Sadik Bejko: JAM ME KOBZARIN, ME SHEVÇENKON
Ka disa javë që në mediat më të rëndësishme ndërkombëtare flitet me alarm për Ukrahinën.
Rrezikohet pavarësia, sovraniteti i saj.
Si poet, ruaj në arkivat e mia pak gjëra në lidhje me Ukrahinën. Mbaj mend që në romanin “Nëna” të Gorkit, personazhit me origjinë nga Ukrahina i drejtoheshin me nofkën “hoholli”, për dallim nga rusët.
Në bibliotekën time mbaj librin poetik “Kobzari”, botim shqip 1959, të poetit kombëtar ukrahinas Taras Shevçenko (1814- 1861), përkthyer nga Jorgo Bllaci, parathënia nga Dritëro Agolli. Nga ky përkthim mbaj mend disa vargje, si:
O mendime, o mendime e kam pisk me ju…
Ose:
Hajdamakët grurë mbollën,
Ukrahinë e gjerë,
Grurë mbollën, por s’e korrën,
Vallë ç’duhet bërë?
(Nga poema “Hajdamakët” , Cuba, Kryengritës)
Ose:
Dashuroni vetullzinjtë
Veç mos jenë Moskalë,
Ndryshe juve do të derdhni
Lotë brenge valë..,
(Nga poema “Selvija”)
Kobzari (si lahutari) është bardi, rapsodi popullor ukrahinas, që këngët i shoqëron me kobzë, vegël muzikore.
Më 1995 me Dhimitër ANAGNOSTIN, Dashnor Kokonozin jemi në Moskë, të ftuar nga Ministria Ruse e Kulturës.
Flemë në hotel “Ukrahina”, në oborrin e të cilit ishte (është) statuja e poetit kombëtar ukrahinas Taras Shevçenkos.
Kam një foto me këtë statujë, por nuk dua ta rëndoj më tej këtë postim.
Këto ditë po flitet për një pushtim të mundshëm të Ukrahinës nga ushtarët e Putinit.
Unë si poet jam me Ukrahinën, jam në krah të Taras Shevçenkos, të poetit të cilit disa vargje ende ia di përmendësh, të një poeti martir që e mbaj pranë që nga rinia ime…
Please follow and like us: