Viron Kona, modest, po sapo ka botuar librin e 50-të
Fran Gjoka
Modest, sapo ka botuar librin e 50-të
(Intervistë me shkrimtarin Viron Kona)
-Paske dalë përsëri me një libër të ri? – e pyeta shkrimtarin Viron Kona, i cili nuk lodhet së shkruari, dhe, për hir të së vërtetës duhet të them se gjithnjë nxjerrë libra me vlerë dhe tërheqës për lexuesin. I kam qëndruar pranë prej disa dekadash krijimtarsië së tij, kështu që s`munda të rrija indiferentë kur mësova se ai sapo kishte botuar librin e tij të 50-të.
Një ngjarje për një krijues, apo jo?
Gjithses, në arte, në shkencë dhe në çdo krijimtari, e para është gjithnjë vlera që përcjellë krijimi, cilësia. E, në këtë drejtim, jam i dëshiruar të shprehem se cilësia e librave të Viron Konës është e lartë dhe e vlerësuar, si nga kritika, edhe nga lexuesi. Kam rastisur shpesh herë në takimet e tij me krijuesit e vegjël dhe të rinj dhe kam parë e dëgjuar sesa e duan këtë shkrimtar, e rrethojnë si zogjtë, e pyesin pa reshtur, kërkojnë të dalin në fotografi, i kërkojnë me ngulm autografë. Siç shkruan akademiku Gjovalin Shkurtaj:”Prej vitesh, që kur kam pasur djemtë e vegjël dhe, si shumë të tjerë, me dëshirën që t`u jepja dashurinë për librin, blija shumë libra për të vegjël, më kishte bërë përshtypje shkrimtaria e Viron Konës, një nga autorët më prodhimtarë, por dhe shumë të pëlqyer nga të vegjlit. Ai shquhet për stilin e tij të thjeshtë, për parashtrimin e qartë dhe pa poza, pa shtirje dhe “ojna” të tepërta…”.
Një ditë, në shkallët e Ministrisë së Arsimit, kur Vironi atëherë punonte redaktor në gazetën “Mësuesi”, një zonjë e nderuar e ndali dhe i tha:
-Të falenderoj shumë! Tim biri, pas leximit të librit “Eh, more Bubulino!” i është shtuar shumë dëshira për të lexuar libra jashtë klase…
Vironit i ra një përskuqje e lehtë në fytyrë dhe m`u duk sikur në ato çaste ishte njeriu më i lumtur në botë. Po ç`them? Bubulinoja fitoi çmimin UNICEf dhe u shpall libri më i mirë në vitin 2006 dhe, si rrallë libra të tjerë, u përkthye edhe në guhën suedeze.
Por, s`është vetëm Bubulinoja, me seralin e tij prej shumë vëllimesh, është edhe “Dardi”, ”E fshehta e pyllit”, ”Erlindi dhe papagalli i çuditshëm”, ”Shpëtoni papagallin Çate!”; pastaj, janë librat për të rritur ”E fshehta e pyllit”, ”Drithërimat e yjeve”, një roman që bën fjalë për fatin e një intelektuali refugjat në Greqi, “Yje mbi Bosfor”, ”Dëgjoma zemrën, Budapest!”, ”Përbindëshat e Otrantos”, “Dielli është i imi”, ”Kontrolli i befasishëm i një inspektori”, ”Zonja nga Boråsi”, ”Mësues, pse e ke hequr kollaren?” etj, etj. Ka aq shumë libra, aq shumë personazhe ky autor i palodhur, kokulur, modest gjer në fund, të cilin kur e pyet përse nuk i bën reklamë librave të tij, përgjigjet:
-Reklama është e tregtarëve, unë jam krijues, shkruaj. Kjo është detyra ime. Pasi e përfundoj librin, është lexuesi ai që e vlerëson, është kritika… Sapo shkrimtari vendos pikën e fundit ai ka mbaruar punën e tij me librin. Në vazhdim, e ka fjalën lexuesi. Libri nuk komentohet nga shkrimtari; ai e shkruan, është lexuesi që e vlerëson, është ai që e përjeton mirë apo keq, është edhe studiuesi kritiku, që bën analizën e vlerave, të stilit, të figuracionit artistikë…Mund t`ju them, se shkrimtari është si bahçevani, i cili është munduar shumë për prodhimin, pastaj është blerësi, i cili do ta vlerësoj ose jo…
-Ke shkruar 50 libra,janë mijëra faqe të shkruara dhe të botuara, mendoj që është një punë e madhe jotja, apo jo?
-Sigurisht që nuk janë pak, janë një jetë e tërë, por në letërsi, në arte, në shkencë, kudo është cilësia e para, ndryshe tjetri as që do t`ia dijë nëse je lodhur ti apo jo. Ai kërkon cilësinë, kërkon vlerën dhe kënaqësinë estetike te libri, ai s`do që të humbas kohën me diçka që për të nuk ka rëndësi apo nuk i vlen. Kohën gjithkush e ka të shtrenjtë. Për mendimin tim, shkrimtari duhet të ulë kokën dhe të dëgjojë nëse lexuesi e pëlqeu apo jo librin e tij, nëse e ndjehu, nëse u emocionua? Çfarë mesazhesh mori prej tij, çfarë përfitoi, i shërbeu në jetë apo jo? Çfarë i mbeti atij në mendje, që ka dëshirë t`ua tregojë edhe të tjerëve… A nuk bisedonim ne me njëri-tjetrin kur ishim të vegjël, për librat e Zhyl Vernit dhe personazhet e atyre librave? Po,kështu bisedonim edhe për “Pinokun” e Karlo Kolodit, për “Shpellën e piratëve” të Petro Markos?, për “Pipi Çorapegjatën të Astrid Lindgrenit, për ”Pa familje” të Hektor Malos…
-Kam qenë i pranishëm në takimet e tua me lexuesit. Edhe në Tiranë, në Lezhë, sidomos, por edhe në Durrës…, si ndihesh në ato takime?
-Takimet me lexuesit i ndjej si proces krijimi. Madje ata çuditen, kur unë u them që jam i emocionuar si përpara një provimi, nëse ma keni pëlqyer librin, çfarë ju ka bërë përshtypje, a keni mësuar diçka nga libri im, a ju ka vlejtur? Sikurse iu them se lexoj shumë, se e prish shumë herë atë që shkruaj dhe e rishkruaj, shpesh herë edhe nga e para…Kam kënaqësinë të them se me lexuesit e vegjël kam zhvilluar më shumë se 300 takime në shkolla, në qendra kulturore, në biblioteka, ku lexuesit më kanë drejtuar mijëra pyetje dhe kanë bërë mijëra diskutime, të cilat i mbaj në shtëpi dhe i lexoj herë pas here, që të kuptoj sa më mirë se çfarë dëshirojnë ata nga unë, çfarë i tërheq më shumë? Por edhe i pyes ata. Për shembull, kur shkrova librin “Erlindi dhe papagalli i çuditshëm”, ku personazhi kryesor është papagalli Çate, kur i pyeta lexuesit që: ta vazhdoja librin me papagallin Çate, apo jo, ata thirrën njëzëri:”Poooooo!” Ishte dëshira e tyre, që unë shkrova edhe dy libra të tjerë me atë personazh…Gjithsesi, shkrimtari ka gjithnjë përpara një punë krijuese, që duhet ta imagjinojë dhe ta shkruaj, duke e çuar gjer në fund me këmbëngulje dhe durim, ai asnjëherë nuk është i kënaqur me punën e kryer sepse ngacmimet krijuese ndaj tij nuk përfundojnë, ato vijnë duke u shtuar…Mendoj që në këtë rast pakënaqësia e shkrimtarit ndaj vetvetes është një shtysë e fuqishme për të ecur më përpara..
-Mendon se s`do të thonë gjë tërë ky numër i madh librash, madje mjaft prej tyre edhe të vlerësuar me çmime, të përkthyer në gjuhë të huaja anglisht, frëgjisht, suedisht, hungarisht…?
-Sigurisht që më përkëdhelet sedra me këto që po më thoni, por shpesh herë mendoj disi ndryshe përsa i përket raportit mes sasisë dhe cilësisë së botimeve. Për shembull, shoqëria njerëzore, vlerëson si një ndër njerëzit më të mençur të planetit, Sokratin, filozofin e antikitetit të lashtë (470-399 p.e.s). Por, të gjithë e dimë se Sokrati nuk ka asnjë libër të shkruar e të botuar! Burim kryesor i të dhënave mbi Sokratin janë nxënësit e tij Platoni, Ksenofoni, Aristofani…Ose, një shembull tjetër: Shkrimtari Georges Simenon, belgo-zviceran (1903-1989) ka shkruar rreth 400 novela dhe ka mbi 700 milionë libra të shitur. Nga ky autor kanë ardhur në shqip dy romane: “Qeni i verdhë” dhe “Lufta e nervave e komisarit Megre, por, me gjitha famën, ai nuk është i nivelit të Dantes, Gëtes, Hygoit, Dumasit, Servantesit, Tolstoit, Dikensit, Bajronit…etj., të cilët nuk kanë shkruar aq shumë libra sa Simenoni, por, cilësia e librave që kanë shkruar ata, vlerat e larta artistike dhe mesazhet që ato përcjellin, janë të atilla që vijnë deri dhe në kohët e sotme dhe në vazhdim.
-Pra?
-Pra, jo se s`do të thotë gjë numri, por cilësia është e para, vlerat që ka libri… Unë ju falënderoj shumë juve, që shpreheni me respekt për krijuesit. Dhe mendoj se ata duhet të respektohen,madje kanë nevojë të respektohen,sepse krijuesit, e çdo fushe, përkushtohen shumë, ata jetojnë dhe punojnë “non stop” me atë çfarë bluajnë e krijojnë në zhanrin e tyre dhe nuk i ankohen askujt. Kompozitorin e shqetëson melodia, muzika, e cila, me një tekst që vjen në harmoni, e bënë veprën më të plotë. Piktori, përjeton skena dhe përfytyrime të shumta, të panumërta që të hedh në telajë emocionin e tij, ndjenjat dhe mendimin, të përdor ngjyrat e duhura, që piktura e tij të jetë tërheqëse, të jetë shprehëse, të të bëj për vete dhe ta pushtoj shikuesin,ta mbajë atë të mbërthyer përpara tablosë, pavarësisht se ajo nuk ka “gojë” të flasë, si ta zëmë letërsia…Skulptori e përjeton veprën në kokë në fillim dhe, duke e krijuar atë me talentin dhe fuqinë e artit të tij, e bënë të jetë përgjithësuese. Sa bukur na i rrëfen këtë mjeshtri i madh i skulpturës, Odise Paskali:”…sa arrita afër monumentit të inauguruar në Korçë, pashë pranë bazamentit një plakë që qante dhe dëgjova fjalët e saj të përsëritura:”Korba unë, o bir!” Në një moment, një burrë plak e qortoi: “Ky ëshë Nexhi Bënja”, moj!” Çava të arrija plakun dhe ta pyesja nga e kuptoi se ishte Nexhip Bënja, statuja ime, por më humbi në turmë. Më vonë mendova për episodin dhe u binda se populli kupton drejt dhe, më shumë akoma, vendosa të kërkoj pëlqimin e tij, qoftë edhe në ëndërrimet e mia.” Deri në kohët tona vjen episodi, kur Mikelanxheloja i famshëm, pasi e mbaroi statujën e Moisiut, e soditi gjatë dhe, sa thirri:
– Po fol de, pse nuk flet?
Kështu mund të vijonim edhe me artet e tjera. Në thelb, vlen vepra, ajo ka më shumë rëndësi, jo numri. Por, veprat më të mira, janë bërë me shumë punë, do të thotë që autorët e tyre janë përkushtuar tërësisht, ata janë bërë “një trup” e “një mendje” me veprat e tyre. Kështu dhe me shkencëtarët, të cilët s`kanë pushuar së punuari, derisa ia kanë arritur qëllimit të tyre. Kemi shembullin e Thomas Alva Edisonit, i cili konsiderohet një nga shpikësit më të njohur në historinë amerikane. Puna dhe zgjuarsia e tij na solli llambën moderne të dritës. Sistemet e energjisë elektrike, fonografin, kamerat e filmave dhe projektuesit dhe shumë të tjera janë vepra të atij njeriu këmbëngulës dhe shumë punëtorë. Për Edisonin thuhet se ai ka kryer mijëra eksperimente që nuk i kanë dhënë rezultat. Kur ia kanë vënë në dukje këtë mendim, që ka dështuar mijëra herë për të shpikur llambën elektrike, ai është përgjigjur: “Unë nuk kam dështuar, kam gjetur vetëm dhjetë mijë mënyra që nuk do të funksionojnë”. Kur vjen puna te shkenca, tek arti etj, sigurisht ka rëndësinë e dorës së parë talenti krijues, por asgjë nuk bëhet pa punuar, madje pa punuar shumë, jashtëzakonisht shumë dhe me durim…
-Juve sa orë punoni në ditë?
-Nuk i numëroj orët. Unë çdo mëngjes, në orën 2.00-2.30 ndodhem përballë laptopit duke shkruar. Kur më vjen gjumë, dremit pakëz dhe ia filloj përsëri…Punoj, edhe 12 orë,madje edhe më shumë dhe, nuk i ndiej fare. Përkundrazi, kur mendoj se jam duke bërë diçka të veçantë, ndiej kënaqësi dhe ajo është si një lloj karboranti…
-Nuk është sakrificë për ju?
-Jo, siç kam lexuar diku, sakrificë është të mos përkushtohem, sigurisht kur ke çfarë të thuash. Se, në kësi rastesh, të mbetet peng, pse s`punova më shumë, pse nuk e pashë edhe njëherë tjetër krijimin tim, pse…Shumë “pse” janë të barasvlefshme me shumë punë plus. Mendoj se krahas talentit, është puna e jashtëzakonshme që ka bërë që, artistët dhe krijuesi të mëdhenj të arrinin përsosmërinë.
-Le të vijmë te libri juaj i 50-të ”Pulëbardha e veriut të largët”. Çfarë do të na thoni, çfarë përmban ky libër?
-Si fillim dëshiroj t`ju them se, nëpërmjet këtij libri kam dashur që lexuesi të përjetoj thellë proverbin e njohur se ”Çastet e bukura nuk i ndjen kur i jeton, por kur i përkujton me mall”.(Gandi).Tregimet e librit: “Grepi” dhe “Peshqit janë të mençur”, përshkohen nga humori, rrëfimi i natyrshëm dhe stili i thjeshtë me të cilin janë shkruar,ndërkohë që befasi është një moment që bie në sy në këto tregime. Një tregim tjetër i këtij libri përshkruan suksesin e një ansambli folklorik shqiptar në Turqi, ku vlerësohet bukuria e artit tonë folklorik. Tregimi që i ka dhënë titullin librit ”Pulëbardha e veriut të largët”, bën fjalë për një episod mbresëlënës në Norvegji, ku tre mërgimtarë shqiptarë, atë ditë pushimi shkuan për peshkim, por aksidentalisht, pa dashje, në vend të peshkut ata kapën me grep një pulëbardhë…Kjo ishte një ngjarje e rëndë për çdo norvegjezë, të cilët kanë konceptime shumë moderne për gjallesat në natyrë…Qoftë edhe plagosja pa dashur e një shpendi, për ata është një krim që duhet gjykuar e ndëshkuar. Të tre mërgimtarët shqptarë u ndodhën përballë një të papriture të pakëndëshme dhe ata rrezikonin deri dënimin… Zhvillimi i mëtejshëm i rrëfimit, gjendet duke e lexuar librin…Dy tregime të tjera, bëjnë fjalë: njëri për një episod të bartur nga lufta për çlirimin e Kosovës, 1999, i titulluar “Kurthi”, ku tregohet rreziku i minave të “mbjella” në tokën shqiptare nga militarët serbë. Tregimi është, sa informues, aq edhe mësimdhënës, pasi tregon një ngjarje që prek edhe sot një numër fëmijësh në zonat kufitare me Kosovën, sidomos zonën e Kukësit dhe të Hasit, ku ende në nënëtokë qëndrojnë të fshehura mina serbe. Ato ngjajnë me “lodra” apo “kafshë” të bukura e tërheqëse, por, që, kur i prek, ato papritmas shpërthejnë… Tregimi i fundit i librit, i titulluar “Lisi”, tregon heroizmin partizan gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kam synuar të sjellë në mendjen dhe përfytyrimin e lexuesve, kontributin e madh e të çmuar që dhanë partizanët shqiptarë gjatë luftës antifashiste nacionalçlirimtare, ku ka dhënë jetën qindra heronj dhe mijëra dëshmorë të atdheut. Ky tregim është i ilustruar nga “Artisti i popullit” Skënder Kamberi…
-Tjetër?
-Të tjerat i takojnë lexuesit dhe krtikës, janë ata që vlerësojnë cilësinë dhe vlerat letrare e artistike të librit.
-Diku jeni shprehur se do të shkruani 100 libra?
-Po, dhe do ta mbajë fjalën, por, siç ju thashë, është cilësia e para, dhe, për këtë, ndonëse do të bëj të pamundurën, druaj të përgjigjem…
-S`ke besimin e duhur te fuqia jote krijuese?
-Në botë, sikurse në shumë fusha, edhe në letërsi ka pasur dhe ka miliona njerëz të talentuar. Secili “konkurron” me tjetrin për të nxjerrë veprën më të mirë. Sigurisht, konkurrenca nuk duhet keqkuptuar, kjo, sepse secili krijues krijon të veçantën e vetë dhe, për këtë nuk është i penguar nga askush. Hapësirat krijuese janë të pafundme, sikurse rrugët dhe motivet. Asnjëri nuk i zë rrugën tjetrit. Do që të krijosh diçka, hidhu, bëje, puno! Rruga është gjithnjë e lirë.
-Ka shumë thënie për librin, cila ju bën më shumë përshtypje?
-Mua më duket intriguese dhe tërheqëse thënia e Toni Morrison:”Nëse ka ndonjë libër që do ta lexosh, por nuk është shkruar akoma, atëherë duhet ta shkruash ti”. Pa këtë motiv kaq të fuqishëm, nuk mund të shkruash libra. Ndodh pak a shumë si me alpinistin. Ai dëshiron ngjitjen e majës së malit dhe e synon atë me çdo kusht, pavarësisht se, shumë të tjerë përpara tij kanë dështuar, shumë të tjerë ecin krahas tij, të tjerë, ndonëse më të pakët, janë edhe më afër majës…Ngjitja vazhdon.