Albspirit

Media/News/Publishing

Pirro FOTIADHI: In memoriam, Aleks Aristidh NIKOLLORI!

IDEALET ISHIN DHE MBETËN THESARET E PASURISË SË ÇMUAR

 

Në vend të prologut…

Historia e Himarës, në thelbin e saj shumëshekullor dhe ekzistencial, dëshmon për jetën e vrullshme të një komuniteti të mbrujtur me dashurinë për Lirinë dhe integritetin, për mendjemprehtësinë, për trimërinë dhe mosbindjen ndaj çdo diktati dhe nënshtrimi. Një trevë që me vetëdije kishte përzgjedhur të jetonte në Liri duke mos e shkelur dhe nënshtruar as djallëzia dhe as fermanet krejt pa vlerë të Otomanëve sundimtarë, ashtu sikundër as me shpata dhe jataganë. Duke rezistuar ndër shekuj dhe iu falur me përulje parimeve të shenjta themelore të Lirisë, të pavarësisë, të integritetit dhe dinjitetit të cilat natyrisht që garantonin respektimin e themeloreve, vlera njerëzore.

Kësisoj në historinë e saj, spikatin dhe konfigurohen figura dhe vlera, personalitete dinjitozë që bashkërrugëtuan me kohën duke shkruar e lënë gjurmët e tyre modeste në vijimësinë historike të vendlindjes së tyre.

Sepse imazhin e figurave dhe personaliteteve të spikatura, karakterin, kontributdhënien e jetën e tyre e dëshmojnë jo vetëm veprimtaria e tyre e rëndësishme, por edhe detajet e vogla të thjeshtësisë së përditshmërisë, të cilat për hir të modestisë, mbeten të parrëfyera e të pakonfirmuara në rrjedhat e kohës.

Një prej tyre është pikërisht Aleks Nikollori, simbioza dhe dëshmia e një biri të denjë të Iliasit dhe gjithë Himarës, i mbrujtur me dashurinë për vendlindjen e patriotizmin atdhetar, ofroi gjithë potencialet e tij shpirtërore dhe mendore, sistematikisht për afro 5 dekada, në shërbim të zhvillimit, të një të ardhmeje të re shpresëdhënëse, të progresit dhe begatisë së trevës himariote e gjetkë, kudo ku ai shkeli duke lënë gjurmët e tija të vyera sa optimiste, po aq edhe frytdhënëse.

Pikërisht në një ditë të ftohtë dimri si sot, erdhi në jetë dhe Aleks Nikollori do festonte Përvjetorin e Ditëlindjes. Por fatkeqësisht ai nuk është më pjesë e jetës sonë dhe kësisoj e kujtojmë me ndjesinë e hendekut të pafund që krijon mungesa fizike e tij.

Energjik, i guximshm, hokatar, pa shumë pretendime Aleks Nikollori, si një individ me virtyte të larta, ndonëse në përditshmërinë e tij ishte tepër i thjeshtë, zemërmirë, i ndershëm, gjithmonë i qeshur, i parehatuar, elokuent por edhe me vullnet të fortë, në raport me aspiratat e tij, asnjëherë nuk ndihej i plotësuar dhe i kënaqur me ato ç’ka ofronte realiteti.

Aleks Nikollori, i lindur si një njeri me thesare të mëdha shpirtërore, me bindjet e tij të patundura, me qetësinë dhe urtësinë e tij karakteristike, me vizionet, me këmbëngulje, përqëndrimin, përkushtim dhe pasion, me njohuritë dhe disiplinën, vendosi t’i përkushtohej për t’u bërë një element sa më i dobishëm dhe i vyer pikësëpari, për vendlindjen e tij Iliasin e Himarën, mandej për gjithë vendin. Duke përjetuar natyrisht në kohë shumë të vështira të periudhës së pasluftës dhe rindërtimit të vendit, atëhere kur vetë shoqëria po përballej dhe sprovohej nga ndryshimet e mëdha dhe dramatike në të gjitha nivelet e jetës, dmth (ekonomike, ideologjike, sociale, shoqërore), ndryshime që krijuan fatkeqësisht sfondin për të dalë në skenën e pushtetit një regjim totalitar dhe qeveri diktatoriale.

Αleks Nikollori, në rrugëtimin e tij jetësor, ishte një himariot krejt i veçantë, me madhështi shpirti, me potenciale dhe energji të shumta, me merita të padiskutueshme, që me jetën dhe punën e tij të ndershme na dhuroi impresione dhe kujtime të ndritura, por njëherazi edhe një trashëgimi të pashlyeshme jetësore
Në kontekstin e aradhave të mësipërme, thelbësore në vlerësimin dhe respektimin e një individi, kurrësesi nuk mund jenë etiketat momentale që i shprehim shpesh pa u ndrojtur, në pikësynimet e qëllimeve të mbrapshta.Por mënyra objektive se si cilido individ, i shërben me vetëmohim shoqërisë, se si vepron në shoqëri dhe çfarë ofron tek ajo. E megjithatë, është mëse logjike dhe e drejtë, t’i gjykojmë njerëzit sipas kritereve objektive të kohës së tyre që jetuan dhe jo sipas kritereve subjektive të kohës tonë.

 

Rrugëtimi jetësor…
Aleks Nikollori, erdhi në jetë si sot shumë mote më parë, pikërisht në Ilias më 26 Janar të vitit 1926. Familja e tij e trashëgoi mbiemrin nga i pari i tyre, që ishte Nikolloi (Niko) dhe u vendosën në Ilias, si të ardhur nga Vunoi, duke u shkëputur kësisoj nga fisi i Thopajve.

I ati i tij Aristidhi, një burrë fjalëpak e shtatshkurtër, ku angazhohej me punë të shumta e nga me të ndryshmet, duke u shquar në krasitje si një mjeshtër i rrallë. Për një periudhë kohore edhe ai, së bashku me të vëllanë Vasilin, morën rrugën e kurbetit në Francë, ku punuan me sakrifica në minierat e Sent-Etienit, por nuk përballuan dot vështirësitë e atyshme e për rrjedhojë u kthyen në vendlindje. E ëma Sofia i përkiste nga origjina fisit të Tolajve (Gjidedajt). Realiteti tipik i zymtë i kohës, i një familjeje të varfër, por tepër e ndershme.

Ishin ato kohëra kaotike, ku mungesa e bukës ishte një torturë e parrëfyer shekullore. E nesërmja ishte realisht një tmerr i vërtetë për thuajse gjithë trevën e Himarës e gjetkë. Familja e Aleks Aristidh Nikollorit, padyshim që përjetoi të njëjtat vuajtje dhe të njëjtat vështirësi që përjetoi e gjithë Himara, i gjithë vendi dhe populli shqiptar, gjatë periudhës së pushtimit. Periudha e viteve 1939-41 e në vijimësi, karakterizohej dhe ishte e mbytur në një varfëri që shkonte deri në dhimbje. Lufta Italo-Greke shkretoi e shkatërroi gjithçka. Vija e frontit të Luftës ndodhej në Vuno, në Vishë. Rruga e vetme e shpëtimit ishte braktisja e shtëpisë dhe e fshatit. Gjithandej dhimbje, panik e trishtim. Familjarisht imponohen të largohen përkohësisht, duke u nisur në drejtim të Shkodrës. Mandej pas disa muajve që konsistonin me qetësimin dhe normalizimin e situatave, rishtaz u kthyen në Ilias. E njëjta situatë, e njëjta gjendje, rishtaz varfëri e tejskajshme.

Aleksi ndërkohë starton shkollën e mësimet i ndoqi në shkollën e Vunoit, rrugën për në të cilën 4-5 km e përshkonin përditë me këmbë. Shkolla ishte një godinë dy katëshe, e cila ndodhej pranë Kishës së Shën-Spiridhonit. Së bashku me moshatarë të tjerë të asaj kohe si Shulle Kapja, Rodhothe Vjeron, Fotine Lazrin, Mahe Zoton, Klearko Pipo (Andonin), Kozma Balën, Taqo Kovaçin duke pasur si shok të ngushtë e të afërt, Llambro Gjomemon. Kur i zinte shiu në dimër, strehoheshin në ndonjë shpellë a rrëzë ulliri dhe rrobat u thaheshin në trup.

Me dashuri për dijen, ndiqnin me pasion mësimet që jepeshin me pasion e përkushtim nga mësuesit Dhimitër Grillo, Vasil Fotiadhi, Panajot Gjiknuri dhe një mësues muzike, Remziu nga Elbasani, i cili përpos të tjerash luante dhe violinë.

Pasioni per dijet dhe shkollën ishte një gjë krejt e veçantë. Me dëshirën e mirë zhvilloheshin sistematikisht gara mes djemve të fshatit se kush do të kishte kaligrafinë më të mire e të përsosur. Shkrimi natyrisht që lidhej me karakterin, vullnetin dhe disiplinën e çdo nxënësi. Shquhet dhe veçohet si pasionant me kaligrafinë por edhe për estetiken.

Ato vite përkojnë me hyrjen e fashizmit e në vijimësi të nazizmit në Shqipëri. Pa e tepruar, mund të thuhet se në ato konjuktura kohore, Himara realisht ishte një fuçi baruti. Përpara se të shkelnin në Himarë gjermanët, forcat partizane qëndruan autobusin me pasagjerët e linjës në Qafën e Llukait në Ilias. Mes tyre ndodhej edhe Aleksi dhe Mantho Bala të cilët siguruan një pushkë, duke ia marrë një karabinieri që ndodhej si pasagjer.

Ardhja e fashizmit natyrisht që konsiderohej si një okupim i vendit, i integritetit dhe territoreve të tij. Kësisoj lipsej të reagohej e organizoheshin veprime dhe aksione konkrete. Dëshira për të jetuar në LIRI, fugonte fuqishëm në zemrën e njomë djaloshare të Aleks Nikollorit ashtu sikundër edhe në zemrat energjike të bashkëfshatarëve të tij.

Për hir të së vërtetës, duhet thënë se Aleks Nikollori kontaktin me idetë komuniste e starton qysh në bangat e shkollës. Ideja dhe mesazhi komunist në trevën e Himarës, përhapet prej drejtuesve të Grupit të Rinjve, Sadik Premtes, Pali Terovës dhe Qani Shenajt, të cilët në Marsin e vitit 1942, organizuan një mbledhje me afro 50 të rinj të Iliasit dhe Vunoit, në shtëpinë e vunjotasit Stavro Trola.

Në moshën 14-15 vjeçare, Aleksi njihet me Zaho Kokën, Kristo Papajanin, Lefter Kasnecin, të cilët vizitonin Iliasin dhe mobilizonin vendasit për t’u angazhuar në rradhët e Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Në vijimësi, asiston në një sërë takimesh të tjera ku ndodheshin figura të shquara të trevës, që përkrahnin fuqimisht këtë lëvizje si Pirro Pavllo, Qimo Kocani, Kiço Gjikopulli, Minella Koleka, Qimo Zhapa, Gogo Bajo etj të cilët i informonin për luftën për rolin e Bashkimit Sovjetik, për Stalinin etj.

Angazhohet dhe rreshtohet në formacionet luftarake territoriale për të luftuar kundër armikut pushtues. Fillimisht si ilegal, mandej një ditë së bashku me bashkëfshatarët Milo Markun, Taso Gjideden, Harrilla Gjomemon, si partizanë me nxitjen e Paskal Andonit. I inkuadruar në kompaninë e parë të batalionit të 4-ët, të Brigadës së 12-të Sulmuese, me detyrë si korrier. Komandant ishte Tomor Çomo, në të njëjtën skuadër me Petro Xhavarën, Pajtim Sinanin, Llaqi Papasava dhe Miranda Myslymi.
Një detyrë tepër e vështirë ajo korrierit, me misione të mundura e të pamundura, me rreziqe dhe befasira krejt të pamenduara, teksa për të përmbushur detyrat e ngarkuara, lipsej të udhëtonte në zona të lira e të ndaluara, përmes forcave dhe vijave luftarake armike, për të mbrritur në destinacion.

Pasi vendi çlirohet prej nazifashistëve, me entuziazmin rinor të fituesit, Aleks Nikollori merr pjesë në parakalimin ceremonial historik të 29 Nëntorit 1944, në bulevardin kryesor të kryeqytetit, përpara anëtarëve të Qeverisë Provizore të Beratit.
Menjëherë pas çlirimit caktohet në qytetin e Gjirokastrës, si ushtar i Mbrojtjes së Popullit. Komisar i këtij batalioni ishte Kleanth Andoni nga Vunoi, i cili e cakton si Përgjegjës të Rinisë.

Por më 14 maj 1946 kthehet në vendlindjen e tij në Ilias. Qysh të nesërmen la pushkët dhe iu fut punës, me kazmë, shatë, lopatë, bel e kosore, për të ndihmuar në punët e ngutshme të ekonomisë familjare. Kurrësesi nuk i trembet syri prej vështirësive momentale dhe situatës krejt të vështirë që përballej Iliasi dhe gjithë Himara, në periudhën e pasluftës Çlirimtare.

Aleks Nikollori ishte ithtar i flaktë i traditës, të familjes së shëndoshë, i burrërisë, karakterit, virtyteve, drejtësisë dhe fisnikërisë. Si një djalosh sqimatar, guximtar e sypatrembur, shtatlartë dhe me sy plot ëmbëlsi, por me një thjeshtësi të rrallë, Aleks Nikollori e vlerësonte familjen, si vatrën dhe qelizën shumë të rëndësishme në jetën e çdo individi. Kësisoj, më 12 Dhjetor 1949, ai krijon familjen e tij duke u kurorëzuar me martesë me Anastasia Bollanon nga Himara. Një martesë e lidhur prej mblesërisë së kryer nga ana e gjyshit të tij, duke mos pyetur asfare për të ashtuquajturat kleçka në biografi të bashkëshortes së tij himariote. Por falë punës së tij vetëmohuese, falë integritetit, falë virtyteve dhe idealeve të tij, mundi me sukses t’i përballonte dhe sfidonte gjithë dashakeqësit mitomanë që inskenonin intriga dhe komplote për të eleminuar individë me personalitet dhe karakter të fortë.

Gjithësesi, Aleks Nikollori solli në jetë 3 djem të mrekullueshm e një vajzë, të cilët u rritën dhe edukuan në gjirin e një familjeje harmonike të jashtëzakonshme, me dashuri e përkujdesin e zhvillimit të gjithanshëm shpirtëror. Për të qenë anëtarë të denjë, të edukuar, të formuar dhe të përgjegjshëm të shoqërisë.

Ngjarja e Dhërmiut në vitin 1967, një ngjarje makabre sinjifikative, dëshmon pasqyrën e vërtetë të denigrimit dhe persekutimit të tij. Ndonëse delegohet në Dhërmi për të interpretuar Letrën e Hapur e për t’u përballur me uraganin e reagimeve të dhërmiasve kundër realitetit dëshpërues që vuanin si pasojë e nënshtrimit dhe diktatit të heshtur neveritës që ushtronin skuthat mendjecekët manjakë ndaj bashkëpatriotëve të tyre.

Në vend të reagimit logjik të pushtetarëve, për të adresuar në korrigjimin sa më parë të mangësive dhe gabimeve të shprehura, arroganca servile e verbuar vendos në shënjestër, Aleks Nikollorin, duke e fajësuar krejt pa asnjë faj, duke e akuzuar rëndë për shkelje të normave partiake.

Duke anashkaluar të vërtetat dhe realitetin, duke anashkaluar enkas shqetësimin real të dhërmiasve, dy misionarë të rrezikshëm të territ e ithtarë të kurtheve, si Binaj dhe Ciruna, mohojnë realitetin dhe diktojnë me pasionet e tyre të harbuara mashtrimet e rradhës, për të hedhur medoemos baltë e njollosur njerëzit e ndershëm me ideale dhe parime të vyera. Me pasojë Aleks Nikollori të shkarkohet padrejtësisht nga funksionet dhe detyrat që ishte ngarkuar.

Në mesin e viteve 1950-të, Aleks Nikollori starton dhe përfundon studimet pranë Shkollës së Partisë në Tiranë dhe menjëherë emërohet si drejtuesi kryesor partiak i Himarës.
Angazhohet fuqimisht në problematikat shqetësuese të cilat ishin sfidat e asaj kohe, siç ishin Reforma Agrare e kolektivizimit. Ndonëse pretendohej se gjithçka kryhej mbi baza vullnetare, në realitet kjo direktivë partiake dhe shtetërore, lipsej të përmbushej me çdo kusht dhe mënyrë.

Pas krijimit të kooperativave të para të Vunoit dhe Iliasit në harkun e viteve 1956-58, duhet thënë dhe shprehur fakti, se edhe vunjotasit e pritën me ftohtësi dhe indiferentizëm direktivën për krijimin e kooperativës. Gjithësesi, fokusohet në aktualitetin e krijimit të kooperativës së Himarës, duke u marrë me reagimet negative të fshatarëve të mesmë himariotë, të cilët reaguan me zëmëratë dhe refuzuan hapur të ishin pjesëtarë të kooperativave që promovoheshin. Nuk ishte asfare rastësor fakti që edhe pse me mënyrat e njohura prapaskeniste, u mundësua ngritja dhe funksionimi i kooperativave, ndërkohë që individë stoikë, si Perikli Bau nga Himara, apo Mantho Bifsha në Dhërmi dhe Niko Gjini në Kudhës, qëndruan të distancuar dhe jashtë rradhëve të kooperativës.

Së bashku me Vasil Neranxin, shkelin në çdo vatër himariote, duke kërkuar bashkimin e tyre në kooperativë, e cila më së fundi u krijua, në një takim me pjesëmarrje të gjerë, ku ndodhej i pranishëm nga udhëheqja e Lartë partiake edhe Pilo Peristeri, duke pasur si Kryetar të parë, qeparotasin Llambro Varfi.

Mandej, Aleks Nikollori ngarkohet me detyrën e drejtuesit të Kooperativës së Himarës, si dëshirë dhe vullnet të vetë himariotëve, duke pasur në krah himariotë me reputacion si Vlash Bollano, Pilo Bollanon, Irakli Bollanon, Irakli Kulin e shumë të tjerë punëtorë e të palodhur në kultivimin e agrumeve dhe ullirit.

Në siparin e viteve 60-të, në kuadrin e një riorganizimi të domosdoshëm, në kooperativën aktuale të Himarës, bashkohet Spilea dhe Shën-Mëhilli në një kooperativë tanimë, duke u zgjedhur njëherazi si Kryetar i saj, Simo Milo.
Mandej i vlerësuar për aftësitë e tij organizative, për mençurinë dhe oratorinë por veçanërisht për karakterin e tij të thjeshtë e tepër komunikues, Aleks Nikollori ngarkohet fillimisht si përgjegjës sektori në Lushnjë e në vijimësi si Kryetar i Kooperativës së Mallkeqit, Lezhanit e më pas të Sherishtë-Kaninës, në rrethin e Vlorës, duke dëshmuar prototipin e njeriut të ndershëm e të papërtuar, duke u gjendur në krye të organizimit të punëve dhe realizimit të objektivave prodhuese.
Pozicionimi social-shoqëror dhe veprimtaria e shumanëshme frytdhënëse misionare e Aleks Nikollorit, e cila starton qysh në vitet e rinisë së tij, dëshmoi se ai asnjëherë nuk devijoi prej parimeve dhe virtyteve të tij të shenjta, për të cilat dyluftonte përçdoditë që t’i bënte sa më jetësore në komunitetet ku ai ofroi dhe kontribuoi. Kategorikisht asnjëherë ai nuk u fatalizua prej iluzioneve të fatit dhe konjukturave, për të fajësuar kushtet dhe rrethanat për gjithçka pozitive apo negative ndodhi në vijimësinë e jetës dhe veprimtarisë së tij drejtuese sociale, drejt zhvillimeve transformuese.
Pas shpërbërjes së sistemit në vitin 1991, Aleks Nikollori ashtu sikundër shumë bashkëpatriotë të tij, imponohet të largohet familjarisht në Greqi, duke përjetuar tanimë emigracionin.

 

Veprimtaria krijuese…

 

Aleks Nikollori, duke pasur si origjinë dhe vendlindje atë vend të bregdetit ku edhe lulja mbin në gur, Iliasin, një dhuratë e mrekullueshme e natyrës, rishtaz ofron mesazhe të rëndësishme dashurie dhe humanizmi, duke ravijëzuar me tone të buta dhe frymëzime artistike botën e tij shpirtërore.

Në jetën e çdo njeriu ka momente dhe ditë që mbeten të fiksuara e ngulitura thellë në kujtesë. Duke jetuar bujshëm, përmes penës së tij të mprehtë, Aleks Nikollori ofron thesaret e shpirtit të tij në formatet e botimeve interesante «Himara në Akrokeravnë», si edhe «Dëshmoj për të vërtetën». Botime me një stil dhe performancë tepër origjinale, ku ai me një talent të përkorë, me një gjuhë të përzgjedhur e të zhdërvjelltë, duke qenë jo vetëm qytetar, por edhe një protagonist dinamik, mundëson dhe ofron për lexuesin mesazhe jetësore me vlera të jashtëzakonshme, historike por edhe letrare artistike. Duke skalitur dhe mbrujtur me urtësi dhe durim të madh, brumin midis ëndrrës dhe zhgjendrrës, ndërmjet jetës dhe vdekjes, mes luftës dhe rrënimit, për të kumtuar fatin e tij, të familjes, fshatit Ilias dhe gjithë trevës së Himarës. Një përpjekje tepër modeste dinjitoze, me ndjesira emocionale dhe impresione mbresëlënëse, për të ndriçuar të shenjtën kauzë të së vërtetës dhe historisë.

Me dashurinë dhe pasionin për këngët popullore, qysh në fëmijërinë e tij të brishtë, ia kishte mëtuar e ngjizur e ëma, por me tepër hallë Vathikua, e cila ishte një thesar i vërtetë. Pa e tepruar për kohën e saj, ajo ishte një rapsode e dëgjuar në Himarë e përtej kufijve të saj. Veçonte këngët e dashurisë si perla të vërteta artistike me fuqi dhe larmishmëri, njëra më e bukur se tjetra.

Aleksi ngjizet qysh në moshë të njomë me dashurinë e pasionin për këngët, duke kënduar, duke shkruar, por edhe duke hedhur vallet karakteristike të fshatit dhe trevës së tij, Himarës. Këto indicie ai me kalimin e viteve i shndërron në sendërtimin e këngëve dhe poezive me tematikë të gjerë e shumëllojshmëri, me një sinqeritet admirues të cilat pa mëdyshje do të mbeten si thesare të vyera për të gjitha moshat në të gjitha kohërat që do vijojnë.

Përmes dinamizmit të fjalës së tij shprehëse dhe sinqeritetit, ai ofron një krijimtari me një muzë frymëzuese të bazuar në tabanin themelor të këngëve popullore, duke spikatur si botime tepër tërheqëse.

Të tejmbushura me dritën, frymëmarrjen, aromën e ngrohtësinë e Iliasit dhe Himarës, krijimtaria e Aleks Nikollorit shpaloset natyrshëm, ku me mjeshtëri e finesë, mbresat e ngjarjeve dhe episodeve emocionuese, përjetësohen përmes lajtmotiveve individuale, por edhe atyre kolektive. Të cilat spikasin për ravijëzimin e parimeve filozofike si edhe vlerave jetësore, që lidhen kryekëput me aftësitë, punën, shpresën dhe integritetin.

Me urtësinë e filozofisë së tij të dhimbjes dhe derteve të përjetuara me stoicizëm, Aleks Nikollori hedh dritë të bollshme në enigmat e panjohura të Iliasit dhe gjithë Himarës, në gjithë harkun kohor të kronologjisë së jetës së tij, duke rrëfyer me thjeshtësi e figuracione të pasura metaforike, pasionet e ëndërrimeve dhe vizioneve të tija. E paralelisht, duke ofruar me zemërgjersi mesazhe të qarta si për të sotmen po ashtu edhe për të ardhmen.

Në aspektin e vlerësimit dhe mirënjohjes së pakufishme, por njëherazi edhe në ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe historike, kontributdhënia dhe vepra letrare e trashëguar prej Aleks Nikollorit, shërben si një himn edukativ me vlera, që u përcillet brezave të sotshëm dhe të ardhmërisë.

E natyrshme që koha dhe vitet do të ecin,ndërsa emri dhe vepra e Aleks Nikollorit,do të mbetet e skalitur dhe e përjetshme në panteonin e figurave dhe personaliteteve me një madhështi admiruese.
Në vend të epilogut…

Kurrësesi nuk është asfare e rastësishme se veprimtaria intensive dhe puna e madhe dhe e palodhur e Aleks Nikollorit ,në të gjitha aspektet ku e thërriti detyra dhe ai angazhohej, ndriçon karakterin, personalitetin dhe bindjet e tij të forta e të palëkundura. Të cilat natyrisht që bazoheshin në pikëpamjen e tij themelore, se njeriu mund të ndryshojë jetën e tij, vetëm atëhere kur diferencon këndvështrimin e tij. Por njëherazi edhe të kuptojë se nuk janë rrethanat apo ngjarjet (në vetvete) ato që ndikojnë dhe formatojnë komunitetet përreth. Por gjithësesi mënyra se si, cilido individ, përzgjedh të pozicionohet në raport me to. Realisht Aleks Nikollori mund të mos e ketë deklaruar zyrtarisht këtë fakt. Por nga ana tjetër, është e sigurtë se ai i besonte fort të vërtetës së madhe, se në fund të fundit, të gjithë jemi ata që bazohemi në përzgjedhjet tona, se lindim rastësisht, por ama mund të përzgjedhim të ardhmen tonë. Në konteksin kohor, Aleks Nikollori vlerësoi dhe gjykoi faktin thelbësor, se për t’i ofruar komuniteteteve dhe shoqërisë, ato që aspironin, lipsej të bashkohej kolegjialisht me një kolektiv. Në mënyrë që të ndante ndjeshmërinë, butësinë, predispozitat pozitive dhe gadishmërinë e tij për të reflektuar, besimin në solidaritetin social dhe, më e rëndësishmja, për t’i materializuar dhe kthyer ato në veprime dhe rezultate konkrete.

Idealisti dhe parimori Aleks Nikollori,ashtu sikundër një plejadë e tërë e brezit të tij, duhet pohuar se për brezat më të rinj, ishte një misionar i përkushtuar për konjukturat dhe kohët e vështira të historisë kombëtare. Ashtu sikundër dhe një «urë» e gjallë mes dragonjve luftëtarë të rezistencës antifashiste dhe çlirimit, në luftën dërrmuese me armikun e mallkuar dhe brezave aktualë modernë të luftëtarëve për progresin, për respektimin e të drejtave themelore njerëzore dhe zhvillimin e shoqërisë.
I cili me ndjenjën e patriotizmit, dhe besnikërisë që e karakterizonte ndaj idealeve të mëdha e sublime, përjetoi sakrifica dhe sfida të panumërta, duke ndjerë rrezikun e jetës në dyluftimet e vdekjes me pushtuesit e duke i mposhtur dhe përmbushur me përgjegjësi, me nder e trimëri, detyrën e tij ndaj ndaj vendlindjes, familjes,shoqërisë dhe atdheut.

Aleks Nikollori, u shua duke u larguar përfundimisht nga jeta në 22 Korrik të vitit 2006, por krenaria, fisnikëria, përkushtimi, integriteti, modestia, idealizmi, dashamirësia, vlerat e thella humane, e bëjnë atë të pavdekshëm në memorien e Iliasit, të Himarës, ashtu sikundër edhe të Vlorës, të Mallkeqit, Lezhanit, Sherishtës, Kaninës dhe Drashovicës e gjetkë.

Pikërisht si një figurë rrezatuese dhe modeste, do të mbahet mend dhe do të kujtohet nga të gjithë ata që bashkërrugëtuan, jetuan dhe bashkëpunuan me Aleks Nikollorin. I cili ishte i pakursyer dhe ofronte ndihmesën e tij, duke ju gjendur gjithkujt në krah, në çdo rast eventual halli apo nevoje, duke lënë mbrapa një vargan çastesh të paharruara e mbresëlënëse.

Ndihemi krenare për bashkëkohësin dhe bashkëpatriotin Aleks Nikollori, për ndjenjën e detyrës, për përkushtimin, devotshmërinë dhe kontributdhënien e palodhur të tij.
Këto aradha tepër modeste vlerësimi, janë aradha mirënjohjeje dhe respekti si homazh për të spikaturin Aleks Nikollori, i cili gjithë jetën e tij plot sfida dhe sakrifica, plot halle dhe vuajtje, ia kushtoi të thjeshtëve njerëz, idealeve dhe parimeve të tij të pakonstetueshme, Iliasit dhe Himarës. Ashtu sikundër edhe Mallkeqit, Lezhanit, Kaninës dhe Drashovicës ku ofroi gjithë energjitë dhe potencialin e tij për ndryshimin dhe zhvillimin e tyre social-kulturor. Sepse rrjedha e jetës me kalimin e kohës, në mënyrë dialektike i largon njerëzit. Por imperativa dhe domosdoshmëria për të promovuar dhe mbajtur të ndezura dhe aktuale, figurat dhe vlerat e çmuara dinjitoze të trevës së Himarës, krijon premisat e duhura për të vlerësuar në mënyrë modeste, individë që ndriçuan dhe mbajtën lart me krenari, traditat e shquara liridashëse, atdhetare e të progresit.

Sepse ajo që mbetet e memorizuar dhe e pavdekshme mbetet kontributdhënia, virtytet që i dalluan, mendësia, botëkuptimi, refuzimi i të mirave dhe privilegjeve vetiake, gjurmët e punës dhe suksesit, që me zemërgjerësi i ofruan shoqërisë dhe individëve. E tepër sinjifikative përkojnë vargjet e gjetura të mikut dhe kolegut tim gazetar, Agim Jazaj, kushtuar të thjeshtit buzagaz, Aleks Nikollori:

Njeriu i artë,
Mik i gazetarëve,
Vdiq si emigrant,
Prehet mes të parëve.
Kujtimet janë të shenjta dhe të vyera, teksa ngjizen e frymëzohen prej respektit dhe dashurisë së sinqertë njerëzore.
Miku ynë i shtrenjtë, Aleks Nikollori, me mirënjohje dhe përulje, përherë do t’ju kujtojmë me dashuri dhe respekt.
I përjetshëm kujtimi dhe shpirti yt i dlirë, u prehsh në Paqe në tokën e bekuar të Iliasit, Aleks Nikollori!

Athinë, 22 janar 2022.

 

Please follow and like us: