Albspirit

Media/News/Publishing

Lutfi ALIA: PROF. DR. SHAHIN KADARE, NJË JETË ME AKTIVTETE PROFESIONALE DHE SHKENCORE NË PATOLOGJINË ONKOLOGJIKE

Në agim të 17 nëntorit 2021, ndërroi jetë, u ngjit në amshim Prof. Dr. Shahin Kadare, një ndër eminencat e patologjisë shqiptare, personalitet publik, bashkëshorti dhe prindi shembullor, kolegu dhe miku i rrallë. U largua në heshtje ditën që po agonte, duke lënë në pikëllim dhe dhimbje të thellë bashkëshorten Liljana, djemtë Gentin e Jorin, vëllanë e madh Ismailin, motrën, të afërmit, kolegët, miqtë e shumtë dhe mbarë shoqërinë tonë. Një ndarje e dhimbëshme, që la pas boshllëk të madh. E rëndë pesha e dhimbjes. Kumti i kobshëm e mpiu familjen e pushtuar nga dhimbja dhe lotët e hidhërimit, na trishtoi shpirtin të gjithëve.
Prof. Shahini kishte pak vite që vuante nga një sëmundje e rëndë, por e mbajti të ndryme dhimbjen bezdisëse, i përcillte brenda qenies së tij mundimet që i shkaktonte, e fshihte sëmundjen që i lidhte jetën me vdekjen dhe këtë e bënte për të mos shqetësuar familjen, e kalonte të keqen me humorin e tij të admirushem dhe me batutat proverbiale, që përherë krijonin atmosferë gazmore në familje, me miqtë, me kolegët dhe me studentët.
Sa dhjetramijëra herë e kishte vënë atë diagnozë, sa herë i kishte zbuluar në mikroskop ato qeliza të egra tumorale, kur ende ishin në fazat fillestare, që i pasqyronte në diagnozat e tij të sakta profesionale dhe shkencore, duke shpëtuar me dhjetramijëra jetë të sëmurësh, por fatkeqësisht, për vehten u vonua.
Prof. Shahini për 55 vite iu dedikua me përkushtim patologjisë onkologjike, duke vrojtuar, analizuar dhe studiuar në mikroskop shëmbëlltyrat e indeve tumorale, përcaktonte diagnozën, i sugjerronte mjekëve rrugët e trajtimit, përcaktonte fatin e të sëmurëve. Mjekët klinicitë dhe kirurgët, pacientët dhe familjarët e tyre, prisnin me ankth diagnozën që jipte Prof. Shahin dhe sa shumë herë i ndihmoi të zgjidhnin problemet dhe sa shumë jetë shpëtoi me konkluzionet e tij. Profesioni i patologut onkolog është i vështirë dhe stresues, por ndihmesë e madhe për klinikën dhe për të sëmurët onkologjikë.
Prof. Dr. Shanin KADARE

Shahini u lind në Gjirokastër më 17 shkurt 1943, në familjen qytetare të Kadareve. Pas përfundimit të shkollës së mesme në qytetin e lindjes, në vitin 1960 filloi studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës, ku u diplomua mjek i përgjithshëm me rezultate të shkëlqyera.
Në vitet 1965 – 1967 kreu specializimin pasuniversitar në katedrën e anatomisë patologjike të Fakultetit të Mjekësisë, ku u atestua specialist anatomopatolog. Në fund të vitit 1967 – fillimin e vitit 1968 frekuentoi një kurs 9 mujor specializimi në patologjinë onkologjike në Bukuresht – Rumani.
Njohuritë profesionale dhe shkencore që mori gjatë specializimit në Rumani, i konkretizoi me hapjen dhe organizmin e të parit laborator të histopatologjisë onkologjike pranë spitalit onkologjik dhe në vazhdim në Institutin e Onkologjisë. Shahini, shumë shpejt e shndërroi këtë laborator në pikë referimit, epiqendra e diagnozës të tumoreve, pasi përcaktimi i histotipit të këtyre sëmundjeve, është me rëndësi vandimtare për të zgjedhur taktikën e trajtimit dhe për të përcaktuar prognozën e të smurëve. Kështu Shahini kontribuoi në rritjen e niveleve profesionale dhe shkencore në trajtimin klinik të sëmurëve, që vuanin nga këto sëmundje problematike. Kështu kontribuoi jo vetëm për spitalin onkologjik, por për mbarë vendin, duke u prezantuar në opinionin mjekësor, personalitet profesional dhe shkencor në fushën e onkologjisë.
Në vitin 1968 emërohet pedagog në katedrën e anatomisë patologjike të Fakultetit të Mjekësisë. Gjatë viteve me aktivitet pedagogjik, kontribuoi në integrimin në proçesin didaktik me studentët, të arritjeve shkencore bashkëkohore në fushën e onkologjisë. Formimin e tij profesional dhe shkencor e transmetoi me kompetenca me leksionet dhe seminaret me mjekët në kurset e specializimit pasuniversitar në anatomi patologjike, kirurgji, në sëmundjet e brendëshme dhe të specialiteteve të tjera mjekësore.
Aktivitetet didaktike dhe shkencor e pasuroi me botime monografishë dhe si bashkautor i tre teksteve bazë të Anatomisë Patologjike për studentët e mjekësisë dhe të stomatologjisë.
Prof Shahini ka realizuar shumë studime shkencore në fushën e onkologjisë, të botuara në revistat shkencore mjekësore kombetare dhe ndërkombëtare dhe shumë studime të prezantuara me kompetenca në kongrese, konferenca, workshop-e, simpoziume shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare.
Prof. Dr. Shahin Kadare ishte një ndër eminecat e patologjisë, ishte shkenctari në aktivitet të vazhdushëm.
Në vitin 1982 prezantoi disertacionin dedikuar studimit të limfogranulomatozës së Hodgkin (limfoma Hodgkin), një ndër studimet e rralla i shtrirë në përmasa kombëtare, i realizuar me një metodikë kërkimore shkencore bashkëkohore, i realizuar me nivel të lartë shkencor dhe me standartizimin e kritereve dhe të para-metrave morfologjike për diagnostikimin e kësa sëmundje, kritere që zbatohen dhe aktualisht. Me të drejtë, në perfundim iu akordua grada shkencore: Doktor i Shkencave Mjekësore, madje e vlen ta theksoi Prof Shahin Kadare është i pari doktor i shkencave në historinë e mjekësisë shqiptare.
Në vitin 1990 iu akordua titulli akademik Profesor i Associur dhe pak vite më pas iu akrodua titulli Profesor.
Bazuar në aftësitë profesionalo-shkencore, organizuese dhe menazhuese, Prof. Dr Shahini nga viti 1985 – 1991, u ngarkua me detyrën e zevendës drejtorit të Institutit të Onkologjisë.
Në vitin 1990, Prof Dr Shahin Kadare impenjohet aktivisht në proçeseve demokratike dhe është pjesmarrës në grupin e intelektualëve që themeluan Partinë Demokratike Shqiptare, duke kontribuar në organizimin dhe demokratizimin partisë së re, ku shquhet dhe si antikonformist.
Për personalitetin, nivelin kulturor dhe formimin politik, në vitet 1997 – 2001 u ngarkua me detyrën e Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Suedi, ku e përfaqësoi denjësisht shtetin tonë.
Pas përfundimit të funksioneve diplomatike, Prof Shahin rikthehet në profesionin e patologut onkolog.
Në vitin 2001 hapi të parin laborator privat të histopatologjisë onkologjike dhe për herë të parë aplikoi në vendin tonë ekzaminimet imunohistokimike. Këto teknika dhe metodika bashkëkohore janë me rendësi vendimtare në vlerësimin e receptorëve hormonalë në neoplazitë e gjenderrave të gjirit. Me keto risi, Prof Shahin dha një kontribut të madh në ndryshimin e kritereve të diagnozës dhe të trajtimit të këtyre sëmundjeve, duke hapur perespektiva të reja në ndërhyrjet kirurgjikale, në zgjatjen e mbijetesës dhe përmirësimin e cilësisë së jetes të grave të trajtuara me këto sëmundje të rënda.
Impenjimi me pasion profesional dhe shkencor në patologjinë onkologjike e prezantojnë Prof Dr Shahin Kadare, simbol i mjekut shkenctarë, personalitet i patologjisë onkologjike, i përkushtuar me përgjegjësi, në ndihmë për të zgjidhur problemet shëndetësore të sëmurëve që vuanin nga tumoret.
Ndarja nga jeta e Prof. Dr. Shahin Kadare, është humbje e madhe për familjen, të afërmit, kolegët, miqtë e shumtë, për mjekësinë dhe shoqërinë shqiptare.

Please follow and like us: