Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Poezi e gjallë e gjakut tonë të shprishur

(Refleksione me rastin e botimit të “Rapsodi të një poeme arbëreshe”, Milosao, 2016, përshtatur në shqipen e sotme nga Agim Mato).
Shqiptarët që u larguan nga trojet e tyre për t’u vendosur në Italinë e Jugut prej më shumë se pesëqind vjet më parë, na kanë dhënë një poezi shumë të bukur. Ata që atëherë kur ikën e deri më sot, mbeten të jenë vetëm arbëreshë, “gjaku ynë i shprishur”, bij të një dheu të huaj, që nuk u kthyen kurrë më në dheun e origjinës. Rapsoditë, rrëfimet, proverbat, poemat, poezia e tyre u kthyen. Që nga themelimi i shtetit shqiptar, prej më se një shekulli e deri më sot ne shqiptarët e Arbërisë së dheshme, tokësore, i jemi kthyer disa herë kësaj poezie të mbledhur nga De Rada, u jemi kthyer veprave origjinale të shkruara prej De Radës, G. Darës, Serembes, Sqiroit etj, i jemi kthyer kësaj Arbërie të bukur të poezisë, kësaj Arbërie virtuale të kulturës, këtij shpirtëzimi të pakufizuar ndokund me dhè, me tokë a me det.
Hebrenjtë në eksod, sado që u materializuan dhe u shtuan në toka të tjera, e kthenin gjithmonë kokën pas te dheu i etërve. Ata gjithmonë patën mall për dheun e rrënjëve dhe gjithmonë e patën me vete një dhè që nuk është askund i ngulur në ndonjë tokë, një vend që nuk e gjen me kufij të përcaktuar në hartën e përbotshme, një vend që e gjen veç në këngët e në vallet, në shkrimet e shenjta të Dhiatës së Vjetër. “Në të harrofsha ty, o Jerusalem, m’u lidhtë gjuha pas qiellzës”… “E si t’i këndonim këngët e zotit nën robërim…”. Janë dy vargje të psalmit 137, janë klithma të shkrimeve që hebrenjtë i morën me vete në eksode, eksode që për disa zgjatën gati njëzet shekuj… e për të tjerë vazhdojnë edhe sot.
Hebrenjtë më së fundi e gjetën atë vendin e tyre të rrënjëve, shtetin e tyre, u kthyen te atdheu i shkrimeve të tyre. Arbëreshët tanë nuk u kthyen. Mbase, mbase më mirë, mund të thuash. Kushedi ç’zhgënjim do të pësonin kur të ndesheshin sy më sy me këta arbëreshë që tani quheshin shqiptarë… Gjuhë e ndryshuar… xhami, minare… dimite, melodi të zvargura…
Të ikurit gjithmonë kanë nevojë për këngë a për vaje që i lidhin me rrënjët e hershme: Moj e bukura More, si të lashë e më ng’të pashë… Dheu i varreve të të parëve dikur mbase peshonte. Ishte një kulturë që vlerësonte kujtesën orale kjo e shqiptarëve. Jo si ajo e hebrenjve që ishte e shkruar. Por ishte një kulturë shqiptare që me familjen e me vatrën e saj dinte të rezistonte. Edhe nëse transferohej ndokund në botë. Kjo pasuri gojore sillte një përvoje të traditës, përvojën një të shkuare pesëqind-vjeçare. Poezia me metaforat, imazhet, simbolet, mitiken i jepte jetë një përvoje të shkuar e të mjegulluar, madje dhe e mbante gjallë në jetën e përditshme të bashkësisë. Si në ditët e sotme që ngjarjet e mëdha nëpërmjet kameras i kthejmë në imazhe filmike, atëherë poezia ishte arti që kish përpunuar mekanizmin e kalimit të një ngjarjeje nga hiçi i harrimit në hambarin e kujtesës, ta ngjallte dhe ta ruante aty të njomë, të ndritshme, plot me ngrohtësi ndjenjash. Poezia “e dinte” se jo vetëm ato, bëmat, ngjarjet e përvojës së madhe, por dhe ato të ndodhurat në të përditshmen e përsëritshme duheshin mbajtur gjallë, duheshin fiksuar në ekranin e kujtesës. Kështu lidhej më mirë filli i murit në ngrehinën e gurtë të bashkësisë, lidhej fill i tezgjahut të kujtesës që ndërthurte cohën e ngjarjeve të mëdha që të krenonin kur gjendeshe në dasma, në gëzime a në hidhërime të bashkësisë, me fillin e ngjarjeve të imta, të vogla, por të çmuara si perlat, ngjarjet e brendësisë së individit.
Çdo trashëgimi folklorike, sapo krijohet me mjetet e hershme të komunikimit artistik, me brumin e mitit, me thurimën e ritualit, me vargun e muzikën e këngës, me teksturën e vajit a të përrallës, për një mrekulli, është njëherësh sa pasuri e një bashkësie, edhe e tërë njerëzimit. Ashtu e mbrujtur me lëndë mitike, arketipale, simbolike ajo është krijuar sipas ligjeve të përjetësisë së artit. Në një plan tjetër, siç vërejnë Levi Straus dhe antropologët e tjerë, ajo është dhe pohuesja, dëshmuesja më shembullore e një identiteti gjuhësor, e një entiteti kulturor, historik, gjeografik.
Në vitet kur i mblodhi De Rada “rapsoditë”, Italia nga ana e saj kishte një problem: nga një kulturë italiane e shpërbërë në disa shtete, me ideologë si Mazini, po rrihte të kthehej në një shtet-komb të unifikuar. Kjo lloj ideologjie e shtetit komb arbëreshve iu ofrua e gatshme nga lëvizja ideore italiane që priu lëvizjen me armë të garibaldinëve që e realizuan bashkimin, unifikimin e Italisë së gadishullit të Apenineve. Klima e atyre viteve do të lindte dhe shprehjen: “Tani që e bëmë Italinë, ejani të bëjmë italianët”, shprehje që u përsërit ndër ne nga Fishta e të tjerët në vitet njëzet të shekullit që shkoi: E bëmë Shqipërinë, po eja të bëjmë shqiptarët. Një shprehje që edhe sot mund ta përsëritësh. Gjërat ndryshojnë nga brenda: duhet themeluar një kulturë e re, duhen themeluar institucionet e reja të qëndrueshme… Nuk mjafton vetëm ngrehina… ngritja në këmbë e karabinasë.
Që të mos largohemi nga tema…
Këto këngë arbëreshe na janë të dashura që nga botimi i tyre i parë. Më shumë se sa të dashura, na janë të nevojshme e do të jenë të tilla për sa kohë që do ta ndiejmë të domosdoshme të qenit tonë si Shqipëri. Ato këngë me motive të para pushtimit osman, këngë që te ne ishin shuar e rrafshuar me tokën, (ku shkel këmba e turkut, nuk mbin bar), te arbëreshët kishin mbetur gjallë. De Rada i mblodhi që nga 1834 dhe i botoi më 1866. Më 1836 kishte shkruar Milosaon. Të botuara, ato tani mund të shërbenin si argument për një kulturë… sipas Herderit, ideologut gjerman, këngët folklorike kanë magjinë e origjinalitetit të papërsëritshëm të kombëtares. De Rada ishte i ri në moshë kur i botoi. Më pas, nga fundi i shekullit, kur i kishin rënë mbi kokë një mbi një fatkeqësitë vetiake, një zonjë e madhe shqiptaro-europiane, një matronë romantike e shqiptarësisë, Elena Gjika, alias Dora d’Istria, princesha rumune me origjinë arbre, do të shkruajë studime mbi këto këngë të mbledhura nga De Rada dhe midis të dyve, dy arbërorëve pa rrënjë në Arbëri, do të niste një letërkëmbim i nxehtë… ajror… atdhetar.
De Rada në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë me mitin e Motit të Madh, me mitin e Skënderbeut, po profetizonte ringjalljen e Shqipërisë si shtet-komb. Kush ka pasur një kohë të artë historike, ashtu si hebrenjtë patën kohën e Davidit e të Solomonit, pra, shqiptarët që kanë jetuar mbretërinë e tyre nën Skënderbeun, siç e dëshmojnë dhe këngët e Rapsodive… të tij, kanë të drejtë që të kenë një të ardhme. Kohët sipas lakores ciklike, përsëriten: një e shkuar e lavdishme, premton një të ardhme, një të pritme të sigurt.
Ky ka qenë kthimi i parë te këto këngë që kishin jetuar në ajrin e zemrës së një bashkësie, në avujt e verës së dasmave, në pluhurimën e valleve e të ritualeve, në shkëlqimin e lotëve në përkujtimoret e të vdekurve. De Rada i mori nga kjo trevë e pasigurt e asaj që është ritual, i shkroi në gur, ashtu si komandamentet, urdhërimet e Moisiut. Tani nga turmë me kulturë orale mund të bëheshim një bashkësi, nga kulturë e shpërndarë në rite, mund të kishim një ideologji, një program kombëtar, një udhë për t’u bërë një shoqëri e organizuar në shkallën më të lartë, në një shtet, në vend sovran me kufij që gjenden në hartën e botës, një entitet me vulën e tij në histori e në gjeografi.
Poezia nga disa mendimtarë të tjerë mbahet si një ngjarje e qenies, pra, ngjarje jo e shoqërisë, jo e bashkësisë. Si te një ngjarje e tillë, e qenies, te poezia gjallon malli metafizik për origjinën, për zanafillat, gjallim ky në vetëdijen dhe në pavetëdijen e njeriut. Në poezinë arbëreshe ka motive që të çojnë te Dhiata e vjetër, gjen dhe vështrimin naivist të primitivit mbi botën dhe shpirtin… Studiuesit shqiptarë të kësaj poezie i kanë mëshuar në veçanti një tipari “karakteristik”, ndjenjës së nostalgjisë, mallit të papërmbushur në të shkuarën dhe në të sotmen, mallit në planin antropologjik a patriotik për dheun mëmë. Por ky mall i qenies, më së shumti, është malli metafizik për zanafillat e njerëzimit, një mall i fshehur pas mallit për Arbërinë, pas asaj që jemi të tëhuajëzuar në përditshmëri dhe kërkojmë një “tokë” parake, një parajsë nga e cila na kanë dëbuar. Te ky mall për zanafillat, për parajsën nga e cila jemi zbuar, malli për Arbërinë skenderbejane dhe paraskënderbejane, te kjo trevë e shpirtërores takoheshin edhe arbëreshët, edhe shqiptarët: që të dy palët e kishin humbur në pakthim një të kaluar “historike”. Dhe kurrë nuk do të ktheheshin më atje. Të dyja palët. Se ishte mall jo për realitetin historik a gjeografik të një toke, ishte malli i paarritshëm për historinë zanafillore të qenies.
Gati një qind vjet pas botimit të parë, këto këngë të ribotuara në Shqipëri, të sjella prej arbërishtes, prej një të folmeje arkaike, gati mesjetare dhe pesëqind vjet konservuar në diasporë si fosilet në shkëmb, pra, këto poezi të kthyera në gjuhë të kuptueshme prej të së sotmes, krijuan befasi. Ato, na qenkëshin kaq të lashta sa të çonin deri te rrënjët historike, dhe njëherësh po aq të freskëta, sa mund t’i quash këngë të një shprehësie gati moderne. Një befasi artistike kjo në radhë të parë… Veç që ishin këngë të bukura, ato sillnin dhe iluzionin e një Arbërie siç mund të kishim qenë ne dikur. Kjo – një tjetër befasi. Jo pak e parëndësishme. Ne i paskemi pasur emrat Rinë, Doruntinë, Radavan, Nik Peta, Pal Golemi, Ded Skura… Këngë e motive që i gjeje diku në folklorin e Shqipërisë së këtushme, kishin variantin e tyre te Arbëreshët. Kjo përsëdytje, ky rikrijim i shqiptarësisë si kulturë e importuar, e marrë në sup si bagazhet jetike, kjo pasuri e pakonsumuar në vite, madje e ripërtypur dhe e përforcuar në vite, ishte një mrekulli. Identiteti ynë ishte aq pjellor, sa dhe i mbjellë në një dhe tjetër, i mbjellë si jetim, si zogjtë e qyqes në një fole tjetër, prapë kish mbijetuar. Ne u ishim shumë mirënjohës këtyre refugjatëve që në eksod na kishin mbartur mbi shpinë siç merr eshtrat e gjyshit, apo atin e vdekur i biri i arratisur në panik.
Një kthim tjetër përjetoi kjo trashëgimi me ardhjen e komunizmit. Shkollat po hapeshin me shpejtësi. Po përktheheshin libra nga kultura të tjera. Po rritej një rini e gjysmës së dytë të shekullit njëzet. Këta të rinj donin modele kulturore. Si t’ia shprehje dashurinë një vajze? Në ato vite të miat shumë i janë drejtuar Pushkinit. I Kadare e dëshmon këtë te romani ‘Mjegullat e Tiranës’. Në Gjirokastër mësuesi i letërsisë bënte himnin e asimzenelasve, e gjimnazistëve, duke shkruar se “si Milosao dhe Korçaguini/ ne do të vdesim për atdhe”. Romantiçizmi, vënia e interesave të larta atdhetare mbi ato individuale i përshtateshin klimës komuniste. Kështu përvetësoheshin atëherë këta Rinat, Radavanët, Ded Skurat, Pal Golemët, Nik Petët, Miloshinët etj, e gjithë ajo atmosferë epiko-romantike, atdhetaro- heroike e epokës skënderbejane, e veshur me njomësi imazhesh, e veshur me poezi të një lirizmi shumë të hollë. Flitej për kalorës, për gjeste kalorësish, për zonja të dashuruara si në epet kalorësore. Në adoleshencën e atyre viteve një klimë e tillë ngjiste. Një miku im Rrapi K. do t’ia shprehte dashurinë vajzës së ëndrrave të tij, duke imituar De Radën: “E përveshur dhe e lartë… Me gërshetën pleksurith…”. Duhet thënë se vajzat që ne kemi dashuruar së pari… ishin sipas librave që lexonim, sipas poezive që recitonim… Të larta, po, të larta… pra, të madhërishme… Në vitet tona, si në kohën e kalorësve, vajzat vetëm adhuroheshin. Ato ishin patjetër diku lart. Asnjëherë në tokë. Kështu e pësoi dhe miku im Rrapi që e kërkonte të dashurën diku lart apo unë adoleshenti i viteve 1950-1960 që vajzës i recitoja poezi… të larta, kur mbase ajo përgjërohej që të zbrisja pak më poshtë, ta prekja… diku këtu në tokë… Pengje të vjetra që kurrë nuk përmbushen, ëndrra që nuk i arritëm asnjëherë. De Rada e arbëreshët, historitë e tyre të viteve 1500… nuk mund të përthyheshin në katërqind e pesëdhjetë vjet më pas. Por nuk e kishin fajin arbëreshët… Ata na ndihmuan “të lartësoheshim”… se kështu ishte klima që jetuam a se kështu ne atëherë deshëm… Nuk ke pse fajëson arbëreshët… Ne atëherë koha po na rekrutonte si “ushtarë”, do jetojmë e punojmë ku të ketë nevojë atdheu. Atdheu ishte i rrethuar nga armiq. Në romanet realizmit socialist rus, në filmat që shihnim, adoleshentët vdisnin si heronj në luftëra me armiq… Me parullat: ne jemi në gojë të ujkut… krijohej një klimë militariste. Ashtu si te poezia e si te Rapsoditë e De Radës klima e luftës ishte prezente, e prekshme. “Erdhi dita e Arbrit! Doemos do të vdesim…”.
Tani jam thinjur… Dhe ja një kthim tjetër te arbëreshët… Këtë kthim tani e kam dhuratë nga Agim Mato.
Pse duhet të kthehem dhe një herë te arbëreshët… Te Rapsoditë… e De Radës… Them të De Radës, se ky i mblodhi së pari, por… Ka pasur një literaturë plot me pikëpyetje… I mblodhi De Rada, apo si aedi, si Osiani, ai i shkroi vetë dhe i botoi sikur të ishin këngë popullore. Nuk dua të bie në këtë kllapë. Larg prej saj. Nuk më duhet.
Në këtë moshë mund të thuash se njeriu kthehet te mitet e vjetra: kombësia, atdhetaria, identiteti, te ‘o sa mirë me qenë shqiptar’ etj, etj… Jo se unë nuk kam ngasje të tilla. Por ato po i lë në një raft të bibliotekës sime që, ndërsa shkruaj këto radhë, ky rafti është në lartësi me pasqafën time. Nuk po e kthej kokën aty. Ç’është aty, aty le të.mbetet, kurrë dhe as një fije nuk e hedh poshtë…
Pra, nuk më kthen e shkuara te këto poezi arbëreshe, por e sotmja.
Më lart kam folur për një mall, për nostalgjinë për origjinaren, për zanafillat. Ky mall mbetet e forcohet me kalimin e viteve. Këtë e kam shtjelluar më lart.
Në rini njeriu ka edhe etjen për t’u bashkuar me pafundësinë, me botën e pafund. Ka një motiv në këto poezi kur burri i ri niset në mërgim, me etjen për botën e madhe duke i lënë në ruajtje nuses së tij treqind pëllumba. Ajo vëren se çdo ditë kishte një pëllumb më pak. Në fund të vitit nuk kishte më pëllumba, pra, sipas kushtit: po të humbte pëllumbat, kish humbur dhe dashurinë e të shoqit. Kjo poezi mund të ketë shumë lexime, si: gruaja është natyra, burri është kultura, gruaja është te intimja, burri është botëpushtuesi, etj etj. Fakti që kjo poezi të shtyn te lexime që nuk shterin vetëm në një, e bëjnë atë poezi me lëndë përherë të pazbërthyeshme. Gjithmonë ajo do ta ndjellë lexuesin që ta “lexojë” si të dojë në privatësinë e tij.
Nuk mund të rri pa përmendur atë poezi ku e shpëlara në lumë e së puthurës prej buzëve të vajzës, skuq lumenjtë, skuq lëveret që lajnë gratë, ngordh zogjtë që pinë ujë lumi… imazhe të tilla janë të denja për poezinë e madhe në botë. Disa i kanë quajtur imazhe shekspiriane; R. Marku në një ese të paradokohshme i përqaste me imazhet e poezisë së anglezit, Xhon Doni.
Këto janë disa nga kryeveprat e poezisë arbëreshe. Nuk mund të shkruaj këtu për të gjitha atë pasuri imazhesh të kësaj poezie arbëreshe që i kam përgjithmonë në kujtesën time dhe që ma dredhin e ma lëkundin atë sa herë fryn një erë e ma hap dritaren nga kjo poezi. Këto imazhe si fantazmat e një ëndrre të mrekullueshme do të vazhdojnë ta popullojnë përherë kujtesën time. Poezia e mirë është një fushë e mbjellë me krijesa të imagjinatës.
Agim Mato më shkruante se vargu i bardhë i këtyre poezive ishte një pasuri evropiane. E vërtetë. Poezia folklorike arbëreshe dhe, më pas, edhe poezia e krijuar prej De Radës është shkruar me varg të bardhë. Shekspiri i tragjedive shkruante me varg të bardhë dhe “Parajsa e humbur” e Xhon Miltonit është shkruar me varg të bardhë. Nuk dihet se si është ruajtur te poezia arbëreshe një fenomen i tillë. Dihet se që nga poezitë “Alba” të vitit 1000, këngë të trubadurëve mbi dashurinë e kalorësit me damën, këngë të tradhtisë bashkëshortore në mesjetë, rima, që nuk njihej në antikitetin greko-romak, u bë një fakt poetik i domosdoshëm i poezisë europiane. Sonetet e Petrarkës, Komedia Hyjnore e Dantes kanë skema të sofistikuara ritmike dhe të rimës. Poezia arbëreshe që është më e vonët në kohë, nuk dihet se si i ka rezistuar një tradite të vargut të bardhë.
Së fundi, po them se që nga rinia në gjithë jetën time prej rrënjëshkuluri, gjithmonë e kam pasur me vete një libër të titulluar “Poezi popullore arbëreshe”. Një libër i përshtatur në shqip nga Zijaudin Kodra. Ai përshtaste drejt e nga arbërishtja. Kam pasur dhe i kam librat e autorëve arbëresh të përshtatur nga arbërishtja në shqipen e sotme prej Kastratit, Z. Kodrës, Shuteriqit, Rexhep Smajlit, Sh. Demirajt, Andrea Varfit etj. Sado t’i kenë kritikuar, ata kanë bërë një punë që mbetet: ata e donin këtë poezi dhe e sollën te ne me gjithë talentin e tyre.
Me këtë homazh për pararendësit e Agim Matos dua t’i mbyll këto shënime. Unë i jam mirënjohës atij që në këto kohë më ktheu te kjo poezi. Ai, si shumë nga ata që i kanë dashur letrat shqipe, dhe shtëpisë së tij botuese ia ka vënë emrin Milosao. Në këtë prurje të re të poezisë arbëreshe nga Agim Mato janë pasur parasysh gjithë paraardhësit dhe puna është çuar më tej. Për ata që janë njohës të mirë do të ketë gjëra të reja që t’i zbulon vetëm leximi.
Është punuar me dy virtyte që mund t’i mbrujnë e t’i bëjnë bashkë vetëm përvoja dhe mosha, krahas dashurisë dhe talentit të poetit. Është punuar me durimin e atij që për një kohë të gjatë gdhend diamantet. Agimi ka punuar gjatë, pa ngutje. Dhe virtyti i dytë është ai i urtësisë. Njeriu i urtë të prin nga e mundshmja më e arritshme për momentin. I urti sjell në breg barkën të mbushur plot dhe në heshtje, pa ndonjë interes për tregun. Kjo nuk është një aferë biznesi, është një punë me poetët dhe me poezinë, ore tungjatjeta. Në fund të fundit, kjo është një punë që lë pas varkën e mbushur plot dhe ndërkohë dielli lind, dhe misteret presin t’i zbulosh, rrinë zgjuar e asnjëherë nuk flenë, nuk shterin sot e sa te jetë jeta… tani e në jetë të jetëve.
20 maj 2015.
Please follow and like us: