Albspirit

Media/News/Publishing

Mbi librin me tregime “Biletë për në qiell” të Odise Kotes

Nga Timo Mërkuri
Sa herë që bie fjala për shkrimtarin Odise Kote të gjithë biem dakort që krijimtaria e tij ka një bukuri veçantë, të dallueshme nga krijuesit e tjerë të kohës, madje vlerësimet kalojnë lehtas në superlativa duke u shoqëruar me cilësorët më entuziastë, duke u krahasuar me vepra dhe autorë të mëdhenj. Edhe unë jam një vlerësues i veprave të tij, por tej deklaratave të përgjithëshme, dua të kuptoj, ku qëndron e veçanta në prozën e Odise Kotes.
I.
Porsa nis leximin e librit me tregime “Biletë për në qiell” të Odise Kotes të krijohet një ndjenjë sikur sikur ti po “ecën” nëpër rrugica të kalldrëmta, madje ndjen më shumë se sa kupton, qê “je duke ecur” diku te Qafa e Pazarit apo Sokaku i të Marrëve, “shkon” te Klubi i Gjuetarëve apo “ngjit” ato tetëmbëdhjetë shkallët për tek Gjykata e Apelit. Mund të “jesh” duke zbritur për tek Trëndafili i Erërave apo në Vasilikua, por gjithmonë do jesh brenda Gjirokastrës. Kjo ndjenjë nuk është rastësore, pasi optika e shkrimit të tregimeve të Odise Kotes, pavaresisht se ku është teatri ku zhvillohet ngjarja, është gjithnjë Gjirokastra.
Gjirokastra si mentalitet e mençuri është ai prizmi kristalor ku përthyhet gjithçka me lehtësinë e përthyerjes së dritës, për të marrë më pas formën dhe aurën e qytetërimit gjirokastrit. Ky fakt i jep veçanësi këtij autori dhe e bën krejt të dallueshëm prej shkrimtarëve të tjerë stilin e tij të shkrimit të tregimeve.
II.
Odise Kote është gjirokastrit, pjesë e atij komuniteti qytetar me fillesa qysh nga koha e Zenevishëve, që jo vetëm u rezistoi trysnive të shekujve, pushtimeve, por krijoi mënyrë dhe kulturë jetese autentike me një dendësi të madhe përvojash në një hapësirë fare të vogël. Kjo dendësi përvoje, kulture dhe mënyrë jetese jo vetëm që ishte ushquese për vetë banorët e komunitetit, por ishte sa rezistente ndaj faktorëve të jashtëm aq dhe rrezatuese për të ndikuar mbi këta faktorë. Në thelb arti që krijon Odise Kote mbart esencën, psikikën e këtij qytetërimi që: pavarësisht ndryshimeve demografike të ndodhura nëpër vite e shekuj, mbetet funksionale si një laborator ku elaburohen idetë, këndshikimet, perceptimi mbi botën e ngjarjet, ëndërrimin për të ardhmen duke e bërë komunitetin gjirokastrit të ketë jo vetëm një vizion të qartë për ngjarjet dhe dukuritë, por të shtrojë një “kalldrëm” nëpër të cilin të ecte jeta dhe progresi i saj.
Ky “kalldrëm” është komunitarizmi qytetar gjirokastrit, një“strukturë e ndërlikuar ligjësish” ofuar nga përvojat, që përcaktojnë mënyrën e jetës të komunitetit, “kalldrëm” që nuk e gjen në qytetet e tjera.
Komunitarizmi qytetar në ligjërimin e O. Kotes përcillet edhe me flladin e humanizmit, që si një erë e lehtë pranverore shpërndan në jetën qytetare tregimet, nē thellësi të të cilit ka dhe një tis të hollë humori fin, tipike e qytetërimeve, e njerëzve të ditur e inteligjentë, afinitivë me librin dhe ngjarjet e botës. Odise Kote gjatë procesit krijues eksploron kujtesën e tij qytetare dhe atë kolektive të komunitetit gjirokastrit. “Zbulimet” që bën aty apo në “zgafellat” e harresës, janë mahnitëse, janë thesaret që ai na shtron në tregimet e tij, të cilat i shohim e mrekullohemi me to.
“… të shkruarit është gjithmonë eksplorim i vetes dhe i botës njëkohësisht; eksplorim i qenies individuale dhe kolektive” ka thënë nobelistja Nadine Gordimer. Nga kujtesa kolektive Odise Kote mjeshtërisht na përcjell “ligjësinë” e komuntarizmit qytetar si psh. “ligjet” e një fqinjësie të mirë me fjalët: “Kush do ta dojë me të vërtetë gjitonin, duhet ta respektojë në tri gjëra: Ta nderojë kur është i pranishëm, ta lavdërojë kur nuk është prezent dhe ta ndihmojë kur është në hall” (fq. 99). Shumë të thjeshta këto ligjësi në të kuptuar, por që kanë forcën dhe bukurinë e një diamanti.
E theksojmë karakteristikën e komunitarizmit të qytetit Gjirokastër sepse: “Është e pamundur ta gjykosh letërsinë e kohës sonë pa e lidhur me krizën e përgjithshme të qytetërimit, krizë që nuk është thjesht e një sistemi ekonomik, po është shembje e krejt koncepcionit të njeriut dhe të realitetit” shkruan Ernesto Sabbato. Në rastin tonë, njohja me komunitetin qytetar gjirokastrit dhe me “ligjësinë” e jetës së tij është çelësi që “hap portën” hyrëse në prozën e Odise Kotes.
III.
Gjuha në prozën e Odise Kotes të befason me shkëlqimin e saj, me tingullin plot jehonë të misterëshme që përcjell, me ndenjën e një dijeje të herëshme që të krijon. Në një kohë që krijuesit e tjerë synojnë përdorimin e fjalëve moderne apo të huaja në krijimet e tyre, Odise Kote e ka bërë metodë të vetën përdorimin e fjalëve dhe shprehjeve të mara nga fondi i fjalëve dhe shprehjeve të haruara apo të mbetura në fondin pasiv a të vdekur të leksikut komunitar, duke u dhënë atyre jetë, vlerë e shkëlqim, feks e bukuri në frazat e tregimit. Mes fjalive, fjalë të tilla ndrijnë si monedha ari të qepura në “festet” apo “shamitë” e kostumeve të vajzave të reja që i veshin në festat e fshatit apo krahinës. Fjalë si: “mëmëzonja”, “babazoti”, (fq. 15), “jeto” (fq. 19), “trushkulur” fq. 21), “turifyç” (fq. 25)“ “ditëprerë”, “(zërin si camunzë lofate”(fq. 23), “i thiliks” (fq. 31),”gjëmëmadhe”, “llokoçisin” (fq. 33), “të laj lumin”(fq. 48), “koçkëla” (fq 50), ”pufkë” (fq. 54), “çerekdamllatë…gërmadha”, “ndërgjegjet e lerosura” (fq. 67), “gjysmaku” (fq. 71) , “i qe tharë guxhumani” (fq. 99), “thagmë thashethemesh”(fq. 229) “dërdënge” (fq. 177), “trishton trishtimin” (fq. 177) etj. etj. janë jo vetëm fjalë të një fjalori komunitar, por janë shpesh elementë tipizues të personazheve, që ravijëzojnë qartazi një portret njeriu, po aq sa edhe një kulturë, qytetërim, kohë formimi e një mënyre jetese. Odise Kote vazhdon të na befasojë dhe më tej: Në fjalorin komunitar gjirokastrit, në mënyrën më befasuese përdoren fjalë të bukura edhe për zymtësinë e jetës! “Trëndafili i erërave” quhet vendi ku janë ngritur varrezat e qytetit, “Vasilikua” (nga “vasiliko”) quhen varrezat, që jo vetëm largojnë gjer në harrim fjalën “varreza” dhe “varr”, por e zvëndësojnë me emrin e mësipërm aromëmirë, të bukur, pranveror.
“Tek shtatë penxheret” i quajnë gjirokastritët birucat e burgut të kështjellës, ndërkohë që vetë emri “birucë” nënkupton diçka thellë nën tokë, ”shtatë palë shkallë” ku mungon në mënyrën me absolute ndonjë mundësi soditjeje. Ndërkohë penxheret ndërtohen pikërisht për të soditur, per të parë jashtë shtëpisë, banesës, ndërtesës veç funksionit të hyrjes së dritës dhe ajrimit në shtëpi. Duke e quajtur penxher birucën (nisur nga fakti se birucat ishin ndërtuar në kështjellë), zbutet efekti psikologjik për të dënuarin por edhe për familjarët e tyre, ku vijnë t’i vizitojnë. Këto fjalë dhe emërtime dëshmojnë për një kulturë të madhe dhe të hershme qytetare, kulturë që gjallon ende, duke na ndriçuar një portret dhe pamje të kulturuar të qytetit dhe banorëve të tij. Po ashtu frazeologji të tipit: “E vërteta?… ri e fshehur, atje ku s’ja pret mendja njeriu”(fq. 27), “…netët nuk mund t’i gënjesh”, “Fatit i tremben dhe perënditë” ( fq. 51), “në se nuk e kupton heshtjen time, si mund t’i kuptosh fjalët e mia” (fq. 102), “nuk jetoj në botën ku varrimi është më i rëndësishëm se i vdekuri” (fq. 122), etj. etj fjalë e frazeologjizma që “tunden” në trupin e fjalive si gjerdane e varëse floriri, me aq hijeshi sa në qafën a gjoksin e nuseve të reja, “krijuar” në argjendarinë e përvojës jetësore. Këto janë nga ato tip frazash që janë “kryefjala“ në tregimet e Odise Kotes.
Në tregimet e tij flasin “thesaret” e fjalëve dhe frazave, ashtu si për origjinën dhe rangun familjar të nuseve, flasin kostumet e qëndisura me ar, “florinjtë e ballit” dhe “florinjtë e gushës”. Dhe duke qënë se këto thesare i gjen në esplorimin e kujtesës individuale apo të komunitetit të tij, duke perifrazuar Xhojsin do thoshnim se Odise Kote ”mbyll sytë dhe shikon e shkruan”. Është vërtet një metodë e bukur kjo e të shkruarit symbyllur. Provojeni!
IV.
Është fakt se Odise Kote në krijimtarinë e tij letrare jo vetëm që ngre në mit mënyrën e jetesës dhe fjalorin gjirokastrit, por ai e përdor këtë edhe për të “pikturuar” portretin e personazheve të tij, të cilët mbartin dhe reflektojnë komunitarizmin qytetar. Kështu psh.te tregimi “Qilari” (fq. 12-20), ku nxënësit e shkollës së mesme të qytetit revoltohen pse nuk u jipet në biblotekë romanin “Bel-Ami” të Mopasanit, i cili ishte i ndaluar dhe duke qënë se nuk e “njohin” konceptin e “librit të ndaluar”(“Si? Libra të ndaluar? Ndalohet libri? Kjo nuk ka llogjikë!”) fq.13, shprehin revoltën e moshës duke shkruar në korridorin e shkollës parullën: “Ndalohet Mopasani… lejohet Rauf Kani”. Sigurisht që kjo revoltë ishte ndaj “ndalimit të librave të verdhë”, por parulla ishte hartuar në një mënyrë që të krijonte humor dhe jo debat, një humor që të çpon si majë gjilpëre dhe të shkakton mornica në trup. Humori te teksti i parrullës nuk “njolloste” Mopasanin e “ndaluar dhe as që përbuzte Rauf Kanin, shkrimtarin e ri bashkë-qytetas që kishte shkruar dy libra për pionerët partizanë, ajo në thelbin e saj ishte një revoltë ndaj “lejfenizimit” të njëriut të ri që kultivonte shkolla, dhe për pasojë ajo ishte kundërvënie ndaj një “padrejtësie” që shteti u bënte nxënësve, të cilët “kishin nevojë për përfytyrimin e botës, për zbërthimet radhë pas radhë të saj, me gjithë zhbirimet e pafundme të fantazisë” (fq. 16).
Revoltë e shprehur me finesë dhe elegancë, shoqëruar me një solidaritet komunitari ndaj padrejtësisë që i bëhet një kovaçi, e shohim edhe te tregimi “Në Tiranë ka një gjyqtar të mirë” në momentin që kovaçi bërtet: O i biri i Yzos! Do mi japësh paratë apo ti shkul ato kangjella nga Yzua e ti ngul te Fatja”.
Zemërimi në tekst fsheh përmasat e revoltës shpirtërore të kovaçit të dehur, por edhe fyerjen e birit të Yzos (“që kish qënë drejtor në kohë të ligë” fq. 146)) për arsye se “mëhalla e dinte që Fatja i kishte vënë brirët Yzos kur ishte gjallë”(fq. 147). Realisht të birit të Yzos i duhej të jetonte me turpin e të kaluarës së prindërve të tij, (“E kaluara nuk vdes kurrë. Madje nuk është as e kaluar” thoshte Folkner), ndaj dhe përmëndja e emrit të jaranit të së ëmës publikisht, dhe “kërcënimi i kovaçit se: do t’ia shkulte kangjellat nga varri i të jatit (Yzos) dhe do t’i vendoste te varri i jaranit (Fatja), ishte sikur ti vinte brirë vetë kovaçi, madje publikisht. Realisht në fjalët e kovaçit nuk kishte asnjë fyerje me fjalë të rënda, asnjë kërcënim për dhunë fizike, me gjithë se ishte në gjëndje të dehur dhe mund të justifikohej. Kultura komunitare nuk e lejonte as një kovaç të zemëruar të kalonte caqet e etikës së të folurit publik. Madje dhe solidariteti i “mëhallës”që ndiqte ngjarjen nëpër dritare në atë pragmesnate shprehet plot finesë, me një të qeshur të përgjithëshme që: “…e thërmoi natën në mijëra copa. E griu” (fq. 147).
V.
Te tregimi “Qilari” lexojmë: “Shpejt, atje! – mërmëriti (mëmëzonja) si në prehër durimi, më shumë me sy se sa me zë. Të kam shpurë dhe bukën. Atij i kanë hipur xhindet” (fq. 14), ku ne kuptojmë se shprehja: “Shpejt, atje…” do të thotë: shpejt futu vetë në qilarin (burgun) e shtëpisë. As vendim gjykate, as policë shoqërues, as burg te “shtatë penxheret” e kështjellës, por një burgim brenda ambienteve të shtëpisë. Gjëja më normale që i shkon ndërmend lexuesit është se ky burgim na qënka “gjasme burgim”, por në fakt burgimi është më se i vërtetë, djaloshi i dënuar nga kryefamiljari izolohet në burgun (qilarin) e shtëpisë, ku qëndron pa kontakte me banorët e tjerë të familjes. Është i vetmi qytet në vendin tonë, por besoj dhe në botë ku çdo shtëpi kishte “burgun e saj” ku vuanin dënimin ata familjarë që kishin bërë faj ndaj familjes apo ndaj komunitetit. Fraza: “Atij… i kanë hipur xhindet” flet jo aq për kodin patriarkal, ku gruaja nuk i fliste në emër burrit të saj, se sa për faktin se ai ishte autoriteti i padiskutueshëm në vendim marrje në shtëpi, ai ishte dhe “prokuror” edhe “gjykatës”. Pra, në tre rreshta autori na ka dhënë një ngjarje familjare me një densitet dramatik, që duhet të jesh pjestar i komunitetit gjirokastrit ta kuptosh situatën. Në qoftë se duhet të njohim portretin e “gjykatësit” le të lexojmë autorin: “…unë babazotin e mbaj mënd për gjestin e tij kalorsiak, për aktin sublim, siç e quante ai, refuzimin e kësaj bote, mosdaljen nga shtëpia…”. Nga shtëpia doli vetëm kur mbylli sytë, në udhëtimin e fundit drejt Aliqeve, në Pllajën e Trëndafilit të Erërave”.(fq. 17-18)]. Nuk e di pse kur e lexova këtë frazë, që skicoi në vetëdijen time një portret plaku kokëfortë, m’u kujtua kërcënimi lemeritës që Diellit i bëri Zeusit (te Iliada) me fjalët: “Do ikij nga kjo botë, do shkoj të ndrij për të vdekurit”. Imagjino një plak në Gjirokastër, i lodhur nga mos gjetja e normalitetit në raportet e tij me shtetin e kohës, refuzon jetesën e tij normale dhe “vetëburgoset në shtëpi” (“Prej asaj dite nuk u pa më në qytet. As në mëhallë” fq. 18)
Ky plak nuk është në kundërshtim me filozofin Seneka kur thotë se: “Njeriu nuk është krijuar të jetojë i vetmuar, ai është qënie shoqërore”. Më shumë na ngjeth shtatin fakti se ky kundërshtim ndodh në Gjirokastër, në vendlindjen e atij që drejtonte vendin komunist dhe ishte kundërshtim ndaj mënyrës së drejtimit të shtetit. Në fakt, përkundër llogjikës së gjërave, ky qytet, jo vetëm që s’kishte patur asnjë favorizim prej tij, por kishte provuar goditjen më të fortë të diktaturës, sidomos në psikikën, në atë shtresën e patjetërsueshme intelektuale. Nuk e di nëse jeni dakort me mua që edhe sfidën më të madhe atij rregjimi ia bënë intelektualët e këtij qyteti. Në lidhje me “babazotin”, parafytyroni pak sikur t’i vente në vesh një gjysëm fjale Atij për këtë plak që… refuzonte! Çfarë do ndodhte me atë, më mire mos t’a mendojmë.
VI.
Tregimi “Qilari” ndonëse ka një “thesar informacioni”, vjen për të na rrëfyer fuqinë e Librit, ose Shën Librit. Ne do flasim për “thesarin” prej librash që ”që dihet se përse kishte zbritur babazoti në atë qilar shtëpie gjirokastrite”. Por fëmija i vogël e zbulon shpejt me kërshërine e guximin e tij. “Pas atij zbulimi, qilari u bë strehëza ime e preferuar. Përtej kënaqësisë së leximeve. m’u ngulit në kokë ideja që krahas jetës sime kishte edhe jetë të tjera, më interesante, më intensive”. (fq. 16). Është kjo arsyeja që djaloshi e pret qetësisht qortimin e babazotit: “Në ferr o veç, djalo” (fq .20) dhe me gëzim ndëshkimin: “Kisha përfunduar vërtet në ferrin e qilarit, me libra të zverdhur, atje ku gjëndej gjithë parajsa ime…”. (fq. 20). Mjafton kjo frazë për të kuptuar marrëdhënien me librin në familjet gjirokastrite (“libra të verdhë” fshehur në qilar nga babazoti), marrëdhënie që kultivonte ndjenjën e “garës” për të mësuar më “shumë se shoku”. Kjo ndjenjë e “garës” ishte motori që vinte në lëvizje shpirtin arsimdashës të familjeve gjirokastrite dhe që me metodat e tyre, si më rripa trasmensioni ua përcillnin fëmijëve “sedrën”dhe dëshirën për të mësuar, duke e bërë qytetin një qendër intelektuale kombëtare. Mjafton të kujtojmë faktin se në vitet para Luftës së Dytë Botërore gjithë vendi ynë kishte 450 intelektualë gjithsej, nga të cilët 250 ishin gjirokastritë. Këtu duhet parë dhe zemërimi i babazotit për përjashtimin nga shkolla të djalit, i cili : “…u gremis pa u nisur”, duke na dritësuar befas mendimi se: Gjirokastrën e ndërtoi shpirti i “garës” i banorëve të saj, “garë” për të bërë shtëpinë më të bukur se fqinji, në atë rrëpirë vend etj. dhe jo ndonjë plan urbanistik sulltanor.
VII.
Ne shohim te tregimet e Odise Kotes një dendësi informacionesh dhe përvojash jete të pa hasura në asnjë qytet tjetër, që autori i zbraz nga kujtesa, duke u çliruar nga pesha e tyre. Në fakt kjo është letërsia: “Letërsia është një proces çlirues” thotë Fernando Namora. E veçanta e Odise Kotes është bukuria e paraqitjes së gjetjeve të këtij eksplorimi të vetvetes, paraqitje në tregime me ngjyrat dhe “format”e rombeve të “qëndisura” mbi kalldrëm, ku ngadalson të ecurit, thjesht për të shijuar bukurinë e vetë ecjes në një kalldrëm të “qëndisur”.
Dhe me që përmëndëm rombet mbi kalldrëmin e qytetit, a e dini që tregimet e Odise Kotes “kanë“ një formë “rombi” letrar? Ky “romb” është vetë struktura e tregimit, që i vëzhguar nga një distance kohore pas leximit, e sheh të pozicionuar me majat kënd ngushtë lart e poshtë, (që përfaqsojnë hyrjen dhe në përfundimin e tregimit) dhe anash cepat kënd gjerë të rombit, (që përfaqsojnë zhvillimin e subjektit). Kjo do të thotë që tregimi ka të njëjtin intensitet ngjarjeje dhe nivel artistik si në hyrje ashtu dhe në mbyllje të tij, ndërkohë që subjekti zhvillohet në mes të tregimit me dendurinë e rrëfimit, itensitetin dhe nivelin artistik të tij. Le ta shohim këtë fenomen psh te tregimi “:Në Tiranë ka një gjykatës të mirë” (fq. 144-148), i cili fillon me frazën: “Retë gjithë natën fjetën mbi mal. Në mëngjes u turrën si të çakërdisura mbi kokë, në Qafën e Pazarit. Aty mga ora nëntë sikur ndoqën pas grumbullin e njerëzve”. Në asimetri me këtë hyrje që paraprin rrebeshin, mbyllja është gati e njëjtë…” Rrebeshi u përplas i tëri verbërisht mbi kokat e tyre.”. Ndoshta është kjo strukturë e tregimit që të mban të “tendosur” si interesimin e leximit, madje të fton në një rikthim leximi për së dyti. Meqënëse jemi te tregimi “Në Tiranë ka një gjykatës të mirë”, kjo frazë që shërben si titull shprehet qysh në pjesën e parë të tregimit dhe lexuesi kujton se vërtet në Tiranë është ndonjë gjykatës i mirë, që jep drejtësi, që peshon paditë me peshoren e farmacisë dhe befasohemi në fund kur lexojmë se: ky gjyqtar ishte i mirë për personazhin nga që… “(e)…bëri veteran në moshën pesë vjeç në kohën e luftës…”. Këtë pozicion struktural të tregimit e shohim edhe te tregimi “Shirat”, i cili fillon me frazën : “kur retë nxitojnë si kuaj të hasdisur në qiell të murrmë, në qytet nisin shirat” dhe përfundon me frazën: “Mbase për këtë e kanë fajin shirat”, ndërkohë që subjekti zhvillohet në një kohë me shi. Po ashtu tregimi “E çmendura e Tiranës” vetëm në fund na tregon shkakun e çmendurisë: “Si gëlltite dot asnjëherë“moj e ngratë” tradhëtitë e babait dhe helmet e njerkës gjuhëpiper” (fq. 196), etj. Kjo strukturë të mban në “tension” interesimin për tregimin, qoftë si subjekt, qoftë si vlerë artistike dhe është një gjetje fine, që sado të përdoret te pjesët e librit, ajo nuk të krijon “bezdi përsëritjeje” pasi mbetet si një fill i hollë, i padukshëm në “qepjen e kostumit” tregimtar. Lexojini në këtë këndvështrim tregimet e Odise Kotes dhe do gjeni perlat në thellësi të tyre.
VIII.
Dashuria në librin me tregime “Biletë për në qiell” zë një vend të merituar, si një prej burimeve qënësore të jetës dhe ekzistencës, por edhe në këtë sferë Odise Kote paraqet veçantinë e tij. Pothuaj, të gjithë krijuesit bashskëkohës kur shkruajnë për dashurinë e paraqesin atë me ngjyra rozë, me mendimin se kjo ngjyrë do “reflektojë” dritë dhe pasion te lexuesi, ndërsa Odisea Kote shprehet “me ton” gati të prerë: “Dashuria është diçka e zezë”(fq. 162), duke na befasuar qysh te titulli i njërit prej tregimeve, duke na paralajmëruar, siç pohon Xh. Xhojsi: “piknisjen sipas rrethanës”. Tek ngjyra e zezë zbërthehen të gjitha nuancat më të holla të ngjyrave që sheh dhe percepton syri i njeriut dhe në “asimetri” me të, themi se: dashuria gjëndet në të gjitha ngjyrat e spektrit jetësor, që të bashkuara krijojnë të zezën unike. Kështu është dhe dashuria e tregimeve të tij, me të gjitha ngjyrat, të zbërthyera apo të mbledhura nga e bardha, e kuqja, grija, bluja… deri tek e zeza. Sepse këtërregjistër ngjyrash e tonesh ka jeta. Në qoftë se fraza “Dashuria është diçka e zezë” ka si autor Picasso, poeti gjilanas Beqir Musliu ka vargun absurd “Bukuria ash shumë më e bukur kur asht në të zi”(Beqir Musliu“Bukuria e zezë” Prishtinë 1980), “ku ai shpërfaq abstraksionin brenda ligjërimit poetik” (Ibrahim Rugova:“Strategjia e kuptimit” Rilindja, Prishtinë 1980 fq. 95).
Duke u larguar nga termat akademike, le ta shohim te tregimet e Odise Kotes “të zezën e dashurisë”. Tregimi “Dërzani” nis në një odë morti ku vajtohet i zoti i shtëpisë “i vrarë” nga kali i tij, duke e rrëzuar nëpër gremina. Autori na paralajmëron kur na thotë: Të dish historinë e një peme, duhet të mësosh më parë historinë e farës. Farë varvati” (fq. 42), por ne vetëm në fund të tregimit mësojmë se gruaja xheloze, që dyshonte se i shoqi e tradhëtonte në ato bredhjet e tij me kalë, diçka i bëri kalit. “Me çfarë e ushqeu atë mëngjes, si ia nguli gozhdët në patkonj dhe si ia la të zgjidhur rripat e yzengjisë” (fq. 42) duke i mbledhur të gjithë ngjyrat në një të zezë të thellë vdekjeje!!! Ky tregim ndoshta e çfaq më dukshëm të “zezën e dashurisë”, ndërkohë që pikërisht tregimi “Dashuria është diçka e zezë” (fq. 162) duket se bën një “lojë” dritash e ngjyrash duke treguar “krijimin” e të zezës
te dashuria: “Në vitin e tretë të martesës fati e braktisi. Markoja, bashkëshorti, lodhur prej tekave të saj a ndoshta në kërkim të një aventure tjetër ia mbathi në Argjentinë”, “atë mëngjes Nikolinin e kapi temperaturë e lartë” (fq. 163). Në përpjekjeve e saj dhe të personelit spitalor për shërimin e të birit, nis e zbërthehet ngjyra e zezë (si në një prizëm dashurie) në gjithë ngjyrat e ylberit, ku dallohet ngjyra rozë. Janë një sërë tregimesh te ky libër ku Odise Kote luan me ngjyrat në dashuri, ku herë i bashkon në të zezë dhe herë i zbërthen në spektër të ylbertë (“Vajtimi i grave u ngjit në qiell” fq. 28,”Litarët e mëndafshtë” fq. 69,“Mery Zingler fq. 123,“Refuzimi” fq. 155,“Peshqit nuk kapen kur s’ka hënë” fq. 179 etj etj) sikur do të pohojë thellësinë e fjalës së Osho kur thotë: “Të jesh krijues do të thotë të jesh në dashuri me jetën”. Odise Kote e dashuron jetën në të gjitha ngjyrat e saj dhe këtë e shpalos më së miri tek libri me tregime “Biletë për në qiell”.
Sarandë, më 07.02. 2022.

 

Please follow and like us: