhe shumë rigoroze, edhe pse edhe mua më duket që jam pak më i ashpër sesa që duhet dhe sesa që lejohet.

Unë mendoj se leximi është një akt krijimi. Në ç’masë libri mund t’i lërë lexuesit mundësi krijimi?

Lulzim Tafa: Veprat e mira në një mënyrë janë bashkëpunime në mes të krijuesit dhe lexuesit. Nuk ka kuptim asnjë vepër e mirë nëse nuk ka komunikim me lexuesin. Pra është e kotë të shkruash mirë nëse ajo vepër nuk gjen komunikim me lexuesit në vazhdimësi.

Çfarë i mungon sot poezisë shqipe?

Lulzim Tafa: Lexuesit e shumtë janë ata që i mungojnë. Duhet të ketë më shumë lexues. Të gjithë njerëzit duhet të lexojnë poezi, pa marrë parasysh moshën, gjininë, të gjithë, sepse kështu e pasurojnë dhe e fisnikërojnë shpirtin. Po ashtu, i mungojnë edhe ekspe­ri­mentet në rrafshe të ndryshme. Nuk ka risi e cilësi pa ekspe­ri­mente të ndryshme, nuk them që s’ka fare eksperimente, por ato janë të pakta. Vërtet të pakta.

A po ndryshon letërsia, poezia?

Lulzim Tafa: Po, letërsia e sidomos poezia nëpër botë po evoluon. Si çdo gjë tjetër, ajo po hapet tërësisht; ka vdekur ajo poezia her­metike e mbyllur, kur lexuesi “torturohej”. Letërsia e mun­dimshme e socializmit po kapërcen, sikur edhe ajo lloj letërsie kur shkrim­tari dukej sikur është zgjuar në “jermi” dhe ka shkruar. E ka pasur vlerën e vet në kohë, por ajo letërsi ka shkuar, ka qenë me afat skadence. Lexuesit nuk duhet të per­sekutohen. Lexuesin duhet vetëm ta kënaqim me bukurinë e asaj që themi, jo veç për dashurinë dhe gëzimin, por edhe për vdekjen e trishtimin. Lexuesi duhet të kënaqet kur lexon poezi. Pra edhe kur lexojmë “gjera të këqija”, por të thëna e të shkruara bukur në poezi. Ka kaluar koha e shtresimeve të panevojshme në poezi. Mesazhi duhet të jepet sa më herët që mundet, kuptohet në kontekstin poetik. Sa më herët që këtë mesazh ia jep lexuesit, ai është më falënderues. Poezia e ofron këtë mundësi, po ashtu edhe piktura, skulptura, fotografia etj., derisa romani, drama e filmi janë më të komplikuara në kuptimin e mesazhit.

A po?

Lulzim Tafa: Po, estetikisht ashtu, të mos ndihet i torturuar dhe të ketë motiv të vazhdojë të lexojë, ndryshe ai ka të drejtë të mos mundohet. Unë në secilin rast jam me lexuesin. Ne shkru­ajmë për ta. Lexuesi ka të drejtë të lexojë dhe të mos lexojë. Ndodh që lexuesi e ndërpret leximin dhe kjo është e drejtë e njohur e tij./epoka e re

(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e 12 të revistës “Akademia”, të cilën mund ta gjeni në librarinë “Artini” dhe “Dukagjini” në Prishtinë. Të drejtat e botimit, shtëpia botuese “Armagedoni”. Nuk mund të publikohet në asnjë media tjetër pa pëlqimin e botuesit)

Rrëfen Lulzim Tafa për letërsinë, jetën, drejtësinë

Please follow and like us: