Albspirit

Media/News/Publishing

Presidenti Nishani çmon bartësit e polifonisë labe

Kreu i Shtetit, Bujar Nishani çmoi sot gjatë një ceremonie të veçantë të zhvilluar në mjediset e Institucionit të Presidentit bartësit e polifonisë labe. Në praninë e Kryetarit i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Leskaj, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Edmond Brahimaj, autoriteteve vendore si dhe anëtarëve të grupeve polifonike të rrethit të Vlorës, Presidenti Nishani vlerësoi Artur Dhamon meTitullin “Mjeshtër i madh” me motivacionin: “Për rolin e tij si udhëheqës artistik i Ansamblit Folklorik ‘Çipini’ dhe Ansamblit ‘Labëria’, Vlorë, si hulumtues dhe organizator i përkushtuar për inkurajimin e talenteve të reja në fushën e trashëgimisë kulturore të trevave jugore”; Fatosh Likojn me Titullin “Mjeshtër i madh” me motivacionin: “Këngëtar i spikatur i isopolifonisë shqiptare, interpretues brilant dhe organizator i grupit të Dukatit, si dhe përfaqësues tipik i zonës së Dukatit në krahinën e Labërisë”;Nikolin Likajn me Titullin “Mjeshtër i madh” me motivacionin: “Për rolin e tij si përcjellës i traditës folklorike të grupit ‘Violinat e Lapardhasë’ në Lumin e Vlorës, i shquar për nivelin e tij të lartë të interpretimit të zërit të dytë”.

Presidenti i Republikës vlerësoi gjithashtu Arap Çeloleskajn (pas vdekjes) me Titullin “Naim Frashëri” me motivacionin: “Si një përçues i denjë i traditës folklorike të Labërisë, nëpërmjet interpretimit virtuoz të këngës dhe valles së rëndë burrërore vranishtiote”, Kristo Çipën me Titullin “Naim Frashëri” me motivacionin: “Si një organizator i palodhur i grupeve tradicionale të bregdetit të Himarës. Krijues i suksesshëm dhe interpretues i veçantë, mbrujtur në djepin e këngës piluriote”; Leni Mërkurin (Veron) me Titullin “Naim Frashëri” me motivacionin: “Si përcjellëse e denjë e trashëgimisë folklorike labe, nëpërmjet interpretimit brilant të këngës piluriote, dhe nxjerrjes në pah të zërit të tretë në këngën polifonike”: Hyso Xhaferajn me Titullin “Naim Frashëri” me motivacionin: “Përçues i spikatur i trashëgimisë folklorike të Kurveleshit të poshtëm, në krahinën e Labërisë. Lëvrues virtuoz i isopolifonisë shqiptare në skenat kombëtare dhe ndërkombëtare”; Vendim Zykajn me Titullin “Naim Frashëri” me motivacionin: “Këngëtar i njohur i isopolifonisë labe, interpretues virtuoz i lirikave popullore. Lëvrues i suksesshëm i traditës folklorike të zonës së Lumit të Vlorës, në skenat kombëtare e ndërkombëtare duke përfaqësuar denjësisht Ansamblin ‘Çipini”.

Kreu i Shtetit pasi uroi mirëseardhjen në Institucionin e Presidentit të Republikës, shprehu kënaqësinë personale, vlerësimin dhe privilegjin që sot nderohen përmes pranisë, por dhe përmes vlerësimit shtetëror bartësit më virtuozë të këngës popullore të krahinës së Vlorës: “të kësaj treve, e cila identifikohet me zemrën e Labërisë e që zë një vend të veçantë në historinë e Atdheut dhe kombit tonë.”

“Sa herë që përmendet Vlora, në mënyrë tejet instiktive secili shqiptar nga jugu deri në veri, e lidh këtë qytet me kontributin e jashtëzakonshëm historik dhe kombëtar që ka dhënë përgjatë shekujve, veçanërisht me shpalljen e Pavarësisë dhe themelimin e shtetit tonë nga Ismail Qemali me bashkëpunëtorët e tij në qytetin tuaj. Mirëpo lavdia e merituar e paraardhësve tuaj në të kaluarën e afërt e të largët në një farë nuk e ka lënë të dalë edhe aq në pah një tjetër xhevahir i çmuar e fort i rrallë, atë oqean të paanë të asaj krijimtarie të mrekullueshme, që përbën një nga thesaret më të shtrenjta të kulturës tonë, folklorin. Si rrallë në ndonjë trevë tjetër të hapësirës gjeografike të kombit tonë, në Labëri hasen disa nga perlat më të ndritura të kulturës popullore shqiptare, të cilat janë përfshirë përgjithnjë duke zënë vend me plot meritë në panteonin e vlerave tona shpirtërore kombëtare. Është e natyrshme që në ballë të këtyre vlerave të qëndrojë ajo që ka qenë më e dashura melodi në jetën labe: polifonia magjike, arti mbresëlënës që ka mahnitur në çdo kohë vizitorët e huaj dhe shtegtarë në këto vise në shekuj duke admiruar gojëhapur polifoninë, këtë ‘Zonjë të Rëndë’ të kulturës botërore dhe të folklorit tonë, që sipas studimeve është shfaqur në sferën e spektaklit muzikor qysh në lashtësinë e njerëzimit, shumë përpara korit antik grek. Ajo ka ardhur deri në bashkëkohësi si një dukuri tipike shqiptare që ka ngazëllyer me miliona spektatorë me fat, të cilët e kanë dëgjuar dhe shijuar me gjithë shpirt gjithandej ku është kënduar me një mjeshtëri të pagabueshme e të patjetërsueshme nga dhjetëra breza këngëtarësh, që e kanë përpunuar dhe pasuruar atë më tej ndër shekuj. Kënga popullore e ka shoqëruar labin në çdo hap të jetës së tij që nga belbëzimi i parë i foshnjës e deri në largimin nga kjo botë. Ajo ka qenë bashkudhëtarja e pandashme e lebërve në gëzime e hidhërime, nëpër vaje e nëpër dasma, në luftë e në kohë paqeje.” – theksoi Presidenti Nishani në fjalën e mbajtur në këtë ceremoni.

“Në lëndinat e praruara apo edhe gërxhet hijerënda të Kurveleshit apo të Mesaplikut, kudo ku gjallon e pulson jeta labërore, ndihen menjëherë në ajër tonet e ëmbla të fyellit të pasuar nga isoja e bardit të maleve tona. Të tubuar në grupe të vogla apo të mëdha, baballarët, gjyshërit dhe stërgjyshërit tuaj fisnikë i mbytnin brengat e tyre në oazin tërheqës dhe ngushëllues të këngëve të tyre, të cilat me motivet e veta zaptonin një hapësirë gati të pakufishme që luhatej dhe shtrihej nga ngjarjet e përditshme të shtëpive e familjeve të tyre dhe deri te hallet e dertet e gëzimet e të afërmve, kudo ku ata gjendeshin. Në këngën polifonike të Jugut, isoja, pavarësisht se nuk ka fjalë, nuk është vetëm një formë ekzekutimi, por bën pjesë në përmbajtjen e këngës. Kënga polifonike e jugut nuk mund të ekzistojë veçse e rrethuar prej isos. Madje, kjo murmurimë kolektive, është ndoshta nganjëherë edhe më e rëndësishme se vetë kënga. Është elementi në të cilin noton kënga. Në qoftë se isoja ndërpritet, kjo do të thotë se kënga ndërpritet. Por, isoja është mbështetje, aprovim, unanimitet. Me anë të isos, populli jep këngës të drejtën për të vazhduar. Me ndërprerjen e saj, ia heq atë të drejtë. Kur ne i përulemi këtij monumenti të prekshëm të mendjes sonë, jemi të vetëdijshëm se Labëria dhe kënga e saj polifonike pulsojnë fuqishëm në atmosferën e kulturës dhe trashëgiminë kombëtare shqiptare. Në dasmën labe apo në vajet e fuqishme që pasonin vdekjet, kjo simbiozë e ndjenjave të bijve dhe bijave nxirrte diamante të reja poetike, që të bashkuara në xhevahiret e tingujve krijonin atë ngrehinë madhështore që u titullua bindshëm si kënga e popullit. Në një rast të tillë si ky i sotmi kujtimet vërshojnë vetvetiu duke na çuar sidomos tek ato që bleruan traditën e trevës suaj. Në arealin vlonjat ka pasur disa ansamble njerëzish plot vitalitet që në rrjedhën e shekullit XX u mishëruan në krye të kësaj tradite si Grupi i Vranishtit, ai i Çipinit, i Dukatit, i Pilurit, mjaft të spikatur e ku u mbajt i pashuar zjarri romantik i lirizmit të gurrës folklorike. Në disa prej momenteve më thelbësore të jetëve tona, këto grupe kanë ekspozuar një larmi aq mbresëlënëse të këngës popullore sa kanë magjepsur një komb të tërë që është drithëruar prej tyre dhe ju besoj se jeni dëshmitarët e kësaj. Ata i kanë dhuruar vendit që u përkasin gjithë larushinë e tingujve të maleve vezullues të Lumit të Vlorës ku lindën apo bukurinë e pafre të gjirit të Vlorës dhe të Bregut të Himarës duke u gdhendur dhe bërë pjesë përjetësisht në kujtesën e mbarë popullit dhe kombit shqiptar.” – vijoi me tej Kreu i Shtetit.

“Unë kam besimin e plotë e të palëkundur në ndërgjegjen time se edhe në epokën e tanishme të globalizmit të gjithanshëm e të gjithçkaje, ku dikush edhe mund të rendtë drejt përfitimit, kënga popullore do të vijojë të jetojë e pacenuar nga asnjë rrezik duke vrapuar në dimensionin e saj drejt horizonteve të reja rinore, sepse e tillë, e re, mbetet ajo me freskinë që na përcjell gjithmonë në çdo çast kur dëgjohet dhe shijohet si një ‘mbretëreshë’ e muzikës. Dëshiroj t’i mbyll këto fjalë zemre me një mirënjohje të pakufi e thellësisht të sinqertë për të gjithë ata që i ndenjën përherë pranë kësaj mbretëreshe dhe e kultivuan dashurinë ndaj saj me një vrull e këmbëngulje të paepur. Dhe sidomos juve, bartësve të saj nga Vlora dhe Labëria që për dekada sakrifikuat çdo punë tuajën për ta sjellë në piedestal ‘mbretëreshën’, me hiret e saj më fisnike që u lartësojnë ju dhe mbarë popullin shqiptar. Suksese të mëtejshme në artin tuaj kaq njerëzor e aq të vyer për të gjithë ne! Ju këndoftë shpirti dhe mos ju pushoftë goja për jetë të jetëve!” – përfundoi fjalën e tij Kreu i shtetit shqiptar.

Në mbyllje të ceremonisë Presidenti Nishani së bashku me të pranishmit ndoqën një koncert të pasur artistik me këngë të interpretuara mjeshtërisht nga pjesëtarët e grupeve polifonike labe.

Please follow and like us: