Baritoni: Teatri i Operas po mbaron
Baritoni Ylber Gjini rrëfen për repertorin dhe kalendarin artistik të operës. Si po e çorienton punën e shumë artistëve mungesa e një kalendari artistik afatgjatë dhe pse besimi i tij për rikonstruksionin e këtij institucioni, tashmë nuk ekziston më
Baritoni Ylber Gjini tregon për ecurinë e operës në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Prezantimi i tij para publikut gjatë këtij viti është kurorëzuar me rolin e Rigoletos, te opera me të njëjtin emër e Xhuzepe Verdit, e më pas me arie nga repertori botëror, në koncertin recital “Opera opera”, si Couplets du Toreador nga opera “Carmen” e Georges Bizet dhe Alzati nga opera “Un ballo in Maschera” e Verdit. Baritoni e vlerëson situatën në këtë institucion me nota pesimiste. Kalendarin artistik e konsideron të dobët, për shkak të anës ekonomike, por jo vetëm. Problem më vete, sipas tij, është edhe mosprezenca e bordit të Operës, gjatë gjithë kohës në Shqipëri. Largësia, mendon Gjini, pavarësisht vlerave që kanë ata artistë që janë pjesë e këtij bordi, ndikon në përzgjedhjen e repertorit. Ndërsa, pyetjes nga Shekulli sesa beson ai në rikonstruksionin e Teatrit të Operës, i përgjigjet se: Ky teatër po mbaron.
Zoti Gjini, sapo është mbyllur sezoni artistik në Teatrin e Operës dhe Baletit. Si ka qenë për ju ky vit?
Mendoj se, përsa i përket anës artistike kam kaluar një vit të suksesshëm. Nga opera “Rigoletto” e Verdit, veçoj rolin e Rigoletos. Një rol, që për mua ka shumë peshë. Gjithashtu edhe prezantimi para publikut me një repertor botëror në koncertin recital “Opera opera” para pak ditësh ishte e veçantë. Përsa i përket anës së repertorit dhe anës artistike solistët angazhohen shumë, për shkak të një lloj konkurrence që ekziston mes tyre, por jo vetëm. Është bërë e modës, që nëse nuk ke punuar jashtë, këtu nuk je edhe aq i mirë. Është e vërtetë që një artist mund ta sjellësh për një shfaqje nga jashtë, por ai do të largohet sërisht, ndërsa ne kemi fjalën e urtë popullore që thotë: “Shtëpia me miell huaj nuk mbahet”. Opera nuk realizohet vetëm me një artist. Ne i admirojmë artistët tanë që jetojnë jashtë vendit, sepse janë të mirë, por ata kanë bërë zgjedhjet e tyre dhe janë larguar.
Si e vlerësoni kalendarin artistik, përsa i përket operave, që janë vendosur në skenë?
Është e vërtetë se kalendari ka qenë deficit (i dobët). Për ketë thonë se ka arsye të ndryshme; qoftë ekonomike, qoftë mungesë dëshire për të pasur opera etj. Por, këtu është krijuar një antikap. Ekziston një Bord i Teatrit të Operës, me artistë shumë të mirë, shumica prej të cilëve jetojnë jashtë vendit.
Përse e quani antikap?
Për mua kështu është! Ne artistë përvojë kemi dhe këtu. Këtu është vend profesorësh, nuk është këpucari. Mua ky teatër më dhemb. Ne kemi nga 25 vjet në skenë dhe kemi bërë edhe profesorin, kemi dhënë dhe mësim etj., pra jemi në një institucion, që ndeshesh me artistë, të cilët kanë dhënë jetën në skenë. Prandaj mendoj se jemi aq të aftë, sa të hartojmë një kalendar shumë të mirë, qoftë dhe me shpenzime më të vogla.
Sipas jush, përse nuk funksion kjo?
Nuk e di se ku çalon; te financa, stafeve etj. Këtu mua më shqetëson një gjë, që për shembull, nëse mua më duan spektatorët dhe unë jam në gjendje që të këndoj; më shfrytëzo, në kuptimin e mirë të fjalës. Por, kjo nuk funksionon. Që në fillim këtu u bë një gabim, sepse u zhvlerësuan vlerat. Për mendimin tim, këtu nuk funksionuan shumë gjëra. Unë për një gjë jam për vete time shumë i sinqertë, sepse në çdo kohë kam qenë koherent dhe kam folur dhe me të drejtë për çdo problem në teatrin e operës. Por, në teatër janë bërë disa riparime dhe investime sporadike, nuk ka as akustik.
Për shembull, kalendari artistik ku çalon?
Para pak kohësh u këndua “Madama Butterfly”, “Traviatta” apo “Toska”, nuk kanë qenë opera për masivitet. Madje unë mund të them se janë vënë dhe opera që nuk kanë pasur interes nga publiku. Për shembull, mund të them për “Kapuleti dhe Monteki” apo “Cosi fan tutte”, (natën e parë u mirëprit edhe pastaj jo), sepse janë opera të lodhshme, që në perëndim shihen me komoditet dhe kushte të tjera. Në Teatrin e Operës sonë sukses kanë pasur Verdi, Puçini, Bizet, Moxart më pak. Këto janë strategji nga të cilat mund të blesh shijet e spektatorit. Artistët që kanë ardhur nga jashtë, qoftë Inva Mula, Ermonela Jaho, Linda Kazani po ashtu kanë qenë klasë i lartë, por nuk janë më poshtë as këto, që kemi ne këtu. Janë shumë të mira. Punën që kanë bërë këto këtu nuk e bëjnë dot kurrë ato jashtë. Ky është fati, dikush zgjedh të jetë këtu dhe dikush të largohet.
Gjatë këtyre ditëve me se po merreni?
Ne konkretisht nuk po merremi me asgjë, sepse nuk është bërë detyra. Nuk na është përcaktuar nga kalendari artistik se me çfarë duhet të merremi. Nuk ka një kalendar. Ne nuk na ka informuar askush për asgjë. Prandaj, bordit që është jashtë i lutemi që të bëjë një kalendar, që TKOB të ecë aq sa mundet.
Dhe së fundmi, a beson më te rikonstruksioni i TKOB-së?
Këtë unë nuk e di. Por, mund të them një gjë me bindje se, se ky teatër po mbaron…
Statusi i artistit
Ka ardhur deri në një pikë, që mund të mendoj se këta nuk duan ta bëjnë. Ata në fillim u angazhuan, edhe për ligjin e pensionit, por nuk e di përse nuk bëhet. Ne e kemi kërkuar vazhdimisht, por përherë kanë dalë persona të tjerë, që nuk e kanë bërë. Por këtu ka edhe një antikap tjetër, sepse në status, nëse ke 15 vjet punë, merr automatikisht titullin profesor i asociuar, por ne këtu nuk kemi se si t’i marrim titujt.
Akademia e Arteve është bërë Universiteti i Arteve edhe nëse unë shkoj atje duhet që të kem master edhe titullin asistent-profesor, por këto këtu unë nuk kam se ku t’i marr. Këto janë gjëra, që nuk u funksionojnë në asnjë hallkë. Këtu nuk funksionon as sindikata, as vlerësim moral dhe as financiar. Ndërsa, titujt as që diskutohen. Ne, të themi të drejtën, jemi shumë të mërzitur. Jemi për të ardhur keq…