Albspirit

Media/News/Publishing

Sefedin Çela: ARTI SI DHUNTI, AKT GUXIMI E LIRIE

-Mundësi fantastike e lirisë së individit për të zgjedhur-
Me Mevlan Shanajn jam njohur rastësisht në rrugët e Patosit në fund të viteve gjashtëdhjetë. Të dy tepër të rinj, as njëri as tjetri nuk dinim ku do të ishim e çfarë do të bënim të nesërmen. Vite më vonë e pashë nga ekrani, ”Rrugicave që kërkonin diell”, një djalosh tërë ëndërra. Po nga ekrani e pashë bust mbi krahët e bashkëluftëtarëve ,” I teti në bronz”, i rëni në betejë në një arë me grurë.
Aktor e regjisor në zë, për vite me radhë nuk na u bë mbarë të takoheshim as për një kafe.
Ndonjëherë jeta të sjell rastësi të këndshme, më të papritura se në një skenar filmi.
Në fund të viteve tetëdhjetë u ndodhëm të dy nën të njëjtën çati, në RTSH. Sigurisht, tashmë e njihja nga afër, jo më nga ekrani. Ai ishte drejtor i sektorit të prodhimit të filmit e dokumentarit në televizion. Kishim pirë kafe e kishim shkëmbyer batuta miqsh.
Një ditë troket në zyrë.
Donte të xhironte një film. Jo si producent e drejtor, po si regjisor, si autor! Ai regjisor ishte, ku flinte lepuri këtu?
– Kam një problem etik, – tha. -Duhet të ta them!
Më vuri përpara një dosje.
“Fletë të bardha”, skenari Natasha Lako!
Natasha Lako, bashkëshortja e Mevlanit. Problemi ishte te mëndësitë! Askund nuk shkruhet se skenaristi nuk duhet të ketë marrëdhënie, qoftë dhe familjare, me regjisorin, aktorët, producentin apo me këdo tjetër në film. Edhe mund të ndodhë, nëse precedenti nuk kthehet rëndom në praktikë.
Gjykova se ishte një rastësi fatlume. Natasha ishte skenariste profesioniste, “e licensuar” në Kinostudio.
Ai deshte dhe ta lexoja skenarin.
Sipas rregulloreve skenari detyrimisht duhet të shoqërohej me një reçensë nga një skenarist tjetër, ose kritik arti, pa marrëdhënie interesi midis palëve. Miratohej brenda strukturave që autorizonin prodhimin e financimin e filmit.
-Ta kërkoj si mik! – nguli këmbë Mevlani.
– Po e lexova kam frikë se do të më kthehen manitë e dikurshme të redaktorit e botuesit,- i thashë . – Kam frikë se do të vë dorë në tekst!
Subjekti ishte interesant. Gjithkush lind si fletë e bardhë. Jeta t’i ndrin a t’i nxin ato, si korbit pendët.
Dukej sikur filmi ishte një test edhe për autorët edhe për mua. Në të vërtetë, jashtë, në jetën reale, tensioni ndihej në ajër, nëpër stadiume kishte ngjarje, nuk dihej si do të përfundonte një ndeshje futbolli e transmetimi i saj direkt, financat ishin tkurrur e rrezikoheshin deri pjesët e ndërrimit. Drama jashtë në jetë ishte më tronditëse se në skenar.
Vura viza e shënime anas tekstit, si sugjerime, pa më munduar mania e redaktorit! U jam mirënjohës të dyve për mirëkuptimin.
Nuk isha takuar ndonjëherë me Natashën, edhe pse për disa vite ishim brenda të njëjtit sektor e puna më kishte çuar shpesh në Kinostudio. Nga larg ishte një nga personazhet impresionues që nga rinia e hershme, për shkak të një poezie dashurie.
Një i ri i atyre moteve i ndrojtur si unë, për dashurinë fliste me veten ose me Eseninin. Me askënd tjetër. Esenini të merrte për dore e të çonte në fshat si në Polenën time, veçse në ca shtëpiza druri që u thoshin izba, me çati të mbuluara me dëborë, me nënoke e me ca vajza të bukura brënda. Esenini t’a merrte zemrën në dorë e të bënte lëmsh të gjithin.
Dhe ja na del një çupëlinë vendi, thuhej se ishte gjimnaziste nga Korça, e na shkruan në gazetë e zeza mbi të bardhë:
“Njëzetë qindarka për të folur me ty,
tridhjetë qindarka për të ardhur te ti,
pesëdhjetë qindarka për të bërë dashuri.
Sikur miliona të më jepnin, nuk do të kthehesha mbrapsht nga ti”!
Miliona djem e vajza kanë bërë të njëjtën gjë, kanë folur në telefon e kanë hipur në autobuz urban, madje kanë grisur edhe këpucët më këmbë e nuk kanë gjetur dot fjalët si ta thonë këtë. Proverbiale, si veza e Kolombit!
Kjo vajzë ishte Natasha Lako, e talentuar dhe trime, guxonte e thoshte befasisht thjesht e bukur atë që donte.
Prej atëhere nuk besoja më se vajzat e shkollës sime do t’i frynin edhe akullores para se ta hanin!
Me Mevlanin tani ndihemi si mes miqsh, qoftë edhe larg njëri-tjetrit, qoftë dhe përmes fb!
I lexoj postimet e tij, i ndjek daljet publike, i prek e më prekin shqetësimet e tij si qytetar, si krijues. Më duket se flet me zemër në dorë e unë i besoj!
Menaxhimi i lirisë, qoftë dhe i lirisë tënde, qenka i vështirë! Është vrarë besimi e kjo është një humbje e madhe. Pa besim në vete e midis vedit liria nuk është e sigurtë.
Te ky njeri i kulturës si Mevlani unë besoj e kjo është arsyeja e gjithçkaje kam thënë më sipër e do të them më poshtë.
Në njëfarë mënyre, Mevlani mund të jetë nga ata të lindurit me këmishë. Të gjithë lindin duke qarë, ndryshimi është se shumë qajnë gjithë jetën, pak e gëzojnë. Këmisha e tij e fatit ishte talenti. Lindi me talent, pati fat që u zbulua, pastaj të tjerat i bëri vetë. Si te “Rrugët”, e kini parë? Hap pas hapi i ka shkelur vet, kuadër pas kuadri. Në njëfarë mënyre “Rrugët” është një autobiografi me figurë e kolonë zanore.
Ka luajtur në shumë filma, diku me romantizmin e moshës, po pa u shtirë. Ka bërë film si në jetë, si ishte e si donte të ishte. Jetën nuk e ka bërë si në film, qoftë bardhë e zi apo me ngjyra.
“Bota reale nuk më pëlqen. Është më e mirë jeta në filma”, thotë Woody Allen, një regjisor e aktor i madh amerikan, në një intervistë me të mirënjohurin Valter Veltroni. Paslufta e Dytë e gjeti të ri, duke shtyrë ditët kinemave, me qeska kokoshkash në duar. Të lodhur nga lufta të gjithë, edhe kineastët, sollën në ekran trima që ktheheshin fitimtarë, me gjoksin tërë dekorata. Në shtëpi i prisnin gratë, të gjitha të bukura. Gjithçka përfundonte mirë e spektatori priste që kështu t’u ndodhte në jetë.
Po në jetë nuk ndodhte kështu, thotë regjisori.
Kam përsiatje të miat persa rrëfen ky artist me ndjeshmëri të madhe sociale
Një dekadë më vonë, në vitet gjashtëdhjetë e shtatëdhjetë, bëj një paralele me vendin tonë, me rininë time e të Mevlanit, sipas mendjes e zemrës sime.
Them se lufta i kishte lodhur njerëzit njëlloj, në gjithë botën. E donin jetën ndryshe, si në ata filma: djem e vajza që binin në dashuri, te ne në aksione për rindërtimin, heronj që binin njëlloj, për atdheun, punëtorë të palodhur, me gjoksin tërë dekorata, himne për paqen, ku secili dëshironte folezën e vet, krah për krah në fluturim, si në metaforën e pëllumbit me degë ulliri.
Pas Luftës ëndrra për jetën ishte e gjatë e jeta vetë nuk ishte e ngjashme me ëndrrën.
Kështu unë e Mevlani, brezi ynë, jetuam njëherësh ëndrrën e zhgjëndrrën tonë.
Në shtatë filma e pesëmbëdhjetë dokumentarë regjisor, në njëmbëdhjetë filma aktor përbëjnë një përvojë të madhe në jetën e çdo krijuesi: e sheh jetën në disa dimensione, si fikshën, – njëfarë 3D, si dëshmi – dokument, edhe në vetën e parë, – si përjetues. Në njëfarë mënyre unin,- veten tënde, e lakon në të gjitha rasat e foljen “bëj”, veprimin, e zgjedhon në të gjitha kohët e mënyrat e shqipes.
Duket se kjo përvojë është një ngasje për t’u shprehur për ngjarje e njerëz, sheshe xhirimi, komunitete artistësh, në punë e sipër e jashtë saj, ku ai ka qënë prezent herë si aktor, herë si regjisor, në të gjitha rastet objekt e subjekt njëherësh, prej kockash, mishi, gjaku e zemre.
Kam lexuar disa shfrime të tilla të postuara në rrjetet sociale, rrëfime për miq me të cilët ka ndarë çaste të paharruara, nga ato që të rritin, të pjekin e të bëjnë ai që je.
Ai flet për Anagnostin si për një gjeneral të filmit shqiptar dhe për veprën e tij si një kurorë me gjelbërim të përjetshëm ulliri; për Gjikën si një mësues nga i cili mëson edhe kur rritesh; për ekzigjencën në punë të Ndrekë Lucës, që “të ikte nga skena edhe për një kopsë”, ndërkohë që ende e trembnin kujtimet e hershme. Vangjush Furxhiu vjen në dokumentarin “Përcjellja”, sipas rrëfimeve të rrethit të gjërë të miqve me gjithë ndjeshmëritë e trazimet më njerëzore të një artisti të pa përsëritshëm. Margarita Xhepa – një margaritar bukurie fizike e shpirtërore.
Do të ndalem në një rrëfim për Pandi Raidhin.
Ai shkruan për të si për një bir dheu që rrallë e gjen në tokë, me trupin e shpirtin tërë xhevahirë. Edhe pse kaq i pasur, si nikoqir i mirë i stivoste florinjtë e shpirtit të tij e sa herë që e thërriste skena gjente të duhurin e bindte të gjallin se kishte bërë zgjedhjen e duhur. Ai ishte në art si në jetë, i thjeshtë, i palatuar, ar safi, i sapo nxjerrë nga dheu, jo monedhë. Diku me derte, diku hokatar.
Njëherë , bashkë me Pali Kuken, e vunë para kamerës të rrëfente duke qëmtuar episode nga rolet e jeta e tij. Ai tregonte me thjeshtësi për të dyja, duke i shkrirë në një, me një natyrshmëri prekëse, si tregon njeriu për dertet e veta.
Ndërkohë dridhte një duhan, pa i parë duart, me një ritual krijues, si të ndërtonte një figurë aristike.
“Sa mall kam për atë dredhje duhani, – shkruan Mevlani. – Sikur të mundja të shkëmbeja një duhan sot”!
Dhe e mbyll: Rrallë vijnë prej dheu figura si ai!
Më turbulloi ky pasazh , sa thashë me vete se, po ta kisha pranë Pandi Raidhin duke parë ritualin e dredhjes së duhanit, do ta kisha tymosur dhe unë një, edhe pse e di ç’kam hequr për t’a lënë atë flamë!
“Jeta shpesh duhet parë nga të dy anët, si në një tablo qëndistarësh : nga përpara shijon kompozimin, dritëhijet e ngjyrat, pamja nga pas të ve në mendime, në ç’rrugë është kryqëzuar e në sa nyjë është ndërprerë filli i jetës”, shkruan Shopenhauer, një filozof që zhytej shpesh deri në skutat e shpirtit të njeriut.
Mevlan Shanaj vjen te arti i fjalës pasi ka folur më parë me gjuhë të tjera, si regjisor, – duke bërë të tjerët të rrëfejnë atë që ai ka dashur të thotë, si aktor, – duke zbërthyer në një veten e regjisorin, përmes fabulës, dritëhijes, tekstit e nëntekstit, ritmit. Në njëfarë mënyre kjo pasuri të shprehuri të kujton dy anët e qëndismës së Shopenhaurit. Të gjithë shohin anën përpara, jo anën pas, tërë kokolepsje penjësh e ngjyrash, këputje e humbje filli. Deri më sot Mevlanin e kemi parë e dëgjuar duke na folur nga ana e parë e tabllosë, nga qëndisma.
Tani duket ka zbuluar magjinë e fjalës, mënyrën më të vjetër të komunikimit nga fëmijëria e njerëzimit, duke zhbiruar anën pas të kornizës, tërë kokla e përthyerje fijesh e ngjyrash, për të kuptuar sa e vështirë është rruga te ajo që shohim përpara, qëndisma!
Dhe e thotë bukur, duke qëmtuar te e vërteta që beson si artist, si person publik e si qytetar.
Vite të shkuara kam patur rastin të jem në analizën vjetore të Teatrit Kombëtar. Ato kohë në çdo institucion bëheshin analiza vjetore pune e llogaridhënieje.
I njihja të gjithë artistët, të vjetër e të rinj. I kisha parë si gjithë të tjerët në skenë e në ekran. Ata ishin qëndisma, unë njëfarë lloji pjesa pas e tablosë.
Më duhej të flisja në fund. Thashë se i njihja emër për emër. Më duhet të prezantohem, u thashë. Di përgjegjësinë që kam e çfarë duhet të bëj, po në rrugë nuk më njeh askush e kudo shkoj më duhet të prezantohem.
Ata ishin persona publikë, që i njihnin të gjithë! Ishin mjeshtrat, nga të cilët të tjerët mësojnë. Spektatori i kërkonte në jetë heronj si në skenë.
Po a ishin të ndërgjegjshëm se personat publikë kanë edhe përgjegjësi para publikut qoftë edhe për sjelljen e tyre në rrugë?
Nuk besoj se, edhe sot, ky gjykim për imazhin e personave publikë ka ndonjë ndryshim thelbësor nga kohët që po sjell në kujtesë, kur arti e artisti duhet të ishin edhe modeli, sipas të cilit shoqëria duhet të shihte veten, si ana tjetër e pasqyrës.
Një çerek shekulli më vonë u gjenda në një tavolinë me një nga personazhet e asaj “analize”, aktorin e regjisorin polemist, Agim Qiriaqi, një nga brilantet e teatrit shqiptar. Antikonformist si përherë, në mospajtim deri me veten, më kujtoi me njëfarë ironie e vetëironie, “përgjegjësinë publike të personave publikë”.
“Ku m’i ke artistët që bëjnë heroin në skenë? Shumë prej tyre luajnë në jetë, shtiren ata që s’janë . Ata të vërtetët gjerbin kafe të lirë, ata që shtiren bërtasin në kupë të qiellit për liri e të marrin erzin për pará. Nuk durojnë , duan të bëhen brenda natës zengjinë! Ku m’a ke përgjegjësinë publike të vipave? Vipa rripa”!
Pikonte vrer një luftëtar si ai kundër hipokrizisë.
E gjej të ngjashëm këtë shfrim me ato që përjetoj vetë, me gjithçka shprehet edhe Mevlan Shanaj në një intervistë për artin, artistin e ndikimin e tyre dje e sot në Shqipëri:
Arti e artisti i vërtetë nuk ka moshë e kohë para e pas, kur lind e kur vdes. Arti i vërtetë nuk vdes. Artisti i vërtetë e ka lirinë brenda vetes. Në të gjitha kohërat ka pasur mediokër e mediokritet, lakej e luftëtarë. Artistët e vërtetë në çdo kohë janë luftëtarë. Krijimi është një akt guximi e lirie , është dhunti. Nuk e pengoi oborrtaria e as monarkia gjeninë Gëte të krijonte Faustin e Mefistofelin. Nuk e pengoi frika nga inkuizicioni Gojën për tabllotë e tij fshikulluese antiklerikale e antimonarkike. Nuk e penguan dot kanunet e metodës krijuese e as sistemi Kadarenë të shkruante ‘Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur’, ‘Kronikë në Gur’, apo ‘Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave’.
Fakti që dje ka patur çensurë e “art të thirrur në rresht” nuk justifikon çensurën si mjet pastrimi sot e nesër. Arti nuk lind e as vdes me dekrete e ligje. Arti është mundësi fantastike e lirisë së individit për të zgjedhur. Koha është seleksionuesi më i saktë i artit të vërtetë.
Arti nuk struket në istikame ndarjeje. Ai lidh brigje e ngre ura, forcon kohezionin kombëtar e afron kombet. Arti është luftëtari më human i paqes.
Në këtë “qëndismë” jo gjithçka që ndrin është ar. Ka edhe falsitet e falsifikatorë që hedhin grepin në një treg kaotik e të dyshimte vlerash. Ka jesmenë e servilë ashiqare e të kamufluar. Shqipëria është një treg i vogël. Është e vështirë, nëmos e pamundur të të bëjë arti të pasur. Arti i vërtetë është ushqim qibar. Nuk është për çdo hundë e nuk shijohet rëndom si tallavaja, një mall konsumi tranzicioni.
Ulu në gjunjë, bëj flamurin me kryqëzim gishtash e përbetohu sa të duash, tregëto si xhambas simbole, dukesh që tej se je kallp e monedhë fallco. Arti nuk është pazar gjëje, është garë vlerash!
Me këto rrëfime e përsiatje përshëndes për ditëlindjen mikun tim Mevlan Shanaj, njohur rastësisht në rininë e hershme rrugëve të Patosit.
Please follow and like us: