Albspirit

Media/News/Publishing

Sakip Cami: Matura ’72

NË AKSIONET KOMBËTARE TË RINISË NË VITET ‘70

(Fragment nga romani në proces “Matura 72“

Jonufra 1 

Në fund të vitit të parë të gjimnazit na dërguan në aksionin e rinisë në Jonufër të Vlorës, te Jonufra 1, në Radhimë të Vlorës. Punonim në taraca për mbjelljen e ullinjve, portokalleve, limonave dhe mandarinave. Ishim tre gjimnazet e rrethit të Krojit. Bashkë me ne ishin edhe kooperativistët e Mbishkodrës.

Në punë ishim të gjithë njësoj nga paraqitja e jashtme, me pantallona  aksioni ngyrë gri, dhe me shall aksioni në qafë me stemën e aksionistit.

Koplikasit ishin të fuqishëm dhe nuk e kishin problem bërjen e normës në taraca. Vështirë e kishim ne, nxënësit e shkollës së mesme, të vitit të parë dhe të dytë, që nuk e kishim formuar as trupin plotësisht nga ana fizike.

Na futën në një kapanon të ngushtë të gjithë djemtë e gjimnazit tonë. Na rradhitën si fishekë në një  shtrat të përbashkët prej dërrase ku kishim për shtrat personal vetëm dy pëllëmbë vend.

Unë zura vendim tim dhe u thashë shokëve:

-“Ky është tredynymshi im, të mos ma prekë njeri“.

Të gjithë qeshën me të madhe. Hapa sytë dhe pashë për rreth për shakanë e pavend që bëra. Ishte vetëm mësues Doda në këmbë. Qeshi edhe ai bashkë me ne. Shyqyr që nuk ishte sekretari i partisë se do të kisha punë me të. Me kë tallesh ti, do më thoshte, me tredynymshin e partisë ? Se sekretari për çudi në çdo vend e fuste fjalën parti. Tredynymshi për ata që nuk e njohin atë kohë ishte prona private e lejuar në fshat, për pemë dhe perime, pronë , e cila më vonë u zvogëlua në një dynym dhe kur ndahej djali që martohej, ndahej edhe dynymi dhe katandisej në treqind metra katrorë.

Kështu ndodhi edhe me tredynymshin tonë në aksion. Erdhën edhe aksionistë të tjerë dhe nuk kishte vend, kështu që komandanti dhe komisari i aksionit na thanë që të ngushtoheshim edhe  më.

-Jo, tha Cufja,  unë nuk ja lëshoj kujt tredynymshim tim, duke  e bërë të tijën shprehjen time që u bë shprehje gazmore e ditës.

Bëmë ç‘bëmë u ngushtuam edhe më. Gjumi nuk na zinte nga lodhja dhe nga shtrati i ngushtë i dërrasës. Ku kishim fjetur kështu ne ndonjëherë, aq më tepër djemtë e vajzat e qytetit.

Ju gjet ilaçi edhe pagjumësisë. Bënim mbrëmje vallëzimi deri në mes të natës. Orkestrën e kishim tonën se kishim Astrit Muzikantin me fizarmonikë. Në xhaz e shoqëronte Skënderi që më shumë  kërciste se i binte me ritëm.

Astriti  ishte muzikant i lindur. Flokë kaçureli sikur kishte lindur së bashku me fizarmonikën. Mbrëmjet e bukura të vallëzimit ishin dhuratë e tij e vëllezërve të tij, inisiativë e Paros, Fitores, Besës dhe e të gjitha shoqeve tona të mira.

Zgjimin e bënim me bori njëlloj si në ushtri. Ngriheshim në katër të mëngjezit dhe vraponim në mensë ku merrnim ushqimin e ditës, bukë, domate dhe djathë. Një domate të madhe, dy mesatare ose tre të vogla, ishte standard. Racioni i djathit përshkohej tej e tej nga drita. Ngjiteshim deri në majë të kodrës, afër Tragjasit dhe punonim tërë ditën në vapë derisa ta bënim  normën. Ujë për të pirë mbushnim në një burim të fshatit Radhimë e sipërme, afër Tragjasit. Aty gjendej  një lëndinë e bukur që ngandonjëherë e shfrytëzonim për të luajtur futboll. Në atë burim mbushnin ujë për të pirë me bucela gratë dhe vajzat e fshatit Radhimë.

Pastaj zbrisnim poshtë në kantier dhe fillonte avazi, mbledhje, shpërndarje flamujsh, emulacion socialist etj. Mezi prisnim të ngrysej e të fillonte mbrëmja e vallzimit. Sallën e mensës së madhe e kthenim menjëherë në sallë vallzimi. Ishte urdhër që të merrje leje për mbrëmje vallzimi, që të bashkëpunomin me kooperativistët e Malsisë së Madhe. Kjo jo se ishte dëshira jonë se nuk kishim asnjë lidhje, as shoqëri, as muhabet, as njohje të mëparshme, por ishte porosi e partisë që të forcoheshin lidhjet e rinisë shkollore me rininë kooperativiste. Tre gjimnazet tona merreshim vesh edhe me shenja, por kur artopolanti thoshte   se rradhën e kanë kavalierët, atëhere nuk mbaheshin djemtë e fortë të Mbiqytetit. Ata turreshin drejt vajzave tona si shigjeta  të dala prej harkut. Vajzat merrnin shokët e klasës dhe të shkollave fqinje akoma pa arritur ata. Disa debatonin. Disa fyheshin, por vajzat që në vallzim thirreshin “dama” kishin prioritet.

…Unë isha ulur pranë  Besës dhe po bëja muhabet.  Nga muhabeti nuk e kishim dëgjuar se rradhën e kishin marrë djemtë. Para Besës përkulet një djalë i gjatë gati dy metra duke përshëndetur dhe ftuar për vallzim. Shpresa më thotë: Çohu se do të kërcejmë bashkë dhe më kapi për krahu duke e bërë fakt të kryer.

-Më falni, por i kisha dhënë fjalën shokut të klasës, i thotë Besa Millanit, djalit nga Mbiqyteti.

-Jo unë isha këtu para se të ngriheshit  ju për vallzim. Ky është ofendim,  vazhdonte të debatonte djali i gjatë.

-Më vjen keq, por herën tjetër. Këtu do të  jemi, i tha Besa.

-Po ti more përse rrije si guak dhe nuk çoheshe, apo prisje të vinte ai dymetroshi, mu hakërrye  pa të keq Besa.

Unë nuk dija të vallzoja mirë. Ky ishte shkaku që ngurroja dhe nuk çohesha për të vallzuar. Por njeriu për çdo gjë që mëson ka një herë të parë dhe unë mësova për herë të parë të vallzoja me shoqen time të klasës, Besën. Isha skuqur nga koka deri te këmbët nga emocionet. Më dukej sikur salla e madhe më shikonte mua, por salla ishte e mbushur kaq shumë me vallzues sa nuk  i dalloje dot çiftet nga  fytyra. Gjatë vallzimit ja shkela këmbën disa herë Besës, por ajo qeshte dhe më thoshte:“Do të mësosh shpejt Sako, do të mësosh“. Askush nuk ka lindur i mësuar.

Në  Lukovë

Edhe vitin tjetër na dërguan në aksionin kombëtar të rinisë, pas mbarimit të procesit mësimor. Këtë herë na dërguan në Lukovë të Sarandës. Lukova ishte një fshat i madh, si një qytet i vogël që rrezatonte kulturë të lashtë. Çezmat e fshatit prej guri të latuar sikur lëshonin përveç ujit qelibar edhe dritë dhe jetë pambarim. Nespullat e fshatit ishin për të ngrënë gjithkush që kishte nevojë. Ne shpërndaheshim nëpër nespullat e fshatit dhe hanim derisa ngopeshin dhe nënat e mira të fshatit na uronin: “Ju bëftë mirë!“

Edhe në këtë aksion kombëtar të rinisë përsëri ishim bashkë tre gjimnazet e qyteteve të rrethit tonë. Kishim krijuar një shoqëri të mirë midis nesh. Aksioni si aksioni. Ua kam treguar kur fola për Jonufrën 1. Por këtë vit ishim më të rritur dhe më të zhvilluar në trup dhe në mendje. Edhe për çapkanllëqe ishim më profesionistë.

Të paktën kur organizonim mbrëmje vallzimi ishim më të pavarur dhe më të organizuar me shokët dhe shoqet tona dhe nuk kishim kusht që të bashkëpunonim me rininë punëtore apo kooperativiste, të ardhur këtu.

Gjimnazi ynë dhe klasa ime dominohej nga djemtë. Kishte pak vajza dhe disa prej tyre nuk donin të vallzonin, kështu që na duhej të „eksportonim“  vajza nga gjimnazet e tjera të  Krojit  dhe  të Fushë Krojit.

Kampionin e mbanin vajzat e Krojit. Ata përbënin shumicën në shkollë dhe për të vallzuar shpesh herë na merrnin ne djemve të Delishit ose e kundërta,  ne vraponim për të marrë në vallzim vajzat e Krojit.

Qyteti i Krojit, ashtu sikurse kishte emrin ishte burim vajzash të bukura dhe të shëndetshme. I rrit uji i krojit të kulluar, thonin njerëzit e asaj zone.

Unë dhe Petroja nuk dinim mirë të kërcenim, por në këtë aksion kishim vendosur me e mësuar mirë vallzimin, si valsin, tangon, foksin etj.

Tangoja “kitara e argjentë“ ishte “gjella“  e preferuar e mbrëmjes. Petroja mu afrua dhe më tha:

-“Po kërceve me Fatrien, do të të them se je kërcimtar, përndryshe rri se je mirë këtu me mua dhe me këto shoqet që kanë zenë vendet kot, duke bërë me shenjë drejt një grupi vajzash që  vetëm bënin muhabet gjatë mbrëmjeve të vallzimit.

Për muhabet mbanin edhe ndonjërin nga shokët që nuk kërcente. Latifi nuk kërcente se e kishte këmbën të sëmurë, prandaj i mbante vajzat afër për muhabet. U tregonte qyfyre, anekdota dhe barcaleta. Plaste konkursi se kush tregon barcaletën më të bukur.

– E bëjmë me bast me akullore, i thashë unë Petros.

– E bëjmë, tha Petroja.

Për të kërcyer me Fatrien, kërcimtaren më të mirë të sallës dhe të gjimnazit fqinj nuk ishte e lehtë sepse të gjithë djemtë dhe veçanërisht mësuesit, profesorët siç u thonim ne, e kishin të preferuar dhe dëshironin të vallzonin me të. Por unë kisha vendosur që të fitoja bastin. Drejtuesi i mbrëmjes njoftoi se fuqinë e kanë kavalierët. E vendosa që të garoj për ta ftuar për vallzim. Sapo muzika filloi dhe xhazi bëri bam, unë mora kthesën dhe ju drejtova. Drejt saj në atë çast ishim drejtuar pesë çuna njëherësh, por ajo preferoi që të më merrte mua në vallzim.

Vallzonim dhe bisedonim. Ajo fluturonte. Edhe unë me një kërcimtare të tillë fluturoja. Paska patur rëndësi të madhe partnerja në vallzim, mendoja me vehte. Në disa raste vajzat me zor tërheqin këmbët dhe ta bëjnë vallzmin të bezdisshëm. Por Fatrija kërcente si flutur. Kishte një trup të gjatë dhe bel të hollë si të balerinave profesioniste, aq më tepër që familja e saj ishin të gjithë muzikantë e kërcimtarë brez pas brezi.

Nuk e ndjeva vallzimin sa shpejt kaloi. Në fund më erdhi keq që muzika mbaroi kaq shpejt. Gjithçka kishte ndodhur sa hap e mbyll sytë. Fatrija më falenderoi, në vend që ta falenderoja unë. E dërgova drejt vendit të saj duke ja kthyer falenderimin. Isha skuqur deri në majë të kokës.  Më dukej vehtja se tani edhe unë isha kërcimtar i mirë.

-Hë, more Petro, ta fitova bastin ? ju drejtova shokut tim të klasës.

-Të dija vetëm nxënës të mirë, por që do të bëheshe edhe vëmendja e sallës së vallzimit, këtë nuk e besoja, u dorzua Petroja.

 

Please follow and like us: