Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: HOMAZH PËR KULTURISTIN ME SY BOJË QIELLI

Kështu do mbetet në kujtesën time ai djali i vogël me sy bojë qielli që vinte nga Kruja, me buzëqeshjen e ndrojën e një vajze e me ato pak fjalë të prera e të mënçura. Mua më kishin emëruar në Shkollën e Mesme të Kulturës në trajtën e një ndëshkimi, pas batërdisë së tmerrshme që bëri Enver Hoxha nga festivali teatror që nuk i pëlqeu (?!), po para portreteve të këtyre fëmijëve të qeshur e plot ëndrra harroje gjithçka së ç’të kishte ndodhur, apo se ç’kishin të tjerët më të lartë me ty… Dhe do të ndodhte që, tek ky djalkë i lezetshëm, jo vetëm që do të shlodhesha tek e dëgjoja të fliste, po do mësoja se sa e bukur dhe e rrallë qe ëndrra e tyre, për t’u bërë aktor, regjisor, metodist a masovik kulture, atje në fshatin e tyre… Gjatë tre viteve të mësimdhënies me të e shokët e tij, vija re prioritetin e këtij fëmije të mbarë, etjen e jashtzakonëshme për të mësuar gjithçka i duhej e,p ër habi, të thoshte edhe gjëra të tjera që i patën bërë përshtypje e donte t’i diskutonte bashkërisht me mua e shokët e tij. Qe si një rast “sui generis”, sepse zgjidhte edhe formula të matematikës, ashtu në këmbë, pa letër përpara, duke të parë drejtë e në sy! E nuk më hiqej nga mëndja “Djali me sy boje qielli”, edhe kur dola nga hekurat e Hapsanës… Kështu që, do të mësoja se ishte emëruar të punonte në një Librari të Fushë Krujës si edhe kishte mësuar vetë anglishten e italishten…
Rastisi që unë, mësuesi i tij, tashmë puntor i Komunales së Tiranës, që veja në Linxë të çaja gurë e t’i ngarkoja në një Skodë me sponte të Larta, çimento në Fabrikat e Çimentos në Vorë e në Fushë-Krujë dhe të grryeja e ngarkoja rërë e zhavor në lumenjtë e Erzenit e të Tapizës, po me atë Skodë karakatinë e me drojën e një puntori të deklasuar, edhe pse i khyer në fantazmë për njerëzit e lire-“armik hesapi”!-kërkova ta takoja ish nxënësin tim. Mezi e njoha! Ai djalë i vogël me sy prej qielli, qe bërë një burrë i shëndetshëm e ma kalonte mua dy pëllëmbë! Më njohu menjëherë dhe bëri të paditurin, duke mu hedhur në qafë…
Kështu e mbaja në mendje Murat Aruçin që sapo iku nga të gjallët, pas një operacioni në kokë, që atij iu duk se shpëtoi, por pas pak kohe do na ikte atje ku thonë së është “Parajsa”…! Nuk qe deputet a ministër, as adhurues i ndonjë partie politike, po një kulturolog i apasionuar, që jetonte e punonte në mes librash dhe që mësoi vetë, pa mësues, italishten e anglishten e, për të perfeksionuar aksentin e tyre, kishte vajtur disa herë në Itali e ne Skoci! Djalë i papërtuar e i kulturuar ky Murat Aruçi, mandej edhe gazetar sportiv, shkruante si i tillë për gazetën “Panorama Sport” e përkthente artikuj e studime nga këto gjuhë, sikundër më përktheu mua pasazhe nga libri i priftit të Villa Badesës Lino Belizzi për banorët e këtij fshati italjan të themeluar nga fshatarët e mi që në vitin 1723…Qe një rast i bekuar e fatlum ky i fundit që, së bashku me Muratin,-këtë herë si përkthyes-, pas shëmbjes së shtetit të diktaturës, të niseshim përtej Adriatikut dhe të venim atje ku ndodhej fshati ynë binjak, ku do na priste,-fatlumërisht-,edhe Prof.Dr Françesko Stoppa i Universitetit të Chietit. Ky njeri i shquar ,-mik i imi që u bë menjëhere edhe miku i ish nxënësit tim, na mbajti në shtëpinë e tij dhe, për një javë rresht, nuk do të ndahej nga ne, duke vajtur shtëpi më shtëpi, rrugë më rruge, në kishë e tavernë, si edhe në festën e karnavaleve,-po edhe në atë punishte ku ky njeri i apasionuar per rrikrijimin e kostumit tradicional piqerasiot,-pasion i veçantë i profesorit të Antropologjisë të Universitetit të Chietit, që nuk do të ndahej aq lehtasi prej ne të dyve, veçanërisht prej këtij djaloshi të bëshëm e fisnik, që e fliste gjuhën e tij me “rrënjë e me degë”.
I kudondodhur e i papërtuar, i dashur, me sjelljen e përhershme të një djaloshi të kulturuar, Murat Aruçi, krijonte përherë takimet e kulturistëve, shokëve të tij të shkollës, prej të cilëve ishin shquar 6 aktorë e regjisorë të teatrit e të filmit, pesë dirigjentë të orkestrës sinfonike e kompozitorë, kater poetë, shkrimtarë e studjues. Nuk pati kohë as të martohej,-sikundër thoshte edhe vetë. Në tryezë qe i përkorë dhe e quante veten “vegjeterian”. Dinte të të bëhej mik e kaluar mikut, me një humor të hollë e përvojë reale jete… Në kohën e tij të lirë, shtrohej në tryezë me ta dhe i ndiqte nëpër aktivitetet e tyre, rregullisht, me pasionin e nje njeriu bashkëkohës.Dhe në kohën e përditshme punonte me zell tek një Biznesmen Aparatesh Elektro-Shtëpiake. Në mbrëmje e natën qe një mik i internetit, duke komunikuar me të gjithë miqtë , pa përjashtim. Të vëndit e të huaj. Nuk u habita që, një ditë i duhej të priste disa sportistë të kanotazhit nga Italia në Limanin e Vlores dhe më kishte ftuar,për kënaqesine e vet, duke më porostur veçanërisht të mos mungoja, ngaqë aty do të ishte edhe Ministria jonë që kishte në patronazh Turizmin. Për bela, aty do t’i prisnim sportistët italjanë vetëm ne të tre, ngaqë “të zotët e shtëpisë” nuk di pse mungonin e kështu, spektakli i tyre mbi det, që do shijohej vetëm prej nesh, bëri që i miri Murat, mos ta donte më veten , prej indiferencës së vendasve, që erdhën aty afro një ore më mbrapa. Qe një sadisfaksion i yni, që e ndjemë veten të turpëruar prej miqëve të përtejë detit…
E vete ikën ky njeri pasjonant, me një dashuri universale, që kishte me vetë qiellin, detin e tokën, -gjithçka për normat e njerëzve tanë, te ngulur në tokën e tyre e që i bëjnë vazhdimisht ndere shoqërisë dhe mëmëdheut!
Athinë, 25.01.2022.
Please follow and like us: