Albspirit

Media/News/Publishing

“NJË SHKRELAS NË MANHATTAN”, HUMORI SHKODRAN QË NA LA PAS LUIGJ ÇEKAJ

“NJË SHKRELAS NË MANHATTAN”, HUMORI SHKODRAN QË NA LA PAS LUIGJ ÇEKAJ
NGA DALIP GRECA*
Libri “Një shkrelas në Manhattan” u publikua pas vdekjes të poetit, shkrimtatrit tonë të dashur Luigj Çekaj. I falenderohem familjes së Luigjit-, fëmijëve të tij të mirë: Terensit, Justinës dhe Enkolanës, që ma dhuruan me dedikim.
Kam pasë fatin ta njoh dhe të jetoj afër me Luigjit për 10 vite, por edhe më pas nuk i humbëm lidhjet. Sa isha tek ‘Illyria’ kisha privilegjin që të isha i pari që të lexoja krijimet e reja të tij dhe i publikoja ato në gazetë. Luigji ishte i kujdesshëm në përpunimin e çdo poezie. Kishte raste kur e dorëzonte poezinë apo ciklin në redaksi dhe ndërsa kthehej nga Manhattani në Bronks, telefononte nga shtëpia për korrigjim a ndryshim vargu a fjale. Përkujdesja e tij mund të krahasohet me përkujdesjen e poetit të ndjerë Uran Kostreci, i cili pasi dorëzonte sonetet në redaksi kishte raste të shumta kur kthehej sërish dhe i tërhiqte ato për t’i ripunuar.
Në botimin e librit në prozë “Unë vij nga Shkodra” isha redaktor i atij libri dhe gjatë procesit të redaktimit kishim debate, por gjithmonë mirëkuptoheshim. Ka pasë raste kur kemi publikuar në ‘Illyria’ shkrime me dy autorsi, Luigji dhe unë, siç ishte rasti i përurimit të shtatores së Nënë Terezës pranë Kishës “Zoja e Shkodrës”.
Edhe librin e fundit, atë të pasvdekjes, e kam kaluar nëpër duar përpara se ta merrte në dorë redaktori i kujdeshëm Nikolla Spathari.
***
… E kishim lexuar Luigjin si poet e si prozator, por jo aq si humorist, satirist e si qendisës bejtesh në vijim të traditës së bukur shkodrane. Kishim shijuar librat me poezi “Vjeshtë në Aeroporte”, librin e mrekullueshëm “Nënë, Ti Hije e Kaltër prej Loti”. Unë mendoj se Luigji vetëm me ato dy libra e parë poetikë do të mbetej poet antologjik, por ai nuk u kënaq me aq, punoi me fjalën deri në fund të jetës. Pas vdekjes na befasoi me humorin dhe satirën e tij përmes librit që e la dorëshkrim dhe që u botua nën kujdesjen e familjes, redaktuar prej dajës së tij, shkrimtarit Nikollë Spathari, njeriu që u bë mbrojtja e Luigjit në kohët e vështira të diktaturës, kur atij i mbylleshin dyert dhe tregohej me gisht për shkak të biografisë.
Luigji i ka paraprirë librit me rrëfime poetike satirike me një përcjellje në vend të parathënies, ku tregon shtysat që e çuan tek ky libër me 259 faqe, i shkruar në vargje dhe që përmban mbi 5 mijë vargje.
Në parathënie, Luigji spjegon se fillimisht e ka parë ‘humorin’ si një kështjellë të vështirë për ta pushtuar, qoftë në respekt të humoristëve, bejtebërsve dhe humorit shkodran, qoftë edhe për shkak të gjigandëve të këtij zhanri; qofshin botërorë, apo shqiptarë, ku përmend:Dritëro Agollin, Qamil Buxhelin, Miço Kallamata, Tonin Miloti, Pëllumb Kulla, Nikolla Spathari, Paulin Selimi, Niko Nikolla, Hyskë Borobojka, Filip Çakuli e të tjerë. Ballafaquar me ata, e shihte gati të pamundur për të servirur diçka të re dhe të arrirë në fushën e humorit e të satirës. Këtë mendim e kishte pa ardhur në Amerikë, mirëpo shumë shpejt ai zbuloi brenda vetes satiristin që mund ta pushtonte kalanë e humorit. E bëri këtë zbulim sapo shkeli në aeroportin J. F. Kennedy, ku vëllai John Kolë Çekaj e priti si mesi’.
Luigji i takonte atij brezi krijuesish që kishte vuajtur në emër të absurdit ideologjik, për shkak të luftës së klasave, tipike kjo për diktaturat e vendeve të Lindjes. Ishte ndarë me babanë kur ishte vetëm 3 vjeç, më 1953, kur ati i tij Kola, kërcënohej me arrestim dhe u arratis, duke përfunduar në SHBA, ndërsa nëna, Gjyste, u internua në gulagët e Myzeqesë.
Ardhja në Nju Jork e takoi Luigjin me atin e tij Kolë dhe iu deshën më shumë se dy muaj që të çmalleshin dhe të përjetonin e rikujtonin dramat ndaj njeri-tjetrit, ai si bir, e tjetri si atë.
Si shkoi tek humori? Sprovën e parë e bëri me modefikimin e vargjeve të këngës popullore të shqipërisë së Mesme “Bubullin te Shkambi i Kavajës”,- për ta thelluar përvojën, sprova të tilla i bëri në shtypin e diasporës si në Gazetën ‘Illyria’ apo në revistën”Trojet Tona” e “Jeta Katolike” etj.
Sprovat vazhduan me me vargjet humoristike kushtuar personazheve të jetës së përditshme, veçanërisht atyre të kompanisë ku punonte si punëtor magazine në Mount Vernon, ku thuri vargje me ngarkesë humori që u pëlqyen e u duartrokitën në çastet e pushimeve të shkurtra, ku ai i recitonte.
Në qendër të librit është vendosur qytetari shkodran me emrin Lumto Fini, i cili vjen turist klandestin në SHBA, por ndërron mendje dhe kërkon azil në zyrat e emigracionit:
Lumto Fini, fin se fin
Kur ka hyrë në Emigrejshën,
Ka përshëndetur me”Hau Ju duing”,
Dhe nga xhepi nxjerr një letër!
Kam pas frikë deri hijen natën,
Dhe këtë gjë, them, ti e din!
-Këtu e pate Konsullatën…
Ti zotëria”What Jou duing”!
Për poetin, vargu ”What Jou duing” është thjesht një protestë e ndershme dhe e qetë, që Lumo Fini, nëpërmjet Emigracionit Amerikan u drejtohet të gjithë vendeve Perëndimore, me pyetjen që ende ka mbetur pa përgjigje:
-Zotërinj të nderuar, çfarë keni bërë, dhe çfarë po vazhdoni të bëni kështu me ne emigrantët?
Personazhi kryesor Lumto Fini vendoset në rrethana humori , të atilla, ku shfaq thelbin e karakterit. Luigji e vendos personazhin e tij në situate të ngarkuara me humor….Madje edhe kur zbret në aeroport, ai nuk kursen as mikun e shqiptarëve,presidentin e Amerikës, Bill Clinton:
Në aeroport, siç është zakoni,
Lumto Fini kur ka zbritë;
-“A ke byrëm Bill Clintoni?
Në mos paç, m’jep atë resitë!?
S’dua t’ma bësh si ai miku n’ Shkodër,
Një natë vjeshte nëpër shi,
Që m’tha:”Pse s’erdhe mbrëmë,
Sonte s’jemi në shtëpi!”
Personazhet e librit të Luigj Çekaj prezantohen me emra realë të diasporës, ku në qendër janë klerikë, shkrimtarë, mësuesë, pedagogë, mjekë, artistë,politikanë, gazetarë, rapsodë, biznesmenë dhe njerëz të thjeshtë.
Edhe pse libri është shkruar në bazë të gjuhës së njësuar standarde, autori i tipizon karakteret dhe personazhet me të folmen gegnishte, herë pas here ai përdor dhe fjalë e fjali në gjuhën angleze, sipas rrethanave ku veprojnë personazhet; bëhet fjalë për një anglishte të shqipëruar.
Në librin e tij Çekaj nuk harron pa vlerësuar bujarinë e biznesmenëve shqiptarë që e kanë ndihmuar për publikimin e librave të tij. Ai veçon biznesmenin Zef Balaj, që është sponsor i këtij libri.
Përveç 9 strofave 4 vargjshe, ku Çekaj elaboron figurën e Zef Balaj si njeri fisnik e zemërbardhë, autori i kushton vend kësaj figure edhe në parathënien e librit, ku shkruan: “Kur përfundova së shkruari këtë libër me humor, vetiu më lindi një ide; që edhe sponsorin e botimit ta gjeja pak sa, si me “humor”. Kështu që pa një pa dy, hapa bllokun e numrave të telefonit, dhe pasi i shqyrtova disa prej emrave të njohurve të mi; në fund vendosa të thërras Z. Zef Gjon Balaj, me të cilin nuk kisha ndonjë miqësi të madhe, por nga që e dija se ishte patriot, thashë ta shqetësoja dhe unë një herë si shumë të tjerë, që ai nuk i kishte kthyer duarbosh…Ia thashë në telefon hallin që kisha”. E lanë të takoheshin një të shtunë në restorantin “Colonial” që ndodhet në zonën e Pelham Parkway. Luigji nuk i ka përmendur shifër, se sa para i duheshin për librin, por kur është larguar, Zefi i ka lënë në dorë 3 mijë dollarë dhe ka shkuar.
…Poeti shkruan: Miku im, Zef Balaj, po dilte nga parkingu, ashtu me flokë të thinjur, dinjitoz si ata burrat e bukur-pikturuar nga R. W. Emerson, i cili kur ka gdhendur në filozofi karakterin e një burri të fortë, me siguri ka njohur ndonjë personazh të fortë dhe altruist si Zef Gjon Balaj.
Nga ana kompozicionale libri është ndarë në kapituj. Kapitulli i parë i kushtohet mësymjes drejt Nju Jork-ut të autorit dhe mbanë titullin”Drejt New York-ut”.
Libri ka marrë titullin e poezisë së parë “Një Shkrelas në Manhattan”. Poeti stis, sajon humbjen e rrugës në metropolin njuorkez dhe përmes një tabloje metaforike përcjell situatën e emigranatit të ri që nuk orientohet dot në Manhattan:
Në Manhattan ngatërrova rrugë
Dhe si të humbur e pashë veten,
Që t’mos shkoja pa shenjë, pa dukë,
Në Grand Central vara xhaketën..
Këmishën e hodha n’ Canal Street
Portofolin në China Town
Këpucën e djathtë në Astoria Queens,
Ndërsa të majtën në Long Island…
Kur në mend më ranë adresat
Në Co-op city perëndoi Hëna!
Dreqi i mori t’gjitha teshat
Unë cullak, siç më kish’ bërë nëna…
Pastaj këtu n’atdhe të Drajzerit
Mallkoj veten n’kulm t’vetmisë;
Pse ja ktheva shpinën Shkrelit
Me u tretë rrugëve larg Shqipnisë.
Heroi i librit Lumto Fini endet nëpër komunitet, derisa një ditë treni e shkarkon në Pelham Park, vend i banuar me shumicë shqiptare:
Këputun mallit për Shqipërinë,
Xhepat bosh, pa metelik
Zë merak me një Limuzinë…
Lumto Fini pështillet ndër miq e të njohur, sa për dreka dhe për darka, por një ditë i thanë se do t’i nxirrnin biletën e kthimit ….
Mirëpo, tha nuk kthehem mbrapa
kundërshtonte ashtu me të butë:
Ka pasë thanë, Gjergj Mullaga
Burri s’duhet me u ngutë!…
Në kapitullin e parë”Drejt Neë York-ut”, përveç poezisë që i ka dhënë titullin librit, përmend dhe poezi-satira”I Swear TO GOD”’, “Lumto Fini disident”, “Lumto Fini shkon në shkollë”, “Lumto Fini flet për Luftën e Klasave””Lumto Fini jep Interview”, “Unë, Ramiz Alia, Dëshmoj Historinë”, ku me dy strofa ai jep thelbin e pasuesit të diktatorit:
S’është në nder të emigrantit,
T’besoj përrallat që ka lënë
Ai, që i ra pas komandantit,
Lumto Fini Paska thënë.
Se Ramizi si xhongler
Luan Ping-pong me të vërtetën,
Kur thotë ai”mirëmëngjes’
N’tren të mesnatës ik pre biletën!”…
Kapitulli i dytë, apo nënndarjen e dytë “Në kujtim të humoristëve shkodranë”, përmblidhen 37 poezi satirike që u kushtohen jo vetëm humoristëve të vjetër shkodranë, por edhe personaliteteve kombëtare si At Gjergj Fishta, të cilin me të drejt e cilëson si themeluesin e poezisë satirike shqipe:
Tash të ndalemi tek Fishta,
Që vjen ndryshe n’shekull t’ri
Poezinë satirike
Themeloi në Shqipëri.
Të keqes i del përballë,
Nuk kursen zyrtarë as prifta,
Gjithandej ai shpon e tallë
Oborrtarë dhe ministra!
Thonë, një ditë, e thërret Lalë Krosi
E po i thotë, n’sy të Mbretit:
“A ,Ti je Pater Gjergj Fishta,
Që na i qet bishta Miletit?”
-Po, unë jam, përgjigjet Frati,
Me krye lartë dhe serbes
– E pra ti qet e pret bishta,
– Ndërsa unë kokën ta pres.
“Lala Kros, o Lala kros,
Vetë shkruaj e vet vulos
Ty kush dreqin të thotë “mos”!
Po i ka fajet ai Balosh…
Këtu audienca mori fund,
Se e mbylli vetë poeti,
Audiencë të tillë s’kish parë pallati
Qeshi Lala e qeshi Mbeti… (vijimin e gjeni në f. 39).
Kapitulli i tretë “Fëmijëria” përmbledh poezi autobiografike që përshkruajnë në vargje rrjedhën e jetës së tij, si poezia”Në fëmini me Nush Spatharin”, ku përmes 14 strofave 4 vargjshe, të shkruara me rimë të të kryqzuar, përcjell situata plot humor. Me strofa katërvargjshe janë ndërtuar edhe poezitë “Në Goraj-Budishë”, që ka 9 strofa, 36 vargje- poezia “Me Gjekë Lumajn” përmes 44 vargjeve ngërthen një humor brilant dhe sjell nga e shkuara plagët e dhimbshme të biografive dhe luftën e klasave.
Me shumë dashuri janë shkruar edhe poezitë që përmblidhen në kapitullin “Në Gjimnazin Jordan Misja”, ku përfshihen 17 poezi që sjellin mbresa dhe kujtime nga shoqe dhe shokë të klasës së Luigjit, por dhe të mësuesëve të tij si: Jusuf Shpuza, Tef Prela, Haki Kraja e të tjerë.
Me shumë interes kam lexuar poezitë që u kushtohen shokëve të Ushtrisë. Arsyeja e leximit të vëmendshëm qëndronte në faktin se Luigji, si të gjithë ata me biografi të keqe, e kishte kryer shërbimin ushtarak në repartin e xhenjos, ku përveç lopatave dhe kazmave e qysqive të punës u jepnin edhe pushkën e drurit. Pikërisht në atë repart dhe së bashku me Luigjin e kishte kryer ushtrinë edhe miku im, nipi i tim eti, poeti kulak, Sherif Bali, i cilësuar si Esenini i Darsisë. Kur kishim dalë një pasdite në Pelham Park e shëtisnim me Luigjin, pasi më lexoi disa nga poezitë e veta, unë i kërkova pak vëmendje për t’i lexuar disa nga poezitë e Sherif Balit, i cili për shkak të shpalljes kulak të të atit, iu ndalua e drejta e botimit. Sapo ia lexova poezinë e parë, Luigji më tha: Poezia e Sherif Balit na ka heq lodhjen pas punëve të rënda xhenjere në ushtri…
Në këtë kapitull përfshihen 19 poezi, njera më e bukur se tjetra.
Situata të ngarkuara me humor përcjellin kapitullin”Bëmat e një emigranti”, ku përmes 13 poezive përshkruhen”bëmat” e Lumto Finit, që zë punë në pastrime dhe merr oferta të lakmushme nga Shqipëria për punë zyrtare…
Në kapitullin pasues “Njerëz të shquar dhe njerëz të thjeshtë”, përshkruhen në vargje porterte dhe karaktere të shqiptarëve: si Ismail dhe Elena Kadare, Dom Pjetër Popaj, Pellumb Kulla, Mark Gjonaj, Justina Aliaj, Keze Kozeta Zylo, Dr. Agim Neziri, Dr. Mentor Sejdiu, Shkrimtari Naum Prifti dhe Ramiz Gjini, piktori Astrit Tota, Pashko Stanaj, Gjon N. Gojçaj, artisti Vasil Marku, Vasel Shkreli dhe shkrelas të tjerë, Prof. Agron Fico, Tom Paloka, Enver Garunja, Ferdinand Deda, Preç Lukë Toma, Vehbi Bajrami, Shkrimtarit Nikolla Spathari, Dom Ndue Gjergji, gazetarët Dalip Greca dhe Muhamet Mjeku, Ismer Mjeku.
Portretet edhe pse në sensin e humorit mbartin vlerësime pozitive prej autorit. Janë gjithësej 25 poezi të tilla përkushtuse në këtë kapitull.
Ndërsa në kapitullin”Propozime Qeverisë” Luigji mes vargjeve e grish qeverinë dhe presidencën shqiptare që të vlerësojë e të dekorojë personalitete atdhetarësh, që lënë gjurmë në diasporën e Amerikës: si- Dom Pjetër Popaj, Zef Balaj, Vehbi Bajrami, Vllaznit Gojçaj, Gjon Dedvukajn, Tonin Mirakaj, Mark Shkreli, Vëllezërit Përlleshi,Ded Kolë Miri…Kol Prëk Cacaj,e të tjerë.
Libri mbyllet me ciklin “Don Kishoti në shërbim të Atdhetarizmit”, i cili përmbanë 10 poezi që shtrihen në 25 faqe.
Si përfundim shfaq mendimin se libri “Një shkrelas në Manhattan” është një ‘përmendore’ e meritushme, që familja e tij na e mundësoi pas vdekjes së Luigjit. Ia vlen ta keni në bibliotekat tuaja.
Pushofsh në parajsë miku im Luigj Çekaj!
• Mbajtur të Dielën, 9 Janar 2022, në Qendrën Kulturore “Nënë Tereza” të Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork, në kujtesë të poetit Luigj Çekaj, organizuar nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.
Please follow and like us: