Albspirit

Media/News/Publishing

Artur Spanjolli: Revolucioni shpirtëror i së ardhmes

Raca njerëzore e ka përmirësuar paraqitjen në aspektin e saj të jashtëm? Them se po. Gjyshërit dhe prindërit e një vajze të kohës së sotme ndoshta a me siguri kanë pasur një aspekt krejt tjetër. Kanë qenë më të vrarë nga jeta, me siguri. Por kush e bën aspektin e jashtëm kaq tërheqës? Estetika me mrekullinë e saj disi false? E bën mirëqënia? Apo e bën mënyra e të menduarit? Ndoshta mënyra e të jetuarit plot me luks, komoditet dhe rehati?

E vërteta është se paraqitja e vajzave sidomos është përmirësuar aq shumë këto 10-vjeçarët e fundit. Të jetë ndoshta liria e mendimit dhe e veprimit, apo thjesht kujdesi me dietën apo me bukurinë e jashtme këtë akoma asnjë nuk mund ta thotë me bindje. Shihet qartë që estetika ka arritur një pikë shumë të lartë prezantimi. Por a do të shoqërohet kjo bukuri fizike ndoshta një ditë me një bukuri edhe shpirtërore. A mundet pra që qenia njerëzore, ndoshta një ditë të largët, falë kulturës, emancipimit, arsimimit dhe edukimit sistematik, a do të arrijë vallë të rrezatojë edhe ai një shpirt të madh?!

Ndoshta kjo nuk është aq e thjeshtë. Me siguri. Bukuria shpirtërore ka pengesat e saj. ‘Mendje e bukur në trup të bukur’, do të ishte ndoshta shumë gjë për qënien njerëzore. Për kujdesin nga ana estetike femrat japin maksimumin e tyre, duke blerë kremëra, kutira të tëra me pomada dhe orendi në shërbim të bukurisë. Nëse femrat harxhojnë kohë dhe para për mirëmbajtjen e lëkurës, heqjen e dhjamit të tepërt dhe eleminimin e rrudhave me injeksione, ç’do të mund të bënin atëhere për përmirsimin e aspektit estetik të “shpirtit”? Bukuria nuk e shpëton dot botën, siç shprehej Dostojevskij. Ja pra, puna e njeriut për t’u bërë i bukur brenda është një punë e gjatë, e lodhshme, plot me meditime dhe luftë. Ajo nuk është një ecje ‘mbi një fushë me lule’. Ajo mbi të gjitha është një ecje e mundimshme mbi një shteg plot me ferra dhe lule gjëmbaçe. Të lodh, ka nevojë për një ndërgjegjësim i cili kalon përmes lodhjes së njeriut për emancipim. Emancipimi i tij duhet të kalojë nëpërmjet dijes. Nëpërmjet njohjes së thellë dhe hulumtimit shpirtëror. Ushqimi shpirtëror është edhe gurra më e sigurtë e përsosjes së tij. “Shpirt i madh në trup të bukur”, do të thuhet një ditë. Por madhështia e shpirtit kalon nëpërmjet mohimit të vetvetes. Braktisjes së çdo egoizmi dhe përqëndrimi tek të tjerët. Kur qenia njerëzore do të largojë nga vetvetja cmirën, inatin, zilinë, deri edhe mërinë, shpirtvogëlsinë dhe përqëndrimin tek vetvetja, atëhere ai nuk do të bëjë gjë tjetër veç se do të fillojë punën e vështirë të fisnikërimit dhe të zbukurimit të tij shpirtëror. Ky makiazh, kjo estetikë e shpirtit do ta ndihmontë shumë njeriun të jetonte më mirë.

Dikur, 100 vjet më parë, mes 100 vjazash, vetëm 10 ishin të paraqitshme dhe vetëm një apo dy ishin të bukura. Ndërsa tani mes 100 vajzash, 80 janë të bukura, nja 10 janë më paraqitje ‘normale’ dhe veç një apo dy janë estetikisht jo të bukura. Ky revolucion në harmoninë dhe estetikën e jashtme do te ndodhte vallë edhe me shpirtërat? Kjo është një pyetje që ndoshta përgjigja e saj vlen një milion dollar. Mendoj se është shumë e vështirë që të ndodhi.

E para e punës, sepse ashtu si vetë jeta e cila është e komplikuar dhe në bardhë e zi. E ndërtuar pra mbi dualitetin e saj të pashmangshëm. Ashtu si natyra e cila është e errët dhe e qartë, e ftohtë dhe e ngrohtë, bujare dhe zemërligë, plot urrejtje dhe dashuri. Me diell dhe me shi, me akull dhe me zjarr. Me paqe dhe me luftë. Me qetësi dhe me furtunë. Ky dualitet i cili gjendet aq i përhapur në natyrë, është po aq i përhapur edhe në mendjen e njeriut. Përsosja atëhere është një iluzion. Një e pavërtetë e madhe e cila nuk mund të marri kurrë veç ngjyrat plot drita të shenjtërisë qoftë edhe laike.

Por lufta e njeriut për emancipim, kërkimi që ai duhet të bëjë për të njohur të vërtetën, është sforcimi i tij ekstrem për të arritur majat e përsosjes. Ashtu si përsosja në art e ka emrin David i Mikelanxhelos, Mona Lisa e Leonardos, Simfonia e pestë e Mozartit, Komedia Hyjnore e Dantes apo Njëqind vjet vetmi e Markezit. Përsosja në shpirt është shumë më e ndërlikuar.

Një gjë është e vërtëte. Sa më shumë ecim me këmbët e ngulitura mirë tek vlerat e materies (nepsi për të akumuluar materie, lufta e pashpirt për karrierë dhe pushtet, humbja e vetvetes duke përqafuar mashtrimin dhe hipokrizinë, përqëndrimi tek vetvetja dhe sëmundja e indiferencës si komponent i degjenerimit dhe rënies morale të njeriut, etj etj) aq më shumë ne do ta kemi të vështirë të ngrihemi me lart si qenie të përsosura. Lartësimi i njeriut, përftimi i virtyteve, mbështetja tek e vërteta, tek e moralshmja dhe tek vlera e nderit, janë vetëm disa nga shkallët ku njeriu duhet të ecë, nëse do të ngjisë shkallët e tempullit hyjnor drejt sublimes. Rruga është e lodhshme, e gjatë, plot me vuajtje, dhimbje dhe kërkime, por nëse njeriu e do atë me gjithë mend. Nëse njeriu e kërkon atë, atëhere gjithçka është e mundur. Ai mund ta ndërmarrë atë dhe të fillojë të punojë për të. Për realizimin e saj, sa më shpejt.

Po të rrijë njeriu përherë i rrënjosur thellë tek vlerat e materies, njeriu nuk mund të ngrihet kurrë në fluturim. Nuk mund të ndriçohet kurrë si duhet. Nuk mund t’i zgjerojë rrathët koncentrike të “Pranës” së tij. (Aureola e dritës rreth siluetit të njeriut). Ato do të mbeten gjithmonë embrionale. Sa më shumë mendja të na punojë për materjen (të bëjmë para, të blejmë sa më shumë mall të panevojshëm, të kemi pasuri dhe të holla sa më shumë) aq më të vështirë do ta kemi ne. Por kjo nuk do të thotë se njeriu nuk duhet të punojë për to. Falë mirqënies ekonomike dhe rehatisë materiale, mua tani më lejohet të shkruaj si pashà. Pa to është i pamundur kërkimi i dritës superiore. Veç çdo qëllim në vetvete i akumulimit të materies dhe pasurisë është fare i dëmshëm.

Por veç kur njeriu do ta heqë përqëndrimin nga vetvetja, (egoizmin) kur ai do t’i qëndrojë besnik të vërtetës, të drejtës, të vyrtytshmes dhe të moralshmes, ai do të fillojë të ndërmarrë revolucionin shpirtëror. Por kjo nuk do të thotë të mos ia vari më fare vetvetes për hir të altruizmit. Gjithçka me karar dhe me masë. Sensi i masës është ekuilibri më i madh që ekziston në univers. Nëse gjithçka shkon nga rregulli që njeriu mundohet të vërë në jetë, drejt çrregullit që natyra tenton të ndëmarri, po kështu edhe brenda njeriut. Brenda trurit të tij, brenda ndërgjegjes së tij ky rregull duhet të ketë vetëm një pikësynim. Gjetjen e ekuilibrit, paqes, dritës dhe pse jo, edhe atë të lumturisë. E cila konsiston në dashurinë e pakondicionuar kundrejt qënieve të tjera njerëzore që kanë nevojë për të. Kjo është edhe vetia më hyjnore që njeriu sundon. Që njeriu e ka në embrion. Kemi ardhur në univers për të dhënë dhe marrë dashuri. Kjo është esenca e vetë jetës. Ashtu si jep e merr dashuri natyra. Dielli me dashuri ngroh dhe përkëdhel lulet, toka me dashuri jep ushqimin e saj rrënjëve, uji me dashuri e vadit me shiun. Po ashtu edhe qënja njerëzore me dashuri duhet të veprojë në çdo çast. Ky është edhe sekreti. Esenca dhe shenjtëria laike që njeriu duhet të synojë.

Një gjest i mirë, një vepër pozitive, një fjalë e mirë, një mendim pozitiv, një bekim i dhënë plot dashuri, një përshëndetje me zemrën plot, një bamirësi, nuk bëjnë gjë tjetër veç na ndrit të ardhmen më shumë. Bekimi shumfishohet si i pasqyruar nga qindra pasqyra. Kozmosi e kthen atë mbrapsh në formë begatije sepse e mira dhe e vërteta nuk humbin kurrë. E keqja dhe gënjeshtra digjen, kalben, shfytyrohen, përdhosen dhe demaskohen sapo ato dalin në shesh. E keqja (urrejtja, inati, tërbimi vrasës) digjet shpejt dhe aty përfundon gjithçka. Ndërsa e mira është e ngadaltë, por ajo është si një investim i sigurtë. Nuk humb kurrë. Edhe po humbi në mendjet, sytë dhe shpirtërat e njerëzve mosmirnjohës dhe që përfitojnë, ajo do të ruhet me besnikëri dhe me dashuri nga kozmosi. Do të jetë dashuria kozmike që do të ta kthejë atë mbrapsh të shumfishuar në begati. Nuk dua ta shoh reflektimin vetëm në prizmin hyjnor të Perëndisë, ta lëjmë Perëndinë. Ne nuk jemi në gjendje ta dimë nëse dikush atje lart ekziston apo jo. Le të merremi me punët e jetës. Kjo është një filozofi që mund gjithçka. Që ngadhënjen mbi gjithçka. Kjo është letra që fiton. Asi që mbyll lojën me sukses. Sepse synon një humanizem të thellë dhe fare sublim. Një humanizëm i cili do t’i shërbejë vetë së ardhmes së njerëzimit.

Jemi bërë më të bukur. Jetojmë më gjatë. Kemi më shumë komoditete dhe rehati. Më shumë begati dhe kujdes për vetveten. Rroftë shkenca dhe mjekësia atëhere. Dikur arsimimi, kultura ishte privilegj veç i të pasurve, sot ajo është e mundur për shumë njerëz. Gjithkush po e desh mund ta arrijë atë. Kemi nëpër banesat tona ujë të ngrohtë, drita, ushqime, mund të komunikojmë pa lëvizur fare nga divani. Jemi më të bukur si paraqitje, por ndoshta jo më të ndjeshëm se më parë. As më artista se shekuj më parë. Trajektorja e përsosjes shpirtërore nuk ka të bëjë fare me trajektoren veç në ngjitje të shkencës dhe teknologjisë në çdo fushë. Përsosja shpirtërore është e luhatshme. Humori i zemrës, drita apo errësira e saj janë si bursa e Nju Jorkut, me rënie dhe maja të larta, si jeta vetë.

Por njeriu duhet të luftojë për t’u përsosur. Kjo po. Kjo varet nga vetë ai. Personalisht jam i lumtur që jetoj në këtë epokë. Një epokë e begatë, plot me mundësi dije, mundësi komunikimi. Tashmë komunikimi dhe arsimimi. Përftimi i dijeve, tashmë nuk është veç privilegj i pak njerëzve. Ai është luks i masës. Jam me fat që po jetoj epokën e revolucionit të madh shpirtëror që do të vijë.  Koha e madhe e së ardhmes.

Please follow and like us: