Përsiatje vizuale – mbi librin “Miq në 50 foto”
Mustafa Lamaj, artist pamor,
Philadelphia, 31 dhjetor 2021
Libri i fundit i Qerim Vrionit “Miq në 50 foto’’, i cili sapo më erdhi nga Grand Rapids (MI) këtu në Philadelphia ku unë jetoj, është një surprizë e bukur në ditën e fundit të këtij viti.
Fillimisht mendova se duhet të ishte album fotografik, gjë që ta impononte titulli, por, ndërsa fillova ta shfletoj, ndërthurja e teksteve me fotot më futi fare rrjedhshëm brenda formatit të një libri dhe veçanërisht në raportin e imazhit me fjalën e shkruar.
Imazhet në botën e arteve vizive kanë një potencial të pafund në formë dhe strukturë; ato janë në thelb polisemike (të shumë shenjshme apo shumë kuptimshme). Prandaj, ato shpesh janë abstrakte dhe të vështira për t’u “lexuar”. Hapësira vizuale ka të bëjë me shikimin, ndërsa hapësira skriptive ka të bëjë me të lexuarit. Por kur fjalët janë të vendosura brenda hapësirës së artit, dhe kur ato mishërohen vizualisht në formë, ndodh ai transpozim që gjallon apo materializon gjuhën e shkruar.
Në këtë punim të Vrionit surpriza fillon qysh me foton e parë, e cila edhe pse e rastësishme, është kapur në momentin e duhur, ajo duket sikur të fton dhe të hap derën e historisë së jetës së personazhit, i cili me filxhanin e kafes në dorë është tepër grishës, formati katror i kësaj fotoje është i ndarë në tre plane: plani i parë që është dora me filxhanin e kafes e cila i mbivendoset dy planeve të tjera, të fton të hysh në bisedë me personazhin; plani i dytë është koka e moçme përhumbur në historinë e jetës së tij dhe plani i tretë është sfondi ai që balancon dhe mbyll grafikisht imazhin…
Dhe biseda vazhdon ritmikisht me figurat e tjera. Seicila e kapur në momentin dhe karakterin e vet. Ata janë personazhe real të kulturës shqiptare të cilët Vrioni ja ka dale të na i shfaq në dikotomin tepër befasuese të imazhit me tekstin të cilat janë koncentrate biografike të kapur në një moment të caktuar por të zhveshur nga pompoziteti që zakonisht shoqëron librat biografik. Kalimi nga një foto-tekst në tjetrën është një kronikë sa kinematike aq dhe piktoreske e personazheve, të cilët rrjedhin në përditshmërinë e jetës së tyre të pa bujë.
Fotot e librit nuk janë një përzgjedhje e menduar ato janë snapshots-e rastësore të kapura në vite të këtyre personazheve të cilët duken sikur jua lexon fjalën nga goja. Vrioni nuk reket ti mbishpjegoj fotot, ai sa i nxit ato duke na i transmetuar me vizualitetin e tyre, dhe personazhet fillojnë të flasin pafundësisht me historitë e tyre.
Në këto ditë pambarim të pandemisë, ky libër i konceptuar me elegancë është një bashkëudhëtim virtual me keta personazhe të rëndësishëm të kulturës shqiptare, të përjetësuar në një modesti tepër befasuese dhe në kontrast të fortë me personazhet kallp që dominojnë dhunshëm sot jetën kulturore anë e mbanë.