Dy poezi të Germain Droogenbroodt në përkthimin e Irma Kurtit
Germain Droogenbroodt
Irma Kurti
Germain Droogenbroodt lindi më 11 shtator 1944 në Rollegem të Belgjikës. Në vitin 1987 u transferua në fshatin artistik mesdhetar Altea dhe u integrua në jetën letrare spanjolle.
Germain Droogenbroodt është një poet i vlerësuar në arenën ndërkombëtare. Ai është i ftuar çdo vit në festivalet më prestigjioze ndërkombëtare të poezisë. Ka shkruar tregime dhe recensione letrare, por kryesisht poezi, deri tani katërmbëdhjetë libra me poezi, të botuara në 28 vende të botës. Është gjithashtu përkthyes, botues dhe promovues i poezisë moderne ndërkombëtare. Ka përkthyer – pasi flet gjashtë gjuhë – më shumë se tridhjetë përmbledhje me poezi gjermane, italiane, spanjolle, latino-amerikane, angleze dhe franceze si dhe poezi arabe, kineze, japoneze, persiane dhe koreane në gjuhën hollandeze.
Si themelues dhe redaktor i shtëpisë botuese belge POINT Editions, ka botuar më shumë se tetëdhjetë përmbledhje me poezi kryesisht moderne, ndërkombëtare.
Pa përgjigje
Krahët e saj shtrihen në ajër
sikur dëshiron të përqafojë qiellin
një nënë Afgane për fëmijën e vet
po lyp ushqim.
Por lutjet e saj
nuk prekin as njeriun
dhe as Perëndinë.
Kopshti i Edenit
Parajsa
s’ka humbur kurrsesi
nëpër shekuj
vazhdon të ekzistojë,
por jo për të gjithë.
Përktheu në shqip Irma Kurti