Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI: MENDJE E FTOHTË PËR LUFTËN E NXEHTË

 (Mendime rreth librit të kolonel Zeno Jahaj dhe Agron Berdaj “Përtej shtrembërimeve” Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar,  si një vështrim ndryshe i luftës së shqiptarëve përgjatë LIIB, si një perceptim e gjykim i ftohtë mbi luftën e nxehtë, si një autopsi gjakftohtë me synime të qarta, për çka është nisur dhe kërkon të arrijë si objektiv themelor, si nismë e vetënxitur intelektuale për ta thënë fjalën e vet në lidhje me një debat të gjatë e të vazhdueshëm në mjedisin shqiptar ende të ndarë)

 

Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare ka pothuaj mbi shtatë dekada e gjysëm që ka përfunduar dhe mendime, gjykime, sugjerime, konstatime, perceptime rreth saj nuk kanë të shterrur. Edhe në ta ardhmen nuk do shterrojnë, sepse ka munguar vullneti dhe fryma e bashkëpunimit vëllazëror, ka munguar vullneti për t’ju “vënë kapak” një të shkuare që realisht do shkëlqejë për çdo epokë të shqiptarëve. Ndërkohë që libri u kushtohet “Dëshmorëve të Atdheut dhe veteranëve të LANÇ-it”, nuk i kursen të vërtetat në të dhjetë kapitujt e tij, në të 280 faqet e librit, që autorët e kanë veshur me një aparat shkencor prej 216 referencash, kuryeshisht të huaja dhe më 63 burime bibliografike kryesisht të huaja, vetëm tetë burime të vendit. Vlera historike e librit qëndron tek thellësia e analizës, vërtetësisë, risitë, metoda, stilin i qartë dhe i kuptueshëm i të shkruarit, që autorët e shohin si sfidë, sepse nuk ju mungon guximi për t’u ballafaquar me faktet përballë “gjyqit” të lexuesve ushtarakë e më gjerë. Kushdo që e merr në dorë këtë libër nuk ka se si mos të silloiset veçanërisht në tre krerët e parë të librit “LIIB: gjeopolitika, aleancat dhe udhëkryqi shqiptar”, “Pushtimi fashist i Shqipërisë”, “Rigrupimi gjerman për mbrojtje strategjike dhe Shqipëria”.., por edhe në krerët e tjerë e fton lexuesin të kthejë vëmëndjen nga një problem historik i debatuar, i grindur, i shuar dhe i rindezur, i çekulibruar, i gjykuar me dhe pa arsye. Autorët të marrin për dore dhe të çojnë tek llava e vullkanit që ende vlon, që të shikosh me sytë e tu se çfarë, ndodhi, dhe çfarë ndodh në të vërtetë. Që të ngjitesh në majën e lavvës së pashuar vullkanike të duhet të kacaviresh shtigjeve dhe monopateve të luftës, të “veshësh” mantelin luftarak të kohës, të shkosh në pathet gjeopolitike e sociologjike, ta jetosh luftën e pasluftës. Gjithë shpura intelektuale e debaton me veten ngjarjet e fenomenet luftarake, por jo të gjithë depërtojnë në sheshmejdanin e përplasjeve të ideve. Ndërkohë që prodhimtaria për luftën është e begatë me studime, hulumtime, publikime, folkorizma, simbole, filma, vepra letrare, këngë e marrshe, konferenca e akademizma, me thënie e kundërthënie. Por Trevor N. Dupuy qartëson: “labratori i vërtetë për ushtarakun ka qenë gjithmonë historia ushtarake”. Akademia e lartë ushtarake që e ka ndërruar emërtimin e saj nëntë herë ka “pjesën e luanit” në shkrimin e historisë së LANÇ-it. Autopsia e një periudhe të debatueshme për autorët u bë nxitje edhe nga ish ministri i Mbrojtjes doktor Sabit Brokaj, që inkurajoi shkrimin e këtij libri, edhe pse leximi i teatrit rajonal, europian dhe botëror të luftës është “detyrim” në radhë të parë për ushtarakët si drejtues ushtarak të të gjitha niveleve, si mjeshtra të teorisë dhe praktikës së artit ushtarak në të gjitha nivelet, “dhuratë” e akademizmit ushtarak. Lexuesit nuk kanë se si mos të thithin ajrin e luftës përmes faqeve të një libri, nuk ka se si mos të “futen në situatë” dhe ta përjetojnë në imagjinatë dhe përtej saj vetë luftën, vuajtjet e një populli njëmiljonësh që i erdhi nga dy pushtime në pesë vite luftë. Por ata e kanë për detyrë të hedhin vështrimin në politikën dhe gjeostrategjinë, diplomacinë dhe makineritë ushtarake të shteteve në messhekullin e shkuar, të mos shikojnë pushtimin e 7.4.1939, që në fakt kishte nisur shumë herë më herët që me traktatet robëruese me palën italiane, që kishin nuhatur erën e naftës dhe gazit dhe interesat në rritje për brigjet përballë saj. Sa herë që shqiptarët i përzunë dhe i ndoqën ata sërish erdhën tek interesat, sikurse dinë të peshkojnë gjithë të mëdhenjtë në “pellgjet” e gjeopolitikës së interesave, sepse pozicioni i favorshëm gjeopolitik shqiptar i ka tërhequr dhe joshur, duke ngelur gjithmonë në vëmëndje të civilizimeve fqinj, por edhe aktorëve dhe faktorëve të fuqishëm gjeopolitikë botërorë.

Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e rrallë në historinë shqiptare

Shqipëria nuk ishte Japonia që më 1966 angazhoi 1700 historianë dhe bashkëpunëtorë  të specializuar që me Institutin e Historisë Ushtarake të saj për dy dekada publikuan 102 vëllime me 61 mijë faqe “Rruga Japoneze në Luftën e Paqësorit”, që i shkruan dhe i thanë të gjitha. Në Shqipëri ish-partizanë që zbritën nga formacionet e luftës, u arsimuan dhe shkruan libra, novela, romane, balada, bënë filma dhe vendosën në skenë pjesë teatrale, publikuan “yje të Pashuar”, “Heronj të heshtur” dhe e sollën luftën e shqiptarëve si fitimtarë në dimension madhështor. Qindra libra të të gjitha formateve, ishin pjesë e historisë së shkruar të orientuar, përfshi këtu edhe publikimet akademike të historianëve ushtarakë por edhe profesorëve që takoheshin me historinë e luftës në formatin politik, diplomatik, ekonomik, kulturor, gjeopolitik, strategjik etj. Plejada e intelektualëve elitare që përjetoi dy epokat edhe pse kanë kaluar tre breza nga përfundimi i luftës së nxehtë, ka ardhur koha të gjykohet me mendje e arsyetim të ftohtë, edhe përtej qëndrimeve ndarëse që i mbajnë shqiptarët në dy llogore dhe nuk i jejojnë ta orientojnë qytetërimin e tyre kombëtar drejt të ardhmes dhe zhvillimit. Diferencimet në mendime e argumenta do të jenë gjithmonë të gjalla. Fufta e Ftohtë mori fund dhe përjetojmë një epokë tjetër. Shfrytëzimi i arkivave shqiptare dhe europiane e deri përtej Atlantikut është i mundur për ta lexuar të drejtën dhe të vërtetën teorike dhe praktike mbi “luftën”, “operacionet”, “betejat”, “luftimet”, “aksionet”, ideologjizmat, boshtet, aktorët, faktorët, aleancat, vijat e kuqe të ndarjes, dhe vijat jeshile të përbashikit, interesave dhe problematikave komplekse që sjellin situata luftarake e imponuar. Përcaktimi se, “…qëndresa dhe lufta kundër pushtimit italian, për aq sa Italia përfaqësonte fashizmin dhe ideologjinë fashiste ndaj shqiptarëve ishte vlera e duhur morale dhe interesi kombëtar shqiptar… ashtu sikurse sot partneriteti strategjik me Italinë demokratike është interes kombëtar i Shqipërisë”. Drejtë. Por Lufta Botërore, që europianët përllogarisin 1 shtatorin e 1939-ës, për shqiptarët erdhi më 7 Prill të ’39-ës. Bilancet luftarake janë bërë e ribërë, përfshi edhe gjuhën e shifrave dhe fakteve, ndërkohë që libri sjell “Gjermania si aleate strategjike natyrale apo nazizmi gjerman?”, si aktor e faktor ekzistencial, si determinues gjeopolitik brenda dhe jashtë korrnizave të Friedrich Ratzel, Karl Haushofer, Rudolf Kjellen, mbi “hapësirën strategjike jetike”, për “tokat kufitare si realitet dhe kufijtë si abstraksion”, për racën shqiptare, që nuk kishte privilegje në “formatin zyrtar racor”. Natyrshëm rrjedhin “Aleancat e interesave globale amerikane”, “cikli britanik i interesave”, që ïnteresohej për gjithë Ballkanin me një nuhatje të fortë çërçilliane. Libri ndalet edhe tek “e burgosura gjeografike”, Rusia për nevojën e daljes në ujërat e ngrohta nga deti Balltik dhe përmes Mesdheut, ku “porta e Ukrainës”, është interesi aktual, ku është përqëndruar masivisht diplomacia botërore sot. Kreu i dytë e sjell pushtimin fashist gjerësisht të analizuar, nga qëndresa, ngë makinat e luftës e deri tek diplomacia, ndërkohë që Italia ishte prezent në Etiopi (1935). Referencat italianë të 7 prillit flasin qartë: 22 mijë trupa, 165 tanke, 64 topa artilerie, 860 automjete, 1200 motoçikleta, anije dhe aviacion luftarak kundër një vendi të sfilitur ekonomikisht, por të pamposhtur. Për ditën e parë të pushtimit burimet janë kontradiktore 25 të vrarë dhe 81 të plagosur ndërsa nga pala shqiptare 12 të vrarë dhe dhjetra të plagosur (edhe pse burime të huaja flasin për 160 të vrarë dhe qindra të plagosur). Pushtimi italian i Shqipërisë (7–12 prill 1939) ishte një fushatë e shkurtër ushtarake e Mbretërisë së Italisë kundër Shqipërisë. Rrjedhojat e pushtimit 4 vjeçar italian vijnë në libër me “operacionet për ruajtjen e gjendjes së pushtimit”, që nuk është vetëm një kuriozitet. Por fakt është se pallufta solli, Traktati i Paqes i 10.2.1947 që sanksionon Italinë si agresore ndaj Shqipërisë, dhe Italia detyrohet t’i paguajë Shqipërisë një shumë prej 5 milion dollarësh, traktat që është negociuar ndërmjet Italisë dhe “Këshillit të Katër Fuqive Aleate” (SHBA, Franca, Britania e Madhe, BRSS). Por lexuesi gjen pa doreza mizoritë e pushtimeve në Shqipëri, vrasje e djegje, që jua kalonin çdo lloj traktati. Por problemi më i madh ishte përleshja politike e formacioneve që lindën në Shqipëri: Partia Komuniste (1941), Balli Kombëtar 1942 dhe Legaliteti 1943, ku kondestimi i njera tjetrës vijoi gjatë luftës, ku triumfoi fronti i LANÇ-it dhe vijon edhe sot në disa segmente të caktuara formacionesh, organizatash e institutesh, që nuk përligjet armiqësia. Lufta e nxehtë u ftoh dhe u nxeh deri në parlament, në partitë politike, në diaspora e mërgimtarë politikë dhe jo vetëm, që “hallet” e kombit i morën me vete, aq sa bota e civilizuar nuk mund ti kuptojë, problemet psh., vetëm të datave dhe numrave kanë harxhuar aq shumë kohë mund dhe përkushtim, sa është bështirë të ketë mirëkuptim në botën e civilizuar perëndimore. Meqë shifrat, faktet, ngjarjet, definicionet “armëpushim”, “dorëzimi”, “kapitullimi”, “rigrupimi gjerman”, “mbrojtja strategjike”, “kuadri operativ e strategjik” të ndrisura fort me shifra dhe që lexuesit i shuhet edhe kureshtja le ta hedhim vështrimin përtej vitit 1992, kur për një çështje të mbyllur, shkruar e vulosur nga fitimtarët, anësitë politike pas erës demokratike nxorrën sërish në “sheshbetejë” ish luftën e nxehtë përtej bregut të “Luftës së ftohtë”. Shqipëria me 24 brigada sulmuese partizane, 8 divizione dhe 3 korparmata e rregjistroi veten me fitimtarët, edhe pse rregjistrin e fitimtarëve kërkonin ta çekonin fqinjët e shqiptarëve. Shqiptarët nuk i lanë hallet me fqinjët, por edhe grindja mes njeri-tjetrit, që pasi qëndruan “sus” gjysëm shekulli u zgjuan, përfshi edhe ata që në Dekalogun në pikën 10 shënonin: “Luftë…kundër pushtuesit për realizimin e idealit të lartë kombëtar” me 10-12 batalione e çeta, por pa ngritur formacione organizimi luftarak, “nuk krijoi ushtri, nuk krijoi hierarki, nuk krijoi shtab të përgjithëshëm”, derisa më 7 Tetor 1943 u lëshua letër-qarkorja: “… të pezullohet çdo operacion luftarak kundër forcave gjermane”, për arsye se vendi kërkonte “rregull dhe disiplinë”. Interesi doli në plan të parë. Ambasadori Noibaher shprehej: “Burrat e BK nuk bënë kurrë luftime me forcat tona, ose i drejtuan energjitë e tyre kundër partizanëve në jug…. shumica e BK mbështetën Gjermaninë” (f.141). Krahu i fitimtarëve u përcaktua qartë në vjeshtën e 1944-ës dhe u definua më 29.11.1944, ndërkohë që Enver Hoxha më 21.8.1946 në fjalën në seancën plenare në Konferencën e Paqes në Paris fliste për 28.000 të vrarë në Luftën për çlirim nga Nazifashizmi., ndërkohë që humbjet gjatë gjithë LIIB shkonin në rreth 62 miljonë. Fakt që edhe pse pati ndonjë elementë të luftës civile lufta e shqiptarëve ishte tërësisht çlirimtare. Interpretimet janë varfëri mendimi, kufizim njohje të fakteve e mungesë kulture, por këtu hyjnë dhe falsifikimet për qëllime politikës së ditës.

Çfarë ishte në të vërtetë Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar?

Rrethanat e Luftës së Dytë Botërore, në të cilat u zhvillua LANÇ-i kundër dy fuqive agresore më të mëdha të messhekullit të kaluar, Italisë fashiste dhe Gjermanisë naziste ishte një rast për të ritreguar vetën shqiptarët përballë nazifashizmit. Ka tre dekada që flitet dhe shkruhet shumë, mbarë e mbrapsht, për këtë ngjarje madhore të historisë së Shqipërisë. Janë në fakt dy prirje të kundërta, që shprehin dhe vlerësime të ndryshme për LANÇ-in. Njera i bën Luftës një vlerësim realist, objektiv, të merituar; ndërsa tjetra përpiqet ta errësojë, denigrojë, ta etiketojë “luftë civile, vëllavrasëse, për pushtet, shkatërrime, që ndolli e mbolli fatkeqësi”. Rëndësi, roli, vendi i saj në historinë e shqiptarëve i LANÇ-it është sinjifikativ në vitet e LIIB. Edhe libri “Përtej shtrembërimeve” vjen i qartë në përcaktime të argumentuara, se: “…bashkëpunimi me italianët, gjermanët i forcave BK dhe Legaliteti si dhe kuislingëve hapur ose fshehurazi me okupatorin, solli luftëtarët dhe fitimtarët e vërtetë në pushtet Fronti Antifashist Nacionalçlirimtar. Nënkoloneli N.T.S. Uiler, një ndër oficerët e misionit britanik, atashuar pranë Frontit Nacional-çlirimtar, që vepronte në Shqipërinë e Jugut në një raport që u dërgonte eprorëve të vet në Londër më 30.6.1944 duke iu referuar operacionit gjerman të dimrit, shkruan: “Një komb që marshon zbathur në dëborë, një komb të cilit i janë djegur e plaçkitur shtëpitë dhe që vuan nëpër male qoftë dhe për të marrshuar ai komb meriton të fitojë”. Më tej shkruan: “Nuk ka dyshim se partizanët po zhvillojnë një luftë aktive kundër gjermanëve”. Për qëndrimin e Ballit Kombëtar: “Është provuar dhe nuk mbetet pikë dyshimi se qeveria kolaboracioniste e Tiranës dhe Balli Kombëtar po bashkëpunojnë aktivisht me gjermanët dhe të tjerët, duke qëndruar sehirxhinj, po bashkëpunojnë me të në mënyrë pasive”. Era demokratike në Shqipëri, bëri që të riktheheshim në vlerat e mëdha politike të LANÇ-it, duke u rikthyer me aleatët e mëdhenj të kohës së luftës, me aleatët perëndimorë anglo-amerikanë, të cilët e ndihmuan politikisht, moralisht, materialisht e financiarisht luftën e shqiptarëve kundër agresorëve fashistë, ashtu siç po e ndihmojnë edhe sot për të ndërtuar një vend të ri demokratik të përparuar. Shqipëria është vendi i ngadhënjimit në beteja, prandaj edhe meriton vlerësim në familjen e madhe europiane. Nga ana tjetër nuk ka cep të Shqipërisë dhe të shtetit më të ri të botës të Kosovës pa lapidarë, memoriale, përmendore, shtatore, varreza e komplekse memoriale që dëshmojnë për luftën e shqiptarëve këtej dhe matanë Drinit për gjakun e derdhur liri, që gjithçka e kanë fituar vetë dhe nuk kanë dhuratë nga askush. Dëshmorët nuk janë numra por gjak në themelet e kombit, prandaj edhe meritojnë nderim dhe respektim të përhershëm. Kolonat e kombit tonë janë të çimentuara me gjak dëshmorësh prandaj edhe vlerësimi dhe rivlerësimi i tyre lidhet në radhë të parë me të ardhmen tonë kombëtare. Nderimi i heronjve dhe dëshmorëve të kombit tonë nuk bëhet për të “përkëdhelur” eshtrat atyre që kanë vdekur për Atdhe, as për pozitën në parajsë, por për ardhmërinë e vërtetë të kombit, që për këtë libër vërtetohet plotësisht që në faqen e parë të dedikimit. Politikat largpamëse duhet të “dëgjojnë zërin e të rënëve”, për prosperitet, zhvillim dhe mirëqenie, përtej grindjeve e shtrembërimeve, që tashmë ju ka kaluar koha dhe që fokusimi duhet të jetë i pandrushueshëm: interesi dhe vetëm interesi kombëtar. Prandaj është edhe reflektimi i “Përtej shtrembërimeve”, që kushdo të “mbedhë trutë e kokës dhe të tregohet i mençur”, përballë një bote të madhe të interesave. Detyrimet për miqtë strategjikë është përsëri e lidhur ngushtë me interesin kombëtar shqiptar, duke mbështetur njeri tjetrin edhe për çështje të interesave sublime të vendit.

Shqiptarët dhe interesat gjeostrategjike në rajonin Ballkanik

Në Enciklopedinë e Sami Frashërit, ku ai përshkruan qytetet dhe vendbanimet në Ballkan, numrin e popullsisë dhe elemente të tjerë, del se katër vilajetet kishin rreth 2.500.000 shqiptarë, gjysma e popullatës së shteteve të Ballkanit, ndërkohë që grekë kishte rreth 9oo mijë, serbë 800 mijë po aq dhe bullgarë. Ky ishte raporti i popullsive. Po sot përtej dy luftrave botërore Shqipëria nuk është në kufijtë e saj natyrorë, për në ¼ e hapësirës të shpallur zyrtarisht, me akt juridik nga dyzetë firmëtarët e Kuvendit të Vlorës, më 28 Nëntor 1912, që përfaqësoheshin gjithë trojet natyrore shqiptare. Është koha të hidhet vështrimi përtej ndasive politike të LIIB, për qartësimin e vështrimit në atë që çdo komb i planetit do ta bënte. Edhe për bashkësinë ndërkombëtare të Fuqive të Mëdha argumenti ka përparësi ndaj artificialitetit. Ish-Ministri i jashtëm anglez Eduard Grej në kujtimet e tij: “Ne i copëtuam kufijtë e Shqipërisë me të drejtën e forcës të së madhit, mbi të voglin”. Po argumenti, po forca e së drejtës, po argumentimi me fakte që natyrshëm i çojnë shqiptarët në Shqipërinë natyrale si faktor paqeje dhe stabiliteti për rajonin Ballkanik. Qindra fakte kokfortë e bindës për shqiptarët dhe të vërtetën natyrale, nuk munden ta shtrembërojnë dhe as ta injorojnë as shtetet fqinje dhe as aktorët e mëdhenj ndërkombëtarë, as lufta e fshirjes së etnicitetit nga fqinjët, sepse natyralitetin dhe zhvillimin nuk munden ta ndalin askush, por e vetmja kërkesë e koës mbi shqiptarët është “përgjegjshmëria për misionin e së ardhmes”, ndërgjegjësimi kombëtar se, “e drejta dhe e vërteta zhyten, por nuk mbyten”. Syçelësia se lufta e brendshme pas tre brezash është e tepërt për ambjentin shqiptar, që mund e duhet të ketë të tjera pritshmëri. Analiza që bën Zeno Jahaj dhe Agron Berdaj “Përtej shtrembërimeve” është edhe një kambanë për ata që kanë vesh, pse shtrembërimet shqiptare në planin kombëtar nisën në planin e jashtëm në Konferencën e Ambasadorëve, vijuan në grindjet e viteve 1920-1924 ku u ngritën dhe rrëzuan 12 qeveri si dhe u thelluan deri në ndasi tepër të thella në LIIB. Grindjet u rishfaqën në demokraci për t’u rindarë sërish në blloqe për të luftuar politikisht ndaj njeri-tjetrit. Në qindra shembuj europianë është gjetur gjuha për interesin dhe të ardhmen e kombeve të tyre. Vetëm gjermanët e francezët janë grirë shekujve, por sot dominojnë interesat gjeostrategjike. Edhe për shqiptarët nuk është vonë për të folur me të njejtën gjuhë kudo ku flitet shqiptarçe, për të parë përtej udhëkryqeve të historisë, që Shqipëria në “Teatrin Ballkanik” të këtë zërin dhe identitetin e saj europianoperëndimor.

Please follow and like us: