MILJENKO JERGOVIÇ: AKTORI QË REFUZOI TË LUAJË PARA VRASËSVE
Marrë nga gazeta kroate “Jutarnji List”
Përktheu nga origjinali Xhelal Fejza
Bekim Fehmiu ishte seks simbol, ishte shqiptar, megjithëse aktor në gjuhë të huaja, ishte një shkrimtar që u përket të dy popujve.
Libri “Shkëlqim dhe tmerr” një ditë ka për të qenë shumë i rëndësishëm dhe i famshëm, ndërsa kultura dhe letërsia serbe kanë për t’u mburrur me faktin që në periudhën e tmerrit të saj, një shqiptar shkroi një vepër shëlbyese. Atëbotë Serbia do të jetë krenare me Bekimin.
Në vitin 2001, në galerinë e arteve Velkoviç në rrugën Birçaninova në Beograd, takova Brankën dhe Bekimin. Ajo: aktore e madhe teatri, zonjë fine dhe delikate beogradase, në fytyrën e së cilës atë mbrëmje nuk shiheshin gjurmë të kohëve të vështira dhe rrethanave të pakëndshme në të cilat gjendej. Ai: prej më shumë se një dhjetëvjeçari jashtë vëmendjes së publikut, për protestë, me një fytyrë e cila dukej ndryshe nga ajo të cilën kemi njohur nëpërmjet filmave. Ishte mplakur bukur, por ndërkohë fytyra e një seks simboli të filmit jugosllav dhe europian ishte shndëruar në një fytyrë asketi. Sikur Ahmed Nuredini1 të kishte arritur të plakej, apo më mirë të themi sikur Mesha Selimoviçi ta kishte plakur personazhin e tij, në film ishte shumë i përshtatshëm për ta luajtur Bekim Fehmiu. Por me siguri që nuk do ta luante, sepse Bekimi kishte vendosur, pikësëpari për protestë për shkak të raportit ndaj shqiptarëve në Beograd dhe Serbi, dhe pastaj edhe për shumë gjëra të tjera të këtij lloji, që të mos aktrojë më.
Njëherë, shumë vite më vonë, e pata pyetur për këtë dhe ai, në mënyrë të argumentuar dhe të qetë, më shpjegoi se aktrimi për të është lojë, vërtetë lojë shumë serioze, por ama ai nuk mund të luajë më pas atyre gjërave të tmerrshme që ndodhën. Foli lehtë dhe bukur, sikur dinte të fliste ai, sikur çdo herë ishte duke mësuar këtë gjuhën tonë, e cila për të ishte gjuhë e huaj. Çdo fjalë e trajtonte me shumë kujdes, sikur fjala të ishte njeri. Fliste 1 Ahmed Nuredini është personazhi kryesor i romanit “Dervishi dhe vdekja” të autorit boshnjak Mesha (Mehmed) Selimoviç (shën. i përkth.) me një zë të bukur, zë të cilin e ke që nga lindja, por në njëfarë kuptimi edhe duhet ta meritosh. Nuk e kishte atë ngashnjimin prej aktori, i cili gjithesesi është simpatik. Ishte njeri dukshëm dinjitoz, vetëm se nuk ishte ai dinjiteti i atyre serive nga filmat anglezë, apo atyre pamjeve të akullta të jetës qytetare sipas Bergmanit. Dinjiteti i tij ishte i përbërë nga ngrohtësia dhe pranimi.
Me sinqeritet, por ama vetëm një herë, i thashë se sa shumë kishte patur rëndësi për mua kur kam qenë fëmijë. Nuk desha të dukesha si ndonjë adoleshent i cili sapo ka njohur një njeri të famshëm të cilin e ka patur gjithmonë para syve në pllakatin e ngjitur në murin e dhomës së fëmijërisë së tij. Iu bë qejfi kur i thashë se gjyshja ime nuk mund ta shihte atë skenën filmike kur Beli Bora (Beli Bora – Bora i bardhë, personazhi kryesor i filimit “Skupljaçi perja”-“Mbledhësit e puplave”, i luajtur nga Bekimi. Ky film fitoi “Palmën e Artë” në Festivalin e filmit në Kanë në vitin 1967 dhe në vitin 1968 u nominua për çmimin “Oskar”- shën. i përkth.) thyen gotën përgjysëm dhe pastaj, nga derti, dridhet sipër copave të qelqit. Disa gjëra në atë film duken shumë më reale se sa mund jenë në jetë.
Bekim Fehmiu e fliste gjuhën serbe si dhe gjuhët e tjera ashtu sikurse i flasim ne. Por do të ishte gabim të thuhej se e tradhëtonte shqiptimi, sepse shqiptimi i tij ishte kurdoherë i saktë. Por intonacioni i tij ishte tjetër, tjetër ishte edhe ritmi i fjalëve të tij. Staccatoja e frazave të tij të shprehura në gjuhën kroate, serbe, malazeze apo boshnjake ka hyrë në kujtesën kulturore të një vendi dhe një kohe. Kështu fliste Bekimi dhe është gabim të mendohet se kjo është kështu sepse gjuhët e mësipërme nuk ishin gjuha e tij amtare. Në mënyrën e të folurit të Bekimit ishte trupëzuar personaliteti i tij, ai prej aktori dhe ai vetjak, kështu që e tërë një epokë, më e madhja dhe më e rëndësishmja nga të gjitha epokat në historinë e njerzimit, epoka e fëmijërisë dhe adoleshencës tonë, nuk do ta kishte atë harmoninë e saj sikur Bekim Fehmiu të mos fliste bash ashtu.
Në filmin “Edukimi special” të rregjizorit Goran Markoviç, ai luante rolin e edukatorit Munixhaba. Po, e di është mbiemër qesharak, kështu shprehet aktori në një nga replikat e para të filmit. Në këtë film luante rolin e një njeriu të çuditshëm, të fuqishëm dhe në vetvete të ngritur, prandaj nuk është e çuditshme që nekrologët, kur shkruanin për Bekimin, përmendën kaq shumë pikërisht “Edukimin special”. Në rastin e tij ishte një film sikurse ndodh edhe me të gjithë aktorët tjerë gjatë karrierave të tyre dhe kjo merret vesh vetëm kur karriera e tyre është pikërisht në fund, në kohën kur mblidhen dhe bëhen përshendetjet e fundit. Filmin testament disa e xhiruan në fund të karrierës disa të tjerë në fillim, ndërsa Bekim Fehmiu e xhiroi diku në mes.
Në vitin 2001, u ktheva në Zagreb me pjesën e parë të prozës së tij biografike “Shkëlqim dhe tmerr”. Fillova ta lexoj në tren dhe e lexova me ngadalë për tri netë rresht. Megjithëse në shtypin e Beogradit u shkrua me respekt për këtë libër, dhe mjaft bukur u shkrua dy a tri herë edhe në Zagreb, madhështia dhe intensiteti i tij i brendshëm mbetën jashtë diskutimit publik, për ndonjë kohë të ardhme ndoshta, kohë në të cilën do të jetë e mundur të lexohet më me shumë qetësi dhe durim. Duket sikur ia njohën rëndësinë dhe prandaj e kanë vendosur në raftin e librave për ta lexuar më vonë.
Bekim Fehmiu rrëfen për jetën e tij që fëmijë, qëkur lindi në një familje shqiptare nga Kosova në gjendje të mirë ekonomike, në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Ngadalë, fjalë pas fjale, figurë pas figure, ai stis një mozaik i cili e befason lexuesin para së gjithash me shkallën e lartë të stilizimit. Megjithëse në këtë stilizim nuk ka asnjë që mund të jetë e sëmurë në mënyrën e Marsel Prustit, kjo prozë, për nga finesa dhe ndjeshmëria, por edhe për ambjentet e zotërillëqeve të kohëve të vjetra, është njëfarë rendje kosovare pas kohëve të humbura. Por, përveç që libri “Shkëlqim dhe tmerr’, mund të lexohet si një roman i madh për rritjen e një njeriu, e cila ndodh kudo, në cilinëdo pjesë të njohur apo të panjohur të botës, bëhet fjalë për një libër nga i cili lexuesi jugosllav, e në veçanti ai serb, për shqiptarët dhe jetën familjare në Kosovë, merr informacion më shumë se sa ka marrë gjatë nëntëdhjetë viteve të kaluara, vite në të cilat kanë jetuar në të njejtin shtet dhe ku kanë patur mundësi të lexojnë nëpër gazeta, revista apo libra të botuar në gjuhët tona. Dhe të gjitha këto me vetëdije mbi dinjitetin, si të njeriut ashtu edhe të tekstit letrar. Sepse kjo për Bekimin ishte i njejti moralitet, sepse ai thjesht nuk mund të kishte dy morale. Prandaj edhe e pati aq të vështirë.
Rrëfimi përfundon në kohën para se personazhi kryesor të bëhet aktor. E pyeta nëse do ta vazhdojë. Oh, po, sigurisht! Dhe sa herë që i takoja, atë dhe Brankën, ose vetëm Brankën, sepse atë pa Brankën nuk e pashë kurrë, gjë e cila është për mua shenjë e një dashurie të lartë, i pyesja se çfarë bëhet me pjesën e dytë. I pyesja sepse më interesonte, por edhe se nga ana tjetër e dija se për shkrimtarin ka shumë rëndësi kur i bëhen pyetje të tilla. Duhej të ishte shenjë e respektit tim ndaj shkrimtarit tek Bekimi. Me të vërtetë shkrimtar i madh.
Duke vendosur të mos luajë më, Bekim Fehmiu e dënoi veten me vetmi. Botët dhe identitetet që lindën rreth tij në kohën e luftës dhe pas saj nuk ishin më të tijat. Jetoi në dashuri dhe vetmi. Kush e merr vesh se kur dhe cila nga këto të dyja është më e madhja. Problemet e mia me mospërkatësinë dhe së bashku me këtë edhe identitetin tim, shumë herë më pak dramatik se i tij, dhe rolin moral, i cili në krahasim me të të tijin është i parëndësishëm, të cilët më shpinin pikërisht tek njëshi dhe vetmia, shpesh i kam zgjidhur duke patur në mendje Bekimin. Nuk duhen kritikuar ata të cilat vazhdojnë të luajnë pavarësisht nga rrethanat, por ama për njeriun ka rëndësi jetësore kur është në gjendje të mrekullohet me aktorin që e refuzoi një gjë të tillë.
Ditët e para të pranverës së vitit 2009 në adresën time elektronike erdhi një mesazh nga Branka dhe Bekimi ku bashkëngjitur më dërgonin dorëshkrimin e pjesës së dytë të librit “Shkëlqim dhe tmerr”. Më luteshin ta lexoja, ti ndihmoj në lidhje me një dyshim të natyrës private, dhe tu them sinqerisht se çfarë mendoj për tekstin. Librin e printova dhe e lexova shumë shpejt, por mu deshën dy muaj që tu kthej përgjigje. Një histori e madhe, krejt ndryshe nga e para, por gjithsesi e shkëlqyer dhe e tmerrshme u derdh tek unë, dhe prandaj u shkruajta se duhej ta publikonin sa më shpejt. Ishte i lumtur. Shkrimtari i vërtetë, për fat të keq, kurrë nuk e di se ka shkruar një libër të bukur, prandaj edhe duhet që dikush t’ia thotë këtë.
Në fund të romanit përshkruan se si filloi lufta: “Parambrëmje. Qielli është ngjyrë portokalli gri. Kisha në Graçanicë. Njerëzit hyjnë e dalin nga ajo në kolonë. Puthin ikonat. Në kupolën e kishës fluturojnë sorrat e zeza. Sipër tyre, një tufë tjetër sorrash, duke fluturuar dhe krakaritur, vinë përqark, bëjnë që qielli të duket edhe më i zi. Në horizont një brazdë e kuqe e përgjakur ndan tokën nga horizonti. Krakarritja e sorrave mbi Graçanicë është mbytëse. Natë. Qëndroj në tarracën e gjërë të shtëpisë së Dijes. Asnjë gjeth nuk lëviz. Atje poshtë, tek bahçja e Taukut, pesë pjestarë të njësive speciale. Shoh vetëm gacat e cigareve të tyre që ndriçojnë kur thithin tymin. Nga larg vjen një aromë squfuri. Fabrika e azotit. Mbi qytet shtrihet një heshtje e rëndë dhe e çuditshme! Shkëlqimi u shurdhërua”!
Ka diçka hyjnore e cila një ditë do të merret vesh, e unë e di shumë mirë se ka për tu marrë vesh, sepse ndryshe nuk ka si të jetë, se dy librat më të mëdhenj shëlbyes të letërsisë serbe të fillimit të këtij shekulli i ka shkruar pikërisht një shqiptar. Bekim Fehmiu vdiq me dëshirën e tij. Dëshira e tij ishte shumë më e fortë se sa kjo botë. Dhe ne përsëri duhet ta respektojmë këtë dëshirë të bekimit. E gjithë vetmia e tij u derdh në dashuri./exlibris
1 Ahmed Nuredini është personazhi kryesor i romanit “Dervishi dhe vdekja” të autorit boshnjak Mesha (Mehmed) Selimoviç (shën. i përkth.).
Kur dy shqiptarët Irena Papas dhe Bekim Fehmiu luanin filmin “Odisea”