Dr. Romina Radonshiqi: Sfidat e gruas shqiptare në jetën social-ekonomike
Flitet për barazi dhe të drejta për gratë në Shqipëri, shpesh bëhen përcaktime se gratë të cilat janë te paarsimuara e kanë më të vështirë të kërkojnë të drejtat e tyre dhe është një konstatim i vërtetë, por edhe gratë e arsimuara përballen me sfida dhe pabarazi në shoqërinë tonë.
Gratë të cilat janë të punësuara përballen me pabarazi në pagë, ngacmime seksuale dhe stresi i shtuar në vendin e punës. Shumica e grave në Shqipëri kanë kufizime të lirisë financiare. Gratë përballen me sfida unike financiare për shkak të të ardhurave më të ulëta.
Pjesëmarrja e burrave në tregun e punës në Shqipëri është më e lartë se e grave dhe si pasojë dhe niveli i papunësisë është më i ulët tek burrat (Instat 2020). Megjithatë, nuk janë burrat të vetmit që kontribuojnë financiarisht në familje dhe gratë kanë kontributin tyre në dy forma: duke punuar ose duke mirëmenaxhuar financat e familjes.
Shoqëria shqiptare e percepton burrin si udhëheqës, të aftë për të krijuar dhe drejtuar një biznes dhe gratë me njohuri të kufizuara në mjedisin e biznesit. Numri i ulët i grave të suksesshme në biznes nuk vjen si pasojë e mungesës së ideve të biznesit apo paaftësisë për të udhëhequr, por nga:
- Mungesa e kohës sepse gruaja ka një mision fisnik, përkujdesjen e anëtareve të familjes.
- Mungesa e mbështetjes morale nga bashkëshorti
- Mungesa e parave për të investuar
- Ekzistenca e paragjykimeve
- Mungesa e politikave mbështetëse qeveritare
- Risku financiar (meshkujt janë ata që marrin më shumë risk, ndërsa femrat në përgjithësi nuk marrin shumë risk në vendimarrje financiare ato duan të operojnë në një mjedis të sigurtë).