Albspirit

Media/News/Publishing

IDRIZ SULLI – PRIJËS DHE LIGJVËNËS POPULLOR I LABËRISË

 

Në përkujtim të prijësit, ligjvënësit, udhëheqësit e organizatorit të dy kuvendeve (Senicë dhe Rrepet e Agait-Taroninë), burrit të shquar dhe të çmuar të Labërisë Idriz Sulli (1710-1790), që në strukturat etike shoqërore, si besa, nderi, miku, gjaku, buka, hakmarrja, divorci, trashëgimia, ndarja e pasurisë në kushtet e një shoqërie pa autoritet shtetëror, “Shartet e Idriz Sullit” përbënin një rregullator të jetës labe, pasi prijësi lab i shekullit të XVIII-të e shtriu ndikimin edhe në marrëdhëniet fqinjësore ndërkrahinore duke parashikuar dinamikën e zhvillimit ndërkrahinor në unitet bashkëpunues…

 

Prof. Asoc. Zaho GOLEMI

 

Idriz Sulli ishte prijës i madh, ligjvënës dhe burrë i shquar i Labërisë. Në kujtesën e kombit tonë ka hyrë si hartuesi i sharteve, ose normave zakonore të trevës së Labërisë. Ndërkohë që kaune/”kushtetuta” kanë pasur të gjitha trevat shqiptare, pavarësisht se si quheshin, sepse në Toskëri nga Korça në Përmet e quanin “Kanuni i Adetit”, në trevën e Çamërisë quhej thjeshtë “Adeti”, në trevën Labe nga Lumi i Vlorës, Himarë e Kurvelesh deri në Delvinë quhej “Kanuni i Papa Zhulit”, i rregulluar me disa “sharte/nene” të reja dhe që shpesh emërtohen “Shartet e Idriz Sullit”. Në vitin 2013-të shtatorja e ligjvënësit popullor Idriz Sulli trupëzohet në rrapin e Zhulatit madhërishëm si ligjvënës me përmasa kombëtare. Ai bënte kuvende e vendoste ligje atëherë kur nuk kishte shtet, sepse vendi ishte nën pushtim. Reformatori legjislativ Idriz Sulli i lindur rreth vitit 1710, jetoi tetë dekada. Ai vendoste ligje e rregulla në kohë të vështira pushtimi; ishte luftëtar i jataganit, i parlamentit lab, ku me dyqind burra në Senicë të Delvinës, matanë qafës së Skërficës (1770), dhe në Kuvendin e dytë me rreth treqind vetë në rrepet e Agait në Taroninë (1773). Idriz Sulli vendoste ligje kur komisionet parlamentare ishin odat labe të mençurisë duke bërë kështu të njohur dy fshatra binjakë, Fushëbardhën dhe Zhulatin, bashkë të lidhur përjetësisht shpirtërisht jo vetëm si fqinjë, të bashkuar në tradita, në të drejtën zakonore labe, të gdhendura në “Shartet e mençurisë së ligjvënësit të famshëm Idriz Sullit”, duke mbledhur rreth vetej gjithë parinë e jugut të Shqipërisë. Koha kishte hedhur mbi prijësat e epokës fjalën si peshë të burrit, karakterin, zotësinë e prirjes në paqe dhe në lufttë, krenarinë dhe dinjitetin shqiptar, duke psikologjisur mirë të drejtën zakonore labe jo teorikisht, por të lidhur ngushtë me praktikën dhe përditshmërinë e jetës në një trevë mjaft të gjerë në jug të vendit.

Historia 1000 vjeçare e të drejtës zakonore të Papa Zhulit

Kur kërkojmë rrënjët e së drejtës zakonore Labe padyshim figura më e madhe historike është Papa Zhuli. Historikët e Oxhaqeve në Labëri dhe më gjerë i adresohen burimeve dokumentare e arkeologjike dhe kur ato janë të vaktaedhe gojëdhënës popullore, këngës së popullit, legjendave e tregimeve, rrëfimit të të moçëmve që nuk rreshtën kurrë. Një ndër personalitetet që nuk ju shua kurrë emri është Papa Zhuli, i cili e kishte selinë në Gropën e Zhulit në Fushëbardhë. Ai ishte zot i pesë portave hyrëse në Labëri, në tokën e Kaonëve, si dhe tre urave kufizuese të saj. Papa Zhulin e solli persekucioni obskurantist bizantin në thellësi të Maleve të Fushëbardhës në një vend strategjikisht rë ruajtur dhe rrethuar me male, një “kala” natyrore me rrugëdalje të shumta taktike. Studiuesit ende janë në dilemë për mungesë të burimeve të shkruara se, a është kuvendi i parë i Shpellës së Zhulit në Fushëbardhë i organizuar me parinë e prijësat e kohës të trevës së Labërisë dhe dilema e dytë: a ka lidhje midis Papa Zhulit dhe Petro Zhulit (Zhulatit), që ishte zot në fshatrat Fushëbardhë, Rrëzomë, Piks, Bidërgjon, Hon e Zhulat, por selinë e kishte në Gropën e Zhulit në Fushëbardhë. Të ardhura deri në ditët tona gojëdhënat mbi Papa Zhulin në Labëri, flasin se kodifikimi kanunor ka ngjashmëri në Malësinë e Veriut dhe Malësinë e Jugut. Ngjashmëria midis të drejtës zakonore të shprehur në Kanune të Lekë Dukagjinit, të Kanunit të Skënderbeut dhe Kanunit të Papa Zhulit është evidente edhe pse mungojnë dokumentet e burimet arkivore. Tashmë nga studiuesit është gjithëpranuar normat kanunore të Papa Zhulit, të Lekë Dukagjinit kanë origjinë shumë më të herëshme, por ata kanë qenë ligjvënës që kanë moderuar e zëvendësuar rregullat e bashkëjetësës në përshtatje me kërkesat e kohës si dhe kanë ushtruar autoritetin e tyre për zbatimin e këtyre normave; ashtu sikurse ka bërë edhe Idriz Sulli në shekullin e XVIII-të.

Senica e Taronina – Kuvendet e Idriz Sullit memorialë të ligjvënies dhe bashkëjetesës

Në Labëri janë zhvilluar edhe mjaft kuvende që njihen në historinë e Shqipërisë si Kuvendi i Himarës në shekullin e XV. Në vitin 1770, sipas gojëdhënës u mbajt Kuvendi i burrave në Senicë, që është një fshat midis Fushëbardhës dhe Delvinës, me rreth dyqind përfaqësues nga Delvina, Zhulati, Filati, Arta, Smokthina, Himara, Vunoi, Qeparoi, Borshi, Piqerasi, Shënvasija, Nivica, Tatzati, Kalasa, Kardhiqi, Lukova, Lunxhëria etj. Kuvendi i Senicës udhëhiqej nga plaku i mençur Idriz Sulli që kapedanët, agallarët dhe bejlerët e kohës i drejtoheshin “Ati ynë”. Duke u nisur nga uniteti dhe harmonia shqiptare e besimeve Idriz Sulli një ligjvënës i spikatur përzgjodhi me parinë e krahinave përreth, Senicën që ishte një fshat me besim të krishterë por që ishte e shquar për mençuri e atdhedashuri si dhe për nga pozicioni gjeografik, ka qenë dhe mbetet pikëlidhja e zonës me trevat fqinje. Në Senicë shkonte rruga e karvaneve, me han ku tregëtarët e udhëtarët kalonin natën të sigurtë si dhe të nesërmen shkonin në Delvinë e Vurg për shkëmbime mallrash (edhe sot rruga e re kalon në “këmbët e Senicës). Senica ishte fshati që nuk ndërroi besimin, me gurin e shpellën e besës, mblodhi burrat më të shquar të kohës, në: “Palcimi (pajtimi) i Senicës”/“Besëlidhja e Senicës” dhe si autoktonë miratuan fjalët e Atit Idriz “Palcimi i Senicës”. Kjo ngjarje e madhe ishte dëshmi e gjallë e bashkimit dhe e vëllazërimit të njerëzve, burrave të zakonit që i përkisnin gjithë besimeve për mbrojtjen dhe reformimin e së drejtës zakonore në Labëri, e përjetësuar në këngët popullore, që të zvendësonte hasmëritë e përçarjet në emër të fesë nga pushtuesit dhe zëvendësimi i tyre me të tjera detyrime me karakter moral dhe material. Gjithë veprimtaria e këtij Kuvendi ishte domethënëse si një postulat dokumentar e derdhur në vargje: “Jemi një gjak e një farë”, “Dëgjuar a parë kini,/ Në Senicë çu bë pajtimi, /Fshatra e kaza u mblodhë, /Pleqësia e anës tonë, /Të krishterë e myslimanë, /Dhe me mushka e me kalë, /Te përrallet në lëndinë,/flet Idrizi Sulli me rixha,/Mbani vesh o kapedanë, /Burra trima e pleq me radhë,/Të madhe ua bëj rrixhanë,/të lidhëm besë e fjalë,/ Për trimat që na janë vrarë,/ Vritet shoqi me vëllanë,/ Mbenë shkretë këto anë,/ Bëhet qefi hasmit tanë,/Se s’jemi turq as venecianë,/Të mos vrasë vëllai-vëllanë,/se jemi vetëm shqiptarë, / me një gjak e një një farë.”. Kënga kalon brez pas brezi, këndohet e deri diku dhe ndryshohet në vargje, por ruan anonimatin popullor për këtë organizim të pazakonshëm kuvendor. Pjesëmarrësit e kuvendit të parë vijnë përmes këngës: Kristo Koka nga Vunoi, Jani Milo nga Himara, Spiro Gjika nga Qeparoi, Miho Gjini nga Piqerrasi, Qesko Hila nga Lukova, Hajdin Shehu nga Kalasa, Stefan Prifti nga Shënvasia, Kolë Mili dhe Jano Kumiu nga Nivicë Bubari, Dajkua i Lëkurësit, Bedo Hodo nga Borshi, Demir Dosti agai i Kardhiqit, Kostë Prifti nga Senica, Toto Rusha Progonati, Idriz Sulli nga Zhulat e Fushëbardhë, Osman Sina nga Tatzati, Sheh Sejkati nga Filati, Dalani nga Konispoli, Kallapodhi i Delvinës, Zoto Mahmuti Smokthina-Vlorë, Igumeni i Katerinës nga Çamëria, Allajbeu i Navarricës, si dhe mjaft të tjerë, që kënga si përmend emrat e tyre, por që është e njohur që ishin prijësat e kapedanët e çdo fshati.

Nga gojëdhënat na vjen kjo e vërtetë, se, pas “Kuvendit të Palcimit të Senicës më 1770”, të gjithë pjesëmarrësit u betuan për zbatimin me korrektësi të atyre vendimeve të marra së bashku, duke vënë dorën e zemrës mbi Ungjill dhe Kuran, prandaj i thonë edhe Kuvendi që përdori për herë të parë kamaren ku qëndronte simbolika e besimeve dhe mbi to bëhej betimi. Fakt është se zakoni i vjetër i gjakmarrjes u eleminua nga zbatim korrekt i atij vendimi të mençur të Idriz Aga Sullit, që eleminoi zakonin e shfarosës nga gjakmarrja, duke i lëshuar vendin kushtetutës së Idriz Agait, që i gjykonte problemet dhe mosmarrëveshjet me urtësi dhe vëllazërim ndërfetar. Kuvendi i besës seniciote të Atit Idriz Sulli vërtetoi platformën emergjente të rilindjes kombëtare se: “feja e shqiptarit është shqiptaria”. Kuvendi në Senicë pati rëndësi themelore historike për vetë provlemet esenciale që debatoi dhe u dha zgjidhje të ngutshme shoqërore. Vendimet e Sencicës në thelb ishin katër:“a).Ruajtja e tërësisë së trojeve e sinorëve prej sulmeve të armiqve; b).Ndërtimi i jetës shoqërore dhe veprimtarisë së përditshme të punës jashtë ligjeve të sulltanatit osman; c).Rregullimi i marrëdhënieve ndërfisnore mbi bazën e pleqësive e mençurive të lashta labe(normave zakonore labe), d).Kapedanët e krerët vendosën mbi të gjitha palcimi (pajtimi) ndërnjerëzor, jashtë zakoneve e ndasive fetare, por  dhe rregulla të tjera të karakterit shoqëror”. Fenomenit mizor të gjakmarrjes që vinte që nga lashtësia ishte pengu më i rëndë, prandaj shuarja e gjakmarrjes çonte në shuarjen me rrënjë e degë të zhdukjes së njerëzve, veçanërisht të gjinisë mashkullore, që shkonte e rritej në fise, fshatra, krahina të tëra, duke shkaktuar tragjedi deri absurde. Gjakmarrjet kishin kaluar cakun e mbijetesës të meshkujve të mijëra e mijëra familjeve shqiptare, por diskutimi rreth kësaj teme të nxehtë i mori tre vjet përgatitje Kanunlliut të njohur Idriz Sulli që në Kuvendin tjetër të 1773-it, të vinin plotësisht të përgatitur për “shartet” e reja për ndalimin e gjakmarrjes dhe shumë probleme të tjera, që u drejtua nga vetë Idriz Sulli edhe tek Rrepet e Agait në Taroninë. Këto kuvende eleminuan plotësisht konfliktet dhe sollën progres të dukshën në shoqërionë shqiptare në jug të vendit. Konkluzioni i Faik bej Konica, në lidhje me realitetin shqiptar të kohës se: “Në Shqipëri ka ekzistuar toleranca fetare dhe është i vetmi vend i Evropës, ku nuk ka pasur luftëra fetare”, është plotësisht i vërtetuar edhe nga nismat juridike pavarësisht se vendi ka qenë nën pushtim. Dhe kjo është bazuar në fakte reale.

Në verë të vitit 1773, tek vendi i quajtur Rrepet e Agait, poshtë Qafës së Taroninës, nën drejtimin e burrit të urtë zakonlli, agait Idriz Suli. Në këtë Kuvend morën pjesë rreth treqind delegatë; burra të dalluar zakoni nga Kurveleshi, Himara, Bregdeti, Çamëria, Rrëzoma, Smokthina, Delvina, Labova, Tepelena, Mallakastra e deri nga zonat e Beratit. Është quajtur: Kuvendi i madh me rëndësi të veçantë historike për të drejtën zakonore të Labërisë. Ja dhe disa nga pjsëmarrësit e Kuvendit të dytë të drejtuar nga Idriz Sulli: “Sheh Sejkati i Filat, Kallapodhi i Delvinës; Tahir agai nga Kopaçeza, Ali Dajkua nga Lëkurësi, Hajredin beu i Kalasës, Kumi trimi i Nivicës, Stefan Prifti nga Shënvasili, Qesko Hila i Lukovës, Milo Gjini nga Piqerasi, Hodo beu nga Borshi, Jano Milo nga Himara, Kiço Koka nga Vunoi, Spiro Gjika nga Qeparoi, Zoto Mahmuti nga Ramica e Smokthinës, Beu i Igumenicës, nga Arta, Libohova e Mallakastra etj. Vendimet e Kuvendit të Rrepeve të Agait në Taroninë rapsodi fushëbardhas i gdhendi në këngë: “…Vijnë trimat nga Smokthina,/nga Himara e Çamëria,/nga Delvina e Muzina,/u feks palla e vetëtima,/i mblidh lumi e Taronina,/kapedanë e pleq të rëndë,/Idriz Sulli ballë vendi,/Në kuvend foli me fjalë…” dhe më tej “…foli e tha shumë fjalë,/ për bashkim e gjaksi,/dhe disa punë të tjera,/për betim e për krushqi,/burrë e grua të punojnë,/vjedhja ka kanosi (e kritikoi),/kur foli edhe Idrizi vetë,/për bashkim e për fuqi,/mos jemi më të ndarë,/të na hajë i huaji,/fjalët që thamë këtunë,/të mos vënë në sheri (të mos i nëpërkëmbi njeri). Dy kuvendet e Idriz Sullit treguan se ishin i vijimësinë e përgatitjes së kryengritjeve masive popullore të shek.XIX në Veri e në Jug të Shqipërisë për liri e pavarësi.

Ligjvënësi Idriz Suli në një trung rrapi njësh me legjendën

Nëse më parë Idriz Sulli, lexohej e tregohej në këngë, në legjendë e në kujtesën labe, nëse ai jetonte në shpirtin dhe ndërgjegjen e çdo labi, sot ai është një realitet i prekshëm falë memorialit të gdhendur në dru në këtë produkt që labërit, e Zhulatit dhe Fushëbardhës kanë gdhendur në shekuj. Dje gdhendnin e përpunonin drurin që të mbijetonin, por sot kemi një skulpturë të gdhendur gjithë finesë e mençuri nga Murat Kërraj nga Zhulati që e ka çuar më lart dhe e ka bërë njësh me legjendën. Tani Idriz Sulli, që me një kushtrim mblidhte qindra e qindra luftëtarë në “rresht” për beteja për mbrojtje dhe për ta bërë gjithçka me urtësi e mençuri me traditën parlamentare të kuvendeve që ishte një praktikë e njohur jo vetëm në katër vilajetet shqiptare por edhe një traditë ballkanike, do të bëjë që vendas e më gjerë do mësojnë më shumë nga kultura shqiptare, nga tradita zakonore dhe ajo kanunore labe. Idriz Sulli ngeli në histori, ngeli në këngë dhe në legjendë se shartet që hartoi ishin vazhdimësi e themeleve që kishte hedhur prifti iluminist Papa Zhuli të Zhulatit. Në ish-Rrapin monument natyre të Zhulatit; pikërisht në trupin e trungut historik mbi pesëqind vjeçar, në qendër të fshatit tashmë lartësohet një monument edhe më i madh, një simbol i qëndresës në shekuj, një simbol bashkimi e bashkëjetese, që nuk mund të thahet dhe që as mund të vdesë, por që vetëm mund të flasë e tregojë për një komunitet të lashtë, unikal. Në Zhulat si në mbarë fshatrat e Labërisë mblidhen e kuvendojnë, marrin vendime të përbashkëta e konsensuale. Por tani nuk janë vetëm, por kanë mes tyre edhe një figurë frymëzuese madhështore e gdhendur në dru, një burrë në një vepër të madhe arti si simbol i dashur e i rrallë i historisë dhe kulturës kombëtare, luftëtarin, mendimtarin, ligjvënësin Idriz Sulli. Rrapi historik e madhështor i Zhulatit u tha në kurorë, por nuk u tha rrënja e tij, sepse monumentet e natyrës janë bashkëudhëtarë të shekujve, nuk u tha sepse monumentet e rrallë të natyrës dhe sidomos të historisë, nuk thahen. Monumentet transformohen në përmendore që rrojnë për tu treguar brezave. Kështu ndodhi edhe në këtë rast, ku monumenti rrap u shndërrua në memorial të Idriz Sullit kësaj figure të spikatur të mendimit gjenial popullor lab dhe të krejt historisë kombëtare shqiptare. Pothuaj në çdo fshat të Labërisë e më gjerë në qendër të fshatit ka pasur një monument natyre. Në këto monumente sikurse kanë qenë rrapet madhështor, në breza të tërë njihej si vendi i kuvendeve, si vendet e shenjtëruara të kushtrimit popullor, nga ku niseshin për luftë e për kuvende, ka qenë vendi kur shpaloseshin vendime, ku niseshin e priteshin delegatët, aksionistët, vendi i takimeve dhe i besës. Sëpata ndaj një degë rrapi ishte e dënueshme dhe për këtë ka shembuj të traditës labe, që kanë ardhur deri në ditët tona.

Shqipëria – 6 kanune, gjashtëqind sharte

Labëria, gjithmonë ka qenë çerdhe luftëtarësh trima, por një trevë e dalluar për njerëz të urtë, të mençur, pleq zakoni, interpretues e zbatues të mirënjohur të normave të së drejtës zakonore. Të tillë përmenden në traditën gojore të dy shekujve të fundit si, Idriz Suli, Hito Zaçe në Golem, Shaban Bineri në Fushëbardhë, Arif Mëhilli në Kuç, Laze Malua në Tërbaç, Sali Hallkokondi në Vranisht, Zaçe Çelo në Mesaplik, Memo Meta në Brataj, Zoto Mahmuti në Ramicë, Hamit Selmani në Dukat, Riza Runa në Nivicë, Rrapo Çelua në Sevaster, Ismail Bezhani në Fterrë, Josif Kopali në Çorraj, Neço Veizi e Jani Rexho në Himarë, Beqir Velo në Kaninë, Odhise Kasneci në Vuno e shumë të tjerë. Këta kanë qenë pleq zakonlinj dhe që kujtimi i tyre ruhet me fanatizëm dhe me respekt nga populli i Labërisë. Trashëgimia e vlerave kulturore, është një gur i çmuar në thesarin e kulturës kombëtare shqiptare përjetësisht e respektueshme. Por kanunet ruheshin në gojëdhënën e popullit dhe vetëm në shekullin e XX u shkruan dhe deri diku edhe u përkthyen në gjuhët e perëndimit dhe të lindjes. Një traditë e tillë nuk ishte vetëm tek shqiptarët por edhe tek europianët. Kështu në Francë ka pasur 300 sisteme të së drejtës zakonore të shkruara e të pashkruara, që u mblodhën dy shekuj më parë nga Filip Bomahuer. Ndërsa në Shqipëri janë të njohur shumë kanune kryesore: “Kanuni i Papa Zhulit”, “Kanuni i Labërisë”,  “Shartet/Rregullat e Idriz Sulit”, Kanuni i Maleve Shqiptare që njihet edhe si: “Ligji i Vjetër”, “Ligjet e Lashta”, “Ligji i Ligjeve”, “Kanuni i Vjetër i Pleqënisë”, ndërkohë që thirreshin edhe: “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, “Kanuni i Skënderbeut”/“Kanuni i Arbërisë” dhe “Kanuni i Mirditës”, “Kanuni i Malësisë së Madhe”, “Kanuni i Martaneshit”, “Kanuni i Bendës”, “Ligji i Dibrës”, “Kanuni i Lurës/Kararet e Lurës”, “Kanuni i Must Ballgjinit/“Kanuni i Çermenikës”,  “Kanuni i Kurbinit”, “Kanuni i Pukës”, “Kanuni i Lumës”, “Kanuni i Malësisë së Lezhës”, “Kanuni i Malësisë së Gjakovës”, “Ligjet e Shpatit”, “Kanuni i Çamerisë”, “Ligjet e Himarës”, “Kanuni i Toskërisë” etj., megjithëse e drejta zakonore arbërore njeh rreth 600 kanune e sharte mbarëkombëtare.

“Shartet” e Idriz Sullit

Shartet e Idriz Sulit që janë në themel të strukturës së të drejtës zakonore labe dhe të Kanunit të Labërisë rregulluan me drejtësi marrëdhëniet mes njerëzve, fshatrave dhe krahinave. “Shartet e Idriz Sullit”, krahas librit të mbyllur që mban në monument, do të ishte më se funksionale dhe mjaft domethënëse që një fletë e hapur e librit të madh të “Sharteve të  Idriz Sullit” të shpalosej e lexohej në krah të monumentit për të treguar më shumë se çfarë do të thoshin historianët, për strukturën etike të shoqërisë, për besën si institucion, për nderin, mikun, gjakun, bukën, hakmarrjen, divorcin, trashëgiminë, për ndarjen e pasurisë kur vetë shoqëria ishte pa autoritet shtetëror. Shartet ishin “Kanuni i ri i Labërisë”, një “Kushtetutë e re labe”, pasuruar me norma të reja, me praktika të zbatimit konkret në gjithë hapësirën e Labërisë, që kanë qenë e mbeten një objekt real hulumtimi e studimi shkencor. Shartet ishin evolim i mendimit e gjykimit te Papa Zhulit dhe akoma me thelle i Kaoneve, Moloseve, Thesproteve. Shartet (që nga osmanllishtja do të thotë kushte, ligje, rregulla) janë shkruar në memorien e popullit dhe janë quajtur “Kanunet e Idriz Sullit” dhe që flasin edhe me gojën e Profesorit fteriot Ismet Elezi, i cili e vlerëson lartë legjislatorin lab që mblodhi parinë në një vend asnjëanës  dhe e quajti “shartet” e reja “Zakoniku i Rrepeve të Agait”, që parashikonte:

“Bashkim e vëllazërim pa dallim krahine e feje; Ndalimi i gjakësive dhe i hasmërive dhe zëvendësimi i tyre me sanksione të tjera jo gjakësore, ekonomike e morale; Ndëshkimi në shkallën më të lartë i agjenteve dhe i spiunëve të pushtuesve të huaj; Sanksione ndëshkimore me karakter ekonomik për vjedhjet dhe bastisjet; Vendosjen e rregullave të reja në lidhjet e krushqive dhe martesave, jo vetëm mbi bazën e pasurisë dhe të sërës, por dhe mbi atë të fisnikërisë, mençurisë, urtësisë dhe te aftësive fizike të pretendentëve për bashkëshorte; u vendos e drejta e zgjidhjes martesore (divorceve) dhe detyrimet morale dhe ekonomike, veçanërisht për gruan e ndarë; u vendosën sanksione të veçanta për detyrimet e personave përgjegjës për dëmet ekonomike të shkaktuara, vetjake apo kolektive qofshin, si dhe shkallëzim, masa zhdëmtuese; u përcaktuan qartë detyrimet e çdo familjeje, fisi, fshati e krahine për nxjerrjen e luftëtarëve për çdo derë në luftë kundër pushtuesve; u sanksionua e drejta për mbajtjen e armës dhe përdorimi i saj vetëm për punë të dobishme mbrojtëse; Detyrimi moral, ekonomik e ruajtës i objekteve të kulteve fetare, si dhe e drejta për pelegrinazh në to brenda rregullave të shërbimeve klerikale..”. Këto rregullsi ligjvënëse me karakter masiv, ishin nenet kushtetuese popullore të “Sharteve të Idriz Sullit”, që ka mbritur i paprekur deri në ditët tona me një rreptësi ekzekutive nga treva labe, Lumi i Vlorës e deri në Çamëri. Në mjaft gojëdhëna, por edhe studime në lidhje me këto  “sharte”, pothuaj të gjithë i qëndrojnë besnik linjës së: “Bashkim e vëllazërim pa dallim krahine e feje; Ndalim i gjakësive dhe hasmërive; Ndëshkimin e ashpër të agjentëve e të spiunëve; Ndëshkim me karakter ekonomik të hajdutëve; vendosi të drejtën për armëmbajtje; vendosi detyrime për të mbrojtur objektet e kultit kishat e xhamitë; vendosi rregulla të reja për  jeten familjare dhe shoqërore, ku burri ka të drejtë të ndajë gruan, por me detyrime pas ndarjes duke i dhënë gruas 1 tagar ose 40 okë drith për tre muaj duke parashikuar edhe kur ajo ishte shtatzënë; si dhe një vendim i madh për kohën ishte detyrimi që gruaja të punonte përkrah burrit..” Të dy këto kushte për  t’i vënë në jetë e filloi nga vetja, ku lejoi ndarjen e vajzës së tij si dhe nxjerri  në punë të gruan e tij edhe pse ishte i pasur duke lartësuar figurën e tij në sfondin legjislativ, shoqëror dhe historik shqiptar dhe njëherazi duke ngelur një figurë sa reale aq edhe mitike për nga mençuria e punës për zbatimin praktik të këtyre sharteve, duke i dhënë karakter ligjor një epoke kur Shqipëria ishte nën pushtimin osman.

Gjirokastra – 106 rrepe monument natyre

Askush nuk u kujdes pesë vjet më parë që një Vendim i Këshillit të Ministrave po “thahej”. Por djemtë e Labërisë që e trupëzoi me historinë Vendimin Nr. 676, datë 20.12.2002, të Këshillit të Ministrave “Për shpalljen zonë e mbrojtur të monumenteve të natyrës shqiptare”. Më herët 32 vjet më parë ka pasur një vendim tjetër që kujdesej për pasuritë e rralla dhe që në fakt në këtë periudhë Rrapi i Zhulatit ishte me një kurorë të dendur që zotëronte gati dyqind metra katrorë. Ishte Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 100, datë 19.5.1981, “Për vënien nën mbrojtjen shtetërore të pasurive natyrore të rralla” që u zvendësua në vitin 2002. Bashkëlidhur me Vendimin e nxjerrë para 11 vjetësh, në listën e monumenteve të natyrës shqiptare për Prefekturën e Gjirokastrës ndërmjet 106 monumenteve, Rrapi i Zhulatit mbante numrin rendor 21. Rrapi ishte një monument natyror që u trupëzua në monument historik. Rrapi i Zhulatit ishte një ndër 30 rrepet e Qarkut të Gjirokastrës (ndërkohë që Rrethi i Gjirokastrës ka pasur 18 rrepe monument natyre; Rrethi i Tepelenës ka 8 rrepe monument natyre, rrethi i Përmetit kishte 4 monument natyre). Nga monument natyre tashmë monument kulture trupi i rrapit të Zhulatit ishte, është dhe mbetet shëmbëlltyra kanunore labe me shtatoren e Idriz Aga Sullit.

Dy monumente: Kalaja & Shtatorja e Idriz Sulit

E rëndësishme është të përmendim edhe atë që të huajt kanë shkruar rreth kësaj figure të madhe si dhe ndaj produktit të tij “Sharteve”, si dhe çfarë kanë thënë e shkruar historiani dhe udhëtari osman Evlia Çelebi; kur në kështjellën e Zhulatit ktheu vëmëndjen mbreti i Spanjës, kur Duka i Venedikut shtriu lakminë mbi të, kur Sulltan Bajaziti dërgoi për zaptimin Qedik Ahmet Pashën dhe që vuri një komandant “Çarçan” fushëbardhas ta drejtonte atë, kur biblioteka e Zhulatit përmendej në kryeqendra të kulturës evropiane etj. Për to ka shkruar edhe Edith Durham. Për ngjashmërinë e vlerave morale dhe të parimeve juridike të së drejtës zakonore shqiptare me ato të grekëve të vjetër të përshkruara te “Iliada” e Homerit dhe në veprat e Sofokliut, Eskilit etj., si dhe kanë shkruar mjaft studiues të huaj, që nga gjysma e shekullit XIX. Edhe në kohën e tanishme, studiuesi nga Japonia e largët prof. Kazuhiko Yamamoto, ka bërë hulumtime të posaçme mbi Kodin zakonor kanunor shqiptar në planin krahasues; autori austriak Valter Peinsipp; autorë vendas si Prof. Dr. Ismet Elezi, Prof. dr. Muzafer Korkuti, Prof. Dr. Pëllumb Xhufi, Xhemil Çeli, Prof. Bardhosh Gaçe, Prof. Asoc. Bernard Zotaj, Bardho Hysenaj, Albert Zholi, Zeqir Cama, Nazmi Selfo, Xhevat Lluri, Halo Abazi, Agim Hila, etj. Në fakt Kanuni i Labërisë si dhe zakonet labe janë adetet e marra në unitet me origjinën, historinë, gjuhën, kulturën dhe vlerat morale të përbashkëta labe të një treve me dëshmi origjinale me identitet kombëtar shqiptar. Prandaj edhe themi se edhe “Shartet e Idriz Sulit” dhe Kanuni i Labërisë janë pjesë përbërëse dhe variant kryesor i kanunit popullor mbarëshqiptar, i bazuar në filozofinë e vetëqeverisjes vendore. Në periudhën e Perandorisë Bizantine, kalaja e Zhulatit ka pasur në protektoratin e vet një territor relativisht të gjerë dhe ushtarët e kalasë, bëjnë roje të përparuar në Vuno (Jalë); Porto Palermo e në Sarandë (Kala e Lëkurësit). Në dokumentet e Vatikanit sipas të dhënave, nga mesi i shekullit të VI-të, Zhulati rezulton si dioqeze e rëndësishme bashkë me Himarën. Ndërsa në shekullin e XI, bazuar në të dhënat arkivore franceze, si dhe në Revistën “Shejzat” të botuar në vitin 1957 deri në vitin 1975 në Romë, kemi të dhëna mbi një luftë të pabarabartë, me ushtrinë e Bizantit, ku Zhulati pas një periudhe marrëveshjesh, përballet ushtarakisht, humbjet dhe digjet, duke humbur forcën e dikurshme. Në fund të shekullit të XII kemi një figurë prijëse luftarake dhe kanunore, që vepronte në zonën e Fushëbardhë-Zhulatit. Vendqëndrimi i tij ka qenë shpella e Zhulit në Fushëbardhë dhe quhej Papa Zhuli, i cili kishte mbaruar studimet në Aleksandri të Egjiptit. Aktualisht Idriz Sulli pas ligjvënësit të parë të së drejtës zakonore të kësaj treve konsiderohet reformator i dytë i Kanunit Lab si mendimtar filozof, prijës e ligjvënës.

Idriz Sulli Statue – headman & popular lawmaker

Idriz Sulli ishte dhe mbeti një legjendë e gjallë e Labërisë, më shumë se rrapi i Zhulatit ku është trupëzuar, sepse prej tij ka dalë. Ai ishte dhe mbeti mendje dhe urtësi labe; pjesë e parlamentarizmit më shumë se dy shekullor, një trumbetë e fuqishme drejtësie e shekujve. Prandaj dhe sërisht krahas monumenteve si rrapi i Fushëbardhës; Rrapi i Mashkullorës i rimbjellë, rrapi i Libohovës, rrapi i Stegopullit, rrapi i Nivanit, rrapi i Progonatit, rrapi i Grapshit, rrapi i Kolonjës, rrapi i Labovës, rrapet e Kardhiqit e Picarit, e dhjetëra të tjerë do të themi rrapi i Zhulatit përmendore e historisë kombëtare shqiptare e përjetësuar me Statusin e ri e të veçantë në mënyrë madhështore. Shtatorja do flasë më shumë se mijëra fjalë, për burrin që i bëri autopsi legjislacionit shekullor të Kanunit të Labërisë, dhe tejkaloi kohën duke e modifikuar atë në të gjitha ato pjesë që bëheshin pengesë për progresin. Tashmë shtatorja e atdhetarit Idriz Sulli është në rrap, atje ku ka qenë foltorja e përjetshme e parlamentarizmit lab, ku janë mbjellë legjendat dhe të vërtetat e shekujve, ku është mbrojtur ligjvënia, diplomacia dhe vendimmarrja me vlerë reale, ku janë nisur dhe përfunduar luftrat, ku është vulosur besa dhe “është shkruar në defterin” e kujtesës së brezave, ku për arkiv ishte kënga që trashëgohej shekujve. Reformatori legjislativ nuk jetoi vetëm në shekullin XVIII, por është lartësuar mbi luftrat dhe shekujt. Nëse i bëjmë një analizë veprimtarisë së Idriz Sullit, mafdhështia e tij qëndron në largpamësinë se me kuvendet që organizoi e zhvilloi kishte mbjellë farën e Rilindjes Kombëtare, duke reformuar dhe rikonceptuar të drejtën zakonore penale, të kodifikuar nga Kanuni i trashëguar Papa Zhulit ose Papa Zhulatit. Ai kuptoi i pari pengesat për zhvillim dhe këputi vargonjtë pengues të “burgosjes kaonike” të pakuptimtë më për kohën, për shkak të ndryshimeve shoqërore dhe ekonomike të reja. Idriz Sulli ngeli me ligjet e tij ndër referencat më të përparuara të kohës në Evropën Perëndimore. Ato nuk i përkasin vetëm krahinave të Labërisë, Çamërisë e krejt Epirit, nuk kanë vetëm “Kanunin e Papa Zhulit”, nuk kanë vetëm “Shartet moderne të Idriz Sullit”, por edhe më gjerë me konceptet moderne të së drejtës zakonore, veçanërisht në fushën e së drejtës së familjes, trashëgimisë etj., që në përgjithësi janë të njëjta si në Labëri ashtu edhe në Çamëri. Shtatorja e Idriz Sulit ka hedhur vështrimin përpara nga Maja e Pusit dhe që duket sikur ka zbritur nga gjithë fshatrat e Labërisë dhe është ulur të tregojë e të kuvendojë popullorçe, me veshje tradicionale me fustanellë labe; me qylaf të bardhë e jelek të qëndisur me motive labe, me kalcat dhe opinga të zbukuruara të labit me xhufka në majë të opingave. Por nga ana tjetër në formatin e luftëtarit ai është me kobure në brez dhe me dorën e djathtë mbi “Shartet e Labërisë”, që duket se ka sjellë lavdinë e mençurisë dhe madhështisë së urtësisë shekullore shqiptare. Tashmë në guidën e krahinës së Kardhiqit, dhe mbarë Labërisë është një vend i shenjtëruar e pelegrinazhi kaonik, që njerëzit nuk do të vijnë për të kujtuar vetëm fshatin Zhulat, por do të shohin një monument të njohur në mbarë vendin me emërtimin: “Shtatorja Idriz Sulli-prijës & ligjvënës popullor”. Pak vite më vonë Idriz Sullin nuk e mbante vendi vetëm në baltëz të Zhulatit, por u “hypi këmbëve” me ndihmën e djemve të Zhulatit e më konkretisht të Kolonel Nazmi Sejfos që mundësoi një shtatore të dytë kësaj radhe prej bronxi në parkun turistik të Viroit në Gjirokastër, si kujtesë të brezave për një epokë që mbrojti identitetin krahinor lab me të gjitha mënyrat, përfshi edhe si legjislator. Me përfundimin e rrugës së re “Kardhiq-Delvinë” më 2022, Idriz Sulli do të bëhet edhe më i njohur për famën e tij si luftëtar dhe mendimtar shqiptar, si burri që shkroi histori, si autori i Sharteve të Kanunit të Labërisë, si drejtues i dy kuvendeve madhështore, kuvendin e Besës (1770) në Senicë dhe atë të rrepeve të Agait (1773) pranë Fushëbardhës së Papa Zhulit (Shpellës së Zhulit) dhe Zhulatit historik dikur me kala të njohur, akademi e bibliotekë të famshme.

-&-

Please follow and like us: